Kryesore

“Wall Street Journal”: Ismail Kadare, ndërgjegjja e popullit të tij

08:35 - 17.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Wall Street Journal” në një artikull të titulluar “Ismail Kadare, ndërgjegjja e popullit të tij”, merret me letërsinë e shkrimtarit dhe raportin e tij me tiraninë, duke u nisur nga veprat e tij. Sam Sacks e nis artikullin e tij shumë herët në kohë. “Në një ese të vitit 1985 mbi Eskilin, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare argumentonte se gjëja më e vlefshme e grekëve të lashtë – madje më e rëndësishme se shpikja e filozofisë dhe e demokracisë – ishte ndjenja e tyre e ‘keqardhjes kolektive’. Një thënie e guximshme: por kini parasysh që shekuj më parë grekët kishin zhvilluar një luftë të egër dhe të padenjë moralisht kundër Trojës”, shkruan ‘WSJ’. “Një qytetërim më pak i zhvilluar do ta kishte fshirë atë periudhë të turpshme nga kujtesa e vet. Në vend të kësaj, grekët e bënë atë gurthemelin e letërsisë së tyre. “Krimi u ekspozua nga të gjitha këndet prej vetë grekëve, pa ndonjë presion të ushtruar nga kombe të tjera”, shkruan Kadare. “Ishte një ekzorcizëm i pashembullt, një akt tronditës, në të njëjtën kohë duke çliruar dhe emancipuar. Për herë të parë në historinë e njerëzimit, ndërgjegjja e një populli po e kalonte me dëshirë duket një trazirë e tillë”, shkruan ‘WSJ’, duke cituar Kadarenë. Sipas Sacks, që prej viteve 1960, zoti Kadare, tani 82 vjeç, ka ndjekur shembullin e grekëve në të gjitha rrethanat e pamundura. Ai ishte autori më i njohur i Shqipërisë nën sundimin stalinist të Enver Hoxhës, që udhëhiqte regjimin e kolektivizimit të detyruar dhe shtypjes së pamëshirshme nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1985. Kadare është autori më i njohur i vendit të tij. Për nga natyra e vet, totalitarizmi synon ta mbajë ndërgjegjen në një gjendje gjumi. Kadare zor se qe i lirë nga ndërhyrja e shtetit, për shkak të karrierës së tij, ai lëvizi mes lëshimeve dhe kodifikemeve të kritikave të qeverisë së Hoxhës; ai herë u botua dhe herë u censurua. Megjithatë, siç tregojnë tre libra të përkthyer rishtas, ai i mbeti besnik asaj që e ka quajtur “funksioni themelor i letërsisë: mbajtja e moralit ndriçues”.




Sacks thotë se Kadare e sheh Prometeun e Eskilit, heroin e ndëshkuar ashpër se i dha zjarrin njerëzimit, si një nga figurat e para në letërsi që kundërshtoi tiraninë. Ai e quan “Komedinë Hyjnore” të vetmen vepër që për të, “pasqyroi si errësirën dhe dritën e Shqipërisë komuniste”.

Dialogu i z. Kadare me kanonet perëndimore vazhdon në romanin “A girl in exil” (E penguara), botuar në vitin 2009, me një histori që vendoset në fillim të viteve 1980. Z. Kadare gradualisht zbulon një shëmbëlltyrë të tundimeve të pushtetit. Sack ka marrë në shqyrtim veprat “E penguara” e “Kamarja e turpit”, por nuk lë pa përmendur edhe “Pallatin e ëndrrave” apo “Ura me tri harqe”. Mbi “Kamaren e turpit”, ‘WSJ’ shkruan se kjo vepër ilustron fiksionin disashtresor që ai krijoi gjatë sundimit të Hoxhës. Ky roman u botua në vitin 1978 dhe është pjesë e dy librave të tij më të mëdhenj, “Ura me tri harqe” (1979) dhe “Pallati i ëndrrave” (1981), romane që ripërpunuan historinë dhe folklorin shqiptar me qëllime delikate alegorike. Sam Sack nga ‘WSJ’ vëren se ngjarja prej ku nis romani është rebelimi i Ali Pashës, guvernatorit shqiptar që u përpoq të largohej nga Perandoria Osmane dhe u vra nga forcat e Sulltanit më 1822. Fokusi nuk është në kryengritje aq sa te “dhurata”: koka e prerë e Ali Pashës, që e ruajtur në akull, transportohet deri në një ntga sheshet e Konstandinopojës dhe shfaqet si një paralajmërim për kryengritësit e mundshëm. Z. Kadare rrotullohet mes karaktereve të ndryshme të lidhura me atë stemë të dhunës autoritare.

‘WSJ’ vëren se si te “E penguara”, qëllimet politike të librave janë të mprehta dhe të pagabueshme.
Duke përshkruar korrupsionin dhe mizorinë e çuditshme të Perandorisë Osmane, z. Kadare denoncon komunizmin shqiptar. “Por do të ishte gabim ta mendonim këtë roman si një alegori politike oruelliane. Evokimi i së kaluarës ndihet si bashkëkohor (turistët dynden në Stamboll për të goditur kokën e prerë dhe pothuajse mund t’i imagjinoni ata ta fotografojnë me celular) dhe jashtë kohës. Z.Kadare ka më shumë gjëra të përbashkëta me William Faulkner, një shkrimtar që nxjerr mitologjinë nga legjendat rajonale. Ky, gjithashtu, është sa një projekt moral, po aq edhe artistik. Te “Kamarja e turpit”, Kadare përshkruan përpjekjet e Perandorisë Osmane, që me vullnet rreket të shfarosë gjuhën dhe zakonet e Shqipërisë. Ky roman i paharrueshëm i shton punës së tij të përjetshme rikuperimin kulturor. E kaluara është kaq e pranishme në librat e tij – një fantazmë që ecën mes të gjallëve, ose një kokë e prerë që duket se ju bllokon në vështrimin e saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.