Sociale

Karta rinore ngel “peng” i neglizhencës së institucioneve

14:20 - 23.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej më shumë se 10 vitesh, qeveritë e ndryshme kanë premtuar futjen në fuqi të kartës rinore nga e cila do të përfitojnë lehtësira rreth 210 mijë të rinj në vend. Por mesa duket, neglizhenca e institucioneve përgjegjëse ka bërë që kjo kartë të ngelet vetëm një ide e hedhur në letër. Kështu, aktivistët e Rrjetit Kombëtar të të Rinjve të Shqipërisë kanë organizuar protesta të ndryshme ku kërkojnë trajtimin e të rinjve me kartën rinore, ashtu si të rinjtë europianë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Flavio Dibra, sekretar i përgjithshëm i këtij rrjeti, njëkohësisht përfaqësues i studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale tregon të gjitha lehtësitë në shërbim që mund të kenë të rinjtë nga karta rinore. Dibra thekson se, nëse kjo kartë hyn në fuqi, parashikohet zerimi i tarifave të transportit publik; reduktim i çmimeve të librave e biletave të hyrjes në institucionet kulturore. Nga kjo kartë rinore do të përfitojnë të gjithë të rinjtë në Shqipëri nga mosha 14-29 vjeç, çka do të ndikojë në lehtësimin e jetesës për këtë kategori.




Si lindi ideja e krijimit dhe përhapjes së kartës rinore?
Rrjeti Kombëtar për Të Rinjtë në Shqipëri ka marrë angazhimin prej disa vitesh për të lobuar për përhapjen dhe shpërndarjen e kartës rinore. Kjo e fundit është premtuar rreth 1 dekadë më parë për t’i siguruar të rinjve disa përfitime. Deri në 2015-ën, karta rinore ka qenë një premtim i pabazuar diku.

Pra, pas vitit 2015-të, karta rinore u përfshi në dokumentet zyrtare të qeverisë?
Ne kemi një dokument zyrtar të hartuar e firmosur nga kryeministri Edi Rama, i cili quhet plani kombëtar për të rinjtë, një plan strategjik, i cili përbën një objektiv për t’u arritur nga të gjitha politikat deri në 2020-ën. Në hartimin e këtij plani, një nga pikat sanksionon: “Karta rinore është një e drejtë rinore, e cila në këtë plan parashikohet që të ketë buxhetin e saj për t’u vënë në zbatim e për t’u përmbushur si pikë e një plani që të konsiderohet e ezauruar”. Nga viti 2015 e deri më sot, është bërë vetëm një korrespodencë mes ministrisë, shoqatës Youth Act dhe organizatës që e ofron si shërbim kartën europiane rinore.

Cilat janë përfitimet dhe lehtësitë që ofron karta rinore?
Përfitimet e kartës rinore përfshijnë: uljen e çmimit të biletave në transportin publik dhe privat; reduktim i çmimit të biletave për hyrjen në institucionet kulturore si muze, teatër etj.; zbritja në pagesë të reduktuar në ambiente që shtojnë eksperiencën studentore apo rinore; ulje e çmimit të librave shkollorë dhe jashtëshkollorë. Transporti mund të zerohet absolutisht. Por reduktim i pagesave mund të realizohet edhe në mensa, sipas këtyre kartave. Kjo do të lehtësonte shumë jetesën e të rinjve në të gjithë vendin. Pra, ka një gamë të gjerë që kjo kartë studentore dhe rinore korelojnë me njëra-tjetrën.

Ku qëndron ndryshimi mes kartës rinore dhe kartës së studentit?
Karta e studentit dhe karta rinore pak a shumë kanë të njëjtat përfitime e lehtësira në shërbime. Ndryshimi qëndron në faktin që kartën rinore mund ta ma marrin të gjithë të rinjtë e moshës 14-29 vjeç, ndërsa karta e studentit do të përfitohet nga studentët që ndjekin një cikël studimesh të nivelit të parë (bachelor) apo të dytë (master).

Deri më tani ende nuk është ndërmarrë një hap konkret për të futur në fuqi këtë kartë?
Vlen të theksoj se ende nuk është ndërmarrë një hap konkret, i mëtejshëm. Zv ministri Kolgega në takimin që patëm me të na shpjegoi se nuk ka ende një bazë ligjore për kartën rinore dhe përmendi një fakt shumë interesant. Sipas tij për kartën rinore është kërkuar një kosto shtesë prej 2.5 euro për një kartë që të vendoset logo e kartës europiane e për t’u njohur në nivel europian. Jam disi i pabindur nga ky fakt, e z. Kolgega u shpreh se është e pamundur të mbulohet një kosto e tillë shtesë. Por kjo logo do ta bëjë të njohur kartën në nivel europian e më tej shërbimet do të ofrohen për të rinjtë shqiptarë edhe në Europë.

A mendoni ju se problemi i instancave përkatëse qëndron vetëm te logo?
Nuk mendoj se problemi qëndron te logo, por më shumë është një mungesë vullneti. Ministria e Arsimit duhet të nxjerrë një urdhër apo VKM që të justifikojë ngritjen e grupit të punës për kartën rinore. Ndërkohë në mungesë të saj, ekziston ligji i Arsimit të Lartë (i cili u fut në fuqi pa disa akte nënligjore) sipas të cilit MASR, duhet të vendosë në dispozicion kartën e studentit. Por ende kjo kartë studenti nuk ka ardhur në dorën e studentit, pavarësisht se ligji është në fuqi.

Para nisjes së punës për kartën rinore, a ka pasur një diskutim paraprak me grupet e interesit?
Kjo kartë nuk mund të bëhet pa pasur një konsultim me grupet e interesit. Deri tani ka një angazhim për kartën, por ende nuk ka një draft raport konkret. Ne kemi bërë një kërkesë pranë Ministrisë së Arsimit që të jemi pjesë e grupeve të punës për draftimin e kësaj karte rinore apo studentore, si dhe të jemi pjesë e procesit konsultues, ku të rinjtë të shprehin ide dhe nevojat që kanë, pasi grupi i punës nuk mund të bëjë identifikimin e gjithë nevojave që të rinjtë shqiptarë në vend kanë. Ne si Rrjet Kombëtar e kemi këtë mundësi për të folur me grupet e të rinjve në vend e kështu mund të nxjerrim konkluzione më precize mbi atë çka duan të rinjtë e Shqipërisë. Procesi i konsultimit duhet të jetë sa më aktiv.

Rrjeti Kombëtar i të Rinjve në Shqipëri ka propozuar edhe ligjin për të rinjtë. Në çfarë konsiston ky ligj?
Ligji për të rinjtë do të njohë se: kush janë të rinjtë në Shqipëri, cilat janë të drejtat e tyre që parashikon plani kombëtar dhe konventat ndërkombëtare; si dhe do të bëjë të mundur që institucionet përkatëse të dinë detyrimet e tyre në përmbushjen e të drejtave të të rinjve. Të rinj nuk ka vetëm në Tiranë, por e gjithë Shqipëria e të gjithë institucionet do të detyrohen ligjërisht për të ofruar lehtësira në shërbimet për të rinjtë. Është premtuar që komisioni do të parashtrojë në kryesinë e Kuvendit mundësinë për të miratuar rezolutën dhe në këtë një nga pikat kryesore është hartimi i ligjit, por pa harruar konstituimin e një komisioni apo nënkomisioni për çështjet e të rinjve në Shqipëri. Kjo do të çonte para zërin e të rinjve shqiptarë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.