KULTURË

Video/ “Dy duar për një kokë”, aktori shpreh hapur frikën për Teatrin: Rama në shtator i vë ruspën

11:27 - 21.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Debati më i fortë i këtyre ditëve është ai i ekzistencës apo jo të Teatrit Kombëtar në një kohë që ekziston një projekt/ligj që i jep të drejtën ndërtimit të një teatri të ri me PPP. Për të komentuar këtë situatë aktori i njohur Neritan Liçaj në një intervistë për “BalkanWeb” me gazetarin Erjon Skëndaj ka folur hapur për qëndrimet e të gjithë artistëve, dhe pse sipas tij, duket sikur disa janë pro dhe disa janë kundër prishjes së teatrit ekzistues.




Liçaj thotë se artistët kanë zgjedhur këtë formë pasi janë të sigurt se qeveria ua ka me hile. Madje Liçaj shpreh frikën e madhe se qeveria do ndërhyjë për t’i vënë ruspën teatrit, do sjellë aty buldozierë për ta shëmbur në shtator. Ai shton se ky është problem ekzistence dhe përdor një shprehje popullore: Dy duar për një kokë janë, e prandaj s’do të lejojnë që teatrit t’i preket asnjë centimetër.

Keni qenë shumë i fortë me një status të fundit në rrjetet sociale për një fitil që do iu plase bombën në dorë qeverisë? Çfarë do të thotë kjo?

Neritan Liçaj: Statusi ka kuptim figurativ, pikërisht për këtë mënyrën se si po qeveriset me shumë arrogancë, me shumë terror, në një kohë që ndjeshmëria për teatrin është shumë e madhe. Kjo qeveri në 5 vite ka vrarë shpresën e shqiptarëve, nuk mban më ujë pilafi. Teatri është aq i ndjeshëm sa do ngrihet një valë e madhe protestash ndaj kësaj qeverie që nuk pyet, nuk dëgjon.

Ju jeni pyetur?
Neritan Liçaj: Ne jemi injoruar edhe ministrja nuk shkon në komision. Është një ministre që po të marrësh përkthimin e parë të fjalës ministre, do të thotë me shërbye. Ajo nuk vjen të marrë vesh cilat janë nevojat tona jo më…

Ju vetë për cilin teatër jeni, teatri siç është, teatër të ri me kulla apo për teatër të ri por pa kulla?
Neritan Liçaj: Unë jam për këtë: Asnjë centimetër i atij territori nuk duhet të preket dhe nuk do preket dhe këtë ata e dinë fare mirë. Ne e dimë teorinë që nuk ka lekë. Del kryeministri dhe thotë nuk ka lekë? Jo zotëri, ai është teatri i gjithë shqiptarëve. Po tregoj shembullin e Maqedonisë që ndërtuan një teatër të ri fiks si ai që u rrëzua nga tërmeti, pa PPP dhe pa CCC vetëm për të treguar se kanë identitet kombëtar, në fakt nuk kanë. Si ka mundësi që ne të mos kemi një teatër dinjitoz?

Po ka shumë artistë që thonë të mbetet siç është?
Neritan Liçaj: Ata që thonë të mbetet siç është e thonë për faktin se nuk kanë besim, qeveria shqiptare funksionon si një entitet mafioz dhe ata kanë frikë se i vë buldozierin, i vë rruspën dhe e prish fare. Bibliotekën e larguan që aty, po të them që ne jemi kështjella e fundit ai po shpartallon artin.

Keni frikë?
Neritan Liçaj: Pse nuk e bën ai? E bën, neve na ka humbur besimi. Më thuaj një gjë që kanë thënë dhe e kanë mbajtur, i bëjnë çdo gjë me hile. Pastaj i bëjmë artistëve kontrata 1 vjeçare që të kenë frikë për bukën e gojës që pastaj ta çojmë teatrin tek Turbina dhe ju bëjmë presion se do ju heqim bukën e gojës.

Edhe me qeveritë e shkuara ju keni pasur probleme?
Neritan Liçaj: Tani kemi kaluar në probleme ekzistenciale. Unë nuk kam asnjë lloj dyshimi se kryeministri shqiptar do të shfarosë artin dhe kulturën shqiptare. Do të na zhdukë fare, të na nxjerrë në rrugë.

Po kush do bëjë teatër?
Neritan Liçaj: Unë nuk kam asnjë garanci se kjo qeveri në shtator nuk i fut buldozerin teatrit dhe na lë të gjithëve pa punë.

