OPINION

Rihapja e dosjes “Hajdari”, duhet të zbardhë motivin e vrasjes!

17:44 - 22.06.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjykata e Tiranës i ka hapur rrugë rigjykimit të dosjes për vrasjen e Azem Hajdarit, pas kërkesës së një prej të dënuarve në mungesë në këtë çështje, Izet Haxhia. Vendimi ka rëndësi jo vetëm për Izet Haxhinë, por si një mundësi për ta riparë me qetësi dhe nga distanca e 20 viteve, vrasjen më të dhimbshme të politikës shqiptare, pas vitit 1990.




Rihapja e çështjes ka rëndësi së pari për të zbardhur motivin e vrasjes. Vrasja e Azem Hajdarit është hetuar dhe gjykuar pa motiv, sikur të ishte një vrasje aksidentale. Në fakt, vrasja ka pasur interferenca politike, edhe pse brenda atij motivi ka pasur plot elementë ordinerë.

Rigjykimi duhet të ketë objektv t’i japë vrasjes një motiv nga i cili pastaj ristrukturohen dhe përgjegjësitë e vrasësve, apo bashkëpunëtorëve në vrasje.

Së dyti, rihapja e çështjes ka rëndësi për vetë Sali Berishën. Edhe pse ndaj tij ekziston paranoja se është njeriu që e ka dashur të vdekur Azem Hajdarin, ashtu siç ekziston dhe miti i kundërt që ai tenton ta ngrejë vetë, si mik i Hajdarit, e vërteta është diku në mes.

Sali Berisha ka bërë veprime të qarta për të mos penguar vrasjen e Azem Hajdarit, përfshi dhe faktin që e ka nxjerrë atë jashtë të “sqarohet” me vrasësit, edhe pse ishte në dijeni të asaj që do të ndodhte.

Nga ana tjetër, ai mund të mos e bëntë këtë, nëse nuk do të rrezikohej vetë nga vrasësit. Këtu duhet të ndahet përgjegjësia e tij.

Disa njerëz të afërt të tij dhe gruas së tij, janë të implikuar direkt në këtë mizaskenë, dhe është mirë që këto elementë t’i sqarojë gjykata.

Nxitimi i Berishës për të thënë se ajo çështje është gjykuar në kohë të socialistëve dhe nuk ka pse hapet, tregon një lloj paniku të panevojshëm, nëse ai nuk ka ndonjë gjë për të fshehur. Përkundrazi, ai e ka pasur objektiv dhe premtim elektoral rihapjen e dosjes “Hajdari”, dhe me këtë tregon se ka qenë hipokrizi.

Duhet të kujtojmë se ai nuk ka bërë ende një dëshmi në Prokurori për këtë çështje, përveç një letre që i ka dorëzuar ambasadorit amerikan, dhe publikisht po ndryshon kontekstin e ngjarjes për vite të tëra, duke e paraqitur veten si mik të Azem Hajdarit.

E vërteta ishte se ai ka qenë një kundërshtar i tij, dhe një politikan me të cilin nuk bashkëpunoi kurrë, derisa vdiq.

Së treti, çështja ka rëndësi dhe për dy persona të dënuar, ku rigjykimi i çështjes mund të ridimensionojë përgjegjësitë e tyre. Izet Haxhia dhe Jaho Mulosmani nuk janë vrasës fizikë të Azem Hajdarit. Izet Haxhia nuk ishte as në vendin e vrasjes së Azem Hajdarit, por në lulishten e PD-së, ku ishte gjysma e tropojanëve që rrinë sot ende me Sali Berishën. Jaho Mulosmani ka qenë në makinën e vrasësve, dhe ka përgjegjësi si person në dijeni dhe bashkëpunëtor i tyre, por nuk është vrasës direkt. Rigjykimi i çështjes ka rëndësi për të rindërtuar skenën e vrasjes, por mbi të gjitha, motivin e saj. Vetëm motivi i vrasjes mund ta zbardhë pa emocione atë vrasje dhe ta çojë drejtësinë në vend.

Tani shumica e personazheve politikë që ishin përgjegjës për atë skenë krimi, nuk janë më në politikë dhe nuk i dëmton asgjë politikisht. Fatos Nano është në punë të vet, Rexhep Meidani në pension, Fatos Klosi në pension, Arben Rakipi avokat dhe Sali Berisha, me thonj pas karriges së zyrës së tij në SHQUP. Këta janë arsyeja përse u vra Azem Hajdari. Le të rithirren për të treguar të vërtetën, pasi dhe ashtu, shumë pak vite në jetë u kanë mbetur. Të paktën të ikin të rrëfyer.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.