AKTUALITET

Projektligji i ri/ Të vrarët e 21 janarit marrin statusin e “Dëshmorit të Atdheut”

11:55 - 23.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Qeveria i ka dërguar parlamentit një projektligj të ri për statusin e “Dëshmorit të Atdheut”. Ky projektligj aktualisht është në fazën e konsultimit publik dhe më pas do t’i kalojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë. Një ndër ndryshimet që bie në sy në draftin e qeverisë është se statusin e “Dëshmorit të Atdheut” e përfitojnë shtetas shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë, për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor, pas datës 8 dhjetor 1990. Kjo pikë përfshin pikërisht viktimat e 21 janarit 2011, të cilët gjatë protestës përpara Kryeministrisë humbën jetën, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.




Gjithashtu, statusin e dëshmorit e përfitojnë shtetasit shqiptarë që janë ekzekutuar apo kanë vdekur në burgjet dhe kampet e përqendrimit nazifashiste, deri më 9 maj 1945, si dhe shtetasit shqiptarë, të cilët brenda 2 viteve nga dita e daljes nga burgjet apo kampet e përqendrimit nazifashistë kanë vdekur si pasojë e plagëve apo sëmundjeve të ndryshme të marra në këto vende; shtetasit shqiptarë, pjesëtarë të formacioneve ushtarake të Ushtrisë Nacionalçlirimta-re, që kanë rënë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë jashtë kufijve shtetërorë, deri më 9 maj 1945. Statusin “Dëshmor i Atdheut” nuk e përfitojnë personat që janë dënuar me vendime gjykate të formës së prerë për krime kundër njerëzimit, për bashkëpunim me pushtuesit e vendit, për veprimtari terroriste dhe agjenturore kundër interesave të Shqipërisë, për vrasje me dashje, pas datës 9 maj 1945. Sipas projektligjit të qeverisë, në rrethin e familjarëve, për efekt shpërblimi, bëjnë pjesë bashkëshorti/bashkëshortja, fëmijët nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues dhe personat në kujdestari, sipas certifikatës së gjendjes familjare, në çastin e vdekjes së “Dëshmorit të Atdheut”. Shpërblimi ndërpritet kur asnjëri nga familjarët nuk plotëson kushtet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni dhe kur bashkëshortja/bashkëshorti i ve i “Dëshmorit të Atdheut” martohet përsëri.

Kapri: Ligji i qeverisë përjashton nacionalistët e vrarë para ’45-ës

Qeveria i ka dërguar parlamentit një ligj të ri për statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, status i cili do të përfitohet nga të vrarët pas datës 9 maj 1945. Studiuesi Erald Kapri shpreh kundërshtinë, duke shtuar se nga ligji përjashtohen nacionalistët e vrarë para datës së sipërpërmendur. “Mund të duket e pabesueshme por Musine Kokalari, Sabiha Kasimati e çdo martir që u sakrifikua nga komunizmi nuk mund të përfitojë statusin e dëshmorit. Asnjë nacionalist s’mund të jetë dëshmor, por çdo komunist po”, – thotë ai. Ndonëse studiuesi Erald Kapri foli edhe për mundësinë e rikthimit të eshtrave të diktatorit Hoxha në Varrezat e Dëshmorëve, mësohet se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi as ai dhe as Mehmet Shehu apo figura të tjera të komunizmit nuk janë dëshmorë.

Ligji, Koçi: S’lejon që anëtarët e byrosë të shpallen dëshmorë

Zv.Ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi reagoi dje duke i cilësuar spekulime, sipas të cilit projektligji për statusin e “Dëshmorit të Atdheut” lejon që anëtarët e byrosë politike të shpallen dëshmorë. Petro Koçi shkruan se ligji i ri shërben për të eliminuar padrejtësitë e bëra në kohën e Enver Hoxhës. “Projektligji për statusin e ‘Dëshmorit të Atdheut’ nuk lejon në mënyrë absolute që ndonjë anëtar i byrosë politike të shpallet dëshmor. Mendjetredhurit të merren me ndonjë punë tjetër! Nacionalistët e tipit babale t’i kërkojnë ‘alarmet’ në arkivat e tradhtisë balliste. Ligji i ri eliminon padrejtësitë e bëra në kohën e Enver Hoxhës, kur të rënët nga familje që pas çlirimit quheshin ‘me biografi të keqe’ nuk shpalleshin dëshmorë”, shprehet z.Koçi.

PROJEKTLIGJI PËR STATUSIN E DËSHMORIT TË

ATDHEUT KRITERET PËR SHPALLJEN OSE NJOHJEN

E STATUSIT “DËSHMOR I ATDHEUT”

Neni 5
Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”
“Dëshmorë të Atdheut” shpallen ose u njihet statusi, si të tillë:
1. Personave që kanë humbur jetën për lirinë, pavarësinë kombëtare dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare apo në përpjekje për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, para 28 nëntorit 1912.
2. Shtetasve shqiptarë dhe të huaj, që kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë dhe pavarësisë të Shqipërisë, si dhe për arsye të kundërshtimit të pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtritë e huaja dhe të qëllimeve shoviniste të tyre, nga data 28 nëntor 1912 deri në 7 prill 1939.
3. Shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën në mbrojtje të vlerave kombëtare dhe patriotike, të kombit shqiptar, para 7 prillit 1939.
4. Shtetasve shqiptarë që kanë marrë pjesë me armë në dorë ose në formë të organizuar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, nga 7 prilli 1939 deri më 9 maj 1945.
5. Shtetasve shqiptarë të pushkatuar për pjesëmarrjen në formacionet luftarake të LANÇ apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri në datën 9 maj 1945.
6. Shtetasve shqiptarë që janë ekzekutuar apo kanë vdekur në burgjet dhe kampet e përqendrimit nazifashiste, deri më 9 maj 1945, si dhe shtetasit shqiptarë, të cilët brenda 2 viteve nga dita e daljes nga burgjet apo kampet e përqendrimit nazifashistë, kanë vdekur si pasojë e plagëve apo sëmundjeve të ndryshme të marra në këto vende.
7. Shtetasve shqiptarë, pjesëtarë të formacioneve ushtarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që kanë rënë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë jashtë kufijve shtetërorë, deri më 9 maj 1945.
8. Shtetasve shqiptarë, pjesëmarrës në formacione të
rregullta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që kanë humbur jetën, brenda datës 9 maj 1947, për shkak të sëmundjeve dhe plagëve të marra ose fatkeqësive të ndryshme, duke qenë në krye të detyrës luftarake.
9. Shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar në Spanjë (1936-1939) ose në vende të tjera, të inkuadruar në formacionet e koalicionit antifashist, deri më 9 maj 1945, ose që kanë vdekur brenda 2 vjetëve nga plagët ose sëmundjet e marra në këto luftëra.
10. Shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë.
11. Shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve të ushtrive aleate në Luftën e Dytë Botërore, në ndihmë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare, që kanë humbur jetën brenda territorit të Shqipërisë.
12. Shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar për pavarësinë e Kosovës, si dhe shtetasit shqiptarë të rënë për të drejtat kombëtare, në konfliktet e tjera etnike të zhvilluara në Ballkan.
13. Shtetasve shqiptarë që bien në mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore nga terrorizmi ose në luftë kundër bandave të armatosura dhe kundër krimit ndaj jetës së individit.
14. Shtetasve shqiptarë që vriten nga elementë kriminalë, për shkak të detyrës shtetërore që kanë kryer në luftë ndaj krimit dhe përpjekjeve për vendosjen e rendit dhe qetësisë publike.
15. Shtetasve shqiptarë që bien në krye të detyrës, për mbrojtjen e paqes dhe të lirisë së kombit shqiptar, ose atyre që bien në krye të detyrës me misione në mbrojtje të paqes e të sigurisë së popujve të tjerë.
16. Shtetasve shqiptarë që humbin jetën në krye të detyrës, për mbrojtjen e pasurisë publike ose nga rreziqet e fatkeqësitë natyrore.
17. Shtetasve shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë, për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor, pas datës 8 dhjetor 1990.
18. Shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën ose që humbasin jetën në përpjekje për të ndihmuar popullsinë në raste fatkeqësish natyrore apo që humbasin jetën në përpjekje për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin dhe mbrojtjen e jetës së individit nga krimi.
19. Shtetasve shqiptarë që vriten nga forcat apo elementë antishqiptar në mbrojtje të flamurit dhe simboleve kombëtare dhe manifestimit të ndjenjave kombëtare.
20. Shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve në ndihmë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë apo Policisë së Shtetit Shqiptar, që humbasin jetën në krye të detyrës, në ndihmë të popullsisë apo në përpjekje kundër terrorizmit ose krimit ndaj jetës së individit.
21. Shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve ushtarake të NATO-s, në ndihmë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që humbasin jetën në krye të detyrës, në mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë.
22. Ekuipazhet që bien në krye të detyrës shtetërore gjatë fluturimit.

Neni 6
Përjashtimi nga statusi “Dëshmor i Atdheut”
Statusin “Dëshmor i Atdheut” nuk e përfitojnë personat, që janë dënuar me vendime gjykate të formës së prerë për krimet, si më poshtë:
1. Për krime kundër njerëzimit.
2. Për bashkëpunim me pushtuesit e vendit.
3. Për veprimtari terroriste dhe agjenturore kundër interesave të Shqipërisë.
4. Për vrasje me dashje, pas datës 9 maj 1945.

Neni 18/ Familja e “Dëshmorit të Atdheut”

1. Familjet e “Dëshmorëve të Atdheut” gëzojnë nderim e përkrahje të veçantë nga shteti. Ato përfitojnë shpërblim financiar mujor, kriteret dhe masa e të cilit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për financat.
2. Në rrethin e familjarëve, për efekt shpërblimi, bëjnë pjesë bashkëshorti/bashkëshortja, fëmijët nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues dhe personat në kujdestari, sipas certifikatës së gjendjes familjare, në çastin e vdekjes së “Dëshmorit të Atdheut”.
3. Shpërblimi ndërpritet kur asnjëri nga familjarët nuk plotëson kushtet e përcaktuara në pikën 2 të këtij neni dhe kur bashkëshortja/bashkëshorti i ve i “Dëshmorit të Atdheut” martohet përsëri.
4. Shpërblimi familjar tërhiqet nga kryefamiljari i “Dëshmorit të Atdheut” ose në rast mosmarrëveshjeje, kur është më shumë se një person, nga secili, sipas pjesës që i përket.
5. Në familjen e “Dëshmorit të Atdheut”, për efekt nderimi dhe mirënjohjeje, përfshihen bashkëshorti/bashkëshortja, bashkëjetuesi/bashkëjetuesja, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat, prindërit e prindërve, njerka, njerku, thjeshtri, thjeshtra, mbesat dhe nipërit e dëshmorit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.