OPINION

Negociata për shqiptarët…me kushte

07:20 - 20.06.18 Mimoza Koçiu
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej 17 prillit, Shqipëria dhe Maqedonia po shpresojnë fort se Bashkimi Europian do t’u hapë negociatat e anëtarësimit, nisur edhe nga rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian, bazuar në raportet e progresit të këtyre dy vendeve. Teksa vendimi final pritet të merret nga kryeministrat e presidentët e vendeve të BE-së, në samitin e Këshillit Europian më 29 qershor, skeptikët e njohur europianë duken kokëfortë.




Mes Francës, Holandës e Gjermanisë, dy të parat janë skeptike të betuara të zgjerimit, kur vjen fjala për vendet e rajonit, pjesë e Ballkanit Perëndimor. Secila për arsye të ndryshme, nuk janë të bindura se negociatat për Shqipërinë e Maqedoninë duhet të hapen këtë vit. Emmanuel Macron, 40-vjeçari ambicioz, që prej një viti është Presidenti i Francës, dukshëm po synon të marrë një rol protagonisti në BE, duke imponuar politika të reja, nisur edhe nga dobësimi i figurës së Merkel në mandatin e saj të katërt në Gjermani, e largimi i pritshëm i një tjetër aktori me peshë si Britania e Madhe, ndërsa në ambicie për një rol vendimmarrës brenda BE, e konkurrojnë fort politikanët e sapozgjedhur në Itali, kryeministri 31-vjeçar i Austrisë, apo edhe një kryeministër autoritarist si Viktor Orban i Hungarisë.

Me këtë garë jo aq të padukshme, për ndryshimin e balancave të fuqisë politike brenda Unionit, hapja e negociatave, jo gjithnjë kuptohet si një proces që kërkon vite të tëra bisedime, e 35 kapituj për t’u monitoruar e negociuar, para se një vend, të jetë gati të ulet në tryezën e BE, si anëtar i saj. Ndryshe nga Franca, Holanda mbetet konsekuente konkrete në skepticizmin e saj, pasi kërkon rezultate bindëse përparimi nga këto dy vende.

Në rastin e Shqipërisë, Holanda e Franca kanë shkëlqyer me kundërshtinë e tyre, edhe në kohën e liberalizimit të vizave, e në dhënien e statusit të vendit kandidat. Janë dashur përparime konkrete, jo vetëm në letër, për t’i bindur në përgjigjen pozitive.

Merkel me heshtjen e saj, edhe pse Gjermania është e renditur mes skeptikëve, nuk duket se e mendon njëlloj. Lobimin këmbëngulës shqiptar e ka ndjerë vetë Kancelarja, kur të majtë e të djathtë, ia ka dalë t’ia përçajnë, sipas kahjeve politike, edhe deputetët e grupit të vet parlamentar, në pro e kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Politikane me përvojë, Kancelarja nuk ka pranuar të marrë anë, edhe pse duket se më mirë se të tjerët, e kupton efektin që do krijonte në rajonin tonë, një refuzim i BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë. Këtë mëdyshje që lidhet me rritjen e influencës ruse e turke në rajon, e kanë lexuar qartë aktorët politikë shqiptarë, që po intensifikojnë lobimin në Bundestag.

