OPINION

Takimi i Singaporit: Sukses i madh apo dështim i madh

07:30 - 19.06.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas një periudhe kohore me veprime e qëndrime haptazi të kundërta e armiqësore, erdhi si papritur lajmi i një takimi direkt mes presidentit të SHBA Trump dhe udhëheqësit, me dorë të fortë koreano-verior, Kim Jong Un. Nuk kishte vetëm retorikë armiqësore, nga Kim Jong Un dhe Koreja e Veriut, por dhe avancim konkret të programit bërthamor, shoqëruar me prova të tipave të raketave për to. Zhvillime të tilla, kur nuk ka dhe shumë informacion, i lënë rrugë e frymëzim të gjitha mundësive dhe hamëndësimeve. Ajo që nuk ka diskutim tashmë është fakti, që dy pozicione armiqësisht të avancuara, dy filozofi politike të kundërta ekstremisht, në mënyrë të pabesueshme ulën në tavolinë, jo ekspertë, por presidentin e SHBA Trump dhe fuqinë më të madhe e demokratike në botë, udhëheqëse e Perëndimit dhe shtetin e mbyllur e të drejtuar me dorë fortë nga Kim Jong Un, por që zhvillonte me kokëfortësi programin e armëve bërthamore, përmes provave të njëpasnjëshme, shoqëruar me kërcënime konkrete të përdorimit të tyre ndaj SHBA.




Ky hap shfaqi me të drejtë interes shumë të madh, se u vunë përballë, jo me armë lufte, po me argumente, dy filozofi e dy botë me drejtime krejtësisht të kundërta. Për këtë arsye, ulja në tavolinë, apo vlerësimi i alternativës së dialogut në vend të kërcënimit, i përgjegjshmërisë ndaj papërgjegjshmërisë, diskutimi për një situate paqe, në vend të kërcënimit dhe përgatitjes për luftë, pra ky takim në Singapor, nuk ka mëdyshje se ishte një sukses i madh diplomatik. Ai hapi një mundësi e rrugë të re. Ky hap shënon një fillim të mirë, por që përmban një vazhdim tepër të vështirë, që do të tregojë, nëse ulja në tavolinë, ishte një taktikë, për të fituar kohë të nevojshmë nga Kim Jong Un, për t’u lehtësuar nga trysnia e shtuar e Perëndimit, ndaj kërcënimeve konkrete koreano-veriore, apo ka shanse për t’i hapur rrugë një njëlloj realizmi apo përgjegjshmërie nga pala koreano-veriore. Edhe kostoja e madhe ekonomike e financiare ka rolin e saj të madh në këtë ndryshim sjellje të Koresë së Veriut, apo futje në rrugën e një dialogu, që mendohet se do të zgjasë. Nuk përjashtohet, që ulja në tavolinë të jetë menduar edhe si një hapësirë lehtësimi frymëmarrje të nevojshme për Korenë e Veriut. Nëse vërtet kjo ulje në tavolinë është nxitur edhe nga ndonjë shkëndijë e fillimit të një përgjegjshmërie konkrete nga pala koreane, atëherë vërtet është një lajm i mirë ky takim i kryer tashmë. Nëse nuk do të kishte takim apo nuk do të konsumohej ai, atëherë ky do të ishte një dështim i madh i diplomacisë. Tani që u krye, qëndron mundësia e mençuria që të shtrohet e ushqehet një sukses i vërtetë. Gazetarët në konferencën për shtyp me presidentin amerikan Trump, u shfaqën të uritur të mësonin më shumë rreth bisedimeve të zhvilluara, përtej deklaratës publike, që të gjykonin më realisht në se ky takim ishte një sukses apo dështim real, që është dhe misioni i shtypit, por që presidenti Trump nuk u a mundësoi të mësonin më shumë. Arritjet e këtij takimi nuk kanë lidhje me ngutjet. Në këto kushte dhe informacioni që është publikuar edhe pse ka shpresë të mendohet suksesi, të qenit realist të shtyn dhe te një mundësi dështimi të këtij aksioni. Shpresat janë të hapura vërtet sado i vogël qoftë suksesi i fillimit. Ka vërtet prirje për arritje të mëtejshme.

