AKTUALITET

VIDEO/ Tjetër dështim i Antikrimit Ekonomik, lirohet ndërtuesi që mashtroi pronarët e tokës

20:16 - 25.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dorjana Bezat/ “Na e kanë vjedhur pronën në bashkëpunim me seksionin e Antikrimit Ekonomik në Policinë e Tiranës”. Kjo është lëngata e familjes Hametaj. Prej më shumë se 2 vitesh ata trokasin në dyert e Policisë së Tiranës dhe konkretisht në Seksionin e Krimit Ekonomik, i cili drejtohet nga Marsel Dulaj.




Ata kërkonin ndihmë për të zgjidhur konfliktin me ndërtuesin që u ka marrë pronën, dhe nuk u ka dhënë pjesën që u takon nga ndërtimi sipas kontratës.

Familja Hametaj tregon se policia jo vetëm nuk u ka zgjidhur konfliktin, por Marsel Dulaj është bërë palë me ndërtuesin Dritan Llanaj.

“Vetë na thanë “ua çfarë qenka bërë këtu”. Inxhinierit i thanë “inxhinier je për të vajtur në burg”. Kur sot ndërtuesi vajti në burg dhe doli. Ne po e shohim qartë që këtu e ka vjedhur pronën bashkë me grupin që ka patur”, thonë ata.

Specialistët e Krimit Ekonomik pas thirrjeve të pafundme të familjarëve Hametaj, kanë shkuar në objekt dhe kanë bërë një akt ekspertimi. Policët e dërguar në terren i kanë dhënë të drejtë familjes, por pas përfundimit të këtij akt ekspertimi, titullari i seksionit Marsel Dulaj nuk ua ka vënë në dispozicion familjes dhe as i ka takuar.

“I kemi thënë specialistëve të Krimit Ekonomik me detaje se çfarë ka ndodhur në pronën tonë. Pas pak kohësh kanë sjellë një grup inspektimi me specialistë të Krimit Ekonomik, dhe u bë një inspektim që nga themeli deri në çati, për ndërtim pa leje, dhe për të gjithë mungesën e dokumentacionit. Dhe sot e kësaj dite që flasim ne, ky akt ekspertimi nuk na është vënë në dispozicion nga Krimi Ekonomik”, thonë anëtarët e familjes Hametaj.

Denoncuesit pretendojnë se për t’u mbyllur gojën atyre dhe për t’ia kaluar topin Gjykatës, shefi i Krimit Ekonomik, Marsel Dulaj, ka arrestuar ndërtuesin, por e ka çuar pa prova për masë arresti në Gjykatë. Kjo e fundit e ka zhvlerësuar menjëherë masën e kërkuar, duke kaluar në ekstremin e “detyrimit për paraqitje” dy herë në muaj në Prokurori.

“Diku mbas 10 ditësh Gjykata e lëshoi. Mesa dimë ne me ‘detyrim paraqitje’, se provat që ka çuar policia nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar paligjshmërinë”, thonë ata.

Ky është rasti i dytë i një dështimi të bujshëm të sektorit të Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Tiranës. Pak ditë më parë, Gjykata dhe Prokuroria shfrynë tullumbacen e kontrabandës së kafesë dhe cigareve. I trumbetuar si një operacion pjesë e “Forcës së ligjit”, ai rezultoi nul, pas lirimit të të arrestuarve dhe mungesës së provave.

Burimi: BalkanWeb


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.