Kronikë

Ekzekutimi i pronarit të servisit, policia: Autori, vrasës me pagesë

10:39 - 20.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Senad Nikshiqi – Një ditë pas vrasjes misterioze të pronarit të servisit të makinave, Mehdi Kavaja, policia e Shkodrës ka zbardhur detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje të rëndë që ndodhi lagjen “Tophanë” (ose “Salo Halili”) të këtij qyteti. Burime nga grupi hetimor dje bënë me dije se 60-vjeçari ndodhej në servisin e tij duke punuar si zakonisht për riparimin e dorezave të makinave, kur papritur një person e ka qëlluar atë pas koke me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Fillimisht u mendua se Kavaja ka pasur hemorragji, por vetëm pas një ore, pas kryerjes së ekspertizës, mjekët arritën të konstatojnë një vrimë në kokën e tij si dhe një plumb në thellësi të kokës.




Që në momentet e para policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet mbi këtë vrasje të ndodhur në rrethana misterioze. Burimet e mësipërme pohuan se dyshohet që ekzekutimi i 60-vjeçarit të ketë marrë shkas për disa konflikte që kanë të afërmit e tij prej vitesh. “Vrasja mendohet se mund të jetë një hakmarrje për ngjarje të ndodhura para shumë viteve, ku dyshohet se kanë qenë të përfshirë të afërm të shtetasit Mehdi Kavaja”, thanë burimet policore për “Gazeta Shqiptare”. Por, për policinë ende gjithçka mbetet në kuadër të dyshimeve.

Ndërkaq, të njëjtat burime pohuan se viktima mund të jetë ekzekutuar nga vrasës me pagesë. Kjo, nisur nga mënyra se si është kryer vrasja, e cila mësohet të ketë qenë e sofistikuar dhe e mirëmenduar. Megjithatë, kjo është vetëm njëra prej pistave të momentit që po heton policia vendore e Shkodrës, ndërsa nuk përjashtohet edhe ndonjë mundësi tjetër. Pasi është konstatuar nga ekspertiza mjeko-ligjore se pronari i servisit ishte vrarë dhe nuk kishte pësuar hemorragji, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së subjekteve afër vendit të ngjarjes.

Nga këqyrja e deritanishme nuk ka asnjë person konkret të dyshuar. Në fakt, jo e gjithë zona ka kamera sigurie dhe dyshohet se autori e ka studiuar mirë terrenin më përpara për të arritur më pas tek ky ekzekutim, që për nga mënyra, për policinë është një vrasje e rangut profesionist. Askush nuk e ka parë autorin e krimit, ndërsa nuk është dëgjuar asnjë zhurmë nga familjarët apo komshinjtë, pavarësisht se vrasja është bërë me pistoletë. Ka qenë një kalimtar i rastit që ka parë të shtrirë në tokë dhe të gjakosur 60-vjeçarin dhe menjëherë ka njoftuar ambulancën. Vrasja ndodhi rreth orës 15:30 të së hënës në lagjen “Tophanë”, aty ku Mehdi Kavaja punonte prej shumë vitesh në servisin e tij me riparimin e dorezave të mjeteve. Ndërkohë, policia dhe prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.