Intervista

Spaho: Nëse s’hapen negociatat, opozita do të reagojë fort

11:10 - 24.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho beson se një qeveri, ku janë bërë bashkë krimi i organizuar me qeveritarët, nuk mund të pranohet në Europë. Zyrtari i lartë demokrat përmend se për shkak të keqqeverisjes së majtë, Shqipëria ka bërë kthim pasi edhe në vitin 2016, u kërkua hapje negociatash me kushte. Por Spaho thotë për “Gazeta Shqiptare” se, nëse negociatat nuk hapen, marrëdhëniet politike nuk mund të jenë si më parë. Kreu i deputetëve demokratë paralajmëron se në rast se nuk hapen negociatat me 28 qershor, opozita do të reagojë fortë dhe se asgjë nuk do të jetë më si më parë. Z.Spaho flet edhe për çështjen “Xhafaj”, sipas të cilit beteja vazhdon aq kohë sa drejton ministrinë e Brendshme ndërsa rikthimin e PD-së në pushtet e sheh përmes garantimit të votës së lirë.




Z.Spaho, çfarë paralajmëroni përmes letrës së përbashkët që mban dhe firmën e kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, z.Petrit Vasili për mohimin e të drejtës së fjalës në Kuvend pas seancës së fundit plenare?
Rasti sikurse theksojmë në letër është mjaft i rëndë dhe i paprecedent. Maxhoranca me forcën e numrave në Kuvend merr vendim nëse do lejohet opozita të flasë ose jo. A e kuptoni se ku kemi arritur? Kjo ngjet vetëm në diktatura, të cilat mbajnë një opozitë fasadë. Kështu si u veprua ditën e enjte praktikisht i është dhënë fund rendit demokratik dhe kushtetues. Nëpërmjet letrës ne informojmë publikun e gjerë dhe komunitetin ndërkombëtar, por paralajmërojmë maxhorancen se do të përballet me reagimin tonë më të ashpër të mundshëm dhe më të gjitha mjetet.

Në Kuvend, kreu i PD, Lulzim Basha njoftoi se Gjermania ka vendosur të mos hapë negociatat me vendin tonë. Konkretisht çfarë informacionesh ka PD lidhur me këtë çështje nga vendet skeptike?
Qëndrimet e vendeve skeptike janë bërë publike nga vetë këto vende. Gjermania është shprehur për hapje të negociatave pa kushte me Maqedoninë dhe për Shqipërinë ka vendosur 10 kushte që fillojnë nga reforma zgjedhore, përmirësimi i klimës politike me opozitën, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe dënimi i politikanëve të lartë, përfundimi i vetingut për gjykatat e apelit dhe më sipër, krijimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, krijimi i SPAK, dekanabizimi i vendit, etj. E veçanta është që kushtet nuk kanë afat dhe kontrolli i plotësimit të tyre nuk do i lihet Komisionit Europian, por Qeverisë Federale dhe Bundestagut. Kjo gjë nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e zgjerimit të BE. Franca dhe Holanda janë edhe më skeptike dhe nga sa janë shprehur autoritetet e këtyre vendeve janë kundër hapjes së negociatave për shkak se qeveria shqiptare nuk ka bërë mjaftueshëm në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe azilantëve për të cilët ja kalojmë edhe Sirisë në konflikt. Nga sa është njoftuar në media parlamenti holandez votoi me shumicë dërrmuese për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Çfarë e pengon hapjen e negociatave me 28 qershor?
Mosrealizimi i reformave dhe mosplotësimi i detyrave nga qeveria e Edi Ramës. Fakti që koalicioni qeverisës në Gjermani vendos 10 kushte do të thotë që ata janë të pakënaqur me përpjekjet e Shqipërisë dhe dëshirojnë të shohin progres të vërtetë dhe jo gënjeshtrat e Edi Ramës. Një qeveri ku janë bërë bashkë krimi i organizuar me qeveritarët nuk mund të pranohet në Europë.

Kur besoni se do të bëhet i mundur momenti i hapjes së negociatave?
Kjo është pyetje për maxhorancën, por sikurse u shpreha më sipër negociatat mund të hapen kur të ketë progres substancial dhe të qartë në reformat e nevojshme dhe kushtet e vëna nga vendet e BE.

Opozita ka paralajmëruar se, nëse BE refuzon hapjen e negociatave, atëherë marrëdhënia e saj me qeverinë do të ndryshojë. Çfarë do të ndodhë konkretisht nëse Shqipërisë i refuzohet hapja e negociatave?
Sigurisht nëse negociatat nuk hapen, marrëdhëniet politike nuk mund të jenë si më parë. Mos harroni që hapje të negociatave me kushte kemi marrë në vitin 2016. Nëse verdikti është i njëjtë dhe kushtet shtohen jo vetëm që kemi çuar dy vjet dëm, por kemi bërë hapa prapa që do të thotë me Ramën nuk kemi të ardhme. Opozita do reagoje për këtë. Format dhe mënyrat e reagimit do bëhen të njohura pas konsultimeve brenda spektrit opozitar.

Cila është strategjia e opozitës për largimin e qeverisë, përmes zgjedhjeve të parakohshme apo zgjedhjeve normale?
Para se të diskutojmë se me çfarë zgjedhjesh do ta largojmë Ramën duhet të garantojmë që të ketë zgjedhje. Me Ramën sikurse e ka treguar qartë dhe hapur në të gjitha rastet nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme, kështu që beteja e parë e opozitës do të jetë që t’i garantojë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme.

A do ketë një koalicion PD-LSI për zgjedhjet lokale?
Do të vendosim në kohën e duhur. Sot nuk përbën prioritet pasi, sikurse theksova, duhet të garantojmë së pari, që të ketë zgjedhje.

PD fitoi betejën ndaj Saimir Tahirit, por siç duket jo ndaj Fatmir Xhafajt. A e ka mbyllur tashmë opozita çështjen “Xhafaj”?
PD-ja i ka fituar të dy betejat edhe atë me Tahirin edhe atë me Xhafajn. Nuk është përgjegjësia e opozitës që nuk shkarkohet Xhafaj, por e maxhorancës dhe Edi Ramës që mban ministër të Brendshëm një individ që ka vëllain të dënuar për formim organizatash kriminale dhe trafik ndërkombëtar droge. Ne kemi bërë betejë dhe do vazhdojmë ta bëjmë atë sa kohë që Xhafaj të jetë ministër i Brendshëm.

Çfarë faktesh te reja disponon PD për denoncimin e lidhjeve të qeverisë me krimin? Kur do të publikohen ato?
Nuk ka nevojë për fakte të reja që të bindësh që kjo qeveri është e kriminalizuar. Kjo vlen si për opinionin e brendshëm ashtu edhe për autoritetet ndërkombëtare. Opozita çdo gjë që disponon e vë në dijeni opinionin publik në momentin e nevojshëm.

Çfarë nënkupton “surpriza e madhe” për qeverinë e paralajmëruar nga kreu i opozitës, Lulzim Basha pak ditë më parë?
Nëse do të thuhej në avancë nuk do ishte surprizë dhe aq më tepër e madhe.

Përveç betejës ndaj qeverisë, a është e bashkuar vetë PD-ja brenda saj dhe zgjedhjet e brendshme a po ndihmojnë procesin e bashkimit të së djathtës?
Sipas përcaktimeve të Kuvendit të fundit dhe detyrimit statutor po zhvillohen zgjedhjet në strukturat e Partisë Demokratike për të përgatitur atë për betejat e ardhshme zgjedhore. Të gjithë ata të cilët e shohin PD-në si zgjidhje të problemeve që kalon vendi do ta gjejnë gjithmonë derën hapur, janë më se të mirëpritur të na bashkohen dhe kontributi i çdonjërit do vlerësohet maksimalisht.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Mos ha shume ore spaho mavria ,se ka pese vjet qe derdellisni se do beni hatane dhe nje vrime ne uje keni bere ,biles shume vrima qe si mbyllni dot, maskarente e shekullit.

    Përgjigju ↓