Intervista

Arqile Gjikondi: Si kryhet mjekimi me antibiotikë i prostatitit kronik

18:40 - 18.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prostatiti kronik është një sëmundje që prek meshkujt dhe mund të ndodhë e të zhvillohet edhe më tej pa u kuptuar nga pacientët. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në Gazeta Shqiptare mjeku nefrolog-internist, Arqile Gjikondi tregon se 85% e të sëmurëve arrijnë të kurohen plotësisht nëpërmjet rrugës rectale me antibiotikë. Më tej mjeku bën me dije se rreth 15% e pacientëve (me histori të gjatë të sëmundjes 5-20 vjet, ose që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale) nuk ndjejnë përmirësime gjatë 10 seancave të para. Gjinkondi thekson se asnjëherë operacioni i prostatës nuk është zgjidhje për eliminimin e dhimbjeve apo simptomave të tjera të prostatitit kronik, përkundrazi, mund ti përkeqësojë më tej ato.




Shumë pacientë që vuajnë nga prostatiti kronik, kurohen në rrugë rectal me antibiotikë. Sa i efektshëm është ky trajtim?

Në praktikën time mjekësore prej afro 10 vjetësh me 500 pacientë të mjekuar në rrugë rectal me antibiotikë dhe anal heater (të cilët janë ndjekur në periudha 1-8 vjet); më rezulton se 85% e tyre shërohen plotësisht. Kjo duke përdorur 10 seanca mjekimi rectal dhe më pas 3-6 javë mjekim oral me antibiotikë.

Si kategorizohen pacientët që kurohen në këtë mënyrë?

Pacientët mund t’i ndaj në 3 grupe të mëdha. Grupi më i madh, rreth 50-60% i pacientëve ndiejnë përmirësim të jashtëzakonshëm deri në zhdukje të simptomave, sidomos simptomat e dhimbjeve urogenitale, përmirësim të problemeve të zorrëve ose hemoroideve (nëse kanë). Pacientët e grupit të parë kanë edhe përmirësim të ereksionit apo ejakulacionit. Pas mjekimit rectal këta pacientë marrin edhe mjekim me kombinim oral antibiotikësh. Përgjithësisht nuk kanë nevojë për mjekim të mëtejshëm. Mund të kenë relapse të lehta brenda 6 muajve të parë, e më pas mund të paraqiten në klinikë mesatarisht çdo 2-4 vjet për relapse të vogla. Në këtë grup zakonisht bëjnë pjesë pacientë me histori të shkurtër të sëmundjes, 1-3 vjet.

Cilët persona janë pjesë e grupit të dytë?

Grupi i dytë përbën rreth 20% të pacientëve, të cilët nuk ndiejnë përmirësime të dukshme të simptomave brenda 10 seancave, por përmirësohen mjaft mirë pas mjekimit oral 3 javor me antibiotikë. Kanë relapse të lehta por më të shpeshta dhe kanë nevojë për mjekime orale 3 javore, çdo 4-6 muaj. Përgjithësisht pas 1 viti shërohen dhe bëjnë jetë normale (pa dhimbje, pa çrregullime urinare, seks normal). Relapset zakonisht shpërthejnë në rastet e acarimit të sëmundjeve të zorrës, hemoroideve, (konstipacion, por sidomos diarre e zgjatur), ose në rastet e periudhës së plazhit, kur qëndrojnë shumë në ujë deti ose pishinë.

A ka një kategori pacientësh që nuk kanë përmirësime pas trajtimit me antibiotikë?

Normalisht që po! Grupi më i vështirë përbën rreth 15% të pacientëve me histori të gjatë të sëmundjes 5-20 vjet, ose që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale në prostatë, varicet testikulare, ose zona të tjera urogenitale. Shpesh këta persona vuajnë me sëmundje kronike të zorrëve, hemorroide kronike, sëmundje testikulare (varice, kiste të testeve striktura uretrale, dëmtime të kordonit spermatic etj). Këta pacientë tipikisht nuk ndiejnë përmirësime gjatë 10 seancave të para, po ashtu edhe pas mjekimit 3 javor me antibiotikë orale. Në këto raste unë përdor edhe 10 seanca të tjera mjekim rectal, pas të cilit fillon përmirësimi gradual i simptomave, dhe zakonisht pas 1-1.5 vitesh këta pacientë i kthehen jetës krejt normale.

Kur rekomandohet që të fillohet mjekimi rectal?

E rëndësishme është që mjekimi rectal të fillojë sa më herët që të jetë e mundur. Një pjesë të madhe të suksesit të mjekimit të prostatitit kronik, unë ia dedikoj përdorimit të antibiotikëve orale të kombinuar (gjithmonë 3 lloj antibioktikësh) për 3-6 javë shoqëruar me suposte rectal. Asnjëherë në praktikën time 16 vjeçare nuk më është dashur të përdor medikamente kundër dhimbjeve (amiltriptiline, morfinë apo edhe medikamente të tjera të fuqishme).

A është një zgjidhje ndërhyrja kirurgjikale në prostatë për trajtimin e prostatitit kronik?

Pothuajse asnjëherë operacioni I prostatës nuk është zgjidhje për eliminimin e dhimbjeve apo simptomave të tjera të prostatitit kronik, përkundrazi, mund ti përkeqësojë. Përdorimi i kombinuar i antibiotikëve gjithmonë është i mjaftueshëm për lehtësimin dhe shërimin e simptomave të prostatitit kronik, dhimbjeve kronike pelvike. Gjithmonë ka një dritë në fund të tunelit për pacientët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.