EKONOMI

Qeveria lehtëson barrën e taksave, ja kush përfiton

09:45 - 21.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Qeveria ka miratuar ndryshimet në paketën fiskale, duke ndryshuar shkallën e tatimfitimit e të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Këshilli i Ministrave vendosi të lehtësojë barrën fiskale për një sërë kategorish si për bizneset, ashtu edhe për individët.




Tatim-fitimi
Qeveria vendosi që fitimi kapital i realizuar si rezultat i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, ndërtesë, truall dhe tokë bujqësore tatohet me normën 15 për qind. Shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate shkëmbimi nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme. Shkalla e tatimit mbi fitimin për bizneset është ulur, pasi është ngritur baza e tatueshme. Kështu, tatim-fitimi do të jetë 5% për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit dhe 15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit. Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr.38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5%. Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari agroturistike të certifikuar si “agroturizëm”, bazuar në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin” dhe vendimin e Këshillit të Ministrave që miraton kriteret për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5%. Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5%, e parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi” deri në dhjetor 2021. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin pasardhës pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi”.

Lojërat e fatit
Tatimi mbi lojërat e fatit sipas nenit 52/2, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, aplikohet me shkallën 15% mbi të ardhurat bruto nga loja për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë Kombëtare të licencuar sipas ligjit nr.95/2013. E ardhura bruto nga loja është shuma e mbetur organizatorit nga diferenca midis shumës totale të luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit dhe shumës së fituar prej tyre. Tatimi mbi fitimin llogaritet në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar
Shkalla e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6 për qind aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, të ofruar brenda strukturave në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, të ofruar në këto struktura. Personi i tatueshëm, që aplikon shkallën e reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind është personi i regjistruar me NIPT/NUIS, vetëm për zhvillimin e veprimtarisë pritëse të certifikuar si “agroturizëm”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.