Opinion-Komente

Paradoksi shqiptar, frikë nga rritja e pensioneve

07:45 - 11.07.18 Xhevat MUSTAFA

Sipas zakonit dhe interesit të tyre, pa hyrë në fuqi ”rritja juaj”, tregtarët e të gjitha niveleve i rrisin të nesërmen e lajmërimit zyrtar çmimet e shumicës së artikujve ushqimorë, edhe pse marrja e lekëve nga këto “rritje qeveritare” mund të fillojë më 1 prill, më 1 korrik, më 1 shtator…, më 1 janar!



Aman, kryeministri ynë, që “meritojmë e që duam”, mos lajmëroni më me javë apo muaj përpara për rritje (qoftë edhe qesharake) rrogash e pensionesh, sepse tregtarët e mëdhenj e të vegjël, e marrin seriozisht, për “rritje marramendëse” apo “një rekord historik”. Dashtë ZOTI i ndihmon ata që e kanë për detyrë të gjejnë disa minuta të lira për ta parë me sytë e veta se sa janë rritur çmimet në supermarkete, minimarkete apo tregjet e rrugëve, pas publikimit të ”lajmit lumturues” për rritjen e re të pensioneve në rreth 2.8%!

Sipas zakonit dhe interesit të tyre, pa hyrë në fuqi” rritja juaj”, tregtarët e të gjitha niveleve i rrisin të nesërmen e lajmërimit zyrtar çmimet e shumicës së artikujve ushqimorë, edhe pse marrja e lekëve nga këto “rritje qeveritare” mund të fillojë më 1 prill, më 1 korrik, më 1 shtator…, më 1 janar! Ju nuk keni kohë t’i kontrolloni dhe parandaloni nëpërmjet “takimeve gju më gju me popullin”, komunikimit online, me ‘Facebook’, me letra të përditshme të gjitha sa ndodhin orë e çast nëpër tregje, rrugë, zyra, spitale, dogana, aeroporte, ministrira, gjykata, prokurori, në zyrat e komisariateve të policisë, në Gardën e Republikës…, sepse vartësit tuaj nëpër këto institucione janë të zënë deri në fyt me hallet e veta dhe të ortakëve, për t’i shndërruar në kulla dhe komplekse turistike me 5 yje dhjetëra apo qindra miliona eurot futur nëpër skafe, maune, toyota…Apo për t’i detyruar vartësit dhe “skllevërit” e tyre që të kenë në zemër, shpirt, mendje, vota, vetëm “Rilindjen” dhe ju personalisht; që të mos guxojnë të thonë një fjalë për ato që shikojnë e bëjnë shefat. Përndryshe, më e pakta është sikterisja nga puna e atyre dhe familjarëve më të afërt dhe më e rënda, “vetëvrasja”…

