OPINION

 Porta e qelqtë e Pediatrisë

15:58 - 23.06.18 Enxhi Çeta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Nëse një dite do shkruaj një libër, do shkruaj për frikën. Për frikën nga e vërteta dhe pyetjet që kurrë nuk arrijnë të formësohen në trajtën e një pyetjeje të shqiptuar me zë të lartë vetëm sepse jemi shumë burracakë për të përballuar përgjigjen. Jo për frikën nga vdekja, por nga jeta! Për ogurzezën frikë nga vetja! Këto ishin pikërisht mendimet që më vërtiteshin nëpër mendje herën e parë që hyra në pediatrinë e QSUT.




Si duhet të jetë vallë, vazhdoja unë, si duhet të jetë të shkruash për tmerrin monstruoz që mund të përjetohet, teksa sheh reflektimin tënd në irisin e një fëmije totalisht të pashpresë, shikimi i ëmbël i të cilit teksa kërkon shpëtim, çuditërisht nuk të ëmbëlton aspak por vetëm të mbush me pikëllim duke na ndërgjegjësuar se sa qenie të vogla jemi, sa të padobishme, sa utopike, sa të vdekur?

Si duhet të jetë ta derdh veten në ca rreshta ku do përplas këtë frikë timen, frikën prej vetes? Si dreqin të shkruaj për një botë të shembur mbi krye, në momentin aq spontan, por njëkohësisht edhe aq të hidhur të një çasti milisekondar kur hedh sytë përtej një dere të xhamtë mbi të cilën shkruhet tek një fjale e vetme qe kullon zi: Onkohematologji! Fjala që tashmë është transformuar dhimbshëm në kufirin e mirëfilltë mes jetës dhe vdekjes.

Më thuaj, si të shkruaj për atë çka pashë përtej qelqeve të kësaj porte? Thashë qe s’do shkruaj për vdekjen, dhe nuk po e bej. Jo, aspak. Këtu bëhet fjalë vetëm për frikën më të kulluar ndaj vetes. Si shkruhet për frikën më të përbindshme nga e cila një qenie njerëzore gërryhet, gjakoset e sërish gjak s’pikon? A shkruhet për të tilla frikëra, pa i mpirë më parë me shpresën se do arrijmë t’ia mbathim prej tyre? Do shkruaj një libër një ditë.

Dhe frika do jetë kryefjala e tij, por a do jenë fjalët në gjendje të pasqyrojnë shtatë kokat e kuçedrës më mizore që çdo qenie nga kjo specia jone, mban në zemër? A do shkruaj dot për frikën nga mposhtja prej frikës më makabre që mund të më gjakosë ndonjëherë? A do mundem dot pa copëtuar më parë një pjesë të shpirtit e ta lë atë të gjymtuar? A do mundem dot në jete të jetëve të shkruaj për luftën përtej Portës së Qelqtë?!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.