Intervista

Eugen Kallfani: Për Beratin e UNESCO-s

18:00 - 07.07.18 Gazeta Shqiptare

Fatmira Nikolli – “Nëse Pjetri i madh i Rusisë e pa Europën nga një dritare e Petërburgut, ju shqiptarët e shihni atë nga një mbi një dritaret e qytetit të Beratit”- Terri Dejvis, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, shtator 2005.



10 vite më parë, Berati do të bëhej pjesë e UNESCO-S në një sesion të mbajtur në Kebek të Kanadasë. 10 vite më pas, Eugen Kallfani, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare flet për sfidat që ka para: nga shtëpitë në rrezik te kishat e mbyllura, nga plehrat që nuk mbarojnë te kabllot elektrike që përdridhen si gjarpërinj.

– Berati feston këto ditë 10-vjetorin e hyrjes në UNESCO. Me gjithë promovimin e bërë dhe rritjen e numrit të turistëve, në qytetin e vjetër ka ende shumë probleme, që lidhen kryesisht me shtëpitë karakteristike, një pjesë e të cilave rrezikojnë të shemben. Çfarë masash ka marrë DRKK e Beratit dhe a po ndërhyhet me restaurime në këto vlera të trashëgimisë kulturore?

DRKK Berat ka nën juridiksionin e vet 478 monumente kulture që ndodhen në të gjithë qarkun mes të cilave 421 janë banesa, kategoria e I dhe e II. Për sa i përket restaurimit të banesave sipas ligjit në fuqi për banesat e kategorisë së parë DRKK financon 50% të investimit ndërsa për banesat e kategorisë së dytë 30% të financimit. Ne gjatë një viti ndërhyjmë në disa monumente, kjo edhe falë fondeve që kemi në dispozicion dhe fuqisë punëtore sipas strukturës aktuale. Jemi të predispozuar të ndërhyjmë në ato monumente që e kanë më emergjent restaurimin duke i shpëtuar nga degradimi i mëtejshëm. Sigurisht që kaq nuk mjafton, por trashëgimisë kulturore po i jepet një rëndësi e veçantë gjatë këtyre viteve ndaj ne jemi optimistë që shumë më shumë do të bëhet në vazhdim. Tashmë Berati ka disa vjet që është kthyer në një qendër historike ku po punohet me një strategji shumë të qartë e cila ka në themel bashkëpunimin shtet-privat. Dera e zyrës së ateliesë qëndron e hapur për çdo qytetar dhe mund të them se që nga 2014 e deri tani janë kryer punime restauruese dhe mirëmbajtjeje në mbi 40 monumente. Ndër më kryesoret, Ura e Goricës, Ura e Velabishtit, Ura e Kasabashit në ndërhyrje pjesore, Kisha e Shën Vangjelizmoit, Kisha e Shën Triadhës, Afresku i kupolës së kishës së Sh. Triadhës, e dhjetëra banesa. Restaurimet kanë vijuar dhe me veprat e artit, në ikona e në afreske. Kemi hartuar mbi 12 projekte këto 3 vitet e fundit dhe kemi bërë të mundur të ekspozojmë ikonat në bashkëpunim me muzeun ikonografik “Onufri” duke ngritur pavionin “Thesaret e fjetura”. Po punohet aktualisht për restaurimin e Xhamisë “Mbret”, xhamisë së “Beqarëve”, Teqesë “Helveti” me financim të TIKA por me një bashkëpunim shumë të ngushtë me Institutin e Monumenteve, ku kemi kontribuar në ndjekjen e punimeve, hartimin e projekteve dhe mbarëvajtjen e një procesi rrënjësor restaurimi, i cili do të mbyllet brenda vitit 2019.

– Përpos restaurimeve që ju përmendni, këto banesa kanë edhe probleme me furnizimin me ujë 24 orë, çka do të hiqte përfundimisht rezervuarët e ujit mbi shtëpitë e vjetra. Mbi këto shtëpi sytë të shohin po aq edhe kabllot elektrike, që estetikisht nuk qëndrojnë me ansamblin. A ka ndonjë projekt për zgjidhjen e kësaj problematike?

Është shumë e vërtetë që prezenca e kabllove elektrikë ndikon negativisht qoftë nga ana vizuale por edhe nga rreziku që ato mbartin për rënien e zjarrit. Me Bankën Botërore po kërkohet të ndërhyhet me një projekt fillimisht në lagjen Goricë e më pas në lagjet e tjera në mënyrë që e gjithë linja ajrore të kalojë nën tokë, të kemi ndriçim muzeal profesional, rikonstruksion për rrjetin e ujit të pijshëm, kanalizimeve dhe më pas restaurimin e gjithë kalldrëmeve në Goricë.

Për sa i përket ujit të pijshëm është po ashtu një problem por që duhet të marrë zgjidhje nga pushteti lokal, pra, bashkia duhet ta ketë prioritet këtë pjesë pasi eliminimi i rezervuarëve të ujit është një zgjidhje që duhet të jepet në një afat kohor afatmesëm dhe pse jo afatshkurtër. Kërkohen investime shumë të mëdha që në burim, rrjeti në Mangalem është i gjithi i ri në fakt sepse u rindërtua por furnizimi me ujë 24 orë është një çështje që i takon pushtetit lokal. Ajo që mund të them është që nuk mund të pretendojmë turizëm elitar nëse nuk kemi furnizim me ujë 24 orë, nëse nuk eliminojmë kabllot elektrike, nëse nuk kemi lagje të pastra apo nëse nuk u japim lehtësira bizneseve për parkimin.

– Pastërtia. Si në shumë qytete e destinacione turistike të vendit, edhe në Berat mbeturinat shpeshherë i gjen ngado. Sa ndikon kjo panoramë tek turistët? Dhe a mund të ndërhyjë DRKK, apo është problem që i takon vetëm Bashkisë?

Është një problematikë me të cilën ne përballemi çdo ditë në qytet. Pastrimi i ambienteve nga mbetjet nuk është në detyrat e DRKK-së, megjithatë ne përpiqemi vazhdimisht me aq mundësi sa kemi për të mbajtur një ambient të pastër. Së fundmi, kemi të përcaktuar nga Ministria e Kulturës edhe një punonjës sezonal për Kalanë, i cili merret me mirëmbajtjen e ambienteve dhe pastrimin nga vegjetacioni.

Kemi kërkuar shpesh herë edhe zyrtarisht bashkëpunim nga Bashkia Berat që të ndërhyjë më shpesh për pastrimin e ambienteve në Kala dhe në dy lagjet e tjera muzeale, sidomos gjatë sezonit. Një ambient i papastër nuk është aspak mikpritës e mbi të gjitha nuk i lë shije të mirë askujt, ndaj zgjidhja është që Bashkia të përcaktojë një itinerar të përditshëm pastrimi në ambientet më të vizituara të qytetit me qëllim ofrimin e një panorame të pastër për turistët. Pastrimi është një shërbim sikundër për gjithë qytetin ashtu edhe për lagjet muzeale, madje aq më tepër për lagjet muzeale. DRKK Berat administron asetet e trashëgimisë nga pikëpamja e mirëmbajtjes dhe restaurimit por nuk është përgjegjëse për pastrimin nga mbetjet urbane. Gjithsesi, nuk mund ta heqim veten mënjanë, ndaj me fuqinë punëtore që kemi jemi përpjekur të ndihmojmë sa më shumë. Duhet të kuptojmë që pastrimi është shërbim që qytetari dhe biznesi e paguajnë si taksë. Nga ana tjetër, edhe qytetarët kanë pjesën e vet të fajit sepse shpeshherë vihet re një mungesë kulture dhe bashkëpunimi për ambientin përreth. Ne shumë herë kemi kryer fushata sensibilizuese me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, me shkollat, etj. Në gjykimin tim, duhet të ketë ndëshkim me gjobë nga policia bashkiake për ndotësit e ambientit në lagjet muzeale. Nuk mjafton vetëm sensibilizimi.

Megjithatë, për të mos e parë situatën vetëm bardhezi, duhet thënë që janë bërë edhe disa hapa pozitivë në këtë drejtim e kjo nuk duhet mohuar. Unë përfitoj nga rasti të ftoj Bashkinë për bashkëpunim më të madh në këtë aspekt. Nuk jemi për të thënë që çfarë është muzeale është nën administrimin tonë dhe ata s’kanë përgjegjësi apo e kundërta. Turizmi kërkon koordinim, bashkëpunim ndaj ne kemi nevojë që të lidhim marrëdhënie reciproke. Kohët e fundit në prefekturë është ngritur një komision i posaçëm i cili mblidhet periodikisht për probleme të tilla dhe duhet thënë se gjuha e bashkëpunimit është gjendur dhe disa problematika kanë gjetur zgjidhje.

– Me gjithë këto probleme që sapo përmendët, UNESCO duket se e ka bërë në këto 10 vite punën me promovimin e qytetit. A është shtuar ndjeshëm numri i turistëve sipas të dhënave që keni dhe të cilës kombësi janë vizitorët më së shumti?

Vizitorët në Berat kanë njohur një rritje të konsiderueshme krahasuar jo vetëm me disa vite më parë por edhe me vitin e shkuar. Për periudhën Janar-Qershor, pra për 6 mujorin e parë të vitit 2018, sipas statistikave zyrtare kanë ardhur 56.600 vizitorë në Kalanë e Beratit, nga të cilët 20.140 kanë qenë vizitorë të huaj dhe pjesa tjetër vendas dhe nxënës. Nëse bëjmë një krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar rezultojnë 22.833 vizitorë më shumë, një shifër kjo që tregon se Berati vit pas viti po kthehet në një destinacion turistik kulturor shumë të preferuar. Turistët e huaj vijnë më shumë nga vende, si: Polonia, Franca, Turqia, Gjermania, Italia, Greqia, etj.

– Dhe çfarë i josh më tepër këta turistë të huaj në Berat, ç’zonë vizitojnë më tepër?

Një nga gjërat që turistëve u bën më shumë përshtypje është historia e qytetit, Kalaja, banesat dhe arkitektura e spikatur e tyre, pa lënë pas mikpritjen dhe kulinarinë. Turistët e huaj vlerësojnë shumë edhe bashkëjetesën fetare, sepse për hir të së vërtetës, rrallë ndodh që të shohësh në një qytet kaq të vogël kishat dhe xhamitë te cilat qëndrojnë kaq pranë njëra- tjetrës…

– Megjithatë, gjatë vitit, disa kisha që ndodhen në Kala janë të mbyllura për turistët. A është menduar për hapjen e tyre, të paktën gjatë sezonit të verës?

Në vijim të komunikimit të Ministrisë së Kulturës me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë lidhur me mundësinë e koordinimit të vizitueshmërisë në monumente të kulturës (kisha), të cilat janë në administrim të këtij komuniteti, në kuadër të sezonit turistik veror dhe lehtësirat e vizitorëve ne kemi publikuar edhe në faqet tona zyrtare oraret në të cilat Kishat janë të hapura gjatë ditës si edhe numrat e kontaktit të personave kujdestarë. Disa nga Kishat që do të qëndrojnë të hapura gjatë sezonit janë: Kisha e Shën Spiridhonit, Shën Thomait, Shën Mëhilli, Shën Mëri Vllaherna, Shën Kolli, etj.

 

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

  1. Z.E.Kallfani ka kryer nje pune per t’u lavderuar sa ka ardhur ne drejtimin e institucionit. Duhet te jepen me shume fonde nga qendra dhe Bashkia duhet te jete me bashkepunuese me Inst. e Monumenteve per te patur arritje te met
    ejshme. Ndertimi i segmentit rrugor Berat-Memaliaj do ta shumefishonte ne permasa te paimagjinueshme numurin e turistave te huaj dhe shqiptare ne qytetin e Beratit dhe si rrjedhoje edhe buxhetin dhe mireqenien e banoreve. Cfare po ben qeveria? A do ta ndertoje kete segment rrugor te premtuar nga S.Berisha por te paplanifikuar ende nga E.Rama? Pse shihet Berati me syrin e njerkes dhe jo me syrin e nenes si Vlora, Korca, Gjirokastra, Durresi etj.

    Përgjigju ↓