SHËNDET

Orges Spahiu: Ja avancimet teknologjike në fushën e radioterapisë

15:05 - 25.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në konferencën e radiologjisë dhe kimioterapisë referoi edhe dr. Orges Spahiu, shef i radioterapisë në QSUT, i cili u ndal në trajtimin e tumoreve me radioterapi. Sipas Spahiut, radioterapia konsiston në përdorimin e rrezatimeve të jonizuara me energji të lartë (rreze X, elektrone, protone) me qëllime terapeutike. “Kjo metodë vepron lokalisht e përdoret me qëllim kurativ ose simptomatiko-paliativ, por mund të aplikohet e vetme apo e shoqëruar me modalite të tjera terapeutike (kirurgjia, terapia sistemike). Mund të përdoret edhe në trajtimin e formave beninje. Është një disiplinë e teknologjisë së lartë, e cila kërkon përdorimin e instrumenteve shumë komplekse dhe të sofistikuara për të lokalizuar tumorin, gjeneruar rrezatime të jonizuara, të godasë me doza dhe preçizion të lartë rrezatimi volumet tumorale, duke ruajtur indet e shëndosha. Kjo bëhet me qëllim eliminimin e tumori,; përmirësimin e simptomatologjisë, përmirësimin e cilësisë së jetës, zgjatjen e mbijetesës”, – tha shefi i radioterapisë në fjalën e tij. Ky i fundit theksoi se mënyra e trajtimit me radioterapi përzgjidhet në bazë të faktorëve si dimensioni i tumorit, lokalizimi i sëmundjes, apo gjendja e përgjithshme e pacientit.




Radioterapia
Mjeku Orges Spahiu gjatë referimit të tij bëri me dije se radioterapia mund të përdoret me qëllim Neoadiuvant, pra për të reduktuar përmasat e një tumori sa më shumë të jetë e mundur, përpara ndërhyrjes kirurgjikale. Me qëllim Adiuvant, pra për të parandaluar rekurencat e kancerit pas kirurgjisë apo kimioterapisë, me qëllim Paliativ pra për të lehtësuar simptomat e shkaktuara nga një tumor si dhe me qëllim Eskluziv për të trajtuar masat tumorale, të cilat nuk mund të hiqen me kirurgji.

Llojet e radioterapisë dhe efektet anësore
Mjeku Spahiu bëri me dije gjatë konferencës se ekzistojnë 2 lloje radioterapish: radioterapi eksterne dhe radioterapi interne. Sipas tij, radioterapia eksterne është mënyra më e zakonshme. “LINAC, prodhojnë si fotone X dhe elektrone të energjive të ndryshme që aplikohen nga jashtë trupit direkt në zonën ku ndodhet tumori. Ndërsa në radioterapinë interne, Brakiterapia është burimi radioaktiv i lokalizuar në kontakt direkt me tumorin. Kjo metodë përdoret veçanërisht në trajtimin e kancerit të prostatës, të uterusit, kokë-qafës, gjirit apo lloje të tjera”, – tha Spahiu. Sipas këtij të fundit, trajtimi i tumoreve me radioterapi mund të dëmtojë njëkohësisht edhe disa qeliza të shëndetshme, duke sjellë kështu efekte të padëshiruara për organizmin. Por këto efekte anësore varen nga doza e rrezatimit dhe nga shpeshtësia apo numri i seancave të radioterapisë. Por, radioterapia mund të sjellë edhe efekte akute që zhvillohen gjatë trajtimit dhe brenda 6 javësh nga përfundimi i trajtimit me RT. Këto janë efekte të pritshme, frekuente dhe të rikuperueshme. Ndërkohë, efektet Tardive zhvillohen brenda 6 muajve nga përfundimi i trajtimit dhe janë efekte okazionale, progresive, jo të rikuperueshme.

Radiodermatiti
Radiodermatiti përbën reaksione kutane të shkaktuara nga radioterapia si rezultat i përgjigjes inflamatore dhe dëmtimi i qelizave me profilerim të lartë. Rrezatimet e jonizuara dëmtojnë kapacitetin mitotik të qelizave staminale të shtresës bazale duke reduktuar procesin e ripopullimit qelizor, ndërsa humbja e qelizave bazale fillon kur arrihet një dozë totale prej 20-25 Gy. Reduktimi maksimal i këtyre qelizave arrihet në një dozë prej 50 Gy.

Parandalimi i efekteve anësore
“Sot kemi të disponueshme një sërë preparatesh që ndihmojnë në parandalimin dhe rikuperimin e efekteve anësore. Një nga këto preparate është dhe Radiogel”,-theksoi Spahiu në fjalën e tij. Radiogel është një preparat mjekësor formuluar specifikisht për parandalimin dhe trajtimin e simptomave të radiodermatitit si: dezidratimi, deskuamimi, eritema permanente, ndjesia e djegies, apo dhimbja apo djegia e lëkurës. Elementët aktivë të këtij preparati janë: Aloe Vera, Allantoin, Ginko Biloba, Beta Glukan, Vitaminë E dhe Acid hialuronik 0,5%.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.