KULTURË

Angjelin Nenshati/ Dëshmitar mes dy kohëve, fotografi që dokumentoi rënien e regjimit

16:00 - 21.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Luçjan Bedeni – Angjeli Nenshati (Shkodër 1929 -2008) ndjek studimet e para në Kolegjin Saverian e mbas mbylljes së tij, në gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër. Formimi i tij zë fill në mënyrë autodidakte. Impakti me fotografinë erdhi nga rasti fatlum i të rënit në dorë që herët i një aparati fotografik, me të cilin bëri shkrepjet e para në kontekstin e një qyteti me traditë në këtë fushë.




Me vendosjen e regjimit komunist, për t’iu shmangur disi persekutimit për prirjet e tij demokratike e fetare, nga viti 1948 kur vendoset në Pukë e deri në 1957, është arsimtar pranë shkollave të ndryshme, por kjo nuk e pengon të punojë edhe në fushën e fotografisë. Që herët, edhe falë lidhjeve familjare, ai qëndron pranë fotografit të njohur në Shkodër, Pjetër Rraboshta, gjë që e plotësoi formimin e tij në drejtim të proceseve të laboratorit. Në vitin 1958 hyn në kooperativën shtetërore ku punon si fotograf. Në vitet ’70 i bashkohet Gegë Marubit në aktin e dhurimit të fondit fotografik personal. Ky fond i ruajtur në Fototekën ‘Marubi’ dhe i pasuruar më tej prej tij, numëron mbi 228.000 imazhe të shkrepura në film rul 24x36mm. Ishte fotografi që ndiqte eventet social-kulturore të vendit, por edhe familjet qytetare në ritualet e ndryshme të jetës së tyre. Aktiviteti i tij u realizua më shumë jashtë studios se brenda saj.

Punon në repartin e fotografëve deri sa arrin moshën e pensionit në vitin 1989. Realizon fotografi të zhanreve të ndryshme, por është shumë afër atij të reportazhit.
Krahas fondit të tij në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, familja zotëron një fond të pasur me fotografi, kryesisht me ngjyra.
Nenshati është autori që ndjek nga afër ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, lëvizjet e ndryshme demokratike të viteve ’90, momentet e kthesave të rëndësishme, rifillimin e kremtimeve fetare, rihapjen e kishave e xhamive.

Më 1993 fotografon vizitën e Papa Gjon Palit II dhe Nënë Terezës së Kalkutës në Shqipëri. Më 1996 bashkë me djemtë e tij hap studion fotografike “Nenshati”.
Krijimtaria artistike në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet tjera të ish-Bllokut komunist lindor, ndiqte rrymën ideologjike të realizmit socialist, e cila trajtohej si e vetmja e denjë për regjimin komunist në lëmin e letërsisë dhe të arteve në përgjithësi. “Filli i kuq” i frymës ideologjike të kohës përshkonte tejembanë formën estetike, duke e shndërruar veprën artistike në një instrument propagandistik për të përhapur idealet komuniste revolucionare dhe optimizmin për botën që ato ideale mëtonin të krijonin. E gjithë kjo realizohej nëpërmjet transformimit ideologjik të realitetit në artin e kohës, ku përmes linjës politike të një partie të vetme ekzistuese, i ashtuquajturi “njeriu i ri” paraqitej si fryt i fitoreve revolucionare dhe i triumfit të betejave për transformimin e botës. Ai njeri nuk përfaqësonte aspak realitetin kontradiktor, subjektivitetin e qenies njerëzore dhe nuk kishte asnjë lloj natyrshmërie.

Kemi të bëjmë me një lloj “laboratori të formësimit të prototipit” – siç e ka përkufizuar studiuesi Gëzim Qendro – që përtej vullnetit për ta shfaqur modelin e njeriut të ri në çdo aspekt artistik dhe kulturor, në të vërtetë e mbatjën atë “të fshehur nga fotografia, të fshehur nga kinematografia, të fshehur nga piktura, nga skulptura, nga gjithçka”.
Ekspozita kushtuar Angjelin Nenshatit, fotografit të shndërrimeve historike të vendit, orientohet në dy drejtime: në periudhën e diktaturës komuniste dhe në atë të tranzicionit të viteve ’90. Në qoftë se vitet ’60, e miqësisë vëllazërore me Bashkimin Sovjetik, na paraqisnin frymën triumfuese të regjimit të asaj kohe sipas klishesë “njeriu dhe lufta”, vitet ’70-të cilave i përkasin edhe shumica e fotografive të kësaj ekspozite – kanë në fokus temën “njeriu dhe puna” dhe eksperimentin e revolucionit kulturor me frymëzim kinez në shoqërinë shqiptare.

Këto dekada karakterizohen nga dy momente të rëndësishme të trysnisë ideologjike. Nga njëra anë zhvillohet lufta kundër besimit fetar dhe zakoneve prapanike, që do të çonte në shpalljen e Shqipërisë si i pari vend ateist në botë me Kushtetutën e vitit 1976. Ky aspekt tragjik i revolucionit kulturor bëri që objektet e kultit të shndërroheshin në vende të propagandës së ideologjisë komuniste. Një pjesë e tyre u transformuan në pallate sporti, kinema, shtëpi kulture, magazina e të tjera u shembën me themel. Të gjitha masa përmbyllnin fushatën e persekutimit të klerit që kishte zënë fill në vitin 1944.

Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, pas viteve ’70 u karakterizua nga ndjekja besnike e ideologjisë komuniste, që interpretohej në një këndvështrim të rreptë antirevizionist. Plenumi IV (1973) ishte edhe momenti më kulminant i politikës agresive kundrejt artit. Shembujt kryesorë të kësaj lufte qenë goditja kulturore e artistëve të ekspozitës “Pranvera” (1972) dhe Festivali XI i Këngës në Radio Televizion (1972).

E parë në këndvështrimin e ndryshimeve, ekspozita e Angjelin Nenshatit ndërtohet në një rend kronologjik të orientuar nga tri imazhe kryesore. Në plan të parë qëndron shfaqja e një gjimnasteje e kapur në unazat e vendosura në altarin e një kishe të transformuar në klub rinie (1967). Në kontrast me të, njëzet e katër vite më pas, autori dokumenton aktin e “rimarrjes” së Katedrales, ku ikona e Zojës së Shkodrës, megjithëse në plan të dytë, qëndron mbi shkallët e tribunës së Pallatit të Sportit ndërkohë që njerëzit heqin tabelën e basketbollit (1991). Krahas dokumentimit të momenteve të hapjes së kulteve, vetëm pak ditë më pas, fotografi dëshmon djegien e Komitetit të Partisë më 2 prill 1991 në Shkodër, e cila konsiderohet si ngjarja përfundimtare e përmbysjes së diktaturës në Shqipëri. Në të dyja këto periudha, në thelbin e fotografisë së tij, mbetet ngjarja të cilën ai e ndjek me interesin dhe me syrin e reporterit të mirëfilltë dhe të vëmendshëm. Për asnjë moment tek ai nuk ndihet vlerësimi i autorit ndaj asaj që po pasqyron – qofshin ato momente që i përkasin manifestimeve rinore, aksioneve vullnetare, propagandës së kohës, apo thjesht çastet e jetës së përditshme.

Këtë pozicion të disiplinuar në marrëdhënie me momentin e pranishëm e perceptojmë gjithashtu edhe në ndryshimet e mëdha politike të vendit në vitet ’90, ku përmbysjet social-politike të lartpërmendura e transformojnë totalisht natyrën gjithnjë e më dramatike që merr ngjarja e çliruar nga inskenimi.
*Ekspozita është kuruar nga Luçjan Bedeni dhe Lek M.Gjeloshi. Teksti u përgatit nga Bedeni, drejtor i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.