AKTUALITET

Persekutimi komunist në Konispol, dalin dokumentet

17:19 - 19.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Bashkinë Konispol, ekspozoi dje materiale arkivore të dhjetëra dosjeve të përndjekjes së Sigurimit ndaj faktorit antikomunist në jugun e vendit, shumë prej të cilave, për herë të parë.




Materialet mbi personalitete të kohës, si Teme Sejko, Tahir Demi, Rexhep Plaku e dhjetëra të tjerë, janë disa mijëra faqe dhe vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë të tyre dhe më gjerë.

Të dhënat që dokumentojnë goditjen e përqenduar, përndjekjen, rezistencën dhe masat që e pasuan ekspozohen në mjediset e Autoritetit, pranë Gardës së Republikës. Në kuadër të kësaj veprimtarie, AIDSSH ka kryer kërkim të thelluar mbi viktimat e zonës gjatë viteve 1946-1973, në dokumente dhe mikrofilma. Mbi bazën e tyre janë verifikuar të dhëna mbi akuzat, vitin e arrestimit, vitin e dënimit dhe formën e dënimit. Në total janë verifikuar 40 dosje të natyrës formulare, hetimore-gjyqësore dhe bashkëpunëtori, për 46 viktima të evidentuara.

Të gjitha materialet e sipërpërmendura janë deklasifikuar. Të interesuarit mund të plotësojnë formularët e kërkesës për informim, konform ligjit 45/2015 për t’i lexuar këto dokumente. Veç dosjeve të deklasifikuara, dokumenteve dhe fotove arkivore që shfaqen për herë të parë, bashkëpunimi me Arkivin Qendror Shtetëror mundëson korrespondencën e një pjese të të dënuarve me Komitetin Qendror të PPSH, ku hidhet dritë në aspektet që çuan në dënimin e tyre. Po ashtu, “letra të popullit” në mbështetje të dënimit të grupit të Teme Sejkos.

Materialet do të jenë të ekspozuara deri më datë 22 qershor 2018. AKTIVITETI Ceremonia u hap dhe u moderua nga Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit, i cili u shpreh se “janë qindra dosje, disa dhjetëra mijëra dokumente, qindra mikrofilma, që pasqyrojnë intrigat e ish- Sigurimit të Shtetit dhe gjithë makinerisë totalitare që regjimi komunist ndërmori ndaj më shumë se 150 personave dhe familjarëve të tyre në zonën e Konispolit, ndaj të ashtuquajturit “grupi armiqësor çam”. Janë këto dokumente që evidentojnë viktimat, të ekzekutuarit, torturat në burgjet komuniste, mbi 1500 vite burg dhe dhjetëra familje të internuara”.

Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, e mbështeti fjalën e saj në parimet e ENSR, Rrjetit Europian të Kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si: paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe; evitimi i përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë, duke u qëndruar larg stereotipizimeve, sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku gjatë punës, çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe të certifikuar për njohuritë specifike dhe njohuritë e duhura për këtë punë. Kryetari i Bashkisë Konispol, Shuaip Beqiri, falënderoi për nismën institucionale të ndërmarrë për rivlerësimin e figurave dhe paqtimin e komunitetit, i cili prej vitesh ka qenë dhe është ndier i përbaltur.

Si përfaqësues i shoqatës “Çamëria”, mes të pranishmëve të shumtë, familjarë, studiues, përfaqësues të institucioneve publike dhe ndërkombëtare, organizatave joqeveritare dhe shoqërisë civile, z. Shpëtim Idrizi çmoi hedhjen dritë mbi të vërtetën, duke vënë në dukje se persekutimi i dhjetëra familjeve çame në brezni të tëra, i programuar dhe sistematik, është tragjedia e dytë që përjetoi ky komunitet pas asaj të vitit 1913, por kësaj here, në vendin e vet. Shoqata “Çamëria” vlerësoi me mirënjohje kryetaren e AIDSSH për punën e bërë në kuadër të rishqyrtimit historik të dokumenteve të kësaj bashkësie. Në fund të takimit e morën fjalën trashëgimtarë të personaliteteve të martirizuar, të përndjekur për vite me radhë si familjarë të kundërshtarëve të regjimit.

Rezistenca dhe dinjiteti njerëzor i përcjellë nga fjalët e Agim Plakut, djalit të Rexho Plakut dhe Sanije e Nesibe Plakut, vajzave të Beqo Plakut të pushkatuar, i folën më shumë se çdo retorikë shoqërisë së sotme, qw duhet sipas tyre mbështetur në fibrën morale të njerëzve të ndershëm. Ekspozita e zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Bashkinë Konispol hapi siparin e aktiviteteve kushtuar përkujtimit të figurave të shumëdiskutuara, që do të mbahet në Konispol, më 26 qershor, me praninë e komunitetit vendas.

Veprimtari të tilla të AIDSSH do të shtrihen në të gjithë vendin, duke inkurajuar dialogun lokal mbi të shkuarën dhe vënë në fokus ngjarje të zonave përkatëse, që i ridimensionojnë figurat dhe nxisin reflektim. Goditja e elementit me kontribute antifashiste në jug të vendit nisi që në vitin 1946, me dënimin e Rexhep Plakut, themelues i batalionit “Çamëria” dhe vijoi në mënyrë të përshkallëzuar me dënimin e admiral Teme Sejkos dhe “grupit të tij” në 1961, që legjitimoi prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Deri në vitin 1973, terrori u shtri në dhjetëra emra e familjet e tyre, duke e shenjuar për disa breza fatin e një bashkësie të tërë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.