Si ishte takimi me kryebashkiakun?
Neritan Liçaj: Unë nuk e kam problemin me zotin Veliaj, ai qeveris Tiranën. Unë dua të di çfarë do bëjë qeveria? Nuk është teatri i Tiranës, kjo është non sens pse nuk ia delegon kryetarit të Bashkisë së Durrësit se e njetja gjë është. Ç’punë ka ai me teatrin kryebashkiaku? Teatri varet direkt nga qeveria, i bie të jemi teatër shtetëror, jo kombëtar. Teatri duhet të qeverisej nga Parlamenti apo nga Presidenti, pozicion dypalësh. Se kuptoj vërtet pse duhet të përzihet qeveria me këtë

A jeni të hapur për një takim të dytë?
Neritan Liçaj: Që kur ka filluar kjo betejë ne jemi shprehur eja të ulemi, të shihemi në sy dhe të gjejmë më të mirën për ne. Këtu gabon Rama, sheh interesin e tij politik. Do detyrohet të shohë interesat tona, sepse ai nuk mund të luajë me ekzistencën tonë. Në momentin që luan me ekzistencën time e ke çuar në personale, këtu je në barrikadë. Në kuptimin metaforik të fjalës jemi armiq. Do të vras, se po s’të vrava më vrave dhe unë e di këtë jam djalë ushtaraku. Dy duar për një kokë thotë populli dhe e thotë shumë bukur. Në momentin që ai do të luajë me ekzistencën time dhe të fëmijëve të mi unë aty nuk fal. Jo edi Ramën por askënd Si unë janë të gjithë artistët dhe pwr këtë të jetë i bindur.

Shpresojmë që kryeministri të mos e marrë si kërcënim…
Neritan Liçaj: Nuk është kërcënim, këtu e ka çuar ai situatën. Nuk ka dëgjuar, nuk ka pranuar të flasë, nuk ka pranuar të lëshojë pe. Ministrja dhe kryebashkiaku erdhën dhe u ulën, ky është një sinjal i mirë, bujrum të dialogojmë më tej. Është Teatët Kombëtar, duhet të kuptojmë rëndësinë e madhe që ai ka. Ne duam të shkojmë në Europë se jemi një vend europian, por të shkojmë me një qytetari tonën dhe këtë e bëjnë kultura e arti. Bëj reforma, por të bësh reforma nuk do të thotë të shkatërrosh, sidomos me një popull të lodhur e rraskapitur prej shekujsh. Nuk qeveriset me arrogancë. Rama nuk duhet të komandojë, por të bisedojë e ndihmojë. Shqiptarët janë të lodhur. Vuajnë shqiptarët, ikin, vriten për një gërvishtje makine. Do shpërthejë njëherë gjithë ky tension. Nuk qeveriset me tension se do të të largojnë nga puna.

 

Keni pasur kërcënime deri tani?
Neritan Liçaj: Unë jo drejtëpërdrejtë, por përderisa jam me kontratë 1-vjeçare, nuk besoj të arrijë deri në atë arrogancë, sepse unë punoj dhe punoj mirë. Por një lloj mënyre është. Të të vijë nga institucioni i TK me urdhër të kryeministrisë a e ke paguar UKT-në, është jonormale.

Ka ndodhur?
Neritan Liçaj: Kryeministria çon në institucionin ku punoj unë për të na lajmëruar ne që s’ke paguar faturën e ujit. S’ka logjikë. Dhe nëse s’e paguan është shkelje administrative, dhe kjo është jashtë çdo lloj ligji, se unë me Teatrin Kombëtar kam kontratë si aktor, jo për fatura. Ky është një absurd që nuk di ku ta gjesh.

Drejtori juaj (Hervin Çuli) është treguar pak i ashpër me një nga artistët e njohur z. Mirush Kabashi dhe nuk ofendoi njeri, por reagimi që erdhi ishte shumë i ashpër, ju çfarë mendoni?
Neritan Liçaj: Ka një problem të madh. Nuk vlerësohet artisti me rrogë. Që aty fillo handikapi. Ti ke aktorë që kanë lënë jetën për artin, nuk i thua dot Ndriçim Xhepës për rrogën se ai veç role kryesore në filma i ka mbi 50, çfarë do i thuash atij. Është vlerë kombëtare, dhe jo vlerë që matet me një rrogë. Është qesharake. Nuk matet me para puna e artistit. Artisti bën histori, filmat që bën Mirush Kabashi do mbeten edhe pas 100 vitesh. Të Ndrenikës, Xhepës, Bujar Lakos, janë vlera kombëtare, janë histori.

A po kthehet në politike kjo ngjarje? E dëmton kauzën tuaj?
Neritan Liçaj: Është kthyer tashmë. Është shumë relative, nuk mund t’i thuash një force politike mos ndërhy ti se fundja është edhe çështje kombëtare. Nuk i thua dot një X partie mos hajde të na mbështetësh. Unë i bëra thirrje deputetëve të PS, si do votoni: si patriotë apo si partiakë? Është në ndërgjegjen tuaj, sfidë e juaj personale. Flas për pjesën që kanë integritet moral. Jam i bindur që pjesa më e madhe e strukturave të PS janë pro nesh. Sepse ne na duan. Artistët japin kënaqësi. Në atë Teatër, ai Roland Trebicka ka bërë atë Jovan Bregun që të gjithë shqiptarët e dinë. Artistët kanë ngjallur emocion. Kjo është diçka kombëtare.

