MILOSAO

Belladonna

15:40 - 17.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Daša Drndic* – Teksa në Shkup po presin armikun e tyre imagjinar që nëpërmjet Prizrenit do të arrinte nga Shqipëria me tanket e rrëgjuara T-59 (varianti kinez i tankut të famshëm T-55), Enver Hoxha mbillte vendin e tij përreth në mënyrë histerike me bunkerë, kurse në jug të Tiranës ngriti bazën ajrore të Kuçovës në Berat, me skuadrionet e aeroplanëve MiG-15/19 dhe 21 gjuajtës-bombardues, versionet e F-13, të gjitha prodhime kineze të markës F- 5/6/7.




Ato 750.000 bunkerë ku për dekada shqiptarët do kruspulloseshin me pushkë në baltë “të gatshëm” në përgjim të armikut të tyre, tani po risajohen në objekte të këndshme intime dhe të errëta, bare apo diskoteka, vende që turistët i vizitojnë zakonisht me një buzëqeshje dhe kinse habi, e ku blejnë edhe kopje në miniaturë të imitacioneve të pesë dekadave të tmerrit, që mbuluan të gjithë jetën e një kombi. Këto suvenire, bunkerë të vegjël, të cilët turistët që vijnë nga ndonjë prej atyre vendeve të lumtura nuk do i kujtojnë më për asgjë, pas kthimit në jetën e tyre të përditshme, do i vendosin në raft apo brenda ndonjërit prej atyre objekteve në formën e një tavlle duhani – ku shuajnë bishtat e cigareve.

Ai do të shkojë në Shqipëri, ende nuk ka mbërritur, por do shkojë. Kur në vitin 2008 udhëtoi në Shqipëri ekipi i të njohurit të tij, Andreas Ban-it i duhej të operonte një lungë dhe, mu atëherë, i përkoi siç edhe shpesh ndodh në ëndrrat pas ndonjë të papriture reale e të beftë, mbas të cilës të mbetet një vrimë në gjoks. Mbiemri i tij Ban është me origjinë ilire, shqiptare, Arnaute, rrënjët janë diku aty nën vargjet malore mes eshtrave të dikurshme të dekompozuara të luftëtarëve të vrarë, të mbetura pas sulmeve të turqve në shekullin e largët XV, kohë kur paraardhësit e tij ia mbathën në Istria. Gjithsesi, rastësisht apo jo, Shqipëria përmes realitetit të Andreas Ban shfaqet e habitshme por jo në formën e fijeve të humbura e as të ndonjë historie, e cila kthehet vazhdimisht në episode të rregulluara mjeshtërisht në jetën e zakonshme. Kjo tani, duke u përballur me kufirin shqiptar i përsjell një botë në vetvete me mur, ngurosur, por edhe jetën e trishtuar e të varfër, të cilës i kanë plaçkitur buzëqeshjen dhe madje edhe lotin, e të gjitha këto Andreas Ban nuk i dyshon.

Shumë vite më vonë, në librin me titull Sonnenschein, Andreas Ban ndodhet në kapitullin që ka të bëjë me jetën e një familjeje italiane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kapitull, e gjen veten me emrin e Ruben Ketz dhe ndaj Andreas Ban ngre vetullat e tij dhe thotë, E pamundur. Po ekzistojnë shumë emra dhe mbiemra të njëjtë të njerëzve të ndryshëm, bind veten Andreas Ban gjatë leximit të librit me titull Sonnenschein, ku shkruhet se familja italiane-hebreje-fashiste Tedeschi u vendos në Vlorë në vitin 1939, kohë kur në qytet jetojnë ende rreth gjashtëqind hebrenj, dhe që atëherë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare Haya do kujtonte në pleqëri vetëm Fanny Mallin, që e mbante të lidhur me ngjalmë një lepur, dhe Ruben Ketz-in sepse ai i kishte xhepat plot me guralecë të zinj dhe fliste shqip më mirë se ajo. Pas këtyre të dhënave të parëndësishme e gjoja fiktive mendja e Andreas Bana lëviz në një kujtesë të vagëllt, e gjitha dytësore për jetën e tij. Por me kalimin e kohës, hapen të çara të reja në historinë e familjes Ban, që megjithëse janë të çara beninje, duken si pa dhimbje, edhe pse përbëjnë boshllëqe që edhe njëherë tjetër konfirmojnë se jeta jonë s’është më fiktive dhe imagjinare por reale, ndaj Andreas Ban s’di çfarë të bëjë me situatën e tij të momentit, kaq të koklavitur, konfuze e të lodhshme, mu tani kur e mbërthejnë të gjitha llojet e sëmundjeve që përmbajnë mbeturinat e mbetura të realitetit të heshtur dhe të rremë.

