MILOSAO

Kur Skënderbeu merrte borxh!

13:40 - 24.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjon Marku – Meqenëse negociatat me qeverinë venedikase nuk dhanë rezultat Skënderbeu iu drejtua për ndihmë mbretit aragonas Alfonsi V, i cili ishte kundër aspiratave pushtuese osmane në Gadishullin e Ballkanit, si dhe kundër mbizotërimit të Republikës së Venedikut në Adriatik. Perfaqësuesi i Alfonsit V dhe Skënderbeu lidhen marrvëshjen “ Gaetë”, më 26.III.1951.(23)
“Alfonsi u angazhua se do ta mbronte Skënderbeun, familjen dhe farefisin e tij, se do të ndihmonte me ushtri, me të holla dhe do ti respektonte privilegjet që i kishte pasur e tërë Shqipëria. Skënderbeu u zotua se mbretin Alfons do ta njihte si zërin në rastet, kur do ti afrohej ndihma ushtarake në luftë kundër pushtuesve osmanë. Detyrimet që i mori mbi vete, të dyja palët u plotësuan vetëm pjesërisht. Alfonsi V, pas nënshkrimit të marrëveshjes, dërgoi në Shqipëri një njësi ushtarake prej 100 ushtarësh, e cila u vendos në Krujë, Mirëpo Skënderbeu nuk e bëri betimin e besnikërisë ndaj mbretit aragonas Alfonsi V.” (24)




Strategu dhe udhëheqësi i kryengritjeve shqiptare, duke marrë parasysh namin dhe cilësitë e larta të Gjon Gazullit, e caktoi atë në një mision special, që në emër të tij të shkonte në Vatikan. Vajtjen e Gjon Gazullit në Vatikan e shfrytëzuan dhe raguzianët për interesat e veta.(25)
“Sipas një vendimi që mban datën 27.II.1451, ata e angazhuan Gazullin në emër të Senatit të luste Papa Nikolla V, që ky me autoritetin e vet të bënte të mundur lirimin e qytetit te Raguzës nga tatimet e zakonshme për vitin jubilar, këtë kërkesë Raguzianët e bënin me pretekstin se kishin merita të mëdha për mbrojtjen e interesit të krishterimit, në veçanti për popullarizimin e luftës së Skënderbeut. Papa duke qenë në koherencë të ngjarjeve, bëri zgjidhjen që ti kënaqte të dyja palët.
Në vitin 13.IV.1451 Papa Nikolla V urdhëron Ipeshkvin e Kotorrit, Bonin de Tolentis dhe Vikarin e Arqipeshkvis së Raguzës, Gjon Gazullin, rektor i Kishës së Shën Pjetrit, që një pjesë të shumës së fituar nga indulgjencat e vitit jubilar 1450 t’ia dorëzojë Gjegj Kastriot Skënderbeut ose njerëzve dhe besnikëve të tij, “zot i Krujës e i Arbënisë”, vazhdimisht po u qëndron me trimëri dhe guxim turqve dhe po lufton me ta”. (26)

Më 25.V.1451 Papa Nikola V kishte ngarkuar Gjon Gazullin, Bonin de Tolentis, e një të tretë për të mbledhur të holla nga indulgjencat që i bën Papa popullit, në qytetin e Raguzës e nëpër krahina të ndryshme. Gazulli ka shkuar të vizitojë “magnificus Georgius Cstriottus” (është dhe emri “Skënderbe”) për shkak të mosmarrëveshjeve me duken Stefan (të Bosnjës), po sidomos për shkak të murtajës që po rrezikon vendin, shpallja e indulgjencës të shtyhet, por afati të mos kalojë të gjashtë muajt. (Radonic 41.Jorga , NotesII 448 ).(27)
Më18.III.1452 Eugjen Summa, “Episkop Prokurator i gjithë Arbëris, në emër të të madhënishmit dhe të shkëlqyeshmit zotit Gjergj Kastrioti, Alias Skandërbeg”, komandon dhe me letër të kapedanit të Lezhës, merr në noteri dhe kancelari të Raguzës, nga dora e Bonin de Tolentis, vikar i Arqipeshkvit Jakob të Raguzës dhe nga mjeshtri Gjon Gazulli, tagra mbledhës i dërguar nga Selia Apostolike, 4893 perperë që i përkasin Skënderbeut. Ato janë nxjerr nga dhuratat e vitit 1451, dhënë për ndjesitë e shpallura nga papa Nikola i V, pasi janë zbritur shpenzimet e bëra.(Radoniç. 51.)(28)

