OPINION

“Divorc” me simotrën bavareze apo fundi politik i Merkel?

07:45 - 20.06.18 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vështirë që Gjermania të ketë kaluar një fillim jave të dëshpëruar dhe drithëruese si kjo e tanishmja. Nga Moska, ku kampionët e botës në futboll iu gjunjëzuan Meksikës, dje, vëmendja politike dhe publike u spostua në Berlin dhe Mynih, ku zhvillohej dueli “për jetë a vdekje politike” ndërmjet Kancelares Merkel, lidere e CDU-së dhe Horst Seehofer, shefi i “simotrës” historike të CSU-së të Bavarisë. Por kaosi institucional para “portave” të këtyre dy partive është shumë më i ngatërruar se lëmshi futbollistik gjerman. Vetëm tre muaj nga krijimi plot mundime, koalicioni i madh gjerman është përfshirë nga debate dhe grindje të ashpra. Ato u tensionuan skajshëm pas propozimit të Seehofer tashmë dhe si ministër i ri i Brendshëm për zbatimin menjëherë të Master Planit me 64 pika mbi Emigracionin ndonëse “mollë sherri” janë vetëm dy pika që kanë të bëjnë me kthimin e azilantëve në vendet e BE-së ku janë regjistruar më parë.




Gjatë dy javëve të fundit, Kancelarja Merkel dhe eksponentët më të lartë të CDU-së kanë bërë çmos për të bindur aleatin e vet historik që të hequr dorë nga zbatimi i këtij plani, sepse nuk shkon që vendi themelues dhe më i madh i BE-së të ndjekë politika të njëanshme e të parenduara me partnerët e tjerë. Sidomos nga CDU/CSU që e kanë evropianizmin në AND-në e tyre politike. Edhe pse kjo krizë ka tre vjet që sorollatet kancelarive të BE-së pa gjetur ende zgjidhje, çka u jep “municion” forcave ekstremiste dhe populiste e në këtë rast dhe vetë CSU-së. Merkel ka propozuar kompromiset e rastit, në radhë të parë shtrimin e kësaj çështjeje në Samitin e BE-së në fund të këtij muaji, kur do të shqyrtohet strategjia e re migratore. Madje ajo ka filluar qysh dje takimet me homologët e saj francezë, italianë, austriakë.

Me gjithë këto demarshe dhe lëshime ndaj CSU-së, këta të fundit kanë deklaruar se “nuk do të tërhiqen asnjë milimetër” nga pozicionet e tyre. Për pasojë, rrezikohet seriozisht divorci politik i këtyre dy partive, edhe pse CSU ka deklaruar se nuk e synon një gjë të tillë. Mirëpo qëndrimet e saj dhe fillimi i zbatimit të Master Planit pa miratimin e Kancelares do të çonte detyrimisht në shkarkimin e Seehofer, largimin e CSU-së nga koalicioni dhe rënien e qeverisë federale, ndoshta dhe të Merkel dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme; kjo e fundit do të ishte gjëja më e padëshiruar për Gjermaninë dhe Europën dhe dhurata më e mirë për forcat euroskeptike dhe ekstremiste.

Megjithëse ky konflikt që tashmë vjen “nga brenda” e ka dobësuar atë si asnjëherë tjetër politikisht, Merkel nuk ka gjasa të japë dorëheqjen edhe në rast të largimit të CSU-së nga koalicioni. Vetëm se asaj i duhet të shmangë zgjedhjet e reja të parakohshme dhe për pasojë fundin e saj politik, duke gjetur aleatë të ri në Bundestag. Liberalët janë kundër një koalicioni të tillë, e ca më pak me Merkel, ndaj mbetet vetëm të Gjelbërit me 67 vende në parlament për të kompensuar 46 votat e CSU-së. Diçka jo e lehtë dhe me pikëpyetje, pasi ata dallojnë shumë nga CDU dhe SPD edhe në politikat liberale migratore; por ndërmjet dy të këqijave, Merkel do të zgjedhë të keqen më të voglën. Ndërsa social – demokratët partnerë në këtë koalicion e mbështesin Merkel; ata nuk kanë interes për zgjedhje të parakohshme, pasi nuk kanë shans për fitore, veç faktit që këto zgjedhje mund “të çonin ujë në mullirin e forcave ekstremiste e sidomos të Alternativës për Gjermaninë.

Ndërkohë, llogaritë politike të liderëve të CSU-së nga dalja e saj nga koalicioni në përpjekje për largimin e Merkel, mund të rezultojnë më të dëmshme për vetë CDU-në dhe lidershipin e saj. Kjo mund të fillojë qysh me zgjedhjet e reja bashkiake në tetor, sepse, pavarësisht peshës elektorale të CSU-së, e cila ka 70 vjet që “ bën ligjin” në Bavari, kjo dhe falë një pjese të madhe që mbështesin CDU-së dhe e Merkel, këta mund ta “tradhtojnë” CSU-në, të krijojnë filialin e CDU-së në Bavari dhe kështu t’i japin fund “sundimit” demokratik të CSU-së; veç forcimit të mundshëm të SPD-së dhe të Gjelbërve, duke e gërryer seriozisht më tej CSU-në.