Presidenti amerikan, që disponon informacionin e plotë, në një farë mënyre u shpreh optimist dhe i sigurtë, teksa theksoi se ky takim do t’i hapi rrugën një ndryshimi të madh. Është kjo një dëshirë personale apo një mundësi reale? Aq informacion sa është publikuar, duket se arritja e parë është heqja dorë nga retorika e luftës dhe kërcënimit, për t’i lënë kështu mundësi dialogut dhe një situate paqeje në gadishullin Korean. Për të ushqyer suksesin dhe besimin e goditur rëndë, Presidenti Trump ofroi garanci amerikane për sigurinë e Koresë së Veriut, ndërsa Kim Jong Un ofroi angazhimin e vendosur për të përfunduar denuklearizimin e gadishullit Korean. Pra, ajo që duket hapur është fillim i një lëvizjeje për rikthimin e besimit, që është vërtet jashtëzakonisht i rëndësishëm. Edhe pse u shfaq si rastësi, ndërrimi i stilolapsit, të vendosur për presidentin koreano-verior Kim, që të nënshkruante deklaratën, siç ishte vendosur edhe për presidentin amerikan, apo nënshkrimi i deklaratës me stilolapsin e sjellë nga Koreja e Veriut, është tregues shumë i qartë, se sa nën zero ishte besimi mes këtyre dy vendeve. Dhe në se ky takim, do të tregojë një fillim të rikthimit të besimit, mund të vlerësohet vërtet sukses.

Ai që ka pritur çudira të mëdha apo kthesa rrënjësore të menjëhershme, vërtet ka qenë jo realist dhe i gabuar plotësisht. Ndryshimet e rëndësishme e cilësore kërkojnë kohën e tyre të nevojshme, por hapja rrugë e procesit vërtet është i rëndësishëm jashtëzakonisht. Kjo ka ndodhur dhe në këtë ngjarje të fundit, i është dhënë një mundësi ndryshimit të madh. Fillim i mirë dhe i besueshëm është ky që ka filluar në këtë takim dhe që është konkretizuar në dakordësinë e nënshkruar se SHBA dhe Koreja e Veriut angazhohen të krijojnë marrëdhënie të reja mes tyre, në përputhje me dëshirën e dy popujve të tyre për paqe e prosperitet dhe se të dy vendet i bashkohen përpjekjeve për të ndërtuar një regjim paqeje në rajon. Ky deklarim është vërtet realist, sepse regjimi i paqes në këtë rajon, varet dhe nga qëndrimi e kontributi edhe i aktorëve të tjerë në rajon e pranë tij. Sa i përket problemit tepër të rëndësishëm të programit bërthamor të Koresë së Veriut e të të ardhmes së tij, nuk mund të mos vlerësohet pozitivisht deklarimi i nënshkruar nga të dy bashkëbiseduesit, angazhimi i Koresë së Veriut për denuklearizimin e gadishullit Korean. Kuptohet, që vlerë konkrete ky nënshkrim do të marrë më pas e që do të tregojë se, vërtet do të ketë denuklearizim apo jo. Megjithatë, angazhimi koreano-verior nuk ka se si të mos vlerësohet pozitivisht. Është më se e qartë se ky do të jete një proces kompleks e jo një akt i menjëhershëm. Shprehja e vullnetit koreano-verior për denuklearizim, vetëm mund të vlerësohet, po të mos harrohet se kishte deri tani edhe prova me raketa, por dhe retorikë kërcënuese nga Korea e Veriut.

