Rajoni

Në fshatin grek ku nuk flitet për kufij

14:15 - 25.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luan Rama – Shqipëria dhe Greqia po shkojnë drejt një gjeopolitike të re, ku pesha e kufijve ndarës po bëhet gjithnjë e më pak e rëndë, gjithnjë e më pak e dukshme (edhe pse problemi çam ekziston ende), dhe këtë e beson kur hyn në shtëpinë e thjeshtë të një fshatari a peshkatari, grek apo shqiptar, kur shkon me të nëpër det, kur pi e këndon me të dhe ku biseda shkon jo te kufijtë, por te hallet e gëzimet e përditshme, te dëshira për të krijuar një miqësi të re. Udhëtimet nëpër Greqi kanë qenë të këndshme për mua. Pikërisht ato më bënë të njoh dimensionet e vërteta të një miqësie të vjetër e lidhje shqiptaro-greke që nga koha bizantine. Peloponezi, Atika, Salamina, Hidra e Specaj, Mandra, Thiva, Livadhja, Evia etj, e gjer në majat e Parnasit në Arvanitca dëshmojnë për një histori të përbashkët. Në Agia Ana (Shën Ana), në Evia buzë Egjeut, është një kënaqësi të kuvendosh me banorët e fshatit, pasi shumçka i bashkon botët tona, historitë dhe ardhmërinë tonë të përbashkët. Një mëngjes me një peshkatar të vjetër, i hipëm barkës për të shëtitur brigje që vetëm me barkë mund t’i shohësh. Vuzi është shoqëruesi ynë. Adoleshent, Vuzi ishte i shkurtër, i shëndoshë dhe me sy të kërcyer, të mëdhenj dhe shokët e shkollës e ngacmonin.




Kështu u bë i prapë, filloi rebelimin e tij që vazhdon edhe sot. Menjëherë e la shkollën, iku nga familja si një bohem i mbrapshtë për të jetuar me detin. Vetëm deti nuk e ngacmonte, nuk i fliste me mëri, nuk e qortonte, vetëm deti dinte ta përkundte në gjirin e tij, në ditë paqeje e tallazi. U bë marinar. Nga një barkë e vogël peshkimi, ai nisi më pas të punojë si marinar në anijet e mëdha greke që i binin mbarë deteve, oqeaneve, botës anembanë. Gjithnjë mes dallgëve dhe bukurisë llaftarisëse të detit e qiejve të ndezur nga yjet, të shkëlqimeve të habitshme dhe zjarreve të agut të diellit, të delfinëve që i ndiqnin kilometra të tëra dhe vetëm kjo e çlodhte Vuzin, deti. Njëherë në Gjibraltar, anija e tyre e ngarkuar me bombola gazi mori zjarr në një cep të saj. Ç’tmerr…

Më kot thirrën në ndihmë, por askush nuk u duk në horizont dhe anija mund të shpërthente nga çasti në çast e bashkë me të edhe marinarët e saj që do të humbnin në thellësitë e detit. Por ata 5-6 marinarë u ngjitën lart të ftohnin bombolat, të shuanin zjarrin dhe të shmangnin atë shpërthim. Ndryshe Vuzi s’do të ishte me mua, me Cakun e Thanasin, s’do t’i binte kitarës me këngët e dashurisë “agapi mu”, edhe pse nuk e njeh solfezhin dhe notat e muzikës. Telefoni i tij bie orë e çast se të gjithë kur kanë ndonjë nevojë thërrasin Vuzin: Vuzi, më gjej një dhomë tek ata miqtë e tu për disa njerëz që më vijnë për pushime; më gjej ca kallamare të freskët apo barbunja tek barka e Kristos; më hidh me atë motorin tënd gjer në Strafilia.

Motoçikleta e tij me katër rrota i bije rreth e qark atij vendi për t’u shërbyer të tjerëve edhe pse jeton në vetmi, buzë detit, në një karavanë, ku miku më i afërt është një ordinator. Kaq i mjafton Vuzit të lidhet me botën e të marrë vesh se ç’ndodh në tryezat e politikës së madhe: “Unë kam nevojë veç për cigare dhe benzinë”, thotë Vuzi, – të tjerat i gjej vetë, në det dhe në pyll. Në Strafilja, është Rena, apo Irena nga Vloçishti i Korçës me familjen e saj. Ç’grua e fortë, me ato duar që nuk i pushojnë tek punon në baxho e që ke dëshirë t’ia puthësh, se ajo di të bëjë djathë, të prodhojë raki, shet mjaltë e të gjitha i bën ajo grua e bukur me një vështrim krenar si të Irena Papas. Ne vazhdojmë me barkë dhe Vuzi na kujton historinë se si njëherë kishte rënë nga një barkë me motor, por që gabimisht kishte hequr rripin e sigurisë së motorit. I shkreti Vuzi, i kapur pas anijes me një litar të hollë, nuk arrinte dot ta arrinte barkën, sepse ajo shkonte përpara, pa zot…