Përtej dritëhijeve të BE, rezervat për Shqipërinë, janë ato që çdo shqiptar, i njeh mirë, e i has në të përditshmen e vet. Reforma në drejtësi, që po tentohet të paraqitet si sukses me vlerë, në fakt, vetëm sa ka nisur, ndërsa efekt të dukshëm dëmtues, ka sjellë shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese, e futjen në ngërç të Gjykatës së Lartë, dy institucione kyçe që garantojnë shtetin e të drejtës, kriterin e dytë të Kopenhagenit, një prej katër kërkesa bazike për t’iu afruar BE-së. Vetingu i saponisur për njerëzit e drejtësisë, nuk e fsheh dot këtë realitet kokëfortë, që spikat edhe me mosngritjen e institucioneve të tjera të reformës, më të rëndësishmet, KLGJ, KLP e për pasojë as SPAK e BKH, organet e pavarura të hetimit, të paralajmëruara se do kapin peshqit e mëdhenj. E me këtë ritëm, Shqipëria nuk garanton dot një afat, se kur këto institucione do ngrihen, e madje as vetë Gjykatën Kushtetuese. Njëlloj, rinovimi i pjesshëm i organit të akuzës, nuk po sjell asnjë ndryshim: peshqit e mëdhenj vazhdojnë t’i shpëtojnë rrjetës së drejtësisë, e madje në raste flagrante politikanësh, kujdeset mazhoranca me forcën e kartonëve t’u sigurojë mbrojtje, ndërsa ritmi i punës së drejtësisë, dukshëm pulson në sinkron me nevojat e politikës, e jo të së drejtës. Pra, edhe me një reformë të saponisur, Shqipëria nuk do japë dot shembuj, si ish- presidenti francez Sarkozi, nën hetim të dyfishtë për financime të dyshimta e ndikim të paligjshëm në fushatën presidenciale të 2007, apo ish-presidenti gjerman Christian Wulf, i detyruar të dorëhiqej, pasi kishte pranuar favorizime ekonomike, duke shkelur detyrën, e njëlloj edhe Horst Koler para tij. Në Shqipëri akuzat ndaj politikanëve me poste zyrtare shkojnë nga korrupsioni, deri tek lidhjet e favorizimi politik i krimit e narkotrafikut, por asnjë nuk përgjigjet apo dorëhiqet.

Në këtë realitet Oruellian, ku vetë OSBE pranon fenomenin e shitblerjes së votës në zgjedhje, qytetarët mbeten të pafuqishëm përballë arrogancës numerike, e fuqisë financiare të dyshimtë, të atyre që i qeverisin. Për pasojë, qytetarëve shqiptarë, që prej 28 vjetësh, pas gati 5 dekadash izolimi komunist, mbeten më entuziastët në rajon, për t’u bërë pjesë e BE, u duhen hapur negociatat, edhe pse është e qartë se politikanët përgjegjës, nuk i kanë përmbushur detyrimet e janë në shkelje flagrante të çdo norme, ku beson BE. Por ama hapja e negociatave të anëtarësimit, duhet të vijë me kushte të forta, për të çmontuar paprekshmërinë e politikanëve me pushtet, para ligjit. Këtë mund ta bëjë vetëm BE, përmes mekanizmave të saj monitorues e imponues. Kushte e rezultate të prekshme, që do rrëzojnë fasadën e rreme potemkiniane, që djallëzisht ndërton pushteti për t’ia hedhur BE-së, njëlloj siç bën çdo ditë me qytetarët e vet, me inskenime e parada suksesesh, deri në kufijtë e qesharakes.

Nga ana tjetër, koha është që BE të hedhë hapin sfidues, e të merret seriozisht me rajonin tonë, të cilit prej samitit të Selanikut të 2003, i premton integrim. 28 vjet pas rënies së perdes së hekurt, 5 vjet pas zgjerimit të fundit, e në pritje të humbjes së një anëtari influent si Mbretëria e Bashkuar, koha ka ardhur, që BE të krijojë një histori suksesi, jo thjesht me hapjen e dritës jeshile për Shqipërinë e Maqedoninë, por për të kryer aktin e duhur, në një rajon ku fuqia e Unionit me këtë lloj hezitimi, veçse dobësohet, në dëm të vetë investimit gati 30-vjeçar për demokratizim.

Shqetësimet e drejta mbi korrupsionin, krimin e organizuar, shtetin e së drejtës, duhet të peshohen mirë, edhe me nivelin e përgjegjësive, përkundrejt mesazhit që duhet të japë BE, për fuqinë e vet transformuese, e jo imazhin e një klubi të mbyllur, ku interesat e brendshme kombëtare, dominojnë ato të përcaktuara që prej themelimit të tij. Procesi i nisur tashmë me hapjen e negociatave të anëtarësimit për Malin e Zi e Serbinë, me ambicien e shpallur për vitin 2025 si moment anëtarësimi, duhet të vazhdojë edhe me vendet e tjera në pritje, më të parat Shqipëria e Maqedonia, si një vlerësim për qytetarët e këtyre vendeve, e aspak për udhëheqësit politikë, që duhet thënë se komoditetin e kësaj lloj qeverisje, e sigurojnë edhe me mbështetjen e dyshimtë, të diplomatëve nga BE.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.