OPINION

Teatri absurd dhe transparenca e munguar e partisë-shtet

07:45 - 09.07.18 Rezana Konomi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sa herë ndodhin ngjarje dhe fakte të cilat zgjojnë opinionin publik kam reaguar dhe ndoshta dhe në mënyrë instiktive kam hedhur rreshta, duke u munduar të ndaj shqetësimin tim qytetar me të tjerët, por sidomos për të ballafaquar opinionet personale, si një mënyrë konfirmimi ose jo të ideve që vijnë dhe ikin sipas rastit.




Shpesh ka ndodhur, sidomos kohët e fundit që ngjarjet dhe dukuritë kanë një shpeshtësi të tillë sa nuk arrijmë të kuptojmë çfarë ka ndodhur me të parën, sepse radha e së dytës nuk lë vend për hamendësime dhe “teori konspirative”, për të cilat të gjithë jemi të gatshëm të thurim plane dhe të nxjerrim përfundime të vërteta ose jo.

Debati aktual për prishjen apo mosprishjen e Teatrit Kombëtar sa i hershem, aq edhe aktual nuk është çështja e vetme e ditës, e cila ka zgjuar vetëdijen qytetare, por më shumë se kaq ka nxjerrë në pah një problematikë që lidhet me transparencën e munguar të pushtetit në vendimmarrjet, të cilat kanë një interes publik dhe për këtë shkak llogaridhënia dhe informimi merr një rëndësi parësore në një shtet demokratik.

Parimi i transparencës është një domosdoshmëri në një shtet të së drejtës, një detyrim jo vetëm moral kundrejt sovranit, por mbi të gjitha është një detyrim ligjor.

Në çështjen e ditës të prishjes ose jo të Teatrit Kombëtar, në mungesë të një informacioni të plotë dhe të saktë, unë nuk guxoj të marr përsipër gjykimin nëse duhet ose nuk duhet, sepse për këtë dua të besoj tek mendimi i ekspertëve, të cilët duhet të kenë monopolin e së vërtetës, zhveshur nga çdo interes partiak dhe jashtë çdo konflikti interesi. Në gjithë këtë debat,  ku gjithkush merr rolin e demonit, ajo që duhet të na shqetësojë të gjithëve është mungesa e transparencës  nga organet vendimmarrëse, në mënyrë që ndërgjegjësimi dhe çdo hap që ndërmerret në funksion të një plani zhvillimor të qytetit të jetë rezultat i një konsultimi publik, sepse vepra të tilla kanë një interes publik, mbartin një memorie, kanë sensibilitet të lartë emocional, por jo vetëm.

Transparenca e institucioneve publike vendore është thelbësore për të rritur përgjegjshmërinë e këtyre institucioneve ndaj qytetarëve. Ne të gjithë si qytetarë e taksapagues kontribuojmë me paratë tona në funksionimin e këtyre organizmave dhe për këtë arsye   interesi publik për t’u informuar rreth mënyrës së shpenzimit të këtij kontributi është e drejtë dhe detyrim. Aksesi në informim, sidomos kur bëhet fjalë për vepra të tilla, sikurse është Teatri Kombëtar bën të mundur evidentimin e mangësive të mundshme të efiçencës në qeverisje, duke krijuar mundësi vlerësimi dhe përmirësimi për një menaxhim sa më të mirë të shërbimeve apo aseteve publike. Por, natyrisht kjo ndodh kur pushtetarët duan të dëgjojnë dhe të kuptojnë, pra kur kanë minimumin e përgjegjshmërisë qytetare, në të kundërt shurdhëria dhe verbëria do të na ndjekin si mallkim.

Ajo që evidentohet rëndom në qeverisjet tona të kahershme është pikërisht veprimi ose mosveprimi në kushtet e një terri informativ. Perse fshihet nga publiku dhënia e informacionit, shpjegimi i arsyeve, avantazhet ose disavantazhet e prishjes apo mosprishjes? Ndoshta të tjera të vërteta ka përkundrejt atyre që thuhen nën trysninë e presionit qytetar, ose qeveritarët tanë nuk e ndjejnë të nevojshme  llogaridhënien, sepse për ta ne jemi thjesht një turmë që ecën kuturu si dele të bindura dhe duke u marrë me ne, ndoshta u ulet “inteligjenca” e tyre e tepruar, ose ndoshta të vërtetat nxjerrin në pah dritëhijet e veprimeve korruptive të këtij virusi, që ka kapur si epidemi të gjitha hallkat e qeverisjes lokale dhe qendrore.

