Opinion-Komente

Kambanat bien për multilaterizmin

07:40 - 06.07.18 Jorgji KOTE

E kush nuk e dëgjoi jo thjesht kumbimin, por gjëmimin e këtyre kambanave politike ditët e fundit në Berlin dhe në Mynih kur CDU/ CSU, dy parti historike për pak sa nuk e prishën “Unionin” ose bashkimin e tyre historik. Grindjet dhe zhurma shurdhuese dyjavore nuk ishte aspak “luftë bërrylash” për pushtet, ndërsa kriza e azilit ishte vetëm “gjethe fiku”. Aq më tepër kur dy vitet e fundit në Gjermani ka një rënie mbi 70 për qind të numrit të azilkërkuesve. Në fakt, thelbi i tensionimit të paparë ndërmjet këtyre dy partive me vokacion të theksuar evropian kishte të bënte me prirjen për zgjidhjen e krizës së azilit me frymë dhe marrëveshje evropiane/shumëpalëshe (multilaterale) nga CDU e kancelares Merkel dhe zgjidhjes së njëanshme (unilaterale) të CSU-së bavareze. Madje, në kulmin e kësaj krize, kryeministri bavarez, Markus Soder kishte deklaruar se “multilaterizmit po i vjen fundi”.
Gjithashtu, siç ishte nënvizuar në shkrimin tonë më 21 qershor “Divorc me simotrën bavareze apo fundi politik i Merkel”, lidershipi bavarez shpresonte me këtë rast të fitonte dhe kapitalin e humbur elektoral në zgjedhjet lokale të muajit tetor. Falë vendosmërisë dhe lidershipit të kancelares Merkel, u shmang rënia e koalicionit qeveritar dhe mbrojt me kurajë politike edhe fryma e multilaterizmit.
Jehona e këtyre kambanave është vërtet alarmuese, sepse nuk bëhet më fjalë për deklarime të çastit e në ndonjë vend apo dy, por për hapa e veprime konkrete dhe të vazhdueshme për denoncimin e jo pak traktateve dhe organizatave shumëpalëshe ose multilaterizmit, diçka e paparë në 70 vitet e fundit në Evropë dhe më gjerë.
Kështu, disa ditë më parë Rusia paralajmëroi se mund të largohet nga Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCË) pas një votimi javët e fundit lidhur me përdorimin e këtyre armëve në Siri.
Dihet se prirjet e vendimeve të njëanshme morën hov pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Trump. Rasti më i freskët daton më 20 qershor kur ajo shpalli tërheqjen nga Këshilli të Drejtave të Njeriut të OKB-së me seli në Gjenevë me 47 anëtarë.
Ky vendim pason denoncimin e Traktatit Ndërkombëtar të Klimës së Parisit, atij të Tregtisë së Lirë, vendosjes së njëanshme të tarifave mbi importet e çeliqeve dhe aluminit dhe Marrëveshjen Bërthamore gjashtëpalëshe me Iranin.
Ndërkohë, krahas përplasjeve me BE-në dhe ndonjë aludimi për rishikimin e pozicionit amerikan në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) shqetësime të kësaj natyre ka edhe në raportet SHBA-NATO. Le të shpresojmë se Samiti i NATO-s javën e ardhshme do të ndihmojë në krijimin e një frymë të re afirmuese bashkëpunimi të Aleancës Transatlantike.
Krahas multilaterizmit në përgjithësi, kambanat e alarmit po bien gjithnjë e më fort dhe për vetë Bashkimin Evropian, mbijetesën dhe të ardhmen e tij politike. Brexit ishte arritja e parë e euroskeptikëve, edhe pse ajo mund të rezultojë si “fitorja e Pirros”. Mesazhe të tilla shqetësuese po vijnë edhe nga vendet e Grupit të Visegradit, ndonëse liderët e tyre janë treguar të kujdesshëm duke thënë se “nuk janë kundër BE-së, por për ta ribërë atë”. Në ballë të fushatave agresive lobuese kundër multilaterizmit janë vënë dukshëm forcat populiste dhe ekstremiste në disa vende perëndimore, duke përfshirë dhe ato themeluese të BE-së, si Gjermania, Franca, Holanda dhe së fundi Italia. Kështu, Lideri i “Lega Nord”, ministri i ri i Brendshëm italian, Matteo Salvini e tha troç sapo hyri në zyrë se, “Pas një viti do të shohim nëse do të ketë Evropë të Bashkuar ose jo”. Gjithnjë e më shumë po dëgjohet refreni i “korit” politik në rritje kundër Traktatit të Dublinit lidhur me pritjen dhe trajtimin e azilantëve dhe financimin e këtij procesi nga BE-ja.
Ashtu nën zë dhe si pa u kuptuar, kësaj rryme po i bashkohet dhe Holanda. Muajt e fundit ajo i ka thënë prerë “Jo” shtimit të buxhetit të ri të BE-së, krijimit të një autoriteti financiar evropian dhe së fundi, çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë gjatë këtij viti. Ndaj, jo rastësisht Hagës po i referohen dhe si “Mister No Europe”. Dukuri tjetër intriguese në disa vende anëtare është prirja e mbivlerësimit të karakterit ndërqeveritar (kombëtar) të BE-së në dëm të aspektit supranacional; ky i fundit përbën specifikën dhe avantazhin kryesor të BE-së krahasuar me organizata të tjera ndërkombëtare. Shembulli më i freskët në këtë drejtim ishte hedhja praktikisht poshtë e Rekomandimit të Komisionit Evropian për çeljen e menjëhershme dhe pa kushte të negociatave të anëtarësimit me vendin tonë dhe sidomos vendosja e procedurës së miratimit të çeljes së tyre tashmë nga secili parlament i vendeve anëtare, sikur të mos mjaftojë Parlamenti dhe Komisioni Evropian! Pa mohuar “gjynahet” tona të analizuara në shkrimet e mëparshme dhe një perceptim përgjithësisht jo të pëlqyeshëm publik në ato vende, le ta themi hapur se vendet skeptike nuk i hante aq shumë meraku për meritat dhe reformat tona se sa shfrytëzimi i rastit më të parë për t’i treguar “muskujt” Komisionit Evropian supranacional se “jemi ne këtu, populli i vendeve anëtare që vendos dhe jo establishmenti dhe burokracia e Brukselit”. Në fakt, ky mesazh pritet të jetë kryefjala e zgjedhjeve të reja evropiane 2019 e forcave nacionaliste dhe populiste dmth., zhveshja e BE-së nga komponenti multilateral/supranacional dhe fetishizimi i elementit ndërqeveritar/kombëtar. Zgjerimi i mëtejshëm i këtyre prirjeve të njëanshme do të vinte seriozisht në rrezik serioz gjithë sistemin e marrëdhënieve shumëpalëshe. Mirëpo ky i fundit përbën themelin e rendit të ri botëror të krijuar pas Luftës së II Botërore; dihet se multilaterizmi erdhi si domosdoshmëri jetike për shmangien e luftërave, mbrojtjen dhe zhvillimin e paqes dhe stabilitetit në botë. Përvoja ndërkombëtare ka dëshmuar bindshëm se fetishizimi i shteteve kombëtare, vendosja e interesave të tyre mbi gjithçka shoqëruar me përshkallëzimin e nacionalizmit, populizmit dhe ekstremizmit, me gjithë arritjet dhe sukseset fillestare kanë pasur fat tragjik; ishin ato që çuan në lindjen dhe përshkallëzimin e fashizmit, nazizmit dhe komunizmit e për pasojë në të dyja luftërat më të përgjakshme botërore.
Ja pse, mbi 7 dekada më parë, baballarët e Evropës së bashkuar menduan se rendi i ri botëror duhej të mbështetej jo më në parimin se ka të drejtë më i forti, pra jo më “në të drejtën e forcës së njëanshme”, por në “forcën e së drejtës ndërkombëtare”, jo në grindje e përplasje dypalëshe, por në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar. Mirëpo funksionimi i këtij rendi të ri botëror u bë i mundur sepse për të mbrojtur dhe zhvilluar vlera dhe interesa shumë më të gjera dhe afatgjata, një numër shumë i madh shtetesh “dorëzuan” vullnetarisht një pjesë të sovranitetit dhe vendimmarrjes së tyre tek institucionet ndërkombëtare politike, ekonomike, sociale, juridike, ushtarake, kulturore etj., me në krye Kombet e Bashkuara. Krijimi më vonë i Bankës Botërore, FMN-së, Këshillit të Evropës, BE-së, OSBE-së etj., ishin rrjedhojë logjike e kësaj domosdoshmërie historike.
Vlerat dhe përparësitë e sprovuara të multilaterizmit janë të shumta e të gjithanshme. Veç garancive për shmangien e luftërave dhe konflikteve dypalëshe/rajonale dhe ndërmjetësimit për zgjidhjen e krizave të ndryshme, ato krijojnë një kuadër të njehsuar ligjor të detyrueshëm për çdo vend; ato krijojnë truallin dhe platformat e nevojshme qoftë dhe informale për shkëmbime idesh, mendimesh dhe përvoje, si psh., Forumi Botëror i Davos, Konferenca e Sigurisë në Mynih e të tjera. Më tej, ato krijojnë kanale të dobishme në komunikimin ndërkombëtar nëpërmjet takimeve dhe forumeve periodike, çka çon në rritjen e mirëkuptimit ndërmjet vendeve, si baza e besimit dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm. Prania në këto organizata dhe forume rrit imazhin dhe besueshmërinë te partnerët, si në rastin e aderimit tonë në NATO, negociatat e anëtarësimit me BE e të tjera.
Plus që dokumentet e organizatave ndërkombëtare shërbejnë dhe si burime të padiskutueshme referimi në raste të ndryshme keqinterpretimesh dhe mospajtimesh, si OSBE-ja, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, OECD-ja etj. Njihet tashmë roli i padiskutueshëm i ODIHR në monitorimin e zgjedhjeve, duke u dhënë vulën e besueshmërisë dhe të legjitimitetit.
Avantazh tjetër i madh i traktateve dhe marrëveshjeve shumëpalëshe është se aty janë bashkuar vende me sisteme të ndryshme politike dhe sociale, që në plane të tjera do ta kishin të pamundur komunikimin dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre.
Nga ana tjetër, është e vërtetë se organizatat dhe marrëveshjet shumëpalëshe kanë pasur dhe jo pak dështime e gabime. Kryesorja, nga projekte frymëzuese politike, ekonomike dhe sociale, e kanë tepruar me hyjnizimin e rregullave dhe procedurave burokratike, duke u kthyer siç thotë politologu amerikan David Graber, në “perandori rregullash të ngurta”; për pasojë, në vend që të lehtësojnë jetën e përbashkët, ato e kanë vështirësuar atë. Shtimi i papunësisë kronike, varfërisë, skamjes, dhunës, pasigurisë etj., janë rrjedhoja të drejtpërdrejta dhe të sistemit shumëpalësh, paaftësisë së tij për t’iu përshtatur situatave të reja dhe shkëputjes nga realitetet e përditshme.
Problemi është se këto mungesa dhe mangësi, në vend të analizave tërësore, vetëm se po amplifikohen në mënyrë abuzive nga forcat nacionaliste dhe populiste, duke injoruar çdo anë të mirë dhe pozitive të tyre. Agresiviteti dhe zhargoni i drunjtë në këto raste shpjegohet me ngutjen e tyre për të denoncuar dhe mohuar multilaterizmin si sistem, ose të paktën një pjesë të tij që u prish punë. Vetëm kështu forcat populiste mund të kenë sukses në joshjen e turmave. Sepse thelbi i aktivitetit nacionalist dhe populist është ndarja e papajtueshme në “ne dhe ata” “ne dhe elitat kombëtare” ne dhe organizmat ndërkombëtare, sidomos FMN, Banka Botërore, Banka Qendrore, Brukseli, “ne dhe kapitalizmi financiar” etj.
Kësisoj, synohet t’i çelet gradualisht rruga deligjitimimit dhe kur të vijë rasti, çmontimit të multilaterizmit në segmentet e tij më vitale.
Mirëpo, këto tentativa bien ndesh hapur me globalizmin si tipari mbizotërues i jetës ndërkombëtare. Padyshim që kushdo, edhe SHBA, si themeluesi dhe sponsori kryesor me kontribute të pallogaritshme historike edhe në fushën e multilaterizmit është në të drejtën e tij që të kritikojë dhe të shprehë në çdo kohë kundërshtime parimore ndaj traktateve ndërkombëtare dhe partnerëve të veçantë, siç ka bërë dhe më parë, por jo duke u larguar, duke zbehur e ca më pak duke çuar në çmontimin e multilaterizmit; por duke e përmirësuar dhe reformuar thellë atë në të gjithë komponentët e tij me një bashkëpunim luajal me të gjitha palët e interesuara dhe kurrsesi me vendime të njëanshme. Kjo përqasje përbën dhe ADN-në e multilaterizmit. Madje, edhe kur mund të jenë shteruar rrugët dhe mjetet e tjera, problemet, mangësitë dhe krizat mund të trajtohen dhe zgjidhen drejt nëpërmjet kanaleve dhe demarsheve diplomatike dy dhe shumëpalëshe; natyrisht kjo kërkon kohën dhe hapësirën e vet, larg presioneve dhe ultimatumeve të njëanshme politike.
Veç sa sipër, reformimi, ose çimentimi dhe jo çmontimi i multilaterizmit bëhet edhe më i nevojshëm tani për shkak të krizave dhe sfidave serioze shumëdimensionale me të cilat ballafaqohen shumë vende dhe organizma ndërkombëtare. Sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, ndryshimet klimatike, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, azilin, emigracionin, terrorizmin ndërkombëtar, etj. Këto dhe të tjera sfida globale nuk mund të trajtohen e ca më pak të zgjidhen vetëm nga një apo disa vende, sado të mëdha e të fuqishme qofshin, pa bashkëpunimin e gjithë komunitetit ndërkombëtar dhe për rrjedhojë, forcimin e multilaterizmit.
Ndaj, me të drejtë, Presidenti Makron theksoi në fjalën e tij përpara Kongresit Amerikan në muajin prill se “sot kërkohet një model multilateral i ri, efektiv, i përgjegjshëm dhe i orientuar më shumë nga rezultatet që të respektojë, mbrojë dhe lejojë shkëmbimin e lirshëm të kulturave dhe identiteteve tona”.



Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CLOSE
CLOSE