Kryesore

ISSH, thirrje emigrantëve: Bëni sigurim për të përfituar pension

13:26 - 22.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit mund të përfitojnë pension edhe në Shqipëri, edhe pse nuk i kanë plotësuar vitet e punës me kontribute. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ditën e djeshme u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve emigrantë që të sigurohen vullnetarisht për të marrë pagesën e pensionit të pleqërisë, invaliditetit, apo familjar. “Qytetarë emigrantë! Instituti i Sigurimeve Shoqërore ju ofron sigurimin shoqëror vullnetar, si një mundësi më shumë për të përfituar pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar”, – thekson ISSH. Ndërkohë, kjo e fundit bën me dije për të gjithë të interesuarit se pensioni i plotë i pleqërisë përfitohet me 36 vite e 4 muaj punë të siguruar, ndërsa pensioni i pjesshëm kërkon minimalisht 15 vite pune me sigurime. Për të përfituar pension nga shteti shqiptar, emigrantët duhet të paguajnë një pagesë kontributi prej 5184 lekësh në muaj. “Nëse do të parapaguani në fillim të periudhave do të ketë zbritje: 6% mbi shumën për një pagesë vjetore, 3% mbi shumën për një pagesë 6 mujore dhe 1.5% mbi shumën për një pagesë 3-mujore. Ju mund të siguroheni edhe për vitet e kaluara dhe mund të futeni në këtë skemë pa qenë të siguruar më parë. Kontribuoni për të kaluarën dhe të tashmen, t’ju sigurojmë të ardhmen!”, – bën thirrje Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Por, nëpërmjet sigurimit vullnetar, mund të përfitojnë jo vetëm emigrantët shqiptarë, por të gjithë qytetarët që jetojnë në Shqipëri e dëshirojnë të kenë një masë pensioni më të lartë se ai që është paracaktuar më parë.




Kushtet e përfitimit
Në skemën e sigurimit vullnetar përfshihen shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar; ata që për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm si dhe personat që janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, edhe personat që nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi, ose në rastet kur individi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.
“Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, është përfitues, sipas rastit, i: pensionit të plotë të pleqërisë, pensionit të pjesshëm të pleqërisë, pensionit të reduktuar të pleqërisë, pensionit të invaliditetit, pensionit të pjesshëm të invaliditetit”, – thekson ISSH. Ndërkaq në sigurimin vullnetar, sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, bën pjesë edhe pensioni familjar. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar. Nëpërmjet sigurimit vullnetar mbulohen katër fusha të kësaj skeme që janë: sigurim vullnetar për vitin korrent, sigurim vullnetar për periudha të kaluara, sigurim vullnetar për më shumë të ardhura si dhe sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.

Sigurim vullnetar për periudha të kaluara
Sigurimin vullnetar për periudhat e kaluara mund ta paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk u ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar si dhe shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha pasuniversitare është me pagesë. Ndërkohë, ky sigurim për periudhat e kaluara mund të bëhet edhe nga shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar si dhe personat që kanë lënë shtetësinë. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa. Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 5 184 lekë për një muaj sigurim vullnetar por në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.

Sigurim vullnetar për vitin korrent
Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar për vitin korrent nga personi i interesuar është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa. “Kuota mujore e sigurimit vullnetar për vitin 2017 është 5 184 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 24 000 lekë x 21.6%. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: – 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar); – 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar); – 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar)”, – theksohet në faqen zyrtare të ISSH-së. Gjithsesi, pagesat e vitit korrent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 5 184 lekë, deri në kufi të pagës maksimale.

Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura
Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të paguajnë të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korrent në kufijtë e pagave minimale dhe maksimale, 24 000 dhe 105 850 lekë (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri). ISSH bën me dije se personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 24 000 lekë e mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e pagës maksimale 105 850 lekë. Ndërkohë, punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin deri në nivelin e pagës maksimale 105 850 lekë. Çdo punëdhënës që sigurohet nën nivelin e pagës maksimale ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e kësaj page, ndërsa çdo kontribuues vullnetar për vitin korrent ka të drejtë të sigurohet për më shumë të ardhura.

Periudhat e kaluara

Sigurimin vullnetar për periudhat e kaluara mund ta paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që:
Kanë mbushur moshën 18 vjeç.
Që nuk u ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.
Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha pasuniversitare është me pagesë.
Ky sigurim për periudhat e kaluara mund të bëhet edhe nga shtetasit shqiptarë, që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar si dhe personat që kanë lënë shtetësinë.
Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa.
Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 5 184 lekë për një muaj sigurim vullnetar, por në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.