Homo Albanicus

Të gjithë kundër Arben Derhemit & Co, po a janë fajtorë artistët?!

19:54 - 29.06.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka mjaftuar një foto e dy ditëve më parë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që tre zëra të njohur të teatrit shqiptar të mbesin në fokusin e të gjithë medias dhe kritikëve të panumërt, për fatin e Godinës. I kanë akuzuar me lloj përcaktimesh, ndërsa rolin e anatemuesit e kanë marrë lirisht një masë e madhe duke i kryqëzuar përdhunshëm. Arben Derhemin, më së shumti. Kjo për shkak edhe të një atributi, që mban ky i fundit, si drejtues i një shoqate artistësh. Por, edhe për artikulimet e tij, me tone të larta, ku ndonjëherë për mungesë takti e ka përmendur teatrin si atribut vetëm të “tironsve”…




Nuk ka humbur asnjë dekik Kryetari i Bashkisë së Tiranës, që në stilin e vet, e ka bërë të njohur blitz takimin me Derhemin, Alfred Trebickën dhe Altin Bashën, ku ka deklaruar se është njohur e kanë refektuar me sugjerimet e tyre, e menjëherë pak orë më vonë dhe një set fotosh me një grup artistësh të tjerë te Kompleksi i Arenës Kombëtare. Në materialet mediatike të Bashkisë, kjo do të thoshte hapur dhe qartë: se u reflektuan kërkesat e artistëve dhe se palët u ujdisën. Madje, u tha se ato u manifestuan edhe në projekt-ligj. Të gjithë mbetën të kënaqur.

Kjo ka qenë goditja e madhe kur kujtoje përplasjet e takimit të parë të artistëve me Veliajn dhe notat e larta të syreshëve të pranishëm. Për palët ka qenë një kërcim pindarik, qoftë në kinse lëshimin e kryebashkiakut dhe në tërheqjen e artistëve, për teatër të ri, por brenda hapësirës së Teatrit ekzistues. Në dukje të gjitha palët ishin të nderuara dhe në sinorët e tyre, porse duhet sqaruar se kjo ka lënë pjesën më të madhe të komunitetit mbështetës të zhgënjyer. Mes tyre dhe vetë artistët, protagonistë në takimin e fundit me Veliajn, që e kanë ndjerë veten të përdorur keqazi.

“Falë kontributit të secilit kemi një marrëveshje më të mire dhe jemi sot gati të nisim negociatat për një Teatër të ri Kombëtar!” shkroi Veliaj, por që në fakt, s’ka marrë të njëjtën përgjigje nga Derhemi i pranishëm.

Dhe sa të hapësh e të mbyllësh sytë, Qeveria shqiptare dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj “me procedurë të përshpejtuar” për të dhënë me koncesion jashtë konkurrimit 8,465 metra katrorë tokë publike në qendër të Tiranës një firme private. Toka është shumë nën kosto, referuar vendimit gjithashtu të shpejtuar të qeverisë “Rama” e llogaritjen për 500 milionë lekë, gati 470 euro për metër katror, në një zonë ku referohen shumë të stërmëdha, e ku p.sh. një apartament i zakonshëm kushton mbi 2500 euro për metër katror, ndërsa një dyqan për 5 apo 6 mijë euro për metër katror.

Ajo që është kuptuar menjëherë nga të kthjelltit ishte se Projektligji i qeverisë pothuaj s’ndryshon fare nga varianti fillestar, pavarësisht se kryetari Veliaj, pas “konsultimeve”, deklaroi të mërkurën se kishte arritur një marrëveshje me artistët protestues, e cila sipas tij do të reflektohej në dokument. Ky ishte momenti që u derdh inati me artistët dhe mbi kurrizin e tyre vërshuan lloj-lloj sharjesh dhe ofendimesh.

“Mea Culpa” e Derhemit do ishte më shumë akuzë dhe sqarim për qëndrimin e tij dhe njerëzve të tij: “Për të gjithë ata që më njohin dhe ata që s’më njohin ose nuk duan të më njohin. Për të gjithë ata që janë të interesuar për godinën e Teatrit dhe fatet e teatrit por edhe për ata që nuk ju intereson se as kanë qenë në Teatër dhe as ka për t’ju rënë rruga ndonjëherë këndej…Për të gjithë ata që më njohin si Arben Derhemi dhe ata që nuk më njohin si aktor teatri…për ata që mendojnë se unë jam koka e protestës dhe për ata që mund të më paragjykojnë si një person me status që mund të firmos marrëveshje…Ju lutem pak durim dhe urtësi, kuptoni që negocimi, takimet, bisedat apo ballafaqimet janë thjesht elemente të një dialogu shoqëror dhe institucional që të mbrohet teatri, kujtesa historike, qyteti dhe memoria institucionale…Mos më bëni kaq të fuqishëm duke me veshur kompetenca dhe atribute apo sovranitete të deleguara për të firmosur marrëveshje…Madje edhe në rolet skenike që kam luajtur nuk e kam pasur ndonjë personazh të tillë të përafërt që firmos marrëveshje…Pak durim ju lutem dhe më shumë përgjegjësi qytetare dhe shoqërore…Asgjë nuk bëhet në një ditë përveç marrëzive…Ju faleminderit nëse së paku më lexoni dhe shumë faleminderit nëse edhe më kuptoni” ka shkruar Arben Derhemi.

Në fakt, vetë çështja e teatrit e tejkalon shumë thjesht ngrehinën. Ajo ka treguar krizën mes artistëve, artit dhe mënyrën sesi menaxhohet kultura shqiptare. Artistët, paçka qëndrimeve, me mendimet laramane të shprehura, kamufluar me artikulime patetike; flirtet e frikshme me politikën; protagonizmin me interes të lloj-lloj njerëzve dhe mbi të gjitha forcën e pushtetit për të ndryshuar gjithçka, kanë treguar se niveli i debatit intelektual tek ne është ende në nivele të dobëta. Kurse autoritetet shqiptare janë treguar të nxituara, për të mos përdorur fjalë të tjera, që artistët të reflektonin.

Nga ana tjetër, çdo arkitekt do e kishte për nder që ta ruante formën e teatrit ekzistues (paçka sa modest është) dhe të abstragonte në formë me këtë ngrehinë ekzistuese duke e rikonstruktuar e na dhuruar një përsosje të asaj që kemi. E mbi të gjitha, i gjithë ky proces, më shumë sesa kundërvënie ndaj teatrit përbën përgjigjen e institucionit demokratik të ruajtjes së traditës së Tiranës së vjetër. Edhe pak kohë dhe nga Tirana jonë, përveç godinave të modifikuara të ministrive, godinës së Bashkisë dhe Korpusit nuk do mbesë asgjë e traditës. Politika, duke na mohuar traditën në partneritetet e vazhdueshme të mbyllura jo mirë me privatin, ka gjasë t’ia humbë identitetin Tiranës. Ca më shumë, Kullat janë aty sërish dhe pas marrëveshjes së kontestuar me artistët.

Pikërisht, këtë është munduar të shprehë në formën e tij Arben Derhemi në këtë kohë me kolegët e tij, porse për fat të keq, të pamësuar me manovrimet e politikës shqiptare, ata kanë rënë vetë pré e asaj që është dëshiruar. Gjithsesi, Derhemi dhe pak kolegët e tij duhen vlerësuar sepse krijuan një kauzë, ku publiku shqiptar mësoi realisht qasjen e pushtetit me pronën publike dhe si mund të mbrohet, por më shumë akoma mbajtën një protestë për kohë të tëra. Nuk është vetëm faji i tyre i rrjedhave që po merr fati i teatrit, porse është vetë shqiptari, ku lulëzon kaq lehtë e keqja, që të gjithë institucionet që kanë mundësinë e vendimmarrjes të bëjnë çfarë të duan. E më tepër nuk është faji i tyre, që në këtë luftë krejt të panjohur për ta, ata u bënë objekt i atavizmave ku njerëzit tanë shfrynë të gjithë mllefin e tyre.

Po a janë vërtetë fajtorë ata? Në Teatrin Kombëtar është një peticion për t’u mos u prishur Godina, ku çdo kush mund të tregojë qasjen e tij, në këtë dokument publik, që tashti gjithsesi është i vogël para inercisë së vendimit për ta transformuar këtë tokë. Gjithsesi, Derhemi dhe kolegët e tij e bënë të tyren… sipas mënyrës së tyre. /Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare/


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. FAJTOR Jane perderisa debatin e kishin destruktiv. Deri ne piken kur nje debat reziston per te permiresuar cilesine e projektit eshte nje debat i domosdoshem. Por kur nje debat ka per qellim bllokimin dhe shkaterrimin e cdo ideje e projekti te rendesishem, atehere kemi te bejme me nje shpirt ligesi qe nuk duhet toleruar.

    Përgjigju ↓