MILOSAO

Piramida ose Legjenda e Murimit

12:30 - 15.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjerak Karaiskaj – Një ngrehinë gërmadhë madhe po ndërtohej në  qendër të qytetit. Nën një shi të hollë, thuajse të padukshëm, por të pandërprerë që kullonte nga qielli gri, kolona të përhimta njerëzish, përcillnin dorë më dorë blloqe të gdhendura gurësh, që ishin përgatitur diku tjetër. Dukej sikur natyra po vajtonte për dikë dhe s’pranonte të ngushëllohej. Kolonat e gjata gurë mbajtëse, mernin pjesë edhe ato në atë pikëllim. Zelli i punës dukej sikur mbytej e mposhtej nga ngjyra gri e errët e zbardhëlluar e veshjeve uniforme, nga fytyrat e rreshkura e të zbehta dhe nga sytë e zgurdulluar të zinj si thëngjilli që shkëlqenin në atë zymti më tepër se duhej. Një palë tjetër burrash, të mbledhur turra-turra, që kapnin një shtrirje në hapësirë sa të hante syri, përgatisnin llaçin me lopatat e tyre bishtëshkurtëra. Të mbathur me çizme llastiku të zeza të bëra gri nga llaçi, mblidheshin kokë më kokë sa po pirgu ishte bërë gati, ngulnin e shkulnin prej tij çizmet e tyre. Nga kjo llokoçitje ritmike krijohej një zhurmë e zhapullimë shurdhuese që i ngjante uturimës së një deti të egërsuar dhe dëgjohej deri në shpatet e maleve që mbyllnin horizontin. Varganë kovash llamarine të ndryshkura, të mbajtura nga duar të nxira me kallo e deje të kërcyera, derdhnin ujë mbi kapicat e llaçit, pastaj merrnin një lakore për t’u kthyer bosh paralel me vargun që vinte.




Kur binte mbrëmja ata punonin dhe një copë herë të mirë nën dritën e pafundme të fenerëve që dukeshin si gjarpërinj të zjarrtë; pastaj largoheshin për në kapanonet e tyre të stërgjatur e të rreshtuar po aq mirë, sa dhe ata vetë në orët e punës. Shtriheshin mbi dyshekët e mbushur me kashtë dhe mbuloheshin me batanije prej leshi dhie, të ngrëna nga koha dhe mushamatë e tyre të lagura. Në mëngjes herët, akoma pa zbardhur dita, dëgjohej çanga e zgjimit, hahej çorba dhe kolonat zinin vendet e tyre të punës, të rreshtuar njëlloj si një ditë më parë. Kur bënte ndonjë copë kohë me diell, mushamatë nxirrnin një avull të dendur që bashkë me erën e keqe të mykut mbulonte gjithçka, sa që kureshtarët që donin të shihnin e të merrnin vesh ç’bëhej atje, shquanin më pak nga ajo vepër se në ditët me shi. Pastaj hapësira përreth thahej aq shpejt sa balta kthehej në pluhur. Pa pritur qielli vishej përsëri me një tyl të hollë të hirtë sikur të ishte krijuar nga ai avull i ngrohtë që lëshohej nga deti pafund i mushamave të përhimta. Vetëm horizonti mbetej i zbardhët, i mbyllur tinzisht nga një dritë e mekur pa shkëlqim, që e bënte më të trishtë kontrastin. Rrallëherë, kur bënte kohë e thatë, frynte një erë e fortë që ngrinte shtëllunga pluhuri mbushur me copa letrash e gjethesh të kalbura të fshira nga rrugët dhe koshat e plehrave, deri edhe degë të shqyera pemësh ngriheshin në atë vorbull. Ajo pamje e kobshme të krijonte përshtypjen sikur ajo vepër nuk po bëhej për mirë, në mos po nuk do të përfundonte kurrë.

