Sociale

ISSH thirrje fermerëve: Sigurohuni, përfitoni pension dhe vizita falas

15:30 - 18.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë ata fermerë që ushtrojnë aktivitetin e tyre bujqësor apo blegtoral në fshat, mund të kenë një sërë përfitimesh nëse sigurohen në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në njoftimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore bëhet me dije se nga ky sigurim fermerët mund të përfitojnë pension, vizita mjekësore pa pagesë si dhe kompensimin e çmimit të barnave në rast sëmundjesh. “Të nderuar fermerë! Sigurimi në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për Ju që ushtroni aktivitet bujqësor dhe blegtoral, është investimi më i mirë që mund të bëni për veten dhe familjarët tuaj. Nga ky sigurim Ju përfitoni: Pension pleqërie; Pension invaliditeti; Pension familjar për fëmijët tuaj; Sigurim për barrëlindjen për nënat e reja; Vizitën mjekësore pa pagesë dhe kompensimin e çmimit të barnave mjekësore në rast sëmundjeje. Mos humbisni kohë, mendoni për të ardhmen tuaj!”,-thekson ISSH në faqen e saj zyrtare.




Kushtet e përfitimit
Bazuar në ligjin “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, personi që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror për t’u siguruar si i/e vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë disa kushte. Kështu individi duhet të ketë mbushur moshën 16 vjeç; të jetë i/e aftë për punë; dhe të mos jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë. Gjithashtu, i vetëpunësuari në bujqësi duhet të banojë në të njëjtin rreth ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim, dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale. Por ai edhe mund të banojë në fshat dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore dhe blegtorale, megjithëse tokën mund ta ketë në rrethin fqinjë. Vlen të theksohet se ka të drejtë të sigurohet çdo person deri në mbushjen e moshës për të dalë në pension.

Pagesa e kontributeve
Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se sigurimi si i/e vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm dhe ky i/e vetëpunësuari/a, që banon në zonat fushore, duke filluar nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38 400 lekësh. “Ndërkohë, i/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat malore, nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29 400 lekësh. Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkërisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj”,-thekson ISSH. Sakaq, afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për vitin në vazhdim, pavarësisht nëse janë të pasiguruar për vitet pararendëse. Periudhat, për të cilat nuk janë paguar kontributet, nuk njihen si periudha sigurimi. Ndërkohë të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk arrijnë të plotësojnë kushtin minimal të vjetërsisë në punë, për të përfituar pension të pjesshëm, mund të kryejnë pagesa kontributesh pas plotësimit të moshës për pension, por me kusht që ato t’u korrespondojnë periudhave para plotësimit të moshës për pension dhe të mos jetë caktuar ende asnjë lloj pensioni dhe për këto periudha do të paguhet sipas masës së kontributit. ISSH thekson se të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk i kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për periudhat e kaluara, por që i kanë pasur kushtet për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, pavarësisht nga vendbanimi aktual, mund t’i paguajnë kontributet për këto periudha sipas masës së kontributit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për vitin kur kryhet pagesa.

Përfitimet nga skema
Personat e vetëpunësuar në bujqësi që përshihen në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore mund të përfitojnë nga kuotat e ulta të pagesave të kontributeve. “Për një vit vjetërsie në punë në shtet një i/e vetëpunësuar në qytet paguan 66 240 lekë, ndërsa: a) I/e vetëpunësuari/a në zonat fushore paguan 38 400 lekë në vit; b) I/e vetëpunësuari/a në zonat malore paguan vetëm 29 400 lekë në vit”,-nënvizon ISSH. Por fermerët e vetësiguruar marrin edhe përfitim të vjetërsisë në punë, ku njohja e periudhave për të cilat janë paguar kontribute njihet vjetërsi në marrëdhënie pune me shtetin. “I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përfitues/e, sipas rastit, i/e: Pensionit bazë të pleqërisë; Pensionit të pjesshëm të pleqërisë; Pensionit të invaliditetit; Pensionit të pjesshëm të invaliditetit; Pensionit familjar; Shpërblimin për lindje fëmije”,-bën me dije Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Dokumentacioni dhe procedurat për t’u siguruar

1. I/e vetëpunësuari/a në bujqësi paraqet tek inspektori përkatës i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi këto dokumente:
– Vërtetimin e pronësisë mbi tokën, dhe / ose Vërtetimin mbi tokën e marrë në përdorim, dhe / ose Kontratën e qiramarrjes së tokës bujqësore, të noterizuar;
2. Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i/e vetëpunësuar në bujqësi plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim” dhe ia jep fermerit;
3. Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese;
4. Me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” fermeri paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”;
5. Këto dokumente në asnjë rast nuk duhet t’i dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale;
6. Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;
7. Me kërkesën e të vetëpunësuarit në bujqësi ai pajiset nga organet e sigurimeve shoqërore edhe me vërtetimin tip “Për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”

Sigurimi shoqëror

Kushtet për t’u siguruar
Personi që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror për t’u siguruar si i/e vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë këto kushte:
1. Të ketë mbushur moshën 16 vjeç;
2. Të jetë i/e aftë për punë;
3. Çdo person mund të sigurohet deri në mbushjen e moshës për pension;
4. Nuk duhet të jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë;
5. I/e vetëpunësuari/a në bujqësi duhet:
– Të banojë në të njëjtin rreth ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim, dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale;
– Të banojë në fshat dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore dhe blegtorale, megjithëse tokën mund ta ketë në rrethin fqinjë.
Pagesat e kontributeve
1. Sigurimi si i/e vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm.
2. I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat fushore, duke filluar nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38 400 lekësh.
3. I e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat malore, nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29 400 lekësh.
4. Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkarisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj.
5. Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.