Sociale

ISSH: Pensionet familjare, formulari për të përfituar

15:48 - 11.07.18 Gazeta Shqiptare

Ornela Manjani  – Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon formularin që duhet të plotësojnë personat që duan të përfitojnë pension familjar. Pensionin familjar mund ta përfitojnë të gjithë jetimët që ishin në ngarkim të personit që vdiq dhe janë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, të cilët studiojnë apo janë të paaftë për punë.

Kriteret
Pension familjar mund të përfitojë e veja që është mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç, që nuk është e aftë të punojë dhe që ka mbushur moshën 55 vjeç. Gjithashtu, nga kjo kategori pensioni përfiton edhe burri i ve, kur është mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç, që është i paaftë për punë dhe që ka mbushur moshën 60 vjeç. Të gjithë ata jetimë që ishin në ngarkim të personit që vdiq dhe janë nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, të cilët studiojnë apo janë të paaftë për punë mund të përfitojnë pension familjar. Një kategori tjetër që plotëson kushtet janë edhe prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë. Edhe nipërit e mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të trajtohen si jetimë dhe mund të marrin pension familjar. Në momentin që i/e veja martohen sërish, e humbasin të drejtën e përfitimit të pensionit familjar.

Përllogaritja
Pension familjar konsiderohet ai pension që kishte apo i takonte të ndjerit. Në kushtet kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50% e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri, ndërsa kur përfitues janë dy ose më shumë persona dhe e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25%, por jo më shumë se 50% e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri. Ndërkaq, personi i ve merr 50% të pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndieri kur është i vetëm dhe për çdo pjesëtar tjetër merr 25%, me kusht që shuma e pensionit të mos kalojë 100% masën e tij. Vlen të theksohet fakti se shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes. Në të gjitha ato raste kur prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij, fëmija jetim përfiton pension familjar. Në këtë rast, masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25% e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50% e tij. Ndërsa jetimi i cili humb të dy prindërit ka të drejtë të marrë një pension jetimi për secilin prej tyre. Në kohën kur përfundon afati i pagesës, përfituesi duhet të bëjë një kërkesë pranë ALSSH-së së vendbanimit për vazhdimin e pensionit familjar. Bashkëngjitur me kër-kesën, i interesuari duhet të paraqesë edhe dokumentacionin përkatës.

Dokumentacioni:

Kërkesa për përfitimin e pensionit familjar bashkë me dokumentet e nevojshme paraqitet në ALSSH-në e vendbanimit, sipas gjendjes civile. Dokumentet që shoqërojnë kërkesën për pension familjar janë si më poshtë:
a) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
– Certifikatë e gjendjes familjare.
– Certifikatë vdekjeje e të ndjerit/ës (ku të jetë shënuar dhe shkaku i vdekjes).
– Fotokopje e letrës së njoftimit elektronik për kërkuesin, ose përfituesit e tjerë.
b) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
– Libreza e punës.
– Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
– Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM.
– Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse shikohet e arsyeshme).
– Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992.
– Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj).
– Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.
– Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
c) Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” duhen edhe:
– Vërtetim i gjendjes gjyqësore.
– Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik.
– Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë.
– Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.
d) Dokumentet që vërtetojnë të qenit në ngarkim të të ndierit/ndjerës.
Krahas dokumenteve të përcaktuara më lart, duhet të dorëzohen edhe dokumentet e mëposhtme:
– Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar.
– Vendim i KMCAP-it për paaftësinë në punë të personave të familjes në ngarkim të të siguruarit të vdekur, kur ata janë në moshë pune.
– Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që në ngarkim të të vdekurit ishte një i/e ve, që mban një fëmijë deri në moshën 8 vjeç, i cili ishte në ngarkim të të vdekurit.
– Vërtetim për personin e ve, që është kërkues për punë.
– Procesverbal, që provon faktin e vdekjes nga aksidenti në punë, si dhe vendimi i KMCAP, kur vdekja është shkaktuar nga sëmundje profesionale.
– Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që prindërit, prindërit e prindërve nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë dhe jetonin në të njëjtën familje me atë që ka vdekur, jo më pak se një vit para vdekjes.
– Vërtetim nga organet e prokurorisë ose gjykatës për rastet kur kërkohet të përfitohet nga Dekreti nr. 758, datë 01.04.1994 “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”.
– Vërtetim nga ministria përkatëse për humbjen e jetës së pilotit në përmbushje të detyrës gjatë fluturimit. Për të marrë këtë përfitim, personi duhet të bëjë kërkesë me shkrim pranë ALSSH-së, ku të deklarojë se nuk është ekonomikisht aktiv (i punësuar ose i vetëpunësuar).
– Jetimi që ka moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar, kur nuk vazhdon shkollën dhe është nën 18 vjeç (kur banon në qytet) dhe nën 16 vjeç (kur banon në fshat), në kërkesën për pension deklaron se nuk është i punësuar ose i vetëpunësuar si dhe paraqet vërtetim nga Zyra e Punës.
e) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara: Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit-tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994). Vërtetim i pagës mesatare neto, për vitin e fundit të punës.

Masa e përfitimit:

Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit/ës.
a) Personi i/e ve, merr 50% të pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i/e ndieri/a, kur është i/e vetëm dhe për çdo pjesëtar tjetër merr 25%, me kusht që shuma e pensionit të mos kalojë 100% masën e tij.
b) Kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50% e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri.
c) Kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar dhe përfitues janë dy ose më shumë persona, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25%, por jo më shumë se 50% e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri.
d) Shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes.
e) Jetimi merr pension familjar edhe në qoftë se prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si e drejtë të tij. Në këtë rast masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25% e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50% e tij.
f) Jetimi që humbet të dy prindërit merr një pension jetimi për secilin prej tyre.
Kërkesën për vazhdimin e pensionit familjar, kur mbaron afati i pagesës, përfituesi e paraqet në ALSSH-në e vendbanimit, sipas gjendjes civile, duke i bashkangjitur dokumentacionin e kërkuar.

Kushtet e përfitimit:

a) E veja kur është mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç, e paaftë për punë dhe ka mbushur moshën 55 vjeç.
b) Burri i ve kur është mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç, i paaftë për punë dhe mbushur moshën 60 vjeç.
c) Jetimi që ishte në ngarkim të personit që vdiq dhe është nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë.
d) Prindërit kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë, prindërit e prindërve, njerku e njerka kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë.
e) Nipërit e mbesat kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në këtë rast ata trajtohen si jetimë.
f) I/e veja humbasin të drejtën për pension familjar kur martohen.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *