Rusi 2018

Franca përballë Kroacisë, Kupa e Botës është në mes

09:35 - 15.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Pavdekshmëria sportive pat mbërritur 20 vjet më parë, kur çoi në qiellin e Parisit Kupën e Botës, por brezi i artë francez nuk kënaqet kurrë. Zidanit nuk i mjaftoi që të ishte mes më të mëdhenjve të planetit, por theu çdo rekord si trajner me tre Champions radhazi. Deshamp që në vitin 1998 mbronte shpatullat e ‘Zizus’, tani kërkon të ulet në tavolinë me Zagallon dhe Bekenbauerin. Jemi në finale dhe shumë pyetje erdhën për atë finale të humbur dy vjet më parë, ndërsa Dëshamp nuk i lejon vetes shpërqendrim. “Grupi është ndryshe nga ai i dy viteve më parë. 14 lojtarë janë të rinj dhe e kanë zbuluar këtu në Rusi se çfarë do të thotë një turne i madh. Por nëntë prej tyre e dinë mirë sesi shkoi dhe sesi mbaroi Europiani dhe kjo do të na ndihmojë. Atëherë nuk bëmë gabime dhe nëse do të kishim fituar, sot do të flisnim ndryshe. Gjithsesi, në një finale fjalët kyçe janë tri: qetësi, besim dhe përqendrim. Të jesh në finale është një kënaqësi e madhe”.




Më pas Dëshamp analizon ekipet. Kroacinë dhe Francën, duke vlerësuar maksimialisht elementët më me vlerë te të dyja ekipet. “Modriç është lojtar i lëvizshëm, ka inteligjencë taktike. Mesi dhe Hazard kanë më shumë veprime individuale dhe janë sulmues. Ai është mesfushor dhe lojtar për ekipin. Në veprimtaritë e mëdha ka më shumë vlerë forca kolektive sesa talenti individual. Mbape? Ai është një talent i madh dhe e ka treguar këtë gjatë turneut. Nuk e trajtoj ndryshe nga të tjerët, por jam gjithmonë më shumë i kujdesshëm me të rinjtë”. Franca vjen me artilerinë e rëndë në këtë ndeshje. Grupi gëzon formë të shkëlqyer dhe në këmbët e tyre kanë më pak minuta sesa Kroacia, që ka luajtur tri ndeshje radhazi me kohën shtesë.

Dëshamp pritet të rreshtojë formacionin tip, me të cilin ka përballuar fushatën ruse. Kroacia ka shenjëstuar 13-tën, pasi është skuadra e 13-të që debuton në një finale Botërori. Dy të fundit, Franca në vitin 1998 dhe Spanja në vitin 2010 ngritën Kupën. Por duke qenë se Kroacisë as nuk i interesojnë skaramancitë, ka adoptuar mënyrën e zgjedhur nga një tjetër ekip i madh, që nuk arriti trofeun, Holanda e vitit 1974. “Futuni në fushë dhe argëtohuni”, thoshte Johan Krujf. Në këtë linjë është edhe trajneri i Kroacisë, Zllatko Daliç. “Le të argëtohemi, ta shijojmë dhe të luajmë duke shfrytëzuar momentin. Nëse fitojmë, askush nuk do të jetë më krenar se ne. Nëse humbasim, do ta bëjmë me dinjitet dhe do të përgëzojmë Francën. Në stërvitje nuk këmbëngul shumë, nuk kam asgjë se çfarë t’u stërvit. E di se nëse ndonjë lojtar nuk do të jetë në 100% të tij, do të ma thotë. Lojtarët e mi e dinë se tek unë kanë gjetur një mik. Unë i respektoj ata dhe ata më respektojnë mua. Vendimet i marr gjithnjë pasi konsultohem me ata”.

Natyrisht që lojtarët e ndihmojnë. Në skuadër ai ka lojtarë që nuk sillen si yje, por që janë burra që mbajnë bashkë ekipin. Në krye të të gjithëve, Maxukiç.
“Mario është një top-lojtar. Për atë nuk ka asnjë ndryshim nëse luan një miqësore apo një finale, nëse luan si qendërsulmues apo në krah. Asnjë trajner nuk do të ketë kurrë problem me të, sepse për çdo skuadër do të ishte i rëndësishëm”. Kroacia vjen më e lodhur se Franca në këtë finale. Skuadra ballkanase ka luajtur tri ndeshje radhazi me kohën shtesë si dhe gjendja e Perisiç ka shqetësuar disi ambientin. Gjithsesi, Daliç duket se do të ketë shërbimet e Simo Vrsaljkos, që ka rikuperuar dëmtimin e pësuar në gjysmëfinale ndaj Anglisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.