Nisur nga këto probleme dhe specifika delikate, dje, Merkel nga Berlini dhe Seehofer nga Mynihu ku ishin mbledhur me shtabet e tyre partiake vendosën një “armëpushim” dyjavor; çka do të thotë që nuk do të fillojë zbatimi i Master Planit pa miratimin e Merkel deri në përfundimin e Samitit të BE-së. Por, gjasat janë që dhe ky Samit të mos arrijë gjë. Qysh tani, Viktor Orban, ka propozuar që Strategjinë e re evropiane për azilin ta shtyjmë pas zgjedhjeve evropiane 2019. Nëse Samiti dështon, atëherë Merkel për të dalë nga ky qerthull i rrezikshëm krize mund të detyrohet “të ndezë dritën jeshile” për zbatimin e Master Planit të CSU-së; por kjo jo në mënyrë automatike, siç kërkon CSU-ja, por në konsultime të mëtejshme ndërmjet dy partive dhe me partnerët europianë. Me siguri që Merkel do ta shfrytëzojë këtë afat dy javor për të marrë masa për rastin më të keq, që “ndeshja” pas kësaj shtyrjeje të përfundojë ndoshta me divorc, por jo me fundin e saj politik; ky do të ishte ogur i keq për forcat proevropiane.

Këto zhvillime tejet negative janë unikale në historinë mbi 50-vjeçare të bashkëpunimit të ngushtë të këtyre dy partive. Veç një rasti disi më të lehtë 40 vjet më parë CDU/CSU me liderët e tyre emblematikë e futën Gjermaninë në BE, NATO, ata udhëhoqën procesin e ribashkimit gjerman dhe atij evropian, etj; ato kanë qenë përherë bashkë, madje dhe me kandidatë unikë për kancelarë; dy prej tyre kanë qenë nga CSU-ja, emblematiku dhe miku i madh i vendit tonë, Straus më 1980 dhe karizmatiku Stoiber në vitin 2002. Ndaj dhe koalicioni CDU/CSU njihet ndryshe si “Union”.

Pyetjes: “Pse tani, me aq urgjencë dhe ultimative CSU-ja ndaj simotrës së saj më të madhe?”, shumica e ekspertëve dhe analistëve i përgjigjen me synimin e saj madhor për të joshur masat e gjera në prag të zgjedhjeve bashkiake në tetor. Ata janë të frustruar, sepse në zgjedhjet e kaluara AfD-ja u rrëmbeu atyre një pjesë të madhe të elektoratit tradicional kryesisht për shkak të mosvendosmërisë në politikat migratore. Ndaj, për CSU zgjedhjet bashkiake në tetor konsiderohen si “nëna e të gjitha zgjedhjeve” dhe “o tani, o kurrë”.

Mirëpo vetëm kjo arsye do të ishte gjysma e së keqes. Në fakt, përplasjet dhe përçarjet e tanishme nuk lindën nga hiçi apo brenda një nate; as sepse Bavaria është privuar nga ndonjë e drejtë, sepse ajo ka qenë në bashkëqeverisjen federale; apo se ka pasur probleme me papunësinë apo varfërinë si në rastin e Italisë. Kjo ka ndodhur CSU po anon drejt prirjeve populiste të djathta në landin më të pasur gjerman me 12 milion banorë. Kështu, Horst Seehofer konsiderohet si “babai shpirtëror” i Viktor Orbanit. Ai ka qenë përherë në favor të mbylljes së njëanshme dhe hermetike të portave për azilkërkuesit më 2015 dhe “kufijve të sipërm” ( Obergrenzen). Kurse kryeministri bavarez, Markus Soder ditët e fundit ka paralajmëruar fundin e multilaterizmit, etj.

Madje, dhe kur mendohej se këto dallime ishin sheshuar me krijimin e koalicionit të ri qeveritar tre muaj më parë, Seehofer sapo hyri në zyrën e tij si ministër i ri i Brendshëm Federal “nxehu gjakrat” në politikën gjermane me deklarimin e parë publik se “Islami nuk i përket Gjermanisë”; pak më vonë, qeveria bavareze vendosi që në çdo institucion qeveritar të vendoset kryqi si simbol i identitetit të këtij landi që shkaktoi shumë polemika. Me politikat që po ndjek, për CSU ndonëse me rrënjë të thella europianiste, “e para është Bavaria, Jo Europa madje as Gjermania”

Si populistët në përgjithësi, dhe CSU po shquhet për thjeshtëzimin ekstrem të dukurive tejet komplekse si azili; bërtasin për dështimet, por nuk duan t’ia dinë për arritjet, që shifrat e azilkërkuesve vitin e kaluar në BE pësuan rënie të ndjeshme me 44 për qind kurse në Gjermani 70 për qind! Për ta pak rëndësi ka që dhe në rast se Gjermania tenton të kthejë azilkërkues, nuk ka kurrfarë sigurie se ata do të pranohen nga vendet si Italia, Greqia, Austria, etj., pa marrëveshjet përkatëse dypalëshe. Të mos hyjmë pastaj te mungesa e humanizmit për azilantët fëmijë, të moshuar, të sëmurë, gra shtatzëna.

Gjithsesi, pavarësisht nga mbështetja që gëzon CSU në qëndrimet e deritanishme, ekziston shpresa se shumica dërmuese e popullsisë bavareze, këtij landi proeuropian, perëndimor e kozmopolit, kjo “urë miqësie e bashkëpunimi dhe me Ballkanin e Shqipërinë, nuk do të pranojnë që në Munih të ngrihet flamuri i populizmit dhe euroskepticizmit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.