18 Mars 1452
Procesverbal i mbajtur në Raguzë më 18 mars 1452, i cili vërteton se ambasadori i Skënderbeut, Peshkopi Andrea Suma ka tërhequr shumën 4893 dukatë arë grumbulluar me nismën e selisë apostolike, si ndihme për luftën e shqiptarëve kundër invazioneve osmane.

Në prani të: Niksa de Giue, zotit Marku e zotit Nikollë Salomoni, mjeshtri Gjon Matia, mjek, ciroik, rrogtar nga komuna e Raguzës, Forte Antoni nga Kursola, Luk de Florentina, Filip de Arimino, Karluç Aluizi nga Marfredonia duke pasur dëshmitarë e të pranishëm, të thirrur e të pyetur për këtë gjë dhe të tjerë, aty i përnderuari në Krishtin at zot Andrea Suma. Peshkop, prokurator shumë i denjë i gjithë Shqipëris, për hir të zotit e të Selisë Apostolike, e prokurator me emer të madhërishmit e të të shkëlqyerit zotit Gjergj Kastrioti i quajtur Skënderbe, i pajisur me mandatë të posaçëm, sikur del nga prokura shkruar me shkresë publike dhe shpallur nga dora e burrit të urtë Mikel de Nikolai, i noterit me autoritet publik të përgjithshem e tani kancelar i Lezhë., Në mijëvjeçarin dhe në indeksionin e tanishëm data e saktë, 18 shkurt, dhe duke qënë i rekomanduar me anë të letrës së zotit kapidan të Lezhës, të nënshkruar në këtë shkresë, me vule autentike të qeverisë së Shën Markut, që bëjnë dëshmi për ligjshmërinë e noterit e të kancelarit të mbithënë, si shihet e lexohet nga unë, noter i nënëshkruar, dëshmoi dhe tregoi i kënaqur se po merre në dorzim në emër të prokurorit të sipërpërmendur dhe në emër të tij. Pranonte se i janë dhenë gjithsej një nga një të numëruara me dorë nga të nderuarit etër në Krishtin zotërinjt Bonino de Telenti, Vikar i shumë të përndriturit kryepeshkopit raguzian dhe nga mjeshtri Gjon Gazulli, tagrambledhes e mbikqyrës të dërguar nga selia apostolike, e zbatues të letrës apostolike dhën e të lejuar për Jubilenë e shenjtë. Këta kanë dergjur e kanë dorëzuar, dukatë, moneta, rauba, perpera 4893, sa i përkasin Skënderbeut si të holla të tij, duke nxjerr domosdo shpenzimet e bëra për shpërblimin e plot të ndërmjetësis së tij; dhe këtë shumë duhet ta marrë në bazë të koncensionit të bërë nga selia apostolike, nga të gjitha dhuratat e kontributet e para të mbledhura, ta nxjerra, të marra – me rastin e Jubileut sipas bulave apostolike që kanë ardhur për këtë qëllim, të dhëna në vitin e zotit 1451, 18 prill, viti i pestë i pantifikatit të Zoit tonë Shenjtë Papa Nikolla V. Për këtë arsye, ai zoti Peshkop, me cilësinë e tij si procurator, si më sipër, i bëri zotëri Vikarit e zotëri Mjeshtër Johan, tagrambledhës, mbikëqyrës dhe zbatues të shkresave të sipërthëna, përfundimin e detyrës, lehtësimin, qetësimin, zgjidhjen dhe paktin në bazë të të cilit ai nuk do të kërkoj nga ndërmjetësia e bërë në rastin e Jubileut të sipërpaguar gje tjetër, që ti përkas zotit Skëndërbe, që rrjedh ngatë hyrat dhe të ardhurat e bëra me atë rast, të nxjerra nga të gjithe e nga secili, të mbajtura prej tyre në atë periudh kohe. Gjithashtuheq dorë nga çdo e drejt ose veprim dhe i zgjidh e i liroj ato zotërinj tagrambledhës, ekzaktor e zbatues të bulave apostolike nga të gjitha e nga çdo detyrim tjetër që mund të kërkohet nga të sipërthënët. Dhe u siguron me cilësinë e tij si procurator, se as ai e asnjë procurator tjetër i zotit Skëndërbe, as trashëgimtar e pasardhës i tij nuk do të kërkoj më tepër, nuk do të lypë nga ata tagrambledhës, ekzekutor së bashku ose nga secili prej tyre dhe kurr kundër tyre nuk do të ngrihet çështje që u tha më sipër. Çdo gjë që u shkrua do të forcohet me firma dhe do të ratifikohet me mirënjohje duke renovuar çdo ligj, statut e të drejt ndihme të përgjithshme në rast se del ndonjë kontradiktë në të ardhmen. Kjo letër të mos hapet pa dëshmitar.

