EKONOMI

Financimi, rihapen aplikimet për agroturizmin dhe bujtinat

12:15 - 24.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Sipërmarrësve dhe fermerëve u jepet sërish mundësia të aplikojnë për të përfituar financim në masën 50 për qind për investime në agroturizëm dhe bujtina. Ministria e Bujqësisë ka rihapur thirrjet për aplikime, duke reflektuar ndryshimet që janë bërë në këto masa së fundmi. Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka bërë me dije se për agroturizmin janë vënë në dispozicion 122 milionë lekë dhe priten të shpallen fitues 12 aplikantë, ndërsa për bujtinat janë vënë në dispozicion 32 milionë lekë dhe është parashikuar të mbështeten 22 aplikantë. Synimi është mbështetja e projekteve që ruajnë identitetin e zonave dhe nxisin zhvillimin rural dhe agroturizmin. Të interesuarit duhet të dorëzojnë aplikimet përmes dosjeve fizike me dokumentacionin përkatës pranë AZHBR-së deri në datën 15 korrik 2018.




Njoftimi për aplikimin
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka rihapur thirrjen për aplikime të Skemës Kombëtare për masat mbështetëse nr. 44, 45 në sektorin e agroturizmit dhe bujtinave. Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 22 dhe Udhëzimin Nr.11 të firmosur nga ministrat Peleshi dhe Ahmetaj janë reflektuar ndryshimet e mëposhtme: masa mbështetëse nr. 44 jep mbështetje për ngritjen apo rikontruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural (bujtina) me kapacitet nga 4 deri 10 dhoma në 50% të investimit me masë financimi deri në një milion e pesëqind mijë lekë. Masa mbështetëse nr. 45 jep mbështetje për ndërtim apo rikonstruksion strukturash agroturistike deri në 50% të investimit me mase financimi deri në dhjetë milionë lekë. “Nëpërmjet kësaj skeme është vënë në dispozicion një buxhet prej 122 milionë lekë për masën 45, ku parashikohen minimumi 12 aplikime fituese, të cilat do të rezultojnë në investime agroturizmi serioze në zonat rurale. Gjithashtu, një buxhet prej 32 milionë lekë është alokuar për masën 44, ku parashikohet ngritja ose rikonstruksioni i minimum 22 bujtinave. Projektet fituese janë ato investime që kryejnë veprimtari mikpritëse, që zhvillohen në një fermë bujqësore apo në një veprimtari tjetër agrikulturore, me qëllim tërheqjen e vizitorit ndaj cilësisë së prodhimeve dhe përpunimeve autentike të fermës, ushqimit, arkitekturës, dhe karakteristikat specifike të zonës. Përfituesit potencialë të kësaj skeme janë fermerë, persona fizikë ose juridikë të cilët duhet të paraqesin pranë AZHBR, dosje fizike me dokumentacionin përkatës sipas udhëzimit nr. 11 dt. 21.6. 2018”-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.

Projektet duhet të përfshijnë:

– Pjesën konstruktive, arkitekturore të shoqëruar me një relacion teknik nga arkitekti.

– Një plan biznesi të qenësishëm 5 -vjeçar

– Të përmbushë standardet e akomodimit dhe mbrojtjes mjedisore si dhe sigurinë ushqimore

– Të ketë përmbushur detyrimet tatimore për personat fizikë dhe juridikë

– Ndërsa për aplikuesit fermerë të kenë shlyer sigurimet shoqërore


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.