KULTURË

Fjala e fortë e Romir Zallës: Kuksianët të vunë flakën, kujdes me artistët!

14:47 - 22.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Ende pas shtatë ditësh nuk ka një përgjigje nga qeveria për projektligjin për çështjen e teatrit. Në të shtatën ditë, artistët dolën dje sërish në shesh të vendosur të mos tërhiqen. Në radhë të parë dje shihje Alfred Trebickën, Vasjan Lamin, Mehdi Malkën, Gent Zenelajn, Romir Zallën, Anila Bishën, Sokol Angjelin dhe si çdo ditë Robert Budinën, Adriana Tolkën. Në fillim u lexua një status i Ardian Vehbiut, që thoshte se do jetë skena, që do e vendosë fatin e vet. “Në rastin e një diktature që gëzon pushtet të plotë, qejfmbetjen e çon deri në vrasje. Artistët u mësojnë masave, se realiteti nuk është ai që duket. Ndaj më thoni pse i duhet pushtetit e diktaturës teatri, të mençurit e intelektualët. Çdo qeverie i duhen dembelë. Ndaj për këdo dashamirës teatri e për ata që s’kanë shkelur kurrë në teatër, në këtë tempull ruhet gjuha shqipe në më të mirën e saj. Historia ka treguar se e keqja nuk ndryshon”, tha Tolka. Më pas, aktori Kastriot Shehi, i cili recitoi dy monologë, njëri prej të cilëve me titull “Liria e të varfërve”, që tregon se si ata e morën urinë e tyre dhe e futën në shishe dhe shkuan ta shisnin.




Monologu u mbyll me një kryetar bashkie, që u fal të varfërve lirinë si dhe nga një karamele. Mandej, gazetarja Elsa Demo kujtoi se e ka filluar gazetarinë kur ai që është kryeministër shkatërroi shumëçka, duke përmendur se kinema “Republika” nuk është më, as kinema “17 Nëntori”. Më pas, fjalën e mori Romir Zalla, që në krye të herës tha se “nuk kemi ç’a themi më, se i kemi thënë të gjitha. Qëndresa jonë duhet të jetë, të vijmë e të rrimë këtu me javë e me muaj, sepse kjo është përtej nesh”. Ai shtoi “se vij përditë këtu”. “Kanë ardhur edhe turistë italianë. Ishin një çift dhe pyetën pse mblidhen këta njerëz. Kur u thanë që janë mbledhur se duan të shembin teatrin, gruaja bëri kryqin e iku. Jemi në kufijtë e absurdit. Njerëz që mblidhen e thonë ‘mos na e shembni teatrin’ – ju qofshi”, tha Zalla. Kujtoi se si asnjëherë tjetër, atë ditë para 5 muajsh kur u mblodhën të gjithë aktorët, ai ndjeu emocione. “Sot unë nuk mbaj mend ç’kam thënë kur diskutonim për ligjin në një sallë ku ishim më shumë se 100 veta. Ndoshta jemi më pak se atëherë, por i kuptoj të gjithë. Jam me ata që nuk flasin e qëndrojnë në hije – i kuptoj edhe ata. E di se çfarë hallesh kanë”, tha Zalla.

Ai theksoi se teatri po prishet përditë prej 20 e kusur vjetësh, që kur ndajnë në të vjetër e të rinj, të aftë e të paaftë, me rrogë e pa rrogë, të brendshëm e të jashtëm, në ata që ikin jashtë e bëjnë sukses, e në ata që vijnë nga jashtë që të bëjnë sukses këtu. “Prishja e kësaj godine është akti i fundit të kësaj prishjeje. Ata që janë në opozitë ishin arrogantë, e këta që janë tani në pushtet janë ende më shumë arrogantë. Por dua t’i them atij që tregohet arrogant se: t’i tregohesh arrogant me kuksianët e të vënë flakën, ti tregohesh arrogant me minatorët, por ata të vijnë në zyrë. Kujdes, ti po bëhesh arrogant me artistët, kujdes!”.

Zalla kujtoi se atëherë kur i thamë asaj zonjës ç’po bëni me atë ligj, ajo zonja na tha “nuk dini çfarë kërkoni” – ajo zonja nuk flet më sot.

“Na tha ‘ç’plasje keni’, ndërkohë plasja po i vjen nga gozhda poshtë karriges që të rrëzon nga karrigia. Këtu pas nesh duan të vënë 7 shishe uiski shumë të shtrenjta. Dy nga 7 kullat që ndërtohen janë shitur që tani. Janë dhënë zyrat me qira. Pronarët e sarajeve thonë nuk lëshojmë. Na kanë piketuar ne artistëve nja 20 vetëve do na japin nga 100 mijë euro e nga një apartament. Nuk po flas se kur të m’i japin, do i dhuroj për teatrin”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.