KULTURË

“Ju jeni ndër margaritarët e Kombit”, Ruçi uron Kadarenë për çmimin e marrë

10:59 - 20.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka uruar akademikun dhe shkrimtarin, Ismail Kadare, për çmimin e karrierës akademike.




Gazeta Shqiptare ka siguruar letrën e urimit që i ka dërguar Ruçi, Ismail Kadaresë, ku ndër të tjera i shkruan: “Ju jeni ngjitur në Olimpin e letrave dhe të shkencës dhe prej andej ndriçoni historinë, të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve”.

LETRA E PLOTË

Ismail Kadare

Tiranë

Shumë i nderuari zoti Kadare,

Përjetova me gëzim të veçantë shpalljen Tuaj si fituesi i Çmimit të Karierrës të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për vitin 2017.

Ky Çmim i shtohet gjerdanit të vlerësimeve e çmimeve për veprën Tuaj letrare dhe kontributin intelektual në Shqipëri, Europë dhe në globin mbarë.

Rrallë herë ndodh në kohën e sotme që krijimtaria e famshme letrare e njohur botërisht, kontributi intelektual plot finesë, vepra e thellë studimore e akademike, identiteti dhe vizioni europian, simbolet e vlerat kombëtare, dhe dedikimi shoqëror e qytetar të bashkohen në një individ të vetëm, si në rastin Tuaj. Ju jeni ngjitur në Olimpin e letrave dhe të shkencës dhe prej andej ndriçoni historinë, të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Letërsia, kultura dhe qytetërimi shqiptar janë sot të njohur sepse në to është skalitur emri Ismail Kadare.

Ju jeni ndër margaritarët e kombit dhe na bëni të ndihemi të gjithë krenar si bashkëkombësit, bashkëkohësit dhe lexuesit Tuaj.

Po Ju shkruaj me mirënjohje të pafund këtë letër si një ndër lexuesit dhe adhuruesit e panumërt të Veprës Tuaj.

Me respekt të thellë,

Gramoz Ruçi Tiranë, 19 qershor 2018.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.