EKONOMI

Ahmetaj: Investimet e huaja, këtë vit synojmë 1 miliard euro

11:35 - 19.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qeveria do të nisë rishikimin e 4 ligjeve bazë, të cilat zhvillojnë sektorin e investimeve strategjike në Shqipëri. Ndryshimet do të reflektohen në ligjin e zonave të lira ekonomike, atë të Partneritetit Publik- Privat, ligjit të turizmit dhe atij të investimeve strategjike.




Mbledhja e këshillit
Gjatë një mbledhjeje jashtë radhe të Këshillit të Investimeve, ministri Arben Ahmetaj tha se synimi është që të ketë një barazi mes statusit të veçantë që marrin si investitorët e huaj dhe ata shqiptarë. Si i ftuar i veçantë në këtë takim, zv.presidenti i BERZH, Alain Pilloux tha se Shqipëria duhet të vazhdojë reformat në çështjet e pronësisë së tokës dhe të shërbimit të administratës publike. “Realizoni reformat, jeni në rrugën e duhur, por duhet të vazhdoni rritjen e shërbimeve publike që ofron administratë, çështjet e pronësisë. Vazhdoni punën dhe investimet në infrastrukturë dhe energji”, – tha Piloux. Ministri Ahemtaj tha se investimet e huaja direkte në 3 muajt e parë të vitit janë rritur me 60%, duke arritur një vlerë prej 284 milionë eurosh, ndërsa shumë kompani të huaja janë ofruar për të ardhur në Shqipëri e për të investuar një port jahtesh apo në prodhimin e pajisjeve teknologjike. “Viti 2017 u mbyll me investime të huaja në nivelin 907 milionë euro. Nëse i referohemi ecurisë dhe krahasueshmërisë së tremujorit të parë të këtij viti me tremujorin e parë të vitit 2017, atëherë besojmë që ky vit do të jetë sërish një rekord, me gati 1 miliard dollarë investime të huaja.

Ecuria pozitive e investimeve të huaja direkte si dhe atyre vendëse reflekton trendin e ekonomisë shqiptare në 4-5 vitet e fundit”, – tha ministri Ahmetaj. Sipas tij, në vitin 2017, për herë të parë punësimi në sektorin jobujqësor kaloi atë të sektorit bujqësor. “Shqipëria ka nivelin më të ulët historik të papunësisë 12.5%, ndërsa punësimi në tremujorin e parë 2018 ka një rritje prej 5% krahasuar me një vit më parë. Krahasuar me rajonin, jemi vendi me punësimin më të lartë të fuqisë punëtore të aftë për punë, 59.2% dhe papunësinë më të ulët tek të rinjtë, që vijon të zbresë”, – deklaroi ministri duke shtuar se është shfaqur interes i avancuar nga një kompani gjermano-zvicerane për ndërtimin e një porti jahtesh dhe mjetesh luksoze lundrimi. “Në turizëm, në Shqipëri aplikohet TVSH-ja e reduktuar 6%, për shërbimet e akomodimit dhe ushqimit brenda strukturave të hotelerisë.

Në anën tjetër, po promovojmë agroturizmin. Sipërmarrjet e licencuara në sektorin e agroturizmit do të përfitojnë ulje të tatim-fitimit nga 15 në 5%. Pra, nuk ka rëndësi sa sipërmarrje e madhe do të jetë në agroturizëm, do të trajtohet me 5% tatim-fitimi dhe normë të reduktuar të Tatimit të Vlerës së Shtuar prej 6% për shërbimet e akomodimit dhe përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja për qëllim agroturizmi”, – deklaroi Ahmetaj. Ministri e vuri theksin edhe te lehtësitë fiskale që ka ndërmarrë qeveria për bizneset. “Një lëvizje shumë e rëndësishme është edhe rishikimi i tavanit të tatim-fitimit, që praktikisht e ul me tri herë ngarkesën fiskale për bizneset e prekura. Tatim-fitimi për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë ulet me tri herë, nga 15% në 5%. Me këtë masë, rreth 91%, që i bie afërsisht 95 mijë ndërmarrje në Republikën e Shqipërisë, përfitojnë lehtësim të ngarkesës fiskale me tatim-fitimin ose 0, ose 5%. Besoj që këtë të mërkurë e gjithë paketa kalon edhe në Këshillin e Ministrave”, – tha ministri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.