Kjo letër është botuar për herë të parë në shqip nga Kristo Frashëri në botimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë “Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV” (Vëll.I Tiran 2005. )(29)
Më 8.II.1453 Vladislavi i Bosnjes (djali i Stefanit) i përgjigjet Raguzës se nuk ka gjë kundër saj dhe se e kanë mashtruar. Raguza i lutet që të mos vijë atje. ambasador është Gjon Gazulli, të cilit i jepen 40 perperë dhuratë në stof.Jorga, Notes II 486, sh.1.
Në një dokument të datës 19.XII.1455 Gjon Gazullin e gjejmë sërish ambasador të Skënderbeut. Në këtë kohë humanisti dhe diplomati ynë i shquar u angazhua për çështjen e lirisë, lidhur me lundrimin e raguzianëve në limanin e Rodonit, i cili në kohën e luftës së popullit shqiptar me Skënderbeun në krye, paraqet rol me rëndësi për eksportin dhe importin e Republikës në Shqipëri.
Për Gazullin në vitet 1453-67 jepet një biografi kryesisht të karakterit arkival, Pal, Rapporti it.-alb 160, sh. 154. Ne ato vite ai ka qenë ambasador i Skënderbeut në Raguzë (IX.53), te papa Nikolla V(II. 1454), te duka i Bolonjes dhe tek ai i Milanos (1456) përsëri në romë (15.II.1458), për tu kthyer në Raguzë (III-IV. 1459) më vonë në Venedik (XII.1463) dhe përsëri në Romë (IV. 1465) ishte ndër më të besuarit bashkëpuntorë të princit shqiptar te papa, sa herë vajti, mori ndihma në të holla për Skënderbeun. (Shif Jorga, Notes II 485, Archiv. Stor.it. CXIV 732; Gelcich- Tha lloczy, Diplomatarum Ragus.745; Radoniç 178, 181-2; Miklosich, Mon. Serb. 481-3; LjubiaeX 293, e quajn De gazolis, de Gazolis.(30))

