AKTUALITET

IDM: Pushteti vendor në Shqipëri jo transparent. S’ka të dhëna për pagat e zyrtarëve

18:05 - 11.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim thotë se pushteti vendor në Shqipëri nuk është transparent.




Në faqet e internetit të bashkive shihen vetëm ligje dhe konventa, por mungojnë të dhëna për pagat e zyrtarëve të lartë dhe për prokurimet publike, ku shpesh fshihen abuzimet dhe korrupsioni.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim publikoi sot një raport vlerësimi mbi pushtetin vendor, sipas të cilit, bashkitë e Shqipërisë nuk përmbushin kriteret e transparencës dhe llogaridhënies, të cilat përbëjnë detyrime ligjore për të drejtën e informimit.

Raporti, që u detajua sot pra Këshillit Konsultues mbi Qeverisjen Vendore, thekson se bashkitë po përdorin formalisht programin e transparencës të dërguar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, por ato publikojnë informacione të lehta, të cilat nuk lidhen me llogaridhënien e vërtetë, si raporte auditi, prokurime dhe kontrata, apo të dhëna për pasuritë e zyrtarëve të lartë.

Ato fshehin informacionin e pushtetit vendor dhe mbulojnë mosdhënien e të dhënave prapa neneve për gjoja sekrete të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Afro 85% e bashkive, ose 51 bashki, nuk publikojnë të dhëna për funksionarët dhe pasuritë e tyre, dhe vetëm disa prej tyre kanë publikuar informacion të pjesshëm.

“Transparenca është akoma më e rëndësishme në pushtetin vendor, sepse aty qytetari është më afër pushtetit, aty merr shërbimet publike dhe mund të shprehë nevojat e veta” – tha drejtorja e UNDP në Shqipëri Limya Eltayeb.

Sipas saj, te pushteti vendor ushtrohet demokracia dhe besimi i qytetarëve, aty shihet se cfarë vendimesh merren dhe si përdoren fondet, ndaj qeveria është e detyruar të japë informacion qytetarëve të vet në të gjitha nivelet.

“Informacionet për taksat, investimet dhe prokurimet publike janë të rëndësishme si për të ushtruar demokracinë vendore ashtu edhe për të luftuar korrupsionin” – tha drejtorja e UNDP.

Studimi thotë se bashkitë nuk janë transparente për pagat, tarifat, buxhetet dhe kontratat. Vetëm 5% e tyre publikuan kontrata me palë të treat. Vetëm 20% e tyre informojnë për pagat dhe vetëm 30% e bashkive publikojnë të dhëna për buxhetin vjetor dhe atë afatmesëm. Vetëm gjysma e tyre publikojnë të dhëna për taksat dhe tarifat.

“Transparenca është një detyrim ligjor, veçanërisht për shtresat më të varfra të komunitetit, -thuhet në raport, por njësitë e qeverisjes vendore ende janë larg përmbushjes së detyrimit”.

Ende bashkitë nuk kanë zhvilluar kanale komunikimi dhe informimi specifike që adresojnë informimin publik të grupeve të cënueshme të shoqërisë si: banorë të varfër, të zonave të largëta, të pashkolluar, grupeve të pakicave etj.

Bashkitë e vendit kanë hapur nga një faqe interneti, ku kryesisht publikohen ligje dhe kode të përgjithshme, por gjysma e tyre publikojnë vendimet e këshillave bashkiake, dhe afro treçereku i tyre nuk publikojnë rregulloret e këshillit bashkiak.

Këshillimet me publikun janë në pikën më të ulët, sepse vetëm 20 për qind e tyre njoftojnë për konsultime me qytetarët./ Burimi: VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.