Kryesore

Shifrat alarmante, prevalenca për të sëmurët me tumor rritet me 70%

14:35 - 25.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Brenda 12 vitesh, prevalenca për të sëmurët me tumor në vendin tonë është rritur me 70% e madje është vënë re që gjithnjë e më shumë po preket edhe grupmosha 20-40 vjeç. Këto shifra alarmante janë publikuar gjatë konferencës së radiologjisë dhe kimioterapisë të mbajtur dy ditë më parë, ku u diskutua edhe mbi mundësitë e kurimit me metodat e preparatet moderne. Në konferencë mbajti fjalën e saj dr. Silvana Çeliku, shefe e Onkologjisë në QSUT; dr. Ermira Vasili, shefe e Dermatologjisë si dhe dr. Orges Spahiu, shefi i radioterapisë në QSUT.




Statistikat
Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik që u referohen raportimeve spitalore tregojnë se prevalenca për të sëmurët me tumor është rritur nga viti 2002 në vitin 2014 me mbi 70%. Nëse në vitin 2002, për 10 mijë banorë u diagnostikuan 41 persona me sëmundje tumorale, në vitin 2014 të diagnostikuarit me këtë sëmundje ishin 73 persona (për 10 mijë banorë) pa përfshirë diagnozat e vëna nga qendrat ambulatore. Me mbi 60% janë rritur sëmundjet kardiovaskulare, teksa shihet rritje e sëmundshmërisë për të gjitha llojet e diagnozave. Por situata shihet të jetë përkeqësuar në shtimin e rasteve të kancerit. Burimet në onkologjik pohojnë se rastet me kancer janë dhjetëfishuar vitet e fundit dhe statistikat nuk janë të sakta. Shumë persona operohen dhe diagnostikohen jashtë, ndërsa ka shumë raste nga Kosova që trajtohen në Shqipëri.

Por, përpos numrit në rritje, mjekët janë të shqetësuar se po preket grup mosha e re 20-40 vjeç. Gratë shihet të jenë më të prekura. Tumoret e uterusit dhe të gjirit po përhapen shpejt dhe po zbresin në moshat e reja. Sipas të dhënave të ISHP-së, në vitin 2014, në 10 mijë gra, 88 prej tyre u diagnostikuan me kancer dhe në 10 mijë burra u diagnostikuan 58 me këtë sëmundje. Mjekët pneumologë pohojnë se janë shtuar dukshëm rastet e tumoreve të mushkërive, për të cilat bëjnë shkaktarë pirjen e cigares dhe ndotjen e mjedisit. Por, burimet nga Instituti i Shëndetit Publik kanë rezerva për statistikat, duke hedhur dyshime se shifra është shumë më e lartë për faktin se regjistri i kancerit nuk është funksional dhe shumë persona preferojnë të trajtohen jashtë vendit. Gjithsesi, të dhënat e gjetura tregojnë për një avancim të lartë të sëmundjes dhe mbi të gjitha në moshat e reja. 15% e të diagnostikuarve me kancer i përkasin moshës 35-44 vjeç, 26,7% i përkasin moshës 45-54 vjeç dhe 22% janë të moshës 55-64 vjeç.

Një dekadë më parë, përqindjet më të larta i kishin moshat mbi 60 vjeç. Në vitin 1990, Shqipëria krahasuar me vendet e tjera në rajon kishte një nivel të ulët vdekshmërie nga tumoret, me rreth 104 vdekje për 100,000 banorë. Në rajon po vihet re një ulje e vdekjeve nga neoplazmat gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri po ndodh një tendencë e kundërt, me një rritje të nivelit të vdekjeve prej rreth 20% në vitin 2010 krahasuar me vitin 1990.

Shkaktarët
Ndryshimi i stilit të jetesës në dy dekadat e fundit, përkeqësimi i fenomeneve të obezitetit, pirjes së duhanit, alkoolit, ndotjes së mjedisit dhe kequshqyerjes nga njëra anë dhe shërbimet e mangëta shëndetësore, nga ana tjetër e kanë bërë Shqipërinë vendin me barrën më të lartë të sëmundjeve në rajon. Ekspertët në Spitalin Onkologjik pohojnë se ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore janë faktorë përgjegjës për kancerin në rritje. Ata pohojnë se rastet më të shumta janë në zonat e ndotura të vendit sidomos në qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën, ku ka pasur ndotje në kohën e luftës. Në vendin tonë, kanceri mund të mbahet në nivele të ulëta nëse rritet kontrolli mbi sigurinë ushqimore, të frenohet duhanpirja dhe të ulet ndotja në mjedis, rekomandojnë mjekët. Nëse këta faktorë rreziku nuk frenohen, mjekët pohojnë se vitet e mëvonshme do të jenë një katastrofë në përhapjen e sëmundjes. Sëmundja e kancerit po bëhet gjithmonë e më shumë shkaku kryesor i mortalitetit. Ajo shfaqet në forma të ndryshme dhe me përgjigje të ndryshme ndaj trajtimit. Qelizat tumorale shumëzohen shumë më shpejt, krahasuar me qelizat normale të trupit të njeriut.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.