MILOSAO

Interesim i kënaqshëm nga lexuesit në panairin e Prishtinës

13:50 - 17.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kujtim Morina – Panairi i 20-të i librit në Prishtinë i mbajtur në datat 5-10 qershor 2018 pati një interesim të kënaqshëm nga lexuesit. Merrnin pjesë shumica e botuesve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Shoqata e botuesve të Kosovës si organizatore duket se ka qenë e angazhuar që panairi të shkojë sa më mirë megjithë vështirësitë e shumta që hasen në këto raste. Duket që kanë pasur një mbështetje nga Ministria e Kulturës së Kosovës, nuk po hyjmë në shifra sa dhe si dhe që kuptohet se nuk përmbush ende nevojat që ka organizimi i një aktiviteti të tillë.




I ftuar i nderit në këtë panair ishte François –Henri Désérable, një shkrimtar i ri francez por që është vlerësuar në Francë me botimet e para të tij. Me këtë rast ishte botuar romani i tij “Njëfarë Z. Piekielny” botuar nga shtëpia botuese “Buzuku” dhe përkthyer nga Urim Nerguti. Kishte plot vizitorë, shkrimtarë dhe kritikë të njohur nga Tirana, Tetova, Shkupi e Presheva të ftuar në promovime librash apo për organizime të tjera. Megjithë klimën pozitive në të cilën u zhvillua ky panair, nga bisedat e zhvilluara, ranë në sy edhe problemet që hasen në këto raste. Godina ku u mbajt panairi, Pallati i Rinisë, një godinë e vjetër e ndërtuar në fillim të viteve 80 e quajtur atëhere “Boro & Ramizi” megjithëse në pozicion të përshtatshëm në qendër të qytetit, ka hapësira të kufizuara dhe pa ajrosje të mjaftueshme. Shkrimtari Ag Apolloni e ngriti shqetësimin e tij duke atakuar drejtuesit e shoqatës së botuesve për mosmarrjen e masave për të nxehtin e padurueshëm në ambientet e panairit pa ventilim dhe ajrosje. Kryetari i shoqatës së botuesve Abdullah Zeneli shprehet në bisedë me të se mbetet problem prej shumë vitesh ambienti i panairit të Prishtinës. Godina ekzistuese është e amortizuar dhe e mbetur pezull pronë shtetërore dhe nuk po vendoset as të shitet tek privati dhe as të rikonstruktohet. Ambientet e tjera të mundshme për panair janë në periferi të qytetit dhe nuk do të kishin këtë akses lëvizje. Ai rendit sakrificat e mëdha që ka bërë për librin si shtëpi botuese serioze duke mos rendur drejt komercializmit.

Në panair kishte vizitorë të shumtë. Besoj që duhet të ketë më shumë nxitje për nxënësit e cikleve të larta të shkollës 9 vjeçare e të mesme sepse nuk u pane shumë organizime të tilla si në Tiranë. Organizatorët kishin parashikuar aktivitete në nderim të shkrimtarëve shqiptarë dhe të huaj me rastin e përvjetorëve të tyre ku vlen të veçohen, aktivitete për 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar Skënderbeut që binte në sy me postera edhe në rrugët e Prishtinës, 100 vjetorin e lindjes së shkrimtarit nobelist rus Solzhenicin që megjithë deklarimet e tij nacionaliste për Kosovën, nderohet për dëshmitë e e tij të pakontestueshme ndaj krimeve të komunizmit. Bënë përshtypje dy aktivitete për dy intelektualë nga Shqipëria, Abdulla Ramin, jurist, gjyqtar dhe avokat i cili, në vitet 1942 – 43 ka punuar si gjyqtar në Gjilan si dhe Tajar Hatipin nga Elbasani që ka punuar si mësues në Kosovë që në vitet e Luftës II Botërore dhe më tej si inspektor e drejtor shkolle duke dhënë një kontribut të shquar për arsimin në Kosovë.
Në mbyllje të këtij shënimi të shkurtër, do të thoja se panairet e librit të Tiranës dhe Prishtinës mbeten dy aktivitetet më të rëndësishme në këtë drejtim. Organizimi i tyre në kohë të ndryshme i përgjigjet interesit të lexuesve që natyrisht duan edhe mbështetje nga qeveritë e të dy vendeve aty ku shoqatat e botuesve nuk arrijnë dot apo për të mos ngarkuar më tej botuesit e veçantë dhe përfundimisht lexuesit me kosto shtesë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.