OPINION

Shteti i së drejtës apo sundim me ligje?

07:30 - 11.07.18 Dr. Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjithnjë e më shpesh dëgjojmë të flitet për “sundimin e ligjit, apo shtetin ligjor” sikurse dhe për “shtetin e të drejtës”. Ka shumë botime dhe janë zhvilluar me dhjetëra veprimtari kudo në botë mbi këtë temë të mprehtë, ku autori ka qenë i pranishëm edhe si diplomat. Ndaj, pa e lodhur lexuesin me analiza akademike, le ta themi me fjalë të thjeshta se “sundimi i ligjit ose shteti ligjor” vjen nga anglishtja “the rule of law” dhe i referohet traditës së shquar anglo-saksone. Ai përkufizohet si një sistem ku të gjithë i nënshtrohen dhe përgjigjen përpara ligjit, që zbatohet drejt dhe me gjykata të pavarura. Në pamje të parë duket se këtu mungon “e drejta”, por në si Britani dhe në SHBA ku zbatohet ky aspekt është zgjidhur bindshëm në forma të tjera. Në fakt, kjo ndodh sepse ndryshe nga gjuhët e tjera të mëdha, anglishtja ka vetëm një fjalë për “ligj” dhe “e drejta”, ndaj shqipërimi më i saktë në këtë rast do të ishte “sundimi apo më mirë shteti i të drejtës”.




“Shteti i së drejtës” është më i përshtatshëm dhe për faktin se me “sundimi i ligjit”, “shtet ligjor” kanë abuzuar shumë vende diktatoriale me pretendimin se kanë ligje moderne, të miratuara sipas kritereve përkatëse, madje edhe sipas modeleve evropiane dhe amerikane, edhe pse këto të fundit të kopjuara mekanikisht në një truall krejt të kundërt me demokracinë pluraliste. Këto lloj klikash ose kastash kanë sunduar me dhunë sipas sloganit të njohur “ka ligj, por ka dhe Maliq”. Kështu pretendonte edhe regjimi ynë monist, ku fjala ligj dhe barazia përpara tij ishte refren i preferuar propagandistik. Përditë dalin fakte të reja që tregojnë se atje ligji jo vetëm nuk garantonte të drejtën dmth., zbatimin e tij për të gjithë njëlloj, por e dhunonte atë me të gjitha format. Po, formalisht atje ligjet miratoheshin nga Kuvendi Popullor, por me vullnetin dhe urdhrin e Njëshit të Partisë-Shtet; aq sa Kushtetuta socialiste e vitit 1976 e sanksionoi qysh në hyrje “rolin udhëheqës të partisë”. Shkurt, në diktaturë nuk bëhet fjalë për “sundim ligji” sipas konceptit perëndimor dhe atij anglo-sakson, por për një shtet politik dhe policor, ose të diktaturës së proletariatit, që vetëm se sundonte përmes ligjesh. Kurse shteti i të drejtës është krejtësisht i kundërt në përmbajtjen e vet. Ai dallohet thelbësisht, sepse ligjet dhe e drejta në përgjithësi aty hartohen dhe zbatohen në kuadrin e pluralizmit politik, ku janë aktivë dhe opozita, me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me shtyp të pavarur, ku ka shoqëri aktive civile, ndarje të tri pushteteve, liri fjale dhe grumbullimi, ku nuk ka diskriminim; dallimi tjetër i madh dhe “gurë prove” për shtetin e së drejtës janë mekanizmat/garancitë reale për zbatimin e tij; këtu veçohen Konventa dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Këshilli i Evropës që ka një Drejtori të Përgjithshme të Shtetit të së Drejtës, OSBE/ODIHR, konventa dhe traktatet të tjera ndërkombëtare.

Këtë e saktëson edhe përkufizimi i tij si një shtet kushtetues, ku pushteti shtetëror kufizohet me ligj, me qëllim që të mbrohen shtetasit nga ushtrimi arbitrar i pushtetit, të gëzojnë liritë e tyre civile dhe t’i mbrojnë ato në gjykata të pavarura brenda dhe jashtë vendit. Ky koncept që nuk është vetëm juridik, por edhe politik, filozofik e fetar është më i plotë se “sundimi i ligjit”, sepse përfshin qartë dhe aspektin e “të drejtës”.

Shteti i së drejtës përbëhet nga katër parime bazë të njohura ndërkombëtarisht – ligje të drejta, llogaridhënia, qeverisje e hapur dhe zgjidhje e paanshme e konflikteve. Këto parime zbërthehen në nëntë tregues konkretë – kufizimi i kompetencave qeveritare, që ajo të mos jetë e plotfuqishme, por të respektojë ndarjen e pushteteve, transparenca qeveritare, lufta kundër korrupsionit, vendosja e rendit dhe e rregullit, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, zbatimi i detyrueshëm i ligjeve dhe drejta civile/penale.

