KULTURË

Vula e Luigjit të Francës në veprën e sapozbuluar të Marin Barletit

12:00 - 23.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Marini Barletii, Scodrensis Sacerdotis, jurisque pontificii Scholaris, ad Augustinum Barbadicum, Venetae aristocratiae Ducem, ejusque Senatum, de bello Scodrensi brevissimus libellus”. Është ky mbishkrimi latinisht i dorëshkrimit mesjetar të sapozbuluar në Paris.
“Rrethimi i Shkodrës” që njohim ne u shkrua më 1504 prej Marin Barletit. Tanimë, dy studiuesit Luçia Nadin e Aurel Plasari kanë gjetur në Bibliotekën Mazarin në Paris një dorëshkrim të kësaj vepre që mendohet se u shkrua prej Barletit mes viteve 1495 – 1501.




Bëhet fjalë për një variant më të hershëm, me një titull disi më ndryshe, por për të njëjtën ngjarje historike. Dorëshkrimi latinisht, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës, një kopje e të cilit pritet të vijë në Shqipëri, u prezantua dje në Tiranë nga dy profesorët në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Zbulimi rrëzon teori të tjera si ajo që gjente indicie të një kopjimi të mundshëm nga Barleti prej Beçikemit duke rikonfirmuar autenticitetin e Barletit si autor. Plasari tha “vepra është shkruar kur kishte shpërthyer kryengritja e Lezhës, jo siç e dinim ne që u shkrua në paqe. Ka teori që duhen kthyer përmbys. Barleti nuk ka marrë nga Beçikemi”. Mbetet ende për t’u vënë përballë teksti i dy veprave që i kushtohen “Rrethimit të Shkodrës”, me diferencë 4, 5 a 6 vjeçare mes njëra-tjetrës e nga i njëjti autor, për të parë tashmë se cili është ndryshimi mes dy dorëshkrimeve. “Vepra e parë, i kushtohet Dogjës së Venedikut që është në fuqi, ndërsa vepra e sapogjetur, i kushtohet Dogjës që ishte para tij”, tha Plasari, e dhënë që është marrë për bazë për datimin e dorëshkrimit, pasi Dogja i dorëshkrimit të ri kishte ndërruar jetë, kur u bë dorëshkrimi i dytë, ai që njohim ne i vitit 1504.

Në këtë pikë, Luçia Nadin tha se duhet pak durim për të arritur në përfundime sa i takon veprës së sapogjetur të biografit të Skënderbeut. “Vepra nuk ka shumë shënime anësore, përveç faqeve të para, çka të lë të kuptosh se ky është një ekzemplar i përgatitur për botim. Duhet të them se teksti nuk është me komente. Duket pra më shumë një kopje luksi dhe jo një tekst që po shkruhej ndërkohë. Vepra ka tekst të pastër dhe këtë e them pasi ua kam dërguar për ta parë specialistëve të kaligrafisë. Është kopje e pastër. Teksti ka probleme edhe me fontin edhe nga këndvështrimi paleografik. Ka pasur qendra në Venecia që kopjonin, ndaj duhet parë nëse është shkruar nga vetë dora e Barletit apo në kancelaritë e Venecias”, tha studiuesja veneciane që prej vitesh ia ka kushtuar studimet Shqipërisë duke mundur vite më parë të zbulonte për herë të parë “Statuset e Shkodrës”.

Ndonëse është gjetur në fondin e Bibliothèque Mazarine (që i përket koleksionit të Kardinalit Jules Mazarin) në Paris pranë Bibliothèque Nationale de France, dorëshkrimi është shkruar ne Venecia. Për të sqaruar udhëtimin e veprës nga Venediku pranë Mbretit të Francës, Plasari si fillim hedh dritë mbi koleksionin e Kardinalit Mazarin, çka shërben për të kuptuar më tej, udhëtimin e dorëshkrimit të Barletit nga ‘Italia’ në Francë.

“Mazarini ishte një koleksionist i sëmurë. Koleksiononte piktura dhe dorëshkrime. Pjesa më e madhe e pikturave në Palais Royal, janë të kardinalit Mazarin. Ai kishte një kryebibliotekar të Risheljesë që e niste për ‘gjueti’ në Itali, Gjermani e kudo, për të kapur, dorëshkrime, vepra e botime të rralla”.
Sqarimi i mësipërm duhet edhe për të kuptuar me qartë pse vepra mban stemën e mbretit të Francës.