Në funksion të krijimit dhe zhvillimit të besimit të munguar së tepërmi, presidenti Trump ka menduar edhe një ndërprerje të stërvitjes ushtarake të përbashkët me Korenë e Jugut, të programuar përpara mundësisë së takimit, ndoshta dhe si pjesë e strategjisë për të nxitur e shtyjë Kim Jong Un të ulet në tavolinën e bisedimeve e të heqë dorë nga kërcënimi e konfliktualiteti. Po kështu presidenti Trump edhe për realizëm, por edhe në funksion të mbështetjes së krijimit të besimit, iu referua edhe kostos së mbajtjes në gadishullin Korean të një numri të lartë trupash amerikane. Kjo strategji apo filozofi politike e SHBA, duket e mundet të ketë ndihmuar në krijimin e klimës për vendimmarrjen e Kim Jong Un, që të ulet në bisedime direkte me presidentin amerikan Trump. Po kështu, ky element mund të shërbejë edhe si faktor që ushqen ecurinë e besimit e të hedhjes së hapave konkrete nga udhëheqësi koreano-verior, për të vepruar në drejtim të angazhimit të premtuar për denuklearizimin. Nga këto zhvillime, përveç forcimit të sigurisë e paqes në gadishullin Korean, mund të fitojnë apo të kenë interes dhe aktorë të tjerë si Kina, që ka realisht një intensifikim të strategjisë për zhvillimin e një roli të fuqisë në Azi-paqësor. Në fakt, SHBA ka kërkuar kontributin e Kinës në trajtimin e krizës në gadishullin Korean, por edhe për të ndërmjetësuar, që të mundësohet heqja dorë edhe nga retorika, po edhe nga avancimi i programit bërthamor nga Koreja e Veriut, si dhe nga kërcënimet në rritje që vinin prej saj. Dhe nëse Kina ka kontribuar në këtë drejtim, këtu po fiton apo mund të fitojë siguria dhe paqja mbi të gjitha. Megjithatë, ka ndonjë prirjen të mendojë se, në këtë takim e zhvillim të rëndësishëm, fituesi i madh të jetë Kina. Realisht nuk mund të mohohet që në këtë zhvillim, që pritet të zhvillohet më tej, do të fitojë mbi të gjitha siguria, stabiliteti e paqja në rajon, do të përfitojnë të gjithë aktorët e këtij rajoni dhe në këtë kontekst edhe Kina do të jetë fituese, duke llogaritur edhe objektivat gjeostrategjikë të saj në Azi-Paqësor.

Aq sa u pa dhe u lexua në elementë të ndryshëm ky takim, por dhe duke mësuar nga historia, nuk ka pse mos shpresohet e mendohet pozitivisht, pa eufori, se mund të ndodhemi realisht përpara një ndryshimi të vërtetë dhe të madh, për një të ardhme më të mirë në këtë rajon, për vetë popullin koreano-verior, për sigurinë, stabilitetin e paqen në botë. Në këtë kënd vështrimi ky takim në Singapor, nuk ka pse të mos vlerësohet një mundësi e madhe suksesi. E madhja nuk vjen menjëherë e papritur, por që mundësohet nga e vogla dhe të voglat, por mund të vijë kur shtratohet vërtet një mundësi e vërtetë, siç besohet ka ndodhur në takimin e Singaporit. Pra, ka plot arsye dhe vend për të menduar pozitivisht e për të shpresuar realisht në konfigurimin e një ndryshimi e suksesi të madh, në interes stabilitetit, paqes e prosperitetit të popujve.

Nëse je vërtet realist e jo nihilist e skeptik, atëherë duhet pranuar, që një ndryshim ka ndodhur, ka filluar të ndjehet, nëse kujton provat intensive të raketave dhe kërcënimet, apo se ishte krijuar tipi i duhur i raketës për të goditur territorin e SHBA. Vërtet kostoja e lartë ekonomike që kërkonte avancimi i programit bërthamor koreano-verior, me gjithë ndihmën ekonomike të Kinës, për arsye ekonomike e të interesave gjeostrategjike, ka rolin e vet, por dhe ky takim e ushqeu vërtet mundësinë e avancimit të ndryshimit. Presidenti amerikan Trump e bëri hapin e nevojshëm dhe tani duhet që udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un të bëjë hapin që i takon. Është koha dhe mundësia që udhëheqësi koreano-verior të ndryshojë më tej shumë. Kjo nuk është as vonë, por as e pamundur. Liderët e këtij formati edhe befasojnë d.m.th. që mund të bëjnë ndryshimin real, që është i mirëpritur.

Më 18 qershor 2018

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.