Por, nuk është vetëm çështja e Teatrit Kombëtar, e cila është mbytur nga errësira informative. Përmbytja Bibliotekës Kombëtare është një tjetër ngjarje e ndodhur së fundmi. Kjo ngjarje është ulëritëse për një komb. Ndërsa shihja se si vareshin nëpër tela librat,  apo kur thaheshin faqet e zhubrosura me tharëse flokësh, ndjeva një keqardhje që më shponte shpirtin. Në ato tela nuk shihja librat që vareshin, por shpirtrat e qindra dhe mijëra autorëve dhe shkrimtarëve, të cilët nuk e kanë imagjinuar kurrë që veprat e tyre, historia dhe memoria të përfundonte në ato pamje mjerane. Si mundet që tempulli i vetëm i dijes në vendin tonë të përfundojë në atë gjendje, ku librat të varen si rrecka të grisura. Askush nuk foli, askush nuk mori përgjegjësinë, vetëm heshtja bërtiste. Ne nuk i meritojmë as përpjekjet e të parëve, ne nuk meritojmë as sakrificat e tyre, as përpjekjet që ata kanë bërë për ta ruajtur këtë vend nga asimilimi i çdo forme. Ne jemi të aftë vetëm të shkatërrojmë, nuk dimë as të ruajmë dhe as të trashëgojmë asnjë vlerë, asnjë thesar. Një vend, të cilit i shkatërrohet dija, kultura, memoria historike, arsimi, ai nuk mund të ekzistoje me. Keqardhje për të gjithë ata që po kontribuojnë me dashje në shkatërrimin e gjithçkaje për të ndërtuar diçka.

Arroganca e pushtetit, heshtja dhe veprimet arbitrare gjithmonë na kanë vënë para fakteve të kryera. Kështu ndodhi për çështjen e plehrave kimike (edhe sot nuk dimë me saktësi të themi, çfarë ndodhi dhe pse), kështu ndodhi për çështjen e kampeve të refugjatëve (se ç’u tha dhe seç nuk u tha, askush nuk di të thotë  me saktësi), kështu po ndodh për marrëveshjen e detit (dikush thotë ka marrëveshje, dikush rend ta mohojë). Informacioni ynë sporadik (ndoshta edhe i deformuar, i pasakte… etj.) më shumë sigurohet nga faktori ndërkombëtar, mediat e huaja, intervistat e fqinjëve dhe asnjë fjalë, asnjë informim, asnjë shpjegim nga qeveritarët tanë.

Këto janë ato që duhet të na shqetësojnë ne, jo thjesht çështja e Teatrit Kombëtar, e cila padyshim është shumë e rëndësishme. Por, pas saj me siguri do të dalë diçka tjetër dhe kështu historia do të përsëritet në të njëjtën mënyrë. Shqetësimi dhe reagimi qytetar e sidomos intelektual duhet të jetë për mënyrën si qeverisemi, sepse nuk është një rast, nuk është një gabim dhe nuk ka vend as për falje, sikurse bën ndonjëherë kryeministri. Gabimet e përsëritura nuk janë më gabime, janë faje dhe madje shumë të rënda, të cilat tregojnë se pushteti ka krijuar një hendek mjaft të madh me popullin, me votuesin, të cilin as nuk e dëgjon me dhe as nuk ndjen asnjë detyrim minimal për ta informuar, pa pretenduar për të marrë mendimin para çdo vendimmarrje me rëndësi kombëtare. Mjere kush do të bjerë i pari në këtë hendek…

Parimi i transparencës, kaq shumë i munguar në aktualitetin shqiptar, është parimi bazë për një qeverisje të mirë në çdo shtet demokratik. Kjo nënkupton “shkëmbimin e informacionit dhe veprimin në një mënyrë të hapur”.

Respektimi i këtij parimi nxit angazhimin qytetar dhe kjo nënkupton një pjesëmarrje aktive të tyre në çdo vendimmarrje. Ndoshta është pikërisht ky, përfitimi për publikun, është ajo çka i tremb më shumë qeveritarët tanë. Transparenca nuk ndihmon vetëm në informimin e publikut në lidhje me zhvillimin e ideve dhe propozimeve, por edhe për të bindur qytetarët se agjencitë publike janë të interesuara në dëgjimin e zërit të tyre, të pikëpamjeve të tyre dhe u përgjigjen  prioriteteve të qytetarëve. Pikërisht respektimi i këtij parimi si detyrim moral dhe ligjor rrit legjitimitetin e procesit të vendimmarrjes dhe forcon “demokracinë e drejtpërdrejtë”.

Nëse kjo do të respektohet me vërtetësi, nëse shqetësimit qytetar do t’i përgjigjet zëri i arsyes, nëpërmjet informimit dhe shpjegimit të ideve dhe planeve, të gjithë jemi të interesuar për një jetë më të mirë, më cilësore dhe për një zhvillim urban, që i përgjigjet modernitetit, duke ruajtur vlerat dhe trashëgiminë kulturore, duke ndërthurur bukur të shkuarën me të tashmen, për t’u trashëguar brezave traditën dhe kulturën idenditare.

Prof.Asc.Dr. Rezana Konomi – Kolegji Universitar “Luarasi”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.