Kronikë

DETAJE/ U vra me një plumb në kokë në servis, policia dyshon për vrasës me pagesë. Pistat ku po hetohet

10:08 - 19.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një 60-vjeçar nga Shkodra është gjetur i vdekur në servisin e makinave në pronësi të tij, ndërsa dyshohet se është vrarë me plumb në kokë. Bëhet fjalë për Mehdi Kavajën, i cili bënte riparime dorezash të automjeteve. Fillimisht u mendua se vdekja e Kavajës ka qenë për shkaqe natyrale (se ka pasur hemorragji në kokë), por pas hetimit të kryer nga ana e policisë dhe ekspertizës mjeko-ligjore rezulton se vdekja ka ardhur si shkak i dhunës së ushtruar ndaj tij. Pas ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme në lagjen “Tophanë” (ose “Salo Halili”), policia e qytetit verior ka nisur hetimet. Sipas bluve gjatë këqyrjes së trupit të pajetë është konstatuar një vrimë në kokën e 60-vjeçarit dhe pas autopsisë është gjetur edhe një trup i huaj që dyshohet se është një plumb që më pas i ka marrë jetën.




Ka qenë një kalimtar i rastit që ka parë të shtrirë në tokë shtetasin Mehdi Kavaja pranë servisit të tij në afërsi të xhamisë së Tophanës. Menjëherë fqinji ka njoftuar ambulancën, e cila ka bërë edhe transportimin e 60-vjeçarit në spitalin rajonal të Shkodrës. Edhe mjekët fillimisht menduan se vdekja e pronarit të servisit të makinave ka ardhur nga shkaqe natyrale, por pas ekspertizës u konstatua se 60- vjeçari kishte një vrimë në kokë dhe dyshohet se dikush e ka qëlluar atë me plumb.

DETAJE

Kur ka kaluar një ditë nga vrasja e Kavajës, të tjera detaje janë zbardhur. Ai ndodhej në servisin e tij duke punuar si zakonisht për riparimin e dorezave të makinave kur papritur një person e ka qëlluar atë pas koke me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend.

Që në momentet e para policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet mbi këtë vrasje të ndodhur në rrethana misterioze. Burime pranë policisë bëjnë me dije se kjo vrasje e 60-vjeçarit me shumë mundësi mund të ketë ardhur për disa konflikte që kanë të afërmit e tij prej vitesh.

Vrasja mendohet se mund të jetë një hakmarrje për ngjarje të ndodhura para shumë viteve, ku ka dyshime se kanë qenë të përfshirë të afërm të shtetasit Mehdi Kavaja. Burime të policisë bëjnë të ditur se kjo vrasje mund të jetë me pagesë. Megjithatë, kjo është vetëm njëra prej pistave të momentit që po heton policia vendore e Shkodrës ndërsa nuk përjashtohet edhe ndonjë mundësi tjetër.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë që mund të jenë në subjekte afër vendit të ngjarjes.

Nga kqyrja e deritanishme nuk ka asnjë person konkret të dyshuar. Në fakt jo e gjithë zona ka kamera sigurie dhe dyshohet se autori e ka studiuar mirë terrenin më përpara për të arritur më pas tek ky ekzekutim që për nga mënyra për policinë është vrasje profesioniste. Askush nuk e ka parë autorin ndërsa nuk është dëgjuar asnjë zhurmë nga familjarët apo komshinjtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.