Motra e Andreas Ban-it, ajo që në vitin 1997 vdiq nga një goditje në tru në Ljubjanë, në fund të viteve 1960, na u martua me njëfarë Carlo Ketz, inxhinier ndërtimi nga Trieste, nga i cili, “për shkak të natyrës së mosmarrëveshjes,” kërkoi menjëherë divorc. Nuk kanë fëmijë. Menjëherë pas divorcit, Carlo Ketz u vendos në repartin psikiatrik të spitalit “San Giovanni të Triestes, të cilin pas radhës së spitalit psikiatrik në Gorizia, në vitin 1960, e reformoi i famshmi Franco Basaglia dhe ku në fasadën e të cilit dikur me shkronja të ndritshme të kuqe ishte i mbishkruar grafiti “Terapia është liri”, kurse vetë institucioni u quajt shkurtimisht Casa Rosa Luksemburg. Dhëndri i Andreas, Carlo Ketz, iu nënshtrua një trajtimi për humbjen e identitetit, ngaqë se kuptonte qartë vetveten dhe kohën, e pas së cilës duke e pasur të vështirë për të dalluar se cili ishte, vendosi të shndërrohej në disa subjekte njerëzor, fatet paralele të të cilëve jetonin, ashtu siç dukej edhe për atë Teresa Acosta, e cila konfirmon vetëm se sëmundja është e lidhur me njohjen e vetvetes, nga pasqyrimi i thyer i jetës sonë në realitet e që nuk përbën një sëmundje specifike sesa përshfaqje e pak a shumë të zakonshmes për tu copëtuar, kohës së jetuar gjatë ekzistencës sonë.
Spitali San Giovanni nga ana humane është i integruar mirë në mjedis, rreth tij shëtisin të rinj, është pranë edhe një diskotekë, pa ka bare, restorante dhe ëmbëltore, madje edhe një teatër i vogël, natyra është e bukur, ashtu si ishte e këndshme edhe përreth kampeve naziste të përqendrimit, arkitektura ishte e stilit nouveau, lagjja ishte multi-etnike, e përshkonte kultura, oh, çfarë mrekullie, pacientët dilnin jashtë sa herë që donin, disa, megjithatë, të shoqëruar nga të tjerët, të themi, e mund të rrëfehet po ashtu se edhe Carlo Ketz, ish-burri i motrës së Andreas, jeton në repartin psikiatrik të spitalit San Giovanni sot, në moshën e tij të mesme, ndjehet i qetë dhe është i integruar, sikur nuk është atje ku është, sikur është mu mes nesh.