Plasari tha se stema që shihet mbi dorëshkrimin e fundit të 1400-ës, është e stema e Luigjit të XIV. “Mazarini i shërbeu Luigjit të XIV ndërsa të XV-it nuk jam i sigurt. Sigurisht është detaj i bukur që së bashku me Luçinë do ta sqarojmë në vijim, se si mund të ketë përfunduar në bibliotekën e Mazarinit. Sigurisht është e mundshme, sepse ishte i fuqishëm dhe ai merrte çdo dorëshkrim që donte”.

VULA E MBRETIT NË VEPRËN E BARLETIT
Pas fjalës së Nadin dhe asaj të Plasarit, Thomas Frashëri, që po kujdeset për Konferencat me rastin e VMGJKS, kërkoi të bënte një ndërhyrje mes prezantimit të zbulimit dhe pyetjeve të audiencës së pranishme. “Është diçka pak personale duke qenë se kam punuar në Bibliotekën Mazarin në Francë, që ndodhet në godinën e pesë akademive, mes të cilave edhe të Akademisë Franceze. Koleksioni i Kardinalit Mazarin është një koleksion personal. Në testamentin që la para se të vdiste të gjithë librat e bibliotekës së tij ku numërohen 1 milion vëllime(nga 14 mijë të fillimit) ia la mbretit të Francës, Luigjit të XIV që e kishte nun të pagëzimit kardinalin Mazarin”,-tha Frashëri. Mandej, ai bërë një ndalesë që hedh dritë mbi stemën e mbretit francez në dorëshkrimin e “Rrethimit të Shkodrës”. “Për sa i përket stemës që gjendet e gdhendur në vëllimin që ju treguat, mund të jetë e Luigjit të XV, por me shumë gjasa e Luigjit të XVIII. Për një arsye shumë të thjeshtë. Deri në revolucionin francez, stema e mbretit të Francës paraqitej e ndarë në dysh, sepse mbretit i Francës ishte edhe mbret i Navarës, dhe titulli zyrtar i mbretit të Francës ishte ‘Mbret i Francës dhe i Navarës’. Deri më 1790-ën stema paraqiste tre zambakët e Francës dhe stemën e mbretërisë së Navarës që u zhdukën në heraldikën mbretërore franceze gjatë restaurimit më 1814-1815 kur Luigji i XVIII hipën në fron.

Duke qenë se revolucioni francez i kishte shpërndarë koleksionet mbretërore siç shpërndau edhe bizhutë e kurorës, në kohën e Napoleonit, e sidomos në kohën e restaurimit të Burbonëve, të gjitha u mblodhën, u koleksionuan dhe u sistemuan, në atë që u bë më vonë Biblioteka Kombëtare e Francës, prandaj është edhe vula”, tha Thomas Frashëri. Vërejti me këtë rast se edhe sot e kësaj dite, në shumicën e dorëshkrimeve në Bibliotekën Kombëtare të Francës është vula e Mbretit të Francës. “Them se ndoshta ka shanse, që Luigji i XV që kishte një sqimë të rafinuar vetë, i shumëdashuri, siç quhej, e ka përdorur me raste edhe stemën mbretërore të Francës dhe të Navarës. Ajo që është e sigurt është që stema mbretërore e Francës, e pastër me tre zambakët e artë në fushën e kaltër, është përdorur e plotë dhe e vetme vetëm duke filluar nga restaurimi i Burbonëve më 1814-1815 dhe u zhduk përfundimisht më 1830 kur Lui Filipi hoqi dorë nga trashëgimia e Burbonëve. Ky është një element që doja të ndaja me ju, duke qenë se kam punuar disi me heraldikën franceze, e që ndoshta mund të jetë një pikënisje për të vërtetuar lidhjen e këtij dorëshkrimi me një aspekt të veçantë”,- përfundoi Frashëri.

Plasari e gjeti me interes të dhënën e Frashërit, duke parë në të një shteg për kërkime të mëtejshme sa i takon dorëshkrimit të rrethimit të Shkodrës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.