Kur vinte koha e ngrënies së drekës, rreshtat e punëtorëve nuk prisheshin, ata vetëm se bëheshin më të ulët, pasi ç’do krijesë në veçanti ulej atje ku e zinte ora. Hapeshin njëherësh gazetat që mbështillnin hajën e thatë të zgjedhur sipas dëshirës së secilit, por që nuk ndryshonte aspak në përmbajtje. Njerëzit, të cilëve nuk u ishte dhënë mundësia për të marrë pjesë në atë aksion përmasë-madh, për mungesë sheshesh pune, hapnin dritaret dykanatësh, drejtonin veshët nga vinte zhaurima e gazetave dhe përshpëritnin midis tyre apo me vete: “ Tani ata po hanë”. Në këtë thënie ndjehej një farë qefmbetjeje e zbehtë apo xhelozi e ndrojtur që secili e mbante të fshehur thellë, në skutat më sekrete brenda vetes.

2 – Ajo që po ndodhte ishte e pa shpjegueshme, pas vitesh të tëra pune ndërtesa nuk po lartohej aspak. Kishte vdekur Gogu i Madh, i Pazëvendësueshmi, më i madhi i të gjitha kohërave dhe vendeve dhe mezi priste që t’i bëhej varri e të prehej i qetë aty. Flitej se do të ngrihej një piramidë apo diçka e ngjashme me të. Më e madhërishme nga paraardhëset që do të kishte dhe shumë hapësira dritëplote brenda saj, që i ndjeri të mund të nderohej edhe nga brenda.

Turma punëdashëse kryente të njejtat rite e veprime. Po ata rreshta të gjatë gurë mbajtës. Po ato kova që lëviznin pa pushim e derdhnin ujë. Po ato çizme që llokoçisnin llaçin. Po ajo çorbë e mëngjesit dhe po ajo zhurmë zilindjellëse gazetash gjatë hajes së drekës. Por kur ktheheshin në punë, mëngjezeve në të gdhirë, gurët e vendosur në mur një ditë më parë, i gjenin të rrëzuar përtokë. Por kjo nuk e dekurajonte turmën. Për ata e rëndësishme ishte ajo që bënin dhe jo ajo që bëhej.Veprimi dhe jo rezultati. Se ata ishin njerëz të lirë dhe liria e tyre qendronte pikërisht në faktin që nuk kishin përgjegjësi për atë që bëhej. Lirinë e dhuruar e shpërblenin me të gjitha mënyrat që u kërkohej përtej punës së përditshme. Sa më i padukshëm të qe rezultati, aq më tepër u shtohej vrulli për punë dhe më gjatë qëndronin të ndezur gjarpërinjt e zjarrtë të fenerëve në orët e vona të natës. Por ndryshe mendonin ata atje lart; çështja ishte sa e ngutshme aq edhe e një rëndësie të jashtëzakonshme, se bëhej fjalë për një të vdekur jo të zakonshëm. Në raste të tilla të jashtëzakonshme, mosrealizimit të një detyre do t’i përgjigjej domosdo shpallja e gjendjes së jashtzakonshme. Për të mirën e përgjithshme, liritë e fituara si dhuratë, kufizohen përkohësisht. Gjendja e jashtëzakonshme nuk u shpall me bujë e tambura, por nën zë me pëshpërimë, gati në heshtje, vetëm me përhapjen e një parulle kuptimqartë. Parrulla është si kënga që të ngre peshë. Konçentrat i një letërsie të tërë, kultivuar në dekada. Përvojë e ngjeshur jete.Jo, gjithkush mund të formulojë parulla. Gogu i Madh i Pazëvendësueshmi, i kishte lënë ato, amanet me shkrim, për brezat që do të vinin.

Ai kishte shumë kërkesa ndaj vetes. Krijoi parrulla, jo për të duruar lodhjen , mundimin, qoftë dhe hallet e përditëshme, si kishin bërë paraardhësit dhe bashkëkohësit e tij në vende të tjera, por për t’i zhdukur ato rrënjësisht, për t’i bërë të papranishme, deri në atë shkallë sa dhe koncepte të tilla të mos përdoreshin, veçse për qënie shumë të largëta, të panjohura dhe që nuk i ngjanin fare atyre, të popullit që ai udhëhiqte. Kjo punë kërkonte kohë, e mbi të gjitha mprehtësi. Duheshin hulumtuar vëllime të pafundme letrare e politike, të frymëzuara nga ai vetë. Parulla që pritej do të ndryshonte disi nga të parat, se ishte për një rast të veçantë e të paparashikueshëm; dhe për më tepër do të formësohej nga pasardhësit. Më në fund parulla u shfaq e plotë dhe e qartë si drita e diellit: “Dhimbjen t’a kthejmë në forcë,”që do të thoshte në stërmundim. Me fjalë më të thjeshta ua shpjeguan fillimisht çizmeve, pasi mushamatë dhe kovat, thithnin më shumë, më pas të tjerëve; dhe parrulla u njësua me shprehjen:

“ Përjeto vdekjen , që pavdeksia të mbijetojë.” Ata u përgjigjën: “ Japim nga ditët tona;”dhe ashtu u bë, disave ua morrën të gjitha ditët dhe ua ndanë të tjerëve për frymë, si ndahen tokat në vendet demokratike. Një njeri i vetëm nuk është në gjendje të formësojë një parrullë; dhe as t’a kuptojë atë; por ata e kuptuan, se e kuptuan shumë veta njëherësh. Pra ata tani nuk do të mjaftoheshin vetëm me pjesën e parë të frazës, që e njihnin dhe e zbatonin me dëshirë e entuziazëm, por merrnin përgjegjësi dhe për të dytën, pra për atë që bëhej.Ky ishte një cënim i lirisë së qënies, por ishte i përkohshëm, i pazakontë, për shkak të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Gjithsesi ata, më shumë i mbante gjallë, ajo monotoni joshëse dhe besimi në përjetësinë e saj, se sa rezultati i pritshëm; dhe kësisoj ndjeheshin të lirë brenda vetes.

Për të lidhur shkakun me pasojën, u deshën mendje më të kthjellta e më praktike. U dyndën një mori kasketash, që mbulonin koka goxha të ngjashme, për të parë në vend burimin e së keqes. Sëpari u dha urdhër të shtohej në llaç përbërësi çimento, ndërsa disa llaçbërës u dënuan me varje si sabotatorë. Një proçes i ngjashëm nisi, edhe në fabrikën e çimentos. Më pas dikujt i shkrepi një mendim, se shkaku i dëmtimit mund të kishte qenë përdorimi ujit të kripur gjatë gatimit të llaçit. Të nesërmen në varganin e kovave munguan shtatëmbëdhjetë syresh. Ato u varën bashkë me mbajtësit. Mbetej të shqyrtohej, një çështje tepër delikate, dhe mjaft më e maskuar nga ato teknike të parashtruara. Për këtë kasketat punuan gjatë, me ngulm vetmohues; dhe me një nuhatje të pazakontë për qëniet njerëzore.

Ishte rreptësisht e ndaluar, të përdoreshin gazeta me foto udhëheqësish dhe funksionarësh të lartë, të partisë dhe të shtetit, për mbështjelljen e hajes së drekës. Por në njërin nga rreshtat e gurmbajtësve kishte ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme. Kur po drekonin të ulur ashtu siç ishin, njërës, prej krijesave, i rrokulliset një kokërr ulliri nga gazeta e tij e ngrënies, dhe ndalon pikërisht pranë këmbëve të kriminelit të ardhshëm. Krijesa, për t’a shpëtuar atë kokërr, me vlera të mëdha ushqimore, u zgjat duke e kapërcyer bukëgrënsin që kishte në krah; dhe padashur i shkuan sytë, tek gazeta e atij tjetrit. Ajo gazetë kishte të stampuar foton e një udhëheqësi të shquar. Megjithse ajo pjesë e letrës, që përmbante foton, ishte tepër e zhubravitur dhe e konsumuar, dhe figura nuk shquhej fare, vrojtuesi i kujdesshëm, e kishte kapur nga përmasat, se ajo njollë e errët, i korrespondonte figurës së gjallë të një udhëheqësi tepër të lartë partiak e shtetëror. Një foto me përmasa 18 x 13cm, mund t’a gëzonin vetëm dy, apo tre vetë, në majën më të lartë të piramidës partiako-shtetërore.Kishte ligje dhe rregullore, që përcaktonin qartë, madhësinë e fotos, së lejueshme për botim, për çdo qënie, sipas rangut. P.sh. një koperativisti të dalluar, nuk i lejohej, të shfaqej, me një foto më të madhe se 4 x 3cm. T’i shtoje disa centimetra, qoftë dhe pa dashje, një krijese, që nuk e meritonte atë nder, e paguaje me kokë.

Dhunimi i asaj fotografije, nga bukëngrënësi kondravajtës, u shqyrtua gjatë; dhe u dizenjuan të gjitha linjat, që duke nisur nga ajo ngjarje, mund të çonin në sabotimin e punimeve, në tempullin e vdekjes. Ato ditë u kontrolluan të gjitha gazetat që ishin përdorur në banjot publike dhe në nevojtoret e banesave , kryesisht në ato lagje, ku i pandehuri kishte miq e të njohur, ose ishte parë të qarkullonte, ditë më parë. Për të pikasur lidhjet e mundëshme, të individëve dhe të grupeve përgjegjëse për sabotimin, jashtë vëmendjes së survejimit, nuk u lanë as lagjet periferike, si dhe bujtës që kishin udhëtuar ato ditë drejt qytetit. Nga grupe të ndryshme shoqërore, u pyetën mijëra vetë, se ku i kishin kryer nevojat e tyre fiziologjike. Madje disa, që me sjelljet dhe xhestet e tyre, ngjallnin dyshime apo shfaqnin shenja hutimi, u shoqëruan deri në vendngjarje, ku duhet të gjenin me patjetër dhe duke u përbetuar mallin e tyre të braktisur.
Me që ekspertët, nuk kishin mundur të dallonin fytyrën e udhëheqsit,me gjithë përdorimin e metodave dhe mjeteve më moderne të kohës, i pandehuri kishte gjetur preteks të dredhonte; duke ngulur këmbë, se në atë foto pasqyrohej, figura e një traktoristi pararojë.Kjo shaka, kishte shkaktuar, buzqeshje ironike te kasketat, pasi jo vetëm ata, is dhe çdo qytetar i ndershëm, por edhe një fëmijë e dinte, se fotot e traktoristëve botoheshin vetëm në përmasat 6x4cm, as më pak dhe as më shumë. Si përfundim, i inkriminuari, duke patur parasysh disa rrethana lehtësuese, u dënua vetëm me pushkatim; ndërsa dy të tjerët që ai i kishte në krahë, u dënuan me akuzën: “ për mungesë vigjilence,” me burgim të përjetshëm.

Dënimi me burgim të përjetshëm, i dy të tjerëve, iu duk paksa i tepruar disa juristëve të rinj e pa përvojë. Madje u guxua deri atje, sa të quhej i gabuar, një dënim i tillë. Sepse – mendonin ata- të dy shoqëruesit anësorë, të kriminelit, të lodhur e të përqëndruar në punë, mund të mos i kishin kapur me sy të lirë, përmasat koresponduese në foto, të një dinjitari aq të lartë. Për rrjedhojë një dënim në masën 20 vjet burg, do të kishte qenë mëse i mjaftueshëm. Por ndryshe nga ata, trupi gjykues kishte qëlluar me përvojë të gjatë në prangosje. Vërtetë në vështrim të parë, dënimi dukej pak si i rënduar, por trupi gjykues duke u mbështetur në përvojën shumëvjeçare, për t’ua bërë, të akuzuarve, sa më të lehtë dhe më pak traumatike jetën në burg, kishte llogaritur ndershmërisht dhe me shumë dashamirësi, të gjitha ridënimet e mundëshme, që do të pësonin të akuzuarit gjatë qëndrimit të tyre në burg, me të njejtën akuzë, apo me akuza të tjera të përngjