Nostalgji

Nostalgji/ Rikthimi në Petrelë, planet e Ilva Tares për t’u shfaqur në ekran

16:00 - 24.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Rikthimi në Petrelë, planet e Ilva Tares për t’u shfaqur në ekran




Intervista me të është si një udhëtim me disa stacione, që nis me jetën reale, për të vijuar tek gazetaria, politika e më tej, tek dashuria dhe ato gjëra private që mund të thuhen në një rrëfim në “Bluetooth”. Me një natyrshmëri, që është edhe karakteristikë e saj, gazetarja dhe spikerja e mirënjohur Ilva Tare ndan me lexuesit sot edhe planet që e presin; mes të cilave, pse jo, një rikthim në ekranin televiziv, apo edhe shtëpia e re në Petrelë. Mos do të thotë kjo se Ilva do të rikthehet me kohë të plotë në Tiranë?! Le të na e zbulojë ajo vetë…

Ilva, së fundmi jeni parë shpesh e më shpesh në Tiranë. Cili është motivacioni i këtyre vajtje-ardhjeve Londër-Tiranë?
Në Tiranë kam familjen dhe miqtë e mi më të mirë. S’ka arsye më të fortë se kjo për të frekuentuar rregullisht fluturimin Londër-Tiranë. Përpos Tiranës, muajt e fundit më është dashur të udhëtoj shpesh edhe në Prishtinë, Shkup e Podgoricë, për shkak të një angazhimi profesional me ‘Mergermarket’ në Londër, një kompani që është pjesë e “Financial Times” kushtuar krejtësisht aktiviteteve M&A (‘Merger and Acquisitions’) në të gjithë botën. Unë mbuloj Ballkanin me shkrime për shitjet, blerjet, privatizimet apo koncensionet e kompanive private apo shtetërore.

Mos do të thotë kjo se po largoheni pak nga profesioni juaj i gazetarisë?
Përkundrazi. Unë po ushtroj një dimension të ri dhe shumë interesant të gazetarisë, atë të shkrimeve hulumtuese mbi tregun financiar dhe strategjive të shit-blerjeve të kompanive konkurrente në një treg sa tërheqës, aq edhe i vështirë siç është ai ballkanik.

Në fakt Ilva, u bë kohë që ju e keni lënë televizionin; sa ju mungon ekrani? Sa ju mungon intensiteti i redaksisë së lajmeve? Ç’ndjesi keni sot kur kujtoni ritmin e përditshmërisë që keni pasur në të?
Tri pyetje brenda pyetjes së tretë. Uroj që vijueshmëria e intervistës ta thyejë këtë raport (qesh).
Tri pyetje që kanë të njëjtën temë…
Po, ekranin e kam dashurinë time të vjetër dhe si çdo dashuri, më ndërmendet në momente të caktuara herë me nostalgji e herë me zhgënjim. Nostalgji për kohërat kur ekrani përpiqej të ishte tribunë e së vërtetës dhe emocioneve njerëzore të një marrëdhënie të sinqertë, si mes të barabartëve me publikun.
Zhgënjim, kur shoh se si ditët e sotme media elektronike dhe jo vetëm, është kthyer në fabrikë manipulimi të ngjarjeve dhe personazheve që ju shërbejnë interesave të një pakice jo përfaqësuese e interesave të publikut, të cilat nuk i shoh të renditura as tek fundi i skaletës se prioriteteve.
Për sa i takon ritmit, unë tanimë kam një tjetër intensitet përditshmërie, të zhvendosur në një dimension më të madh edhe më konkurrues se sa ai kur drejtoja redaksitë e lajmeve.

Keni pasur propozime dhe a është në planet tuaja një rikthim në ekranet shqiptare?
Unë nuk e ndiej veten të larguar nga ekranet shqiptare, edhe pse një rikthim me kohë të plotë është një mundësi në diskutim tanimë që po shpenzoj pjesën më të madhe të kohës në Tiranë. Kam qenë, jam dhe mbetem e hapur për të gjitha ofertat që më janë bërë. Porse ekrani është vetëm një nga mediumet e gazetarisë. Përtej kutisë elektronike, ka mjaft hapësira ku kontributi im si komunikuese mediatike mund të jetë i vlefshëm. Megjithatë, vendimi për një ‘martesë’ të re profesionale varet nga disa faktorë dhe besoj se së shpejti do të kem një përgjigje për pyetjen tuaj.

Sot ka shumë televizione, shumë spikere e gazetare, si ndiheni kur ju thonë që asnjë prej tyre nuk ka mundur ta zërë vendin tuaj?
Me gjasë jeni ngacmuar nga ajo ç’ka kryeredaktorja e ‘News24’, Alba Malltezi tha publikisht disa ditë më parë. Më duhet ta pranoj se vlerësimi i saj ishte një befasi e bukur për mua. E falenderoj Albën, gjithashtu publikisht për konsideratën, pasi ajo është një nga koleget femra që e vlerësoj për suksesin dhe ambicien profesionale. Thënë kjo, nuk besoj se ka gazetarë apo moderatorë lajmesh të pazëvendësueshëm. Ndryshimi është tek pasioni dhe impenjimi që i përkushton gazetarisë, duke bashkuar zemrën tënde me atë të çdo shikuesi/e që do të donte të kishte mundësinë të ishte përpara kamerës për shqetësimet e përditshme. Unë këtë kam bërë ndër vite.

Cili është kujtimi, udhëtimi, ngjarja më e bukur gjatë punës suaj si gazetare?
Nuk është përgjigje klishe po të them që kam shumë kujtime e ngjarje, që kalimi i viteve i ridimensionon në kujtesën time (qesh).
Po veçoj udhëtimin në Kabul të Afganistanit, meqenëse ju kërkoni një mbresë të përveçme. Ka qenë një ngjarje profesionale dhe personale për mua. Jo vetëm për kaosin, mjerimin, ngjashmëritë me shoqërinë shqiptare patriarkale si dhe për keqardhjen e grave të mbuluara kokë e këmbë, që ne vend të parfumit mbanin erën e rëndë të pluhurit dhe mungesën e feminitetit. Por, edhe për shkak të një episodi mes kolegësh, teksa pamundësia teknike për të transmetuar live nga Kabuli, m’u kthye në zemëratë e mandej në lot. Miku im gazetar më tha i habitur: ‘pse, kaq seriozisht e paske marrë këtë profesion, s’qan njeriu për punën’! Për hir të së vërtetës, ishte një nga ato momente për të cilat jam ndjerë gjithmonë mirë me veten. Mjerim është të qash për gjërat e vogla. Unë e kam marrë gjithmonë seriozisht përkushtimin tim në gazetari.

Cili ka qenë takimi më i rëndësishëm për ju?
Këto pyetjet kategorizuese ta ngushtojnë hapësirën e përgjigjeve, pasi kam shumë takime që më kanë lënë gjurmë. Madje, prej çdo takimi mësoj diçka të re. Edhe prej fëmijëve të plagosur nga shpërthimi i Gërdecit, të cilët në vend të lodrave apo librave të flasin për çmimet e papërballueshme të ilaçeve, që prindërit nuk ua blejnë dot. Prej tyre mësova se në disa raste mjerane, vdekja qenka më e lehtë se jeta.

Cila ka qenë eksperienca juaj më e bukur dhe cila është gjëja më me vlerë që keni mësuar?
Eksperiencë e bukur është të marrësh metronë dhe të ikësh në zyrë në mëngjes. Po aq e bukur është që të vendosësh të ecësh përmes ‘Waterloo Bridge’ për t’u kthyer në shtëpi e shoqëruar nga perëndimi dhe qetësia e Tamiz-it. Apo të nisem për në Dhërmi në mbrëmje për të parë perden e yjeve në qiellin e Llogarasë. Mësimi? Shumë thjesht, paqja dhe kënaqësia nuk gjendet në atë që kërkojmë të arrijmë, por tek gjithçka na rrethon teksa rrugëtojmë drejt destinacionit të radhës.

Si e shikon Ilva me syrin e një gazetareje situatën politike në vend? Grevën?
Absurde. Dramatike. Pikëlluese. Nuk mund t’ia fal askujt që edhe pas 20 vite demokraci, shqiptarët duhet të futen në një sakrificë vetëflijuese për të kërkuar vlerën më elementare të lirisë, transparencën e votës. Unë kam shumë probleme me lidershipet e të dyja kaheve politike dhe qëllimet e tyre të politikëbërjes, madje edhe për pazaret e tyre të vjetra e të reja. E vërteta është që të gjithë politikanët janë përgjegjës për tjetërsimin e votës, për shpërfilljen ndaj votuesit dhe interesave të tij, për mungesën e kulturës së llogari-dhënies ndaj qytetarëve, për mosekzistencën e transparencës dhe keqpërdorimin e fondeve publike, për krijimin e frymës së frikës, për faktin që shqiptarët e presin punësimin nga selitë e partive dhe nuk inkurajohen të aftësohen profesionalisht pa dallim bindjesh politike. Ditën kur shqiptarët do ta kërkojnë punën jashtë mitingjeve politike, do të mund të themi se po fillojmë të ndërtojmë shtet dhe institucione të qëndrueshme. Është e turpshme që të kërkohet ende nisja e dialogut mes palëve dhe fund-dhënia e politikës inatçore, por kjo është Shqipëria. Dhem,uroj që kjo grevë t’i japë fund këtij standardi me të cilin jemi katandisur të vetëkrahasohemi. Duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë kundërvënia e dy Shqipërive, e mitingjeve dhe anti-mitingjeve, e artistëve blu dhe rozë, e intelektualëve që fitojnë tendera dhe atyre që përjashtohen, e shqiptarëve të pabukë me ata që konsumojnë para trafiqesh të bardha e të zeza.

Nga miqtë tuaj të huaj, si kanë qenë komentet? A diskutoni me ta për Shqipërinë?
Me miqtë e mi të huaj përpiqem të flas për investimet që duhet të bëjnë në këtë vend dhe për bukuritë natyrore të Shqipërisë. Kam disa miq nga Italia, Brazili dhe Spanja që më kanë premtuar se do të vijnë për pushimet e verës në jugun e Shqipërisë.

Ilva, le të kalojmë në disa pyetje larg profesionit. Po vjen vera; çfarë është për ju kjo stinë? Çfarë planesh keni bërë për të?
Nuk kam ende një plan të mirëfilltë. Por, kam shumë dëshirë të shkoj sërish në Amerikën Latine, për t’i shtuar eksperiencës së Kilit dhe Argjentinës edhe Perunë, Brazilin dhe Venezuelën.

Keni hedhur tashmë një martesë pas krahëve, sot si e përkufizoni martesën? Çfarë keni mësuar prej saj?
Martesën nuk e shoh si një thes kujtimesh të hedhur pas shpine. Është një vendim që dy njerëz e marrin në një moment të caktuar të jetës së tyre për të ndarë së bashku të ardhmen. Sikundër, divorci është ndërprerja e kësaj kontrate shpirtërore dhe ligjore. Si në bashkim ashtu edhe në ndarje, përveç vlerave ka edhe kujtime të çmuara që mbarten me dëshirë. Mësimi që kam nxjerrë? Që jo nga çdo ngjarje mund të nxjerrësh mësime. Që gjithmonë ta shoh dështimin si mësim dhe që sa më shumë të shoh pas, aq më të qartë të shoh përpara.

Hyni tek njerëzit që mbajnë marrëdhënie shoqërore me ish-bashkëshortin, apo tashmë gjërat mes jush janë ndarë?
Sigurisht që miqësia nuk njeh konvencione dhe me kalimin e viteve kam mësuar se njerëzit nuk ndahen, ata thjesht udhëtojnë në rrugë të ndryshme.

Cili është statusi aktual? Jeni e dashuruar?
Paqësisht jo.
Cilën do të veçonit si dashurinë tuaj më të madhe? Në ç’moshë ose kur ju ka ndodhur juve ta keni përjetuar dashurinë e vërtetë?
Dashuritë e mia kanë qenë të vërteta. Madje, edhe iluzionet për to. Nuk mendoj se ka dashuri të mëdha apo të vogla. Ka dashuri me shumë fat dhe me më pak fat. I kam provuar të dyja dhe janë po aq të vrullshme dhe adrenalinë çliruese.

Cilës shprehje i besoni: “njeriu dashuron sa herë i jepet mundësia” apo: “njeriu dashuron vetëm njëherë në jetë”?
Njeriu dashuron në mënyra dhe kohëra të ndryshme. Dhëntë Zoti të mundemi të dashurojmë shpesh dhe në të gjitha moshat.
A keni pengje?

Jo.
Sa e ka ndryshuar Ilvën jetesa në Angli?
S’mund të them që kam ndryshuar, por jam bërë më shumë gjykuese për fatet dhe faktet. Mendoj më pak me zemër, por emocionohem më shumë. Mendoj që ne shqiptarët duhet të ishim një lokomotivë zhvillimi dhe keqardhem jo pa emocion, që kemi mbetur vagon kontingjent për skrap.

Çfarë ju ka pëlqyer më shumë në Angli?
Shumëllojshmëria e ngjyrave të lëkurës apo përkatësisë etnike dhe jetesa prej të barabarti. Liria për të qenë vetvetja dhe përpjekja e munguar për t’i futur njerëzit në kuti mendësish e kufizimesh më ka pëlqyer veçanërisht. Londra ka edhe një magji tjetër. Të jep shansin të jesh pjesë e turmës po aq sa ta respekton vetminë.

Çfarë cilësie ju keni zili atyre, të cilën tashmë e keni bërë tuajën?

Nuk e njoh zilinë.

Çfarë do të donit në Shqipëri?
Mezi ç’pres të përfundojë shtëpia e re ku do të vendosem së shpejti në periferi të Tiranës, afër Petrelës. Kam dëshirë t’u them të gjithë miqve jashtë Shqipërisë që të vijnë dhe të investojnë në ‘real estate’, pasi është një vend i mundësive të mëdha dhe i një cilësie jete të lakmueshme.

Për kë ju merr më shumë malli?
Në ditët e sotme malli është vetëm një biletë avioni larg në rastin më të kushtueshëm dhe vetëm një rrugicë tutje në rastin më të mirë (qesh).

Ky shkrim u botua më 15 maj 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.