Për të qenë konkret, për t’ju kursyer kohën për verifikime e kontrolle atyre që paguhen dhe përfitojnë jo pak për këtë punë, si dhe për t’ju vënë në dijeni, detyrë që ata e harrojnë shpesh, po ju ndihmoj me disa fakte të këtyre ditëve nga supermarketet, minimarketet apo tregtarët e trotuareve. Nëse ju apo vartësit tuaj futeni në furrat e bukës në Tiranë do të përjetoni “befasi” kur të shikoni se një simite 50-70 gram me miell gruri apo thekre, ardhur nëpërmjet kompanisë “Devolli” të Kosovës nga magazinat e Cernobilit në Ukrainë apo nga Rusia, rezervuar për kuajt, pelat apo derrat dhe dosat e atyre vendeve si dhe e fryrë në Shqipëri me sodë ose maja, kushton 10-30 lekë. Me këtë çmim dhe gramaturë ia kemi kaluar edhe Gjermanisë. Në këtë vend një simite apo bukë hamburgeri me të njëjtën peshë, por me grurë ose thekër vendase ose ardhur nga Britania e Madhe, Irlanda, Islanda, Suedia, Norvegjia, Kanadaja, SHBA-ja, Zelanda e Re, Australia, kushton 10-15 cent. Fatin e simiteve kanë tek ne edhe bukët masive 80-90 lekëshe. Dikur, me një nga këto bukë hante gjithë ditën apo tre vakte një familje me 5-6 anëtarë. Sot nuk u del as për drekë, sepse është fryrë nga brenda e nga jashtë dhe është lehtësuar, si pa u kuptuar apo pa u vënë re nga lart. Po kështu, janë rritur çmimet e biskotave, gjalpit, djathërave, (sidomos atyre kaçkavall), peshqve, mishrave, sallamrave ( shumica ardhur po nga Serbia). Para rreth 1 muaji një pako 100 gramësh gjalp i pashkrirë ERZENI kushtonte 50-60 lekë. Sot apo më saktë të nesërmen e publikimit të sihariqit tuaj për rritjen e pensioneve 2.8% shitet e blihet me 70 lekë. Rreth 5 vjet më parë, domethënë në kohën e Saliut apo më “1938”, 1 kg peshk koce, merluc, levrek, barbun… kushtonte 700- 800 lekë. Sot, në kohën tuaj, domethënë të “rekordeve historike” çmimet e këtyre lloj peshqve janë rritur rreth 50-60%, për të mos thënë janë dyfishuar. Gjithashtu, edhe pse ZOTI na ndihmoi gjatë muajve prill-qershor me mot as të ftohë e as të nxehtë, duke mos i vënë në punë kondicionerët, faturat e ujit, u dyfishuan, ndërsa ato të dritave mbetën në nivelin e muajve të periudhës dhjetor- shkurt. E marrim me mend se e keni kohën e lirë shumë të pakët nga hallet e shumta të vendit, të partisë dhe qeverisë; të negociatave të integrimit në BE; të “Internacionales socialiste”; të “ngrohjes së klimës politike” apo të marrëveshjeve me Serbinë dhe Greqinë; të familjes; të sponsorëve dhe ortakëve të “Rilindjes”; të angazhimit personal në online apo me letra me qytetarët, që nuk gjejnë me muaj dhe vite zgjidhje nga institucionet dhe hallkat tuaja vartëse, etj.. Por, sakrifikoni nga një ditë në javë dhe shkoni në qytetet e vegjël si Kavaja, Shijaku, Rrogozhina, Peqini, Cërriku, Fushë-Kruja, Miloti, Laçi, Lezha, Shëngjini, Puka, Fushë – Arrësi, Kukësi, Hasi, Bajram Curri, Bulqiza, Peshkopia, Burreli, Rrësheni, Kurbneshi, Librazhdi, Gramshi, Kuçova, Berati, Poliçani, Ballshi, Selenica, Skrapari, Tepelena, Memaliaj, Delvina, Gjirokastra, Erseka, Këlcyra, Përrenjasi…Do të “befasoheni”, “tronditeni” dhe skuqeni pa masë nga turpi kur të shikoni fare “lakuriq” varfërinë dhe mjerimin, në kulmin e autolëvdatave qeveritare dhe partiake, në vend e nëpër botë, për “rritje ekonomike”, “rekorde historike”, “përparime të mëdha” në krahasim me vitin 2013, të fundit e “qeverisjes Sali Berisha”…Ah, për pak desh harrova! Mos shkoni në këto qytete me njërën nga veturat tuaja luksoze dhe me eskortë, por me një autobus dhe furgon. Kështu do të keni mundësi të shikoni me sytë tuaj se sa u kushton qytetarëve, sidomos pensionistëve, me 14. 000 – 20.000 lekë në muaj apo atyre me mbështetje sociale rreth 6000-7.000 lekë në muaj, një biletë vajtje-ardhje. Thjeshtë për t’ju ndihmuar: sot një abone e përgjithshme për lëvizje me linjat e autobusëve nëpër Tiranë kushton 1.600 lekë, ndërsa ajo në një linjë 1.200 lekë. E pra, në kohën e atij “Saliut të zi apo të keq” kushtonin gati dy herë më pak.