Zhytej në det dhe ngrihej mbi dallgë gjersa më pas e kishte pikasur një barkë tjetër dhe e kishte ndihmuar të ndalte barkën. Kalojmë cepin shkëmbor të Agia Anës dhe shohim mbi kodrinë kishën e vjetër të Shën Vasilit të populluar që në shekullin e VII, por që tani ka vetëm një kishë pa prift dhe veç ndonjë bari shkon e vë herë pas here ndonjë qiri. Ecim anash shkëmbinjve thepisës ku qëndrojnë të paqtë dhjetëra e dhjetëra zgalemë që na vështrojnë me kërshëri pa lëvizur nga vendi; kalojmë një shpellë të vogël, diku një gji dhe Vuzi na thotë se në atë gji të pashkelur, ka lira turke të kohës së sulltanëve, por tani s’mund të kërkosh atje pasi është shpallur zonë arkeologjike. Vuzi dikur, si amator që ishte, bridhte këtyre anëve me një aparat manjetik për të gjetur gjërat e fshehta mbuluar nga toka shumë shekuj më parë. Më së fundi i afrohemi shpellës së piratëve, por që para më shumë se një shekulli nuk kanë shkelur më në këtë vendi.

Nganjëherë, në të çarat e shkëmbinjve duhet të depërtosh me barkë edhe në një hapësirë prej dy metrash të gjerë, për të parë më pas kubetë e mëdha ku zotëron heshtja dhe magjia, e kushedi, kocka piratësh të fshehur këtu në një varrezë detare. Hyjmë më së fundi në shpellë me një kube të çuditshme në ngjyra kobalti dhe humbasim në errësirë, ku zërat tanë kumbojnë bukur dhe më pas lemë errësirën për të dalë në dritën e bardhë të diellit dhe të kaltrën e detit, ku tutje na shfaqen ishujt, së pari, Ishulli i Bardhë, pastaj Skiathos e në të djathtë Skopelos, pastaj Skaça ku ka veç plazhe të virgjëra e dhi të egra dhe më tutje, Ishulli i Fokave.

Mund të habitesh kur përmend fokat, por prej shumë vitesh ato janë vendosur aty, me ndryshimet klimatike. Më pas; në fshatin e bukur piktoresk Akladhi, buzë detit, marrim kthesën për t’u kthyer në Agia Ana. Sipër në kodrina, një vilë e bukur gjermane, pastaj më tutje një vilë ruse që është në përfundim e sipër, dhe ngado ullishta. Kur shumë kohë më parë në këtë vend kishin zbarkuar disa të ardhur nga ishuj të tjerë, ata kishin thirrur “A-ladhi!” (“Oh, ç’vaj!”) dhe që atëherë ngeli Akladhi, vend i prodhimit të vajit të ullirit. Me të mbërritur në breg, Thanasi na pret në oborrin e tij të gjelbëruar, nën hijen e madhe të një pemë dhe nis të shtrojë një tavolinë me oktapodë, barbunja, sardele dhe kallamarë që i ka peshkuar vetë një natë më parë. Gruan e tij të bukur, Maria, nuk e ka aty. Eshtë në Halkidha ku punon pikturë, peizazhe dhe portrete, madje dhe piktura naive si dekoracione, por ëndrra e saj është të shohë kryeveprat e Luvrit dhe impresionistët e Muzeut të Orsejës.

Thanasi është fjalëpakë dhe me humor të hollë, një grek tipik homerik, me shumë histori peshkimi dhe andralla detare, me ndodhi kur njeriu është në mëshirën e natyrës. Por ky ballafaqim me detin Thanasin nuk e tremb, madje atij kjo i pëlqen, e kështu të ngjan me ata personazhet e Heminguejt. Ka një natyrë fitimtare në gjithë qenien e tij, edhe pse ai mundohet ta fshehë këtë. Brigjet në këto anë janë të virgjëra. Pikërisht, në të majtë të Agia Ana, në ato vende ku dallgët rrahin shkëmbinjtë, kisha gjetur kukulla fëmijësh, të atyre fëmijëve të hipur në barkat e fatit të emigracionit ardhur nga Siria. Kjo më kishte prekur shumë, madje një e ruajta si dëshmi e një tragjedie njerëzore të botës sonë moderne. Për këtë dhe shkrova poezinë “Elegji për kukullat e Egjeut”, ndërkohë që një vit më vonë kisha gjetur këpucë fëmijësh, grash, burrash, që deti i kishte hedhur në breg, me siguri të atyre të mjerëve që kërkonin udhën e shpëtimit. Dhe po kështu shkrova poezinë “Këpucët kërkojnë zotërit e tyre”…

Mbrëmjet janë të bukura në Agia Ana. Në televizionin shtetëror, shohim një emision për këngët arvanitase dhe ajo e folur shqipe e vjetër si dhe vallja e të rinjve të Artaqit, 40 km më tutje, ta ngre zemrën peshë për vazhdimin e traditave identitare, por dhe për atë mpleksje të dy popujve në furtunat e historisë së tyre të përbashkët. Pikërisht ajo valle më kujtoi vallen për të cilën shkruante dhe diplomati francez Henri Belle në Athinë, i cili gjatë vizitës së tij drejt Thivës e Delfit në vitet 1873, hipur mbi kalë, me drogmanin e tij kishte ndalur dhe në Agia Ana (Shën Ana) e Mantudhi, fshati ngjitur. Në librin e tij “Tre vjet në Greqi”, ndër të tjera ai shkruante: “Mbërrijmë në Mantudhi…

Një fshat i madh që është ngritur në rangun e nën-prefekturës dhe ku mbretëron një mjedis i pastër e i begatë. Banorët e saj janë pothuaj të gjithë të ardhur e të emigruar nga Hidra, duke sjellë një eksperiencë në fushën e ndërtimit, çka tani i jep një pamje të veçantë shtëpive të ishullit. Në orën dhjetë ne mbërrijmë në fshatin e Agjia Anës me një sipërfaqe të madhe e të shtrirë, ku nga lart duken tutje në horizont Skopelos dhe Skiathos. Sot festohet dita e Shën Konstantinit, një nga shenjtët më të mëdhenj të Kishës ortodokse, ku në shesh turma e njerëzve po zbavitej. Eubea (Evia e quajtur më pas. L.R.) e veriut është e famshme për vallet e saj. Ajo që po interpretojnë banorët e Mantudhit është një valle e quajtur “sirtos”, me lëvizjet ritmike të peshkatarëve që tërheqin rrjetat në breg. Në fillim është korifeu, pastaj burrat e më pas gratë e pastaj vajzat e reja e fëmijët. Ata nuk kapeshin nga duart, por shamitë krijonin një lloj vargu njerëzor që gjallonte në atë shesh nën tingujt e muzikës së një orkestre të çuditshme të përbërë nga dy vllehë bohemë, ku njëri i binte fyellit dhe tjetri i binte fort tamburasë në formën e një kungulli. Fytyrat e tyre thatime e ngjyrë ulliri, mollëzat e tyre të dala, flokët tepër të gjata ngjyrë abanozi e që u binin pas, flisnin për origjinën e tyre arvanitase. Në sytë e tyre të mëdhenj e të zinj reflektoheshin dritëza të kuqërremta, saqë të dukej se në to reflektoheshin ngjyrat plot shkëlqime të Indisë, atdheut të të parëve të tyre si dhe gjithë atmosfera klimatike e brigjeve të lumit Gang.

Ata shikonin para tyre me atë qetësinë e një statuje te Vishnës. E megjithatë, nganjëherë kishin një lloj nënqeshje me atë rreth njerëzish të gëzuar që lëviznin rreth tyre. Në cep të sheshit qëndronte prifti me mjekrën e tij të bardhë që i mbështetur mbi shkop dhe në shoqërinë e disa pleqve, shikonte ata që kërcenin. Eshtë e pamundur të imagjinosh një skenë të tillë të gjallë e piktoreske nën tingujt britës e të përsëritur të tamburasë që gjëmonte disi, të shikoje atë varg tunikësh të bardhë të grave që kërcenin, një varg që vallëzonte, me ato përparëse para tyre dhe brezat e mëndafshtë e të kuq. Sfondi i kësaj skene të mrekullueshme përbëhej nga gërxhe më të larta dhe kodrinat e blerta në ijet e malit Kandili, ashtu i xhveshur, me gurë, dhe aty këtu me pisha, e ku përrenjtë kanë lënë gjurmët mbi të. Në të gjitha anët e atij sheshi vazhdonin të vallëzonin në rrathë të ndryshme. Ato vajza të reja ishin të këndshme e me tipare më të hijshme se athinaset dhe shumica kishin flokë të verdhë, disi të hirtë…”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.