MILOSAO

Një projekt i vjetër për Teatrin, pa kulla…në Bibliotekën Kombëtare

12:45 - 24.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Prej ditësh dhe javësh vazhdon një debat i madh për të ardhmen e hapësirës dhe godinës së Teatrit Kombëtar. Në këtë stad janë përfshirë shumë instanca, kurse artistëve në ditët e fundit u janë bashkuar kolegë artistë, aktivistë të shumtë të jetës civile, politikanë, militantë e larmi.
Me vonesë Bashkia e Tiranës ka filluar tryezat me grupet e interesit, ku ka tërhequr vëmendjen për idenë e saj, por edhe ka marrë nga pas të gjithë reagimin e publikut shqiptar. Mes grupeve të interesit janë dy zëra që ndahen sa i përket realizimit të Teatrit, prej nga fillimi, por që brenda shikon tisin e ndihmës ndaj projektit të paraqitur, ku privati do të ndihmojë dhe ngritjen e Teatrit; kurse një zë tjetër, që është më i vendosur dhe përmbledh mesveti dhe një oponencë të ashpër me qeverinë aktuale, është për ruajtjen e Teatrit Kombëtar dhe për rikonstruksionin e tij, madje duke thënë se nuk ka fare probleme.
Shqetësimi më i madh publik tashmë nuk lidhet më me bërjen apo jo të teatrit, por mos prekjen e hapësirës së saj, që mëtohet të merret për t’u ndërtuar. E në fakt, kullat që janë pas, ka të ngjarë ta shpërfytyrojnë krejt mjedisin dhe t’i zënë frymën dhe teatrit, që shteti retendon se nuk i ka fondet e caktuara për ta ndërtuar. Në fakt, edhe kjo e fundit, duket e zgjidhur nga aktorët dhe komuniteti i tyre sepse me një apel publik mendohet se mund të gjenden fondet nga vetë shqiptarët për ndërtimin e godinës.

Godina aktuale ku gjendet edhe sot Teatri Kombëtar nisi dhe u realizua për një periudhë të shkurtër si ambient i përkohshëm. Kjo është përsëritur disa herë. Në studimin shkencor të vitit 2007-2008, “Architettura Moderna italiane per le citta D’Albania”, theksohet se qëllimi i ndërtimit të kësaj godine që në 1938 nga një kompani italiane ishte shfrytëzimi i ambienteve të saj për arsye argëtimi dhe aktivitete sportive. Ata që e njohin strukturën e saj dinë se aty kanë qenë disa salla, një pishinë, fusha sportive, restorant etj. “Një vepër në gjendje të përbënte një qendër tërheqjeje dhe takimi, dhe gjithçka në një impostim të shëndetshëm kryesisht sportiv”, citohet në këtë studim nga relacioni teknik i projektit të dërguar nga drejtori i Ndërmarrjes Pater, që do realizonte projektin, në adrese të Ciano-s në shtatorin e 1938- ës.

Për hir të së vërtetës, ndryshe nga italianët, një arkitekt shqiptar me banim në Rumani mendonte ndryshe. Ai kishte gjetur vendin, që “çuditërisht” korrespondon me atë ku ndërtuan italianët, por synimi i tij, ishte që ky objekt të ishte mbi të gjitha të tjerat. Ai kishte menduar t’i jepte të gjithë rëndesën e duhur në komplekset ndërtimore që po zhvilloheshin asokohe, ndërsa mendonte deri për një Tiranë të shumë kohëve më vonë. Për fat të keq, nuk kemi mundur ta gjejmë projektin, që me siguri, duhet të jetë diku, ndërsa skica të tij gjenden me koleksionet e organit “Shqipëria e Re” në Bibliotekën Kombëtare.




Për hir të së vërtetës, ndryshe nga italianët, një arkitekt shqiptar me banim në Rumani mendonte me një ide tjetër. Ai kishte gjetur vendin, që “çuditërisht” korrespondon me atë ku ndërtuan italianët, por synimi i tij ishte që ky objekt të shfaqej mbi të gjitha të tjerat. Ai kishte menduar t’i jepte të gjithë rëndesën e duhur në komplekset ndërtimore që po zhvilloheshin asokohe, ndërsa mendonte deri për një Tiranë të shumë kohëve më vonë. Për fat të keq, nuk kemi mundur ta gjejmë projektin, që me siguri, duhet të jetë diku, ndërsa skica të tij gjenden me koleksionet e organit “Shqipëria e Re” në Bibliotekën Kombëtare.