Në vitin 1457 Gjergj Pleini, së bashku me Gjon Gazullin është përmendur si anëtar të një misioni diplomatik në Itali.(31) Në përpjekjen për të siguruar ndihma në të hola, Pelini në misionin diplomatik të 1457 shkoj në romë te Papa Klalisti II, kurse nje vit më vonë e gjejmë të angazhuar në pajtimin midis Skënderbeut dhe Venedikut.
Gjon Gazulli mund të quhet “diplomat profesionist”, duke qenë se qysh në kohën e lëvizjeve kryengritëse të prijësve arbër më 1432 ai del të ketë shërbyer si ambasador i Republikës së Raguzës pranë Perandorit Sigismund.(32)
Raguza ka pasur vazhdimisht marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë e pa diskutim Gjon Gazulli është një factor i rëndësishëm në krijimin dhe qëndrueshmërinë e këtyre marrëdhënieve. Ai ishte qytetar i qytetit të Raguzës me gjak shqiptari, i cili përcillte me interesim te madh ngjarjet në Shqipëri.
Gjon Gazulli shfaqet si një person me aftësi të rralla në fushën e diplomacisë e shquhet si një ndër diplomatët më të zotë të kohës. Vetë situate e krijuar dhe aktiviteti i tij i gjerë dhe i spikatur bënë që ai të hynte në mënyrë aktive në zgjidhjen e mjaft ngjarjeve politike të kohës. Ndërsa vendet ballkanike bënin rezistencë ndaj gjendjes së krijuar nga sulmet e drejtpërdrejta të Turqve, qarqet diplomatike europiane dhe shtetet e Europës zhvillonin një aktivitet të gjerë diplomatik, kundër deportimit të mëtejshëm të osmanëve prandaj ato nxisnin dhe përkrahnin rezistencën e popujve të Ballkanit e kjo ishte e lidhur drejtpërsëdrejti në mbrojtje të interesave të tyre e në radhë të parë të lirisë së tyre. Dihet se qendra kryesore e kësaj diplomacie ishte Roma dhe vendet e tjera te Italisë dhe në anën tjetër Hungaria Në këtë veprimtari politike dihet se rolin kryesor e kanë luajtur intelektualet e kohës, njerzit e shkolluar e sidomos ato që ishin shkolluar në shkollat e këtyre vendeve.
Në misionet diplomatike janë të angazhuar shumë personalitete diplomatike por Gjon Gazulli është një mision special, që në emër të Skënderbeut të shkonte në Vatikan e këtë shpesh e shfrytëzon dhe Raguza për interesat e veta, ai shquhej për shkathtësinë dhe inteligjencën e tij.
Nuk u ndalëm këtu në fjalimin e mbajtur prej Gjon Gazullit në Prani të Papa Nikollës V, në Romë në vitin 1451 pasi ai fjalim është botuar i plotë në revistën Leka, Shkodër, nr, 1-2, 1939 (shtojcë). Prof. Pal Nikolli e cilëson Gjon Gazullin si figurë ndër më të shqaurat e diplomacisë dhe shkencës europiane të shek. të XV-të.

Shënime
23. “Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë II”,fq. 308,Tiranë, 1962
24. Drançolli, Jahja. “Prania e shqiptarëve në Raguzë gjatë sheku. XIII- XV, “Gjurmime albanologjike”, Seria e shkencave historike I. XV, fq.69, 16-1986, Prishtin, 1987.
25. Radoniç, J. Djuradj Kastriot Skënderbeg, 21 s.
26. Bullarium FranciscanumI 1071. Radoniç 40 Shutertiqi, Dhimitër. “Moti i Madh” përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë shqiptare të viteve 1379-1479″ Shtepia botuese “Dituria”, Tiranë, 2006.

27. Shuteriqi, Dhimitër. “Moti i Madh”, përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë shqiptare të viteve 1379-1479, Shtëpia botuese “Dituria”, fq. 168, Tiranë, 2006.
28. Shuteriqi, Dhimitër. “Moti i Madh” përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë shqiptare të viteve 1379-1479″, fq. 176 Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë, 2006.
29. Frashëri, Kristo. “Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek., XV”, Vël. I, fq. 66, “Akademis së Shkencave të Shqipëris”, Tiranë, 2005.
30. Shuteriqi, Dhimitër. “Moti i Madh” përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë shqiptare të viteve 1379-1479, fq. 176 Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë, 2006.
31. Berisha, Gjon. “Arbnorët ndërmjet kishës perëndimore dhe asaj lindore gjat shekullit XI_XV”, fq. 554, Prishtinë, 2015.
32. “Diplomatarium relationum Reipublicae Ragus”, 368-369 (DAD)
33. Nikolli, Pal. Llusku, Bib. Gazeta Rilindja, Tiranë, nr 582, fq. 77, maj 1995.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.