MILOSAO

Takimi me vezirin e madh

14:35 - 24.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ky fragment i romanit “Fermani i përgjakur” të autorit Vasil Premçi promovon botimin e ri të tij. Libri i kushtohet një teme që autori e ka evidentuar qartë si qëndresa. Duhet thënë se autori duket se ka punuar shumë në aspektin kulturor të romanit, për të vendosur si duhet periudhën, që i është referuar. Romani nuk ka masivitet personazhesh, që zakonisht kërkojnë fabula të tilla, porse ai ka ndarë kujdesshëm peshën e tyre. Ndoshta mund t’i kufizonte pak evidentimet e kohës për ta thjeshtësuar punën e lexuesit, por që e ka prekur pak veprën e vet. Personazhet janë shumë të lexueshëm prej pozicionimit të narracionit. Romani historik edhe fabulën e kërkon me kujdes në mes të fikshënit dhe asaj që ka bërthamën e detajeve të vërteta…Na mbetet në fund ta urojmë për këtë përpjekje…




Vasil Premçi – Përpara një muaji Çandërllë Pashën e njoftuan për takimin me vezirin e madh. Pozita e vezirit në oborrin Sulltanor nuk kishte lëvizur qysh nga koha e Mehmed Fatihut, kur ai në Kanun-namen e tij të famshme e shpalli atë “koka e vezirëve dhe eprorëve ushtarakë. Zëvendës absolut i Sulltanit”. Funksionet e tij përfshinin mbrojtjen e pushtetit shtetëror, mbrojtjen e territorit nga armiku i jashtëm dhe kujdesin për sigurinë e brendshme.
Ndonëse ishte një ushtar i vjetër, pjesëmarrës i shumë betejave fitimtare i ushtrisë osmane, zemra e Çandërllë Pashës kishte rrahur nga emocionet, njësoj si shumë vite më parë, në radhët e jeniçerëve .

Me trupin drejt përshkoi me hap të vendosur korridoret pa fund për të mbërritur në kohën e duhur në takim. Nuk mund të mos i tërhiqnin vëmendjen dyert dhe sallat e ndriçuar nga drita e plotë që hynte nga dritaret e mëdha. Në labirinthet e pallatit ndeshi shumë fytyra oficerësh të shërbimit në të cilat kishte ngrirë një vështrim prej hetuesi, që mund ta vëreje lehtë tek të gjithë ata, si të ishte pjesë e uniformës së tyre. Qëndrimi i oficerëve që vigjilonin brenda dhomave dhe sallave të vezirit të madh ishte më i ngrohtë e miqësor.
Vetë portreti i vezirit të madh shfaqej nën maskën e një njeriu të përvuajtur dhe shpirtmirë. Me sa dukej jeta nën hijen e autoritetit të padishahut, por edhe kujtimi i trishtuar i fytyrave të luftëtarve, që kishin dhënë shpirt para syve të tij duke rënkuar nga plagët e rënda në fushë beteja, ia kishin mpiksur gjakun duke e bërë më të ngathët, por edhe më të matur, siç ngjet me njerëzit që shkelin në kufijtë e pleqërisë. Në vështrimin e njerëzve të kësaj moshe, zë vend gjithmonë e më shumë pamja e njeriut të përhumbur, që nuk habitet përpara asnjë misteri të kësaj bote, por njëkohësisht që edhe nuk di asgjë. Fytyrat që parakaloi Çandërllë Pasha ia nxitën dhe ushqyen më tej fantazinë. Ajo e vezirit të madh ishte e veçantë. Duke e krahasuar fytyrën e tij eshtërmadhe dhe të zgjatur me ato të oficerëve të shërbimit, me një ngjyrë të theksuar ezmere dhe të mbledhur, i vetiu në mëndje pyetja: po fytyra ime kujt i ngjan? E kishte parë atë mijëra herë deri sa ishte bërë aq. Me dëshpërim kujtoi se nuk e kishte si të kalit.
“Ajo nuk është as e gjatë, por as e shkurtër”-kujtoi ai. Ç’do të thoshte kjo? Do ta ndihte vallë fati, të mos mbetej një oficer i rëndomtë, por të bëhej një gjeneral me peshë dhe me një rol të veçantë pranë vezirit të madh?!

E trishtoi pa masë përfundimi i atij çasti; fytyrat e njerëzve që kishte njohur, të zgjatura si të kuajve, kishin pasur në jetë më shumë fat se të tjerët…
“Allah, ma fal mëkatin, por nga ky arsyetim del se fytyrëkuajt qenkan më të lumturit në Perandorinë tonë! Nuk qenkam i përzgjedhuri yt! “
Pas përshëndetjes tradicionale veziri e ftoi të rehatohej në një kolltuk përballë tij dhe pastaj urdhëroi t’u shërbehej çaj në disa kupa të kristalta dhe me ngjyrë blu si deti. Me të pikasur ndrojtjen e Çandërllë Pashës, që i mbetën sytë një copë herë tek format e kolltuqeve dhe gdhendjet e këmbëve prej druri të rrallë, që imitonin kthetrat e luanit, buzëqeshi si i zënë në faj:

-Biri im, e kuptoj shqetësimin tuaj! As unë nuk jam për imitimin e jetës allafranga, por ja që e keqja hyn edhe nga dritarja! Jeta perëndimore qenka si gripi, do të na zerë të gjithëve, por inshallah! e kalojmë shpejt me kaq dhe pa ndonjë dëm të madh!
Duket se veziri i madh, ashtu si rastësisht dhe natyrshëm, kishte gjetur kohën dhe vendin për të shfryrë kundërshtimin e aradhës së vjetër perandorake për rrënimin gjithmonë e më shumë të zakoneve dhe traditës osmane.

-Nuk duhen lënë këto punë vetëm në dorën e studiuesve dhe të njerëzve të besimit! Jemi të dënuar të mos veprojmë dot ndryshe! Dje, e dimë mirë sa të zhvilluara ishin vendet europiane!- vuri në dukje ai me një pezm të papërmbajtur. -Merreni me mend edhe vetë, kur edhe pallatin e famshëm të Luvrit e ndërtuan pa nevojtore! Por sot ndryshon puna; industritë frënge dhe inglize kanë përparuar aq shumë, sa na detyrojnë t’i hapim dyert njëkanatësh, nëse nuk duam të mbetemi pas vendeve më të zhvilluara të botës! Këtë na e këshillojnë edhe oficerët tanë që kemi dërguar për t’u përgatitur në vendet perëndimore. Nga t’ia mbajmë? Na duhet të zgjedhim të keqen më të vogël,- nuk e fsheu dot ai dëshpërimin kur komentoi situatën që po kalonte Europa dhe Perandoria Osmane, ndërsa rehatohej në kolltukun përballë hartave. Duke e kuptuar se nuk mund ta zbrazte dot të gjithë marazin që e mundonte, gjerbi me etje çajin, në shenjë kënaqësie e shlodhjeje që po bisedonte me njërin prej komandantëve më të zot të ushtrisë osmane, hyri drejt e në temë pa stërhollime të tepërta.

Nisi të flasë pa ja ndarë vështrimin e rreptë hartës përballë, që zinte gati të gjithë faqen e murit:
– Situata rreth nesh është më e nxehtë se kurrë më parë. Moskovi, nuk lë gur pa lëvizur për të na shtyrë gjithmonë e më shumë drejt Anadollit. I qan zemra për Krimenë! Po edhe këlyshët e tyre serbë nuk qëndrojnë larg tyre! Kryqalinjtë e Austrisë duan të na nxjerrin nga Ballkani. Çfarë nuk po bëjnë për të dalë në Adriatik! Por, dihet, Perandoria austro-hungareze, aqsa është armike, aq është edhe vëllai ynë i sëmurë! Lundrojmë në të njëjtën anije kohore dhe ndajmë të njëjtin fat historik. Ajo i hapi krahët jashtë mundësive të saj, por tani as nuk mund t’i mbledhë dot pa pësuar humbje pas humbjesh! Po të mos ketë mbështetjen e nemces, nuk është nevoja ta shtysh në greminë sepse shembet vetë si ajo kështjella e ndërtuar në rërë… Eh, janë punë të thella këto, biri im!-mori frymë thellë ai duke tundur kokën i lodhur. Në mesin e ballit iu ngrit një damar mavi, pasojë e një ngërçi të brendshëm shpirtëror që e pushtonte sa herë që i duhej të përballej me realitetin ku pritej orë e çast një përballje e madhe me armikun.
-Sipas informacioneve të javës së kaluar, ushtritë e tyre janë vendosur në vijën… Dhe lëvizi me nervozizëm, majën e një thupre prej druri në hartën e ngjyrosur me simbolet e rrugëve, lumenjve, maleve dhe fushave të Europës, Afrikës dhe Azisë.

Pranë pallatit të vezirit të madh punonte me përkushtim një grup topografësh të zellshëm që nxitonin ta spostonin kufirin e pushtimeve të reja, në përputhje me komunikatat ushtarake që paraqesnin situatën në fushën e luftimit dhe ku më pas valëvitej menjëherë flamuri me gjysmë hënën i Perandorisë Osmane. Kopjet e këtij urdhëri të përgatitura nga ata, i dërgoheshin njëherësh edhe sulltanit edhe vezirit të madh. Por siç ndodh në situata luftarake edhe kur ke një grup specialistësh të zot ushtarakë, që punojnë me përkushtim, nuk mund të shmangen ngatërresat që shfaqen herë pas here si kërpudhat pas shiut. Madje vetë sulltani, në një rast kur kishte mësuar se trupat e ushtrisë së tij, jo vetëm nuk e kishin pushtuar ende rajonin e synuar, por ndodheshin shumë larg, ishte shprehur i pakënaqur për organizimin e punës nga oficerët pranë vezirit. Ai e kishte krahasuar punën e tyre me një fjalë të padëgjuar kurrë më parë në pallatin sulltanor, “lesh arapi!”
Kishte raste kur informacioni i një komunikate ishte vetëm emocional e frymëzues. Tjetër gjë ishin dëshirat dhe synimet dhe krejt tjetër situata në terren e cila jo vetëm nuk kishte përparuar siç raportohej, por tanimë ishte përmbysur në favor të armikut. Ndërkaq vija e kufirit në harta mbetej ajo e ëndërruara, me mendimin dhe shpresën se ushtritë osmane do të dilnin së shpejti aty ku dëshironte Sulltani dhe suita e vezirit të madh.
-I di unë si janë këto punë! Aradhat e ushtrive armike janë mish për top! Mbushen nga njerëz të egër që, po të mos kenë mbështetjen dhe nxitjen e rusëve, shkrihen si vesa mbi bar! Ja me këta duhet të ndeshen dhe të derdhet gjaku i kulluar i ushtarëve osman!
Me siguri, tani ju po mendoni se ju kam thirrur për ndonjë fushatë të re ushtarake? Apo jo?

-Jam nën urdhrat e Sulltanit të Madhërishëm, Allahu e mbuloftë me lavdi!-u përgjigj Çandërllë Pasha me qëndrim gatitu siç ia kërkonte figura e një ushtaraku të lartë.
-Ulu, ulu, biri im! Jeni me të vërtetë një ushtar i regjur që i duheni perandorisë për punë edhe më të rëndësishme…
Kam menduar edhe për karrierën tuaj, sepse, nuk thonë kot nga anët tona; shpatën që rri në mill, e bren ndryshku. Detyrën e fundit që mendoj t’ju ngarkoj dhe shpresoj t’ju nxjerrë në pension, do t’ua komunikoj kur të ktheheni nga misioni i sotëm. Nuk do të ishte keq ta mbyllni karierën si ambasador i Perandorisë Osmane në Londër. Një gjeneral që na e ka zbardhur faqen në çastet më të vështira të luftës e meriton një mirënjohje të tillë!
Me sa di, nuk keni nevojë as për terxhumanë,* sepse zotëroni disa gjuhë të kryqtarëve!
Pastaj veziri i madh si të ishte kujtuar çfarë duhet të bënte atë çast, ngriti me rrëmbim kupën e çajit dhe rrëkëlleu lëngun e mbetur.
-Tani le të kthehemi tek problemi për të cilin ju kam thirrur. Sulltani më ngarkoi të zgjidhja një njeri të aftë dhe të besueshëm për kryerjen e kësaj detyre. Me sa shoh, ju nuk po duroni deri sa ta mësoni atë. Kështu që nuk po ju vonoj më shumë,- dhe u kthye vetull ngrysur i përqëndruar me të gjitha shqisat mbi njeriun përballë.
-Kemi informata të sakta dhe serioze se, zona e Bendës, që mesa jam në dijeni përmbledh nëntë apo dhjetë fshatra, midis kështjellës Akça-Hisar (Krujës) dhe asaj të Petrelës, në Arnavutluk, prej më shumë se pesë vite nuk dërgon asnjë rekrut në kampet tona të stërvitjes. Me sa duket banorët këtyre fshatrave duan t’i shpëtojnë detyrimit ushtarak që kanë vilajetet e Arnavutlukut ndaj Portës së Lartë.
Gjatë mbledhjes së divanit ky problem, u vlerësua si një thikë me dy presa. Nga njëra anë përbën një vepër armiqësore ndaj Perandorisë Osmane dhe të ardhmen e forcave të saj të armatosura. Nga ana tjetër, dëmi është edhe më i madh nëse ky shëmbull përhapet midis armiqve dhe popujve të perandorisë. Bari i egër rritet më shpejt se lulja e kopshtit. Shembulli i keq vrapon si era, ndërsa e mira zvarriset deri tek dera!
Nëse banorët e pashallëqeve arnaute dalin hapur, kundër detyrimeve që u janë caktuar me drejtësi, ne do t’i shtypim si krimba plehu! Por ata qafirë kanë zgjedhur dinakërinë dhe punën në fshehtësi duke i rrënuar pa zhurmë e bujë themelet e shtetit tonë që ngrihen në islamin dhe në forcën e armëve tona. Vetë shejtani i ka mësuar të fshehin punën e fëlliqur, duke i regjistruar fëmijët e lindur meshkuj në gjininë femërore.
Por çfarë ndodh o bir, nëse një deti ja presin përrenjtë dhe lumenjtë? Sigurisht që do të thahet! Kështu kërkojnë ta thajnë armiqtë tanë ushtrinë e perandorisë nëse i lejojmë të ndërpresin furnizimin e saj me gjak të ri!
Plani i veprimit është gati.

Në fillim menduam t’ia ngarkonim këtë mision trupave të bashibozukëve por, nisur nga rrethanat që kalon rajoni, vendosëm t’ua ngarkojmë juve.
Gjeneralët që planizojnë dhe përgatisin operacionet kanë përcaktuar rrugën e marshimit, vendet e pushimit dhe të ngritjes së fushimeve. Kemi nisur edhe urdhërat për vënien në gadishmëri të garnizoneve tona në rast nevoje, ndonëse një tabor nizamësh, sëbashku me një kompani shoqërimi dhe personelin e prapavijës janë më se të mjaftueshme për misionin tuaj.
I kërkova Imamit të Stambollit një shërbëtor të devotshëm të Allahut për të qenë pranë jush për zbatimin e kësaj detyre të shenjtë për perandorinë. Dhe ai zgjodhi më të mirin, zemërbujarin, hoxhë Azapin! Ju dhe hoxhë Azapi, do të kini dy nga çadrat e Sulltanit.
Veziri i ra një zileje të vockël pas tringëllimës të së cilës u shfaq në derën pranë hartës trupi i bëshëm dhe rondokop i gjeneral Emerllahut, njërit prej drejtuesve të reparteve të nizamëve.

Në të vërtetë, jo vetëm në oborrin e Sulltanit, por edhe në pallatin e vezirit të madh njihej trimëria dhe forca e shpatës së Çandërllë Pashës, sikurse edhe gjykimi i mprehtë i Hoxhë Azapit, i aftë ta ndante qimen në katërsh. Me sa duket, kombinimi i aftësive të ndryshme të këtyre dy njerëzve ishte vepër e vetë vezirit të madh.
Meqenëse gjeneral Emerllahu ishte udhëzuar më parë për mënyrën si duhet të vepronte, i futi krahun me kujdes dhe respekt Çandërllë Pashës dhe pastaj të dy u çapitën drejt një tryeze tjetër me një hartë të shtrirë, në të cilën ishin rrethuar me ngjyrë të kuqe fshatrat e krahinës së Bendës, atje larg në Arnavutluk.
“Ditë e re, nafakë e re”- pëshpëriti Çandërllë Pasha dhe nisi të mbajë shënime në një bllok që ia afroi gjeneral Emerllahu.
Sekretari i vezirit të madh e vuri në dijeni se fermani që urdhëronte kryerjen e misionit në vilajetin e largët të Rumelisë do t’i dorëzohej më 1 mars, në një ceremoni të veçantë një ditë para nisjes.
*Përkthyes


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.