Franco Basaglia, i vetëdijshëm për faktin se sa më të mbyllura të ishin institucionet psikiatrike aq më të dëmshme do ishin për llojin e identitetit njerëzor dhe pastaj më të diferencuara edhe prej trajtimit të ashtuquajtur nga “djepi deri në varr”, mbrojti shkollën e psikiatrisë demokratike dhe dekonstruksionin e spitaleve psikiatrike, ku njeriu pa mëshirë katapultohet më tej në humnerën mendore dhe shpirtërore, dhe madje edhe fizike. Kur qenia e sëmurë do gjendet e mbështetur në muret e spitalit psikiatrik, thotë doktor Basaglia, ajo zhvendoset në një dimension të ri të zbrazëtirave emocionale, në neurozë institucionale. Andreas Ban-it i duket se rënia në neurozë institucionale nuk është e nevojshme të kurohet në spital psikiatrik, është e mjaftueshme thjesht të ulesh në çdo zyrë, t’i nënshtrohesh si punonjës i saj, po ndoshta edhe si të atij shkencëtarit, ndoshta veçanërisht stafit të universitetit, sepse universiteti mbështjell një mburojë të padepërtueshme të autonomisë së rreme dhe korrupsionin akademik, dhe të gjithë ketë e ka thënë tashmë Kafka. Duke arritur në një spital psikiatrik, thotë doktori Basaglia, njeriu hyn në një hapësirë të projektuar fillimisht si një zonë që do ta bëjë të padëmshëm, të butë, të qetë, të lehtë dhe të bindur, të gjithë në frymën e krishterë, veçanërisht katolik të devotshëm, e cila ashtu me hile i vret shpirtin, e është në të vërtetë një propagandë shekullore e lojës, shfaqje me kostume të varfëra plot me tekste të uritura dhe skenografi kitsch, nën ballin e të cilës nën mantelin e rëndë qëndisur me fije ari dhe këpucë të kuqe Prada, parakalon figura groteske e Papës.

Duke e vendosur njeriun në një spital psikiatrik, vërtetoi mjeku Basaglia, “kompetent” i vërtetë në fakt, ai mblidhet në hapësirën në të cilën falë terapisë së ilaçeve, e gatisin sërish të kthehet në botën e jashtme, që të bëhet sërish i pranueshëm. Në mënyrë paradoksale, thotë mjeku Basaglia, në vend të kësaj, pacientët vijnë me një mohim të plotë të individualitetit. Nëse sëmundja mendore në thelb do të thotë humbje e individualitetit dhe lirisë, atëherë në institucionet për sëmundjet mendore personi i sëmurë e humb më vonë përveç dhe plotësisht veten e tij, duke u bërë objekt i sëmundjes së tij, që është vështirë të shërohet. Në këto institucione, pacientët janë të privuar nga e ardhmja, në institucione të tilla ankorohen njerëz pa të ardhme, të privuar nga vendimi dhe rebelimi, vazhdimisht të varur nga vullneti, direktivat dhe diktati i të tjerëve, pohon mjeku Basaglia.
Ku jam, pyet Andreas Ban, brenda apo jashtë?
Ky është Carlo Ketz, ish-burri i motrës më të madhe të Andreas Ban-it – “internuar”, Andreas Ban e dinte se deri në mes të vitit 1970 ai qëndronte në Shkup, në kazermën Marshall Tito, VP 4466, dhe ndërsa po kthehet kah kufirit shqiptar rivlerëson rrënjët e veta, i gatshëm për të mbrojtur Atdheun nga sulmi i padukshëm dhe asnjëherë i parë nga një fuqi armiqësore.
Por vetëm kur në këtë librin Sonnenschein u ndesh me mbiemrin Ketz, para Andreas Ban-it shtrihet kapitulli për të cilën ai nuk di asgjë, heronjtë e të cilit fluturojnë drejt footsnote të jetës së tij. Prej sa kohë familja italiane Ketz, e cila ishte i lidhur një herë e një kohë me motrën e tij, kishte qenë në Shqipëri? A ishte familja Ketz e njëjtë me atë të burrit të motrës së tij, të cilin e pa vetëm një herë, tridhjetë apo dyzet vjet të shkuara gjatë martesës? Pse Carlo Ketz humbi, e tani, nëse ai ishte ende gjallë, mbledh mbeturinat e ditëve të tyre? Dhe kështu, duke kërkuar jashtë dhe duke zgjidhur të kaluarën e tij, qoshet e së cilës janë të humbura, mbushur me shtresat e lëkurës së kohës së tij, dhe që tashmë po shkojnë drejt përqafimit të harresës, Andreas Ban furnizon jetën e njerëzve të tjerë në rrugën kah vdekjes, në këtë pakujtesë të përgjithshme kaq të fuqishme.
Dy vjet pas operacionit të një kanceri në gji, aty nga 2010, me ftesë të mikut të tij në Beograd që nga 1990 ishte vendosur në Nova Gorica, Andreas Ban, përmes një kufiri jo ekzistent, udhëton drejt Gorizias në ekspozitën retrospektive të Zoran Mušiè (1909-2005). Rastësisht, për aq sa ekziston rastësia, në ekspozitë u njoh me Haya Tedeschi, një nga personazhet e librit Sonnenschein sepse dikush me pëshpëritje tha një moment – Ja e çmendura Haya; duket se ka gjetur një bir dhe pendimin nga mëkatet. Andreas Ban ftoi gruan e vjetër Haya Tedeschi në Café “Joy” për ti folur rreth Shqipërisë dhe Ruben Ketz, i cili kishte xhepat plot me guralecë të zinj dhe fliste shqip më mirë se ajo.
Kështu, Andreas Ban mësoi se në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar Italia u hodh drejt Shqipërisë dhe i huajti asaj kredi që ajo nuk arrin tia shlyejë dot. Mbreti Zog i uli disi shantazhet italiane më 1936 kur me Italinë nënshkruan dymbëdhjetë marrëveshje ekonomike dhe financiare që do ta shkundin pavarësinë shqiptare. Roma nga Tirana kërkoi që kreu i xhandarmërisë shqiptare të emërohej prej qeverisë italiane, e të realizojë bashkimin doganor me Italinë, asaj ti garantohej kontrolli mbi prodhimin shqiptar të sheqerit, monopoli për qasje në postë, telegraf dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, të fusë gjuhën italiane në të gjitha shkollat shqipe dhe të pranonte edhe kolonistët italiane. Shqipëria mu atëherë ka pritur kompani të ndryshme italiane, veçanërisht ato të ndërtimit. Ishin ato të Ferrobetonit, Simoncini, Marinuçi, Tudini dhe Talenti e shumë të tjerë. Vijnë edhe bankat italiane.

Pas pushtimit italian të Shqipërisë, në prill të vitit 1939, vetëm në Tiranë jetonin rreth 20,000 italianë, Haya Tedeschi i rrëfen Andreas. Atëherë ne kemi ardhur në Vlorë, i thotë. Babai im ishte bankier. Në lagje jetonte një inxhinier ndërtimi Massimo Ketz, mund të ishte rreth dyzet vjeç, një punonjës i kompanisë Immobiliare që ka ndërtuar hekurudhën Durrës –
Elbasan. Duke e parashikuar luftën e ardhshme, Massimo Ketz nga Vlora e ktheu familjen e tij, gruan Marcella dhe dy djemtë, Carlo dhe Ruben, në vendlindjen e tij Italinë fashiste, në vilën luksoze të babait të tij në periferi të Monfalcone, ku familja vazhdoi mundimshëm jetën e saj të qetë, duke u shtuar e shumuar, duke vdekur dhe lindur, në përputhje me ligjet e natyrës dhe natyrës njerëzore, deri në ditët e sotme, tha Haya Tedeschi. Vetëm në vitin 1940 miku im dhjetë vjeçar Ruben Ketz, i tha Haya Tedeschi, ai që i kishte xhepat plot me gurë të zinj dhe gjuhën shqipe e fliste më mirë se unë, zhduket nga fotoja dhe hyn në një histori tjetër. Pjesën tjetër e kam mësuar kohët e fundit, shton Tedeschi, kur isha në Kryqin e Kuq të Triestes, e ku unë shkova për të kërkuar ndonjë informacion të ri në lidhje me zhdukjen e djalit tim, takova Ruben Ketz të cilin, sigurisht, unë nuk do ta njihja, pasi ndarja tonë ishte pothuajse shtatëdhjetë vjeçare. Në zyrën e Kryqit të Kuq të Triestes, dikush papritmas bërtiti, zoti Ruben Ketz!, dhe unë logjikisht, u drithërova. Rubeni kërkonte informacion në lidhje me familjen e tij; Pastaj ai më tha se çkish ndodhur pas largimit të tyre nga Shqipëria.
Pastaj, kur vendosi të shoqen dhe bijtë e tij në Monfalcone, ndërtuesi Massimo Ketz, përpara se të fluturonte në Shqipëri, në Trieste testoi çizmet e terrenit (për kthimin në Vlorë), të cilat atij në këmbë butësisht ia futi shitësja sllovene Dora Dag, bukuroshja kuqalashe me llërë të bardha pa unaza. Po atë mbrëmje në një restorant në Trieste të çiftit të bashkëshortëve Perica në Piazza Cavani, mes ndërtuesit Massimo Ketz dhe shitëses Dora Dag (1900) u thye ky pasion i pakuptueshëm, pas të cilit Massimo Ketz i tha: Eja me mua në Vlorë.

Më kujtohet kur erdhën ata, i thotë Haya Tedeschi, sepse ne u larguam nga Shqipëria më 1943.
Kështu në vitin 2010 në kafen e Goricës “Joy Andreas Ban mësoi nga Haye Tedeschi gjithashtu se Dora Dag në Trieste la burrin e saj dhe dy fëmijët dhe me avionin e një kompanie ushtarake “Ala Littoria”, me Massimo-n zbarkoi në Tiranë. Massimo dhe Dora, si dhe disa mijëra italianë dhe familje italo-shqiptare, i kanë mbijetuar luftës, por na i kanë mbijetuar edhe pushtimit gjerman të Shqipërisë dhe pritën regjimin e Enver Hoxhës, pas të cilit ranë poshtë perdes së hekurt të heshtjes dhe frikës, dyzet vjet të varfërisë, urisë, mbikëqyrjes, arrestit, përjashtimet, ri-arrestimet dhe ekzekutimet, e shpresës së përgjithshme deri në vitin 1992 kur as nuk do të ëndërronin për një rikthim në Itali. Edhe pse pas luftës, ata ishin të nevojshëm për ndërtimin e vendit, Enver Hoxha më vonë kolonistëve italianë dhe fëmijëve e tyre, me etiketimin si “agjentë të imperializmit”, “sabotues” dhe “armiq të revolucionit”, ua kufizoi gjuhën, kombësinë, kujtesën dhe ekzistencën, e u harruan kështu dhe janë bllokuar duke u munduar në ekzistencën e tyre të bunkerizuar.

Dora dhe Massimo pra nga Vlora Mesdhetare, zhytur në kopshte dhe ullishte,
Oh, ishte aq e bukur ajo Vlora jonë, i tha Haya Tedeschi:
Dora dhe Massimo më 1947 nën direktivën e Komitetit Qendror të PK-së së Shqipërisë janë zhvendosur në Burrel, një qytet prej pesëmbëdhjetë mijë banorë në veri të vendit, ku Massimo vdiq më1982, e Dora tre vjet më vonë. Për fëmijën e tyre të vogël, Giuseppe (1942) që u quajt Zefi, më kujtohet kur u lind, i tha Haya Tedeschi, dhe Rosa – Rozën (1945), që pati një realitet zhytur në vuajtje të rëndë dhe t’ngadalë.
Burreli, vendlindja e Skënderbeut dhe Ahmet Zogut, për shqiptarët është i njohur edhe si vendi i mbretërve. Në komunizëm, Burreli ishte një vend minierash që i mbulonte grimcat e padukshme toksike të kromit që mësynin mushkëritë, e që kështu për ta kishte edhe një vështirësi më shumë në frymëmarrje. Në Burrel inxhinieri Massimo Ketz mbikëqyr minatorët sesi gërmonin në minierë. Në kohën e Enver Hoxhës Burreli ishte i njohur mirë për burgun e tij mizor për kriminelët politike dhe tradhtarë. Në këtë burg Massimo Ketz do banojë edhe vetë në disa raste për shkak të përhapjes së “propagandës anti-komuniste dhe agjitacion” në mesin e minatorëve. Sigurimi e kontrollon imtësisht jetën e tij. Kudo, në të gjitha skutat e jetës ndërfuteshin metastazat e Sigurimit. Gjatë kohës së Pashkëve, agjentët e fshehtë gërmonin në kutitë e plehrave natën në kërkim të vezëve t’bojatisura, apo në kohën e Krishtlindjeve se mos gjenin stolitë e thyera apo dhe mbetje të letrës dekorative edhe pse globezat dhe letrat dekorative nuk ekzistonin fare në treg, apo edhe duke kërkuar kokrrat e pishës, të gjitha prova për t’i arrestuar më pas. Në burg, Massimo Ketz u takua me Fatos Lubonjën, i dënuar me 25 vjet burg nga të cilat 17 syresh të kryera në Burrel, romanin e të cilit shkruar në kutitë e cigareve, nuk arriti ta lexojë; njohu Pjetër Arbnorin të burgosur për 28 vjet, dëgjoi tregimet horror, ka parë trupa të rrahur, nofulla t’pa dhëmbë. Kohë të vështira, kohë e mendjeve të inatosura, rregulli të pafund uroborosi.