“Arkitekti z. S.Opari, kur ishte në Shqipëri tash e dy vjet me studentët e tjerë të Bukureshtit, zgjodhi vendin ku do të ngrinte (qoftë makar dhe në plan vetëm) Theatrin tonë Kombëtar. E ka vendosur në sheshin kryesor të kryeqytetit përballë pallateve ministrore.
Godina e Theatrit, siç duket në këtë perspektivë, është monumentale. Tue qenë se ne shqiptarët nuk kemi një stil tonin, autori pranoi si themel stilin bizantin me disa nota shqiptare dhe me një ngjyrë të fortë moderne. Në këtë mënyrë Arkitekti S. Opari kërkoi të jetë sa më afër poezisë së vendit edhe shpirtit shqiptar.
Rreth e përqark Theatrit menazhohet një shesh i tillë që t’u bëjë ballë nevojave të qarkullimit dhe përballë monumentit hapet një arterie e re, e parapamë në planin e ri të kryeqytetit, në mënyrë që perspektiva e pallatit të duket së largu.

Sipërfaqja e zënë prej godinës është 40 metrash faqe me 78 metra thellësi.
Plani është bërë për një godinë Theatri dhe Opere së Bashku, për 1000 spektatorë, me skenë dhe foajere të mëdha, siç e lypin nevojat moderne, me kalorifer dhe me gjithë nevojat teknike moderne”, shkruan Gjergj Bubani.

Kanë kaluar vite dhe Shqipëria nuk e bëri dot një teatër të tillë, përveçse mbolli mëri dhe nuk la njeri pa nëmur, që mendoi ndryshe për teatrin kombëtar të shqiptarëve. Që nga largësia e viteve po ua sjellim dhe njëherë idenë e këtij arkitekti interesant, Shqipëria e të cilit ishte një Zonjë e Bukur.
Ja se çfarë shkruan mjeshtri: “Nënvizonj se pikspari ky duhet të jetë monument arti urbanistik dhe arkitektonik. Do jetë gjithëkohës vënt theatri, këtu munt të bëhen manifestime muzikale si opera, koncerta etj.

Do ketë salla të cilat do munt të shërbejnë posaçërisht për recepcione dhe me një fjalë një llokal i cili të munt t’u përgjigjet gjithë nevojave kulturale.
I zotëruarë prej shumë kohe prej kësaj ideje, realizova një projekt të këtij theatri të cilin e ekspozova në Akademinë e Arkitekturës në Bukuresht.
E para përçapje ishte e rëndë sepse duke patur parasysh se ay do duhet të jetë monument kombëtar, do duhet të përfaqësojë gjithëkohës çfaqjen e një arhitekture kombëtare. Duke mos patur në dispozitë një artekturë kombëtare e cila të më japë elementat e inspiracionit pranova idhenë t’a bënj monumentin në një arhitekturë bizantine musulmane me influenca orientale e shikuar nëpër sferën e arhitekturës moderne të kohës s’onë.

Në pak rradhë do tregojmë disa nga pikat e programit: Theatrin e vendosa na pjacën principale të Tiranës. Përpara dhe rreth tij krijova një pjacë të vogël e cila të shërbejë për vaturat dhe të madhonjë efektin perspektiv të monumentit.

Monumentin do jetë i rrethuar prej rrugësh. Përpara tij do hapet një rrugë e paravështruar prej planit për sistematizimin e qytetit e cila permeton se monumenti të duket prej distance të madhe dhe në tërë madhështin e tij. Lokali zë një faqe prej 40 metra, me 70 metra thellësi dhe përmbledh: sallë për çfaqje teatrale, konferenca etj., e përbërë prej parteri lozhash dhe ballkonesh”.

Një ëndërr e bukur, por që do të bëhej realitet nëse arkitektët tanë do të mund t’i ktheheshin duke i sugjeruar të gjithë palëve sesi mund të ndreqim të ardhmen, me ndihmën e së shkuarës. Thjesht, ia vlen të shkosh në Bibliotekën Kombëtare dhe të marrësh një projekt, që fle prej -shtatë dekadash…pa kulla, sigurisht. (Milosao-Gazeta Shqiptare)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.