Në këtë hierarki, drejtësia përbën thelbin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimit demokratik. Sepse pa drejtësi të pavarur, liria dhe demokracia mbeten slogane boshe. Ndaj dhe një nga tri shtyllat themelore të BE-së, krahas Krishterizmit dhe Demokracisë greke, është drejtësia romake. Këtu qëndron dhe rëndësia e zbatimit të drejtë të procesit të vetingut në vendin tonë, vendimtar për fatet e demokracisë dhe anëtarësimin në BE.

Mirëpo vitet e fundit vërehet me shqetësim se shteti klasik i së drejtës po lëviz në dy kahe të ndryshme, që më vonë mund t’i kundërvihen njëri-tjetrit. Në disa vende të mëdha që e kanë ndërtuar me kohë shtetin e së drejtës, po e “veshin dhe ngjeshin” me tipare dhe kompetenca autoritariste; dukuri dhe prirje të ngjashme antiliberale po vërehen edhe në disa vende anëtare të BE-së, të ish-Evropës Qendrore dhe Lindore, që deri vonë kanë qenë forca politike qeverisëse në pararojë të reformave demokratike dhe liderët e tyre ish-të burgosur politikë të komunizmit; madje duke goditur pushtetin e pavarur gjyqësor, shoqërinë civile, shtypin e lirë etj., atje po hidhen hije dyshimi mbi parimet dhe vlerat universale të shtetit të së drejtës me lloj-lloj hilesh autoritariste.

Shenja, shfaqje dhe mesazhe shqetësuese po vërehen edhe në vende perëndimore me tradita në këtë fushë si në Francë, Itali, Austri etj. Në Gjermani, krahas partisë ekstremiste “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) që po bërtet për “rënien e shtetit të së drejtës” me këtë gjë po abuzojnë edhe politikanë të njohur, edhe pse ndoshta për shkaqe thjesht zgjedhore të përkohshme. Ata po flasin gjithnjë e më shpesh për “dështimin e shtetit të së drejtës” “sabotatorë” armiq, tradhtarë, refugjatë” etj.

Për pasojë, ithtarët/pasuesit e shtetit autoritar të së drejtës sot po kërkojnë që shteti të kujdeset kryesisht “që në territorin e vendeve të tyre të punohet për lumturi të plotë, qetësi, rend, siguri dhe rregull, kundër armikut të brendshëm e të jashtëm”, madje janë vetë ata që i përcaktojnë se kush janë armiqtë-emigrantët, terroristët, sabotatorët, opozita, shtypi etj. Nga ana tjetër, përshkallëzimi dhe ardhja në pushtet e forcave nacionaliste, ekstremiste dhe populiste rrezikojnë ta kthejnë shtetin e së drejtës në dhunë të pajustifikuar të pushtetit, me qëllim që të korrin “fitoren mbi armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm”. Ndërsa mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore, shoqërisë civile, shtypit të lirë, drejtësisë së pavarur etj., të kalojnë në plan të dytë, në sfond.

Kësisoj, siç paralajmëron gazetarja dhe publicistja e njohur gjermane Verena Weidenbach, po lind dhe zhvillohet në teori dhe në praktikë shteti i së drejtës konservatore dhe autoritare; që po të mos hasë në rezistencë dhe kundërshtimin masiv, më vonë mund të çojë në zëvendësimin e tij me shtetin politik dhe policor, ose sundim përmes ligjesh. Aq më tepër që siç po tregon përvoja e viteve të fundit, edhe aderimi në BE, NATO dhe gjetkë nuk jep kurrfarë garancie dhe imuniteti, ca më pak të kthehet në “kurë magjike” ndaj sëmundjeve të sotme politike dhe sociale.

Për shkak edhe të trashëgimisë politike “sui generis”, këto dukuri negative kanë qenë dhe mbeten rreziqe reale edhe për vendin tonë. Dihen tiparet autoritariste të shtetit tonë në vitet ‘90, dështimi i Kushtetutës së vitit 1994, që mbështeste ato prirje bashkë me synime dhe dukuri të tjera negative në të kaluarën e afërt. Por edhe tani, me gjithë përparimet jo të pakta, kemi një prani alarmuese të korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar, dështimin e turpshëm të drejtësisë dhe fetishizimin e votës popullore, pavarësisht problematikës së njohur në funksion të veprimeve dhe sjelljeve politike që bien erë autoritarizëm etj., veç dëmtimit të shtetit të së drejtës, këto dhe dukuri të tjera po prodhojnë kryesisht votues pasivë, që shfaqen njëherë në katër vjet, kurse shteti liberal i së drejtës dallohet nga qytetarë aktivë, që e thonë fort fjalën e tyre çdo ditë, në të gjitha format dhe organizmat përkatëse dhe që dëgjohen e respektohen nga qeveria dhe shteti. Së fundi, kërkohet efektivitet shumë më i lartë në zbatimin e Shtetit të së Drejtës, që ai të mos mbetet në letër dhe dokumente, as për ‘show’ apo për hatër të negociatave me BE-në, por si një realitet i prekshëm për të gjithë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.