Keni marrë përgjigje nga deputetët e PS?
Neritan Liçaj: Ne përgjigjen do e marrim me votë. Qëndrimin e tyre aty do e tregojnë. Por nuk mendoj se do shkojë puna deri aty. Unë e respektoj qeverinë time por kur e kritikoj e bëj për mirë. Ky projektligj është i papranueshëm. Të ndërtojmë ca strategji të mira për artistët, pastaj flasim për të tjerat. Bëjmë njëherë ligjet pastaj funksionojnë gjërat. Shtëpia nuk ndërtohet pa themele. Shteti me ligje ndërtohet.

A do e bëni qeverinë të dëgjojë zërin tuaj kështu të përçarë siç jeni sepse ne kemi parë dhe artistë që deklarojnë pro prishjes së Teatrit?
Neritan Liçaj: Qeveria nxjerr gjithmonë gjëra, se ka votat dhe ka dhe milionat e bizneseve mbrapa dhe është një mal shumë i madh, një mur i madh që t’i biesh me kokë. Se qeveria të nxjerr dhe arkitektë e ekspertë që të thonë se ajo godinë duhet shembur. Më vjen keq për ata zotërinj se janë të pabesueshëm, kur janë të lidhur me shtetin. Se gënjejnë, se të sjell BE ekspertë të huaj të paanshëm, do i hedhi poshtë. Deklarata e zotërisë së zjarrfikëses ishte qesharake, tha që Teatri duhet shembur se nuk ka zjarrfikëse. Po mirë çfarë të bëjmë të shembim Piramidat e Egjiptit se nuk kanë wireless? Pastaj është puna juaj, vije pra. Mos gënje, e kuptoj që je rrogtar nga shteti, por fundja je burrë.

Ekspertët thonë se godina mund të vetëshembet…
Neritan Liçaj: Të sjellim një grup ekspertësh të pavarur se unë nuk kam pikën e besueshmërisë. Kjo histori ka që kur ishte Ram ministër Kulture. Ta dimë dhe ne vërtetë nga ekspertët e huaj. Por jo të vijnë njerëz të qeverisë. Atëherë tërhiqem. Dhe të bëhet teatri nga qeveria shqiptare, jo të vijë kryeministri të thotë: “S’kam lekë”. Jo mor zotëri s’më intereson, paguhesh nga taksapaguesit shqiptarë. Ke marrë votat, t’i gjesh lekët, siç i gjen për gjëra të tjera.

Nëse ndodh ajo që keni frikë, merret vendimi dhe vijnë fadromat…
Neritan Liçaj: Problemi është ai që thashë, puna është të mos shkojmë deri aty. Po vajti aty, dy duar për një kokë janë. Jo se do marrim armët jo, do ngujohemi aty brenda. Çfarë do na bëjnë? Do na vrasin? Kush i lë? Çfarë kujton se do vijë polici të më prekë mua me dorë? Jo mor jo se më duan, të jeni të bindur. Me Teatrin Kombëtar, e di shumë mirë kryeministri Rama se e ka provuar, sa do i fuqishëm, i pushtetshëm, para të ketë, ai e di mirë që Teatri Kombëtar, është një emër shumë i madh. Ndaj e them, është fitil i madh, uroj të mos e ndezi atë fitil se do i plasi atij bomba në dorë, në kuptimin figurativ. I ngujohemi aty dhe s’ka çfarë të na bëjë fare. Prandaj mos e çojë atë projektligj sepse dhe ai e di që është i turpshëm dhe i papranueshëm. Të bisedojmë e t’i zgjidhim gjërat në interesin tonë, jo të qeverisë, edhe këtë duhet ta ketë të qartë. Rama është vendimtari kryesor, Rama ka fituar 100 pikë kur dëgjoi popullin për armët kimike. Ky kryeministër duhet. Kështu duhet të reagojë edhe kësaj radhe, kam bindjen që ai do të tërhiqet. Nuk është puna kush uli kokën e kush u tërhoq, nuk është muhabet lacash, është muhabet njerëzish, mes artistësh, Rama e Kumbaro janë artistë e familje artistësh. Jam i bindur që dashuria e tyre për artin të marrin vendimin e duhur.
Me çfarë po merreni aktualisht?
Neritan Liçaj: Është një iniciativë bashkëpunimi mes disa teatrove, Teatrit Kombëtar dhe të rretheve, një tip projekt pilot “Vetëvrasësit” që rezultoi diçka e mirë. Në vazhdim të kësaj, është një tjetër bashkëpunim dhe shfaqja tjetër është “Peng” e cila finalizohet në shtator. /Balkanweb

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.