Në vitin 1992, qeveria e re shqiptare e liroi Roza Bufin lindur Ketz, të shkonte në Itali për të kërkuar gjysmë vëllezërit e saj Carlo dhe Ruben Ketz, tha Haya Tedeschi. A ka pasur ndonjë takim me djalin e Dora Dag, të martuar Ketz, këtë unë nuk e di. Në garsonierin, në afërsi të Triestes në spitalin San Giovanni, atëherë jetonte ende pesëdhjetë e shtatë vjeçari Carlo Ketz i cili herë pas here e vizitonte psikiatrin. Unë jam mirë tani, i pohonte i vëllai i Rubenit, Carlo Ketz. Carlo Ketz për pesëdhjetë vjet jetoi me mendimin se babai i tij, Massimo Ketz, ishte vrarë në frontin shqiptar në mbrojtje të Mbretërisë së tij fashiste të Italisë, dhe s’ka asnjë ide se çkërkonte atje Roza Bufi – lindur Ketz. Prandaj i thotë, e dashura Roza Bufi, kjo është familja ime, dhe i vë në dukje një fotografi të vjetër që ka marrë ngjyrën e sepjes në kornizën varur në mur. Këta janë njerëz të veshur me kadife dhe mëndafsh. Burrat mbajnë veshur këmisha me bust që mbërthehen me kapëset, teksa gratë me doreza dantellash, qeshin qetësisht. Rubeni tregon, i tha Haya Tedeschi, se Carlo Ketz viziton dyqanet antike të Triestes nëpërmjet Koperit dhe Rijekës dhe në to blen jetën e njerëzve të sistemuar dhe kujtimet e të kaluarës së vet fiktive.
Dhe kështu Andreas Ban, kush e di për të satën herë, u sigurua njësoj si të gjithë ne që vrapojmë në pista paralele, pista të cilat vetëm për një moment preken e nxjerrin ato shkëndijat e çmendura që fluturojnë tutje mu si ato nën rrotat e një treni që nxiton në shpejtësi të përjetshme.
Avete delle veçhie fotografie, famigliare? Delle fotografie famigliari, i jehon në kokë Andreas Ban.
Një nga Trieste vjen rregullisht, duke kërkuar për të afërmit, i thotë tregtari i antikuareve Oskar.

Eço la mia nonna, ho trovato la mia nonna, i thotë italiani. Comprerò tutto.
Po ai bleu të afërmit e mi, ore Oscar, i thotë Andreas Ban, jetët e njerëzve të tjerë.
Ndoshta jo aq të huaj sa na duket, e përfundon Oskar.
Tani, dy ose tre vjet më vonë, ndërsa është duke e dëgjuar Haya Tedeschi, Andreas Ban-it thjesht i mbetet një buzëqeshje, kur merr vesh se ai njeriu i vjetër në dyqanin e antikave të Oskarit, ishte ish brother-in-law (kunati) Carlo Ketz, por edhe pse erdhi përciptas dhe për një moment, u largua sërish në atë jetë, ku arnat e shpërndara të së cilës zvarriten kah strehimores së tij.

Përktheu nga origjinali kroatisht Ben Andoni


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.