SPORT

Belisha: Vllaznia duhet privatizuar, Flamurtari njësoj si para 5 viteve

10:22 - 11.02.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Amarildo Belisha, ish-kapiteni i Vllaznisë, aktualisht trajner me grupmoshat në Shkodër ka deklaruar se ekipi ka nevojë për mbështetje, si kurrë më parë. Ai bën apel ndaj Bashkisë, specialistëve të futbollit dhe pa dyshim tifozërisë shkodrane, që të jenë pranë skuadrës në përballjen vendimtare me Flamurtarin.




belisha

“Vllaznia-Flamurtari është një përballje klasike e dy prej emrave më të spikatur të futbollit shqiptar. Në këtë sfidë tejet decizive për Vllazninë, duhet që mbështetja të jetë e madhe nga gjithë faktorët. Bashkia duhet të jetë me të gjitha mundësitë e veta pranë ekipit, i cili duhet të ketë një ngrohje në këtë drejtim që të mos ndihet vetëm.

Nga ana tjetër, të gjithë duhet të jemi afër skuadrës. Ato po japin maksimumin e tyre, ndaj duhen mbështetur qoftë edhe me fjalë inkurajuese. Tifozët, më shumë se kurrë, duhet të jenë në mbështetje të ekipit të tyre. Vllaznia në këto momente ka nevojë për përkrahje dhe në këtë përballje delikate me Flamurtarin ka nevojë për të gjithë.

Në këtë takim duhet të shfrytëzohet aspekti fushë. Duhet që lojtarët të ndihen të lirshëm, pasi së bashku me stafin po japin maksimumin. Në asnjë aspekt nuk duhet të ndihen vetëm. Nëse të gjithë këta komponentë do të jenë të bashkuar, atëherë jam i bindur se do t’ia dalim në këtë takim. Një fitore do të jepte qetësi për vazhdimësinë”, u shpreh Belisha.

Vazhdimësia

Për Belishën, ashtu si për çdo shkodran tjetër, privatizimi është zgjidhja më e mirë për klubin. “Kryebashkiakja e Shkodrës, e cila është shprehur se është një tifoze e Vllaznisë, duhet që me dashamirësinë e saj ta provojë këtë. Ajo duhet që ta privatizojë klubin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Vllaznia po vuan mungesën e një personi në krye të saj, i cili duhet të jetë tërësisht i dhënë për klubin. Kryebashkiakja duhet ta bëjë këtë sa më shpejt. Vetëm kjo mund ta shpëtojë Vllazninë nga situata ku gjendet prej disa vitesh. Ekipi e stafi po bëjnë maksimumin në këto kushte”, vijon ish-mesfushori.

Flamurtari

Belisha ka qenë edhe ish-futbollist i Flamurtarit. Sipas tij, që nga 2010-ta, kur ai ka qenë pjesë e kësaj skuadre, gjërat duket se nuk kanë lëvizur aspak pozitivisht.

“Flamurtari nuk ka ndryshuar aspak nga ajo kohë kur unë kam qenë pjesë e ekipit, në 2010-ën. Klubi ka po ato probleme që ka pasur edhe në atë kohë. Një skuadër me kualitet, por jo një skuadër që paraqet një fytyrë të vërtetë në çdo takim. Flamurtari zhvillon një lojë me hope. Një javë tregon vlera, ndërsa në një takim më pas luan për t’u harruar. Unë shpresoj që në ndeshjen me Vllazninë të mos jetë Flamurtari më i mirë”, përfundoi ish-kapiteni kuqeblu, Amarildo Belisha.

Në javët e fundit, Vllaznia ka vuajtur shumë mungesën e lojtarëve, të cilat kryesisht vijnë nga dëmtimet. Stefan Cicmil, qendërmbrojtësi malazez i Vllaznisë, pritet që të rikuperohet një javë para afatit të dhënë nga mjekët. Ai pritet që t’i bashkohet ekipit javën që vjen, por nuk llogaritet edhe për këtë fundjavë për ndeshjen me Flamurtarin.

ADMIR URUÇI


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.