Për t’ju kursyer kohë, energji, dieta shtetërore mund të mos shkoni në të gjitha këto qytete. Mjafton të shkoni brenda një ditë në 2-3 prej këtyre qyteteve fqinj me njeri-tjetrin në Shqipërinë e Mesme, të Jugut, Veriut. Natyrisht mund të shkoni edhe në të gjitha qytetet e mëdha. Kudo që të shkoni do të gjeni pothuajse një panoramë, pejzash, tablo. Ka të ngjarë që të tronditeni kur të shikoni se me diferencime të pakta e të lehta në Shqipërinë “e gatshme për të hapur negociatat me BE-në”, mbretërojnë papunësia, varfëria, mjerimi, i krahasueshëm me atë migjenian”, zhgënjimi, pesimizmi apo pashpresësia; bindja, sidomos tek moshat e reja se “këtu nuk jetohet më” dhe se “duhet ikur sa më parë në SHBA, Kanada, Gjermani, Angli, Francë…” . E merrni me mend lehtë se pse të gjithë, ashtu si dhe nga vendet e tjera të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, edhe nga Rusia e Kina, dëshirojnë, mendojnë e përpiqen të ikin si emigrantë e refugjatë në këto vende kapitaliste, ku qeveris e djathta e jo në vendet komunisto-socialiste, ku qeveris e majta, si në Rusi, Kinë, Korenë e Veriut, Kubë, Venezuelë apo në Serbi, Shqipëri…

Kjo “ekspeditë njohëse” apo ky “tur turistik” mund t’ju ndihmojë të shikoni me sytë tuaj se sa shumë është shtuar “ushtria” e atyre njerëzve që i shtyjnë ditët dhe netët nëpër kafene, pijetore, lojëra fati’, që flasin me vete ose janë çmendur krejt; që rrahin e vrasin fare kot apo për një fjalë goje, gra, fëmijë, prindër, kushërinj, komshinj, kalimtarë të rastit…Gjithashtu, do të keni mundësi të shikoni e kuptoni se sa shumë janë shtuar lypësit nëpër rrugë e lokale; burrat dhe gratë që rrëmihin përditë, nëpër koshat e plehrave, sidomos mëngjeseve herët apo mbrëmjeve vonë, duke u ruajtur nga turpërimi se mos i shikojnë njerëz që i njohin…Po kështu, mund të shikoni edhe se sa është shtuar numri i atyre femrave rreth 16-45 vjeçe, që papunësia dhe varfëria i ka shtyrë të shesin nder e trup edhe për 1.000 – 2.000 lekë të reja. Nëse informoheni prej tyre apo prej ambasadave do të mësoni” se ato me më shumë “fat” mbushin trotuare apo lokale nate në Kosovë, Maqedoni, Itali, Greqi, Francë, Zvicër, Angli…

Për të mos rënë padashur apo krejt “rastësisht” viktimë e një mashtrimi apo tradite e praktike nga trashëgimia komuniste, mos pranoni të shkoni për një kafe a teke raki në shtëpitë e listës, që mund të kenë bërë për ju kryebashkiakët apo kryepartiakët e majtë, sepse kështu nuk arrini të krijoni një ide të qartë e të plotë për gjendjen e vërtetë të shumicës së Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për t’ju parandaluar nervozizmin, stresimin, fyerje e sharje me fjalor, që nuk është mirë t’i dëgjojnë as fëmijët dhe femrat, do t’ju këshilloja që të mos shkoni as në shtëpitë e berishianëve, lulbashianëve, babaleve, monikakryemadhëve, petritvasilëve, agrondukëve, koçokokëdhimëve…Se, në fund të fundit, nga lodhja juaj e tepruar nga këto sherre e skena ditën e nesërme ju nuk do të keni qetësinë e duhur dhe rendimentin e lartë për t’u angazhuar me mish e me shpirt për të mirën tonë të përgjithshme si qytetarë, si vend e si komb…

Gjithnjë me dëshirën si qytetar, për t’ju kursyer kohë, energji dhe ca mijëra lekë dietash dhe karburant veturash, mund të dëgjoni mëngjeseve edhe emisione radio-televizive, ku lejohet që qytetarët të shprehen pa frikë e censurë. Mos u tronditni dhe zemëroni kur të dëgjoni se shumica ju mallkojnë juve personalisht, familjarisht, si “Rilindje” e qeveri, me fjalë që u shpërthejnë nga shpirti e zemra…

Edhe një këshillë tjetër. Kur të shkoni në këto qytete, nëse ju ngrihet temperatura apo tensioni apo nëse keni ndonjë shqetësim tjetër, kardiak, nervor, në stomak, veshka, kocka, mëlçi…, merrni me vete ilaçe origjinale franceze, gjermane, italiane, zvicerane, amerikane…dhe jo nëpër farmaci, sepse ministria jote e shëndetësisë nuk ka pasur mundësi t’i parandalojë e kohë t’i kontrollojë imtësisht kontenierët apo maunat me “ilaçe të reja” të moçme, të kotshme apo të kobshme. Së fundi, një paralajmërim: për të mirën e partisë e të popullit, mos bëni gabim të uleni në ndonjë nga lokalet e qendrave apo shesheve në këto qytete. Larg qoftë, krejt befasisht e papritur, fillon një shi i rrëmbyeshëm dhe i përmbyt brenda një gjysmë ore. Por, meqenëse jemi në ditë korriku e me temperatura të larta, mund t’ju bëjnë keq për tensionin dhe nervat edhe nxehtësia e madhe, që reflektojnë pllakat dhe fasadat e shesheve apo dozat e radioaktivitetit nga hekurat dhe xhamat e kullave…Ne, pa u merakos dhe pa llogaritur edhe se po na e nxini dhe shkurtoni jetën dëshirojmë dhe urojmë të jetoni edhe shumë më gjatë se sa shoku Enver dhe mister Soros.

Mendoni edhe një pistë tjetër: ju, “me bujarinë dhe njerëzillëkun që ju karakterizon”, na rrisni rrogat e pensionet, ndërsa tregtarët, nën hundën dhe para syve të pushtetarëve dhe kontrollorëve tuaj të shumtë, të të gjitha niveleve, e zhvleftësojnë bamirësinë tuaj apo të qeverisë me rritje të çmimeve, ulje të cilësisë e të sasisë; me ushqime e ilaçe me doza të larta hormonesh, helmesh, efektesh jetëshkurtuese; masivisht me data prodhimi e skadence të falsifikuara…!

Mos vallë këta tregtarë të pashpirt e të pangopur për pasurim vetjak e familjar, edhe duke dëmtuar kuletën, shëndetin dhe jetën e qytetarëve, bëjnë lojë të dyfishtë, “punojnë për SHQUP-in apo babalet” dhe janë “armiq të fshehtë të partisë e të popullit, që duhen “vetëvrarë” apo “vrarë natën dhe qarë ditën”, sipas traditës që na ka lënë Enveri?

Po të jetë kështu e të vazhdojë gjatë ky avaz, që tregtarët, pashpirtësisht e pa logjikë ekonomike, të bëjnë çfarë të duan me çmimet, cilësinë, gramaturat, edhe kur ju u ulni taksat, më mirë mos na i rrisni më rrogat e pensionet, o kryeministri ynë, që “nuk bën të dytë më asnjë nënë”! Me shumë çmime ia kemi kaluar me kohë edhe Gjermanisë! Nuk ka gjë se rrogat e pensionet i kemi rreth 10 fish më të ulta se ato në Gjermani! As se biletat e avionëve i kemi 2-3 fish më të larta se në shumicën e vendeve të rajonit e të botës. As se qysh nga 1912-ta, kemi qenë e jemi ndër më të varfrit e Evropës, edhe pse për pasuritë nën e mbitokësore jemi ndër më të pasurit. Kur të “rilindim”; kur ta mbushim Shqipërinë me kulla 20- 40 katesh dhe hotele me 5 yje, me toyota me miliona euro; me refugjatë nga Siria, Libia, Iraku, Afganistani…, kur Greqia të na “dhurojë” naftë e gaz nga copa e detit tonë që i falëm me marrëveshjen e re të detit; kur të anëtarësohemi në BE, gjithnjë “nën udhëheqjen tuaj largpamëse, që njeh vetëm fitore, suksese, rritje ekonomike”, do ta kapim dhe kalojmë Gjermaninë edhe për këto “vogëlsira” në mirëqenie dhe tregues të tjerë zhvillimi modern e real…

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *