AKTUALITET

Del foto, ja kush është i riu që theri prindërit. Çështja i kalon Krimeve të Rënda

10:48 - 23.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjykata e Durrësit ka shpallur ditën e djeshme moskompetencë për çështjen e Hajri Nezirit, 25-vjeçarit që plagosi me thikë mesditën e 20 qershorit dy prindërit e tij, Destan dhe Asie Neziri. Gjykata ka dhënë masën paraprake “arrest me burg”, për Nezirin, ndërsa çështjen ia ka kaluar Krimeve të Rënda Tiranë, ku pritet që masa e sigurisë të rikonfirmohet. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 14:45 të datës 20 qershor 2018, në banesën e familjes në Neziri, në lagjen 17 të qytetit bregdetar. 75-vjeçari Destan Neziri dhe 64-vjeçarja Asie Neziri pas një konflikti të çastit u goditën me thikë nga djali i tyre 25-vjeçar. Në sherr e sipër i riu goditi të atin në fyt dhe në fytyrë, ndërsa nënën në bark. Fatmirësisht të dy u shpëtuan plagëve të marra.




I riu fillimisht u largua nga banesa, por pas rreth një ore arrati u vetëdorëzua në policinë e Durrësit, e cila ngriti një grup të posaçëm hetimor për të zbardhur motivet e ngjarjes së rëndë. Mësohet se dëshmitare në ngjarje ishte edhe e fejuara e Hajriut. Ndonëse u masakrua me thikë nga djali dhe për pak rrezikoi të humbte jetën së bashku me të shoqen, Destan Neziri u shpreh më herët për “GSH” se do ta falë atë, pasi është fëmija i tij dhe jo i botës.

“Kur të shërohemi së bashku me gruan do e shikojmë djalin. E përsëris, ai e bëri atë që bëri në zemërim e sipër”, u shpreh 75-vjeçari i plagosur. Ndërkaq, ai sqaroi se nuk ka debatuar me Hajriun. Gjithçka ishte momentale. “Ishte nusja 20-vjeçare, Elvisa që na doli në krah dhe po përpiqej të ndalonte të fejuarin e saj që të mos na godiste me thikë. Nuk është e vërtetë që ne nuk e duam nusen e djalit”, u shpreh i moshuari. Mësohet se bashkëshortët Neziri me origjinë nga Dibra kanë punuar mësues në arsimin e ciklit të ulët deri sa kanë dalë në pension.

Në lidhje me krimin në familje reagoi dhe vëllai i autorit të ngjarjes, Fisnik Neziri, i cili pohoi se nuk e kupton motivin që e shtyu vëllain e tij të vogël drejt këtij akti. Sipas tij, ngjarja mund të ketë ardhur si pasojë e një depresioni, pasi siç tregon ai, marrëdhëniet mes të riut dhe prindërve nuk ishin konfliktuale. “Një moment, gjendje depresioni. Nuk mund t’i japim shpjegim. Nuk e kuptojmë dot se si ka ndodhur.

Çuni është shumë i urtë. Babi e mami nuk kanë pasur ndonjëherë probleme me Hajriun. Unë isha në punë në Tiranë, kur erdhën të dy, vëllai dhe nusja e tij. I pyeta çfarë kishin, por asnjëri nuk tha asnjë fjalë. Vëllai kishte një të çarë në pëllëmbë të dorës dhe i thashë eja të të çoj në spital. E çova te Spitali i Traumës për mjekim.

Kuptova se diçka kishte ndodhur në shtëpi me prindërit, ndaj i thashë një polici që ishte aty: ‘Lajmëro që të vijë t’i marrë se këta diçka e kanë bërë'”. Gjithashtu Fisniku, djali i madh i familjes Neziri tregoi se Hajriu ka punuar për afro 5 vite së bashku me të në të njëjtën firmë private dhe se më pas Hajriu e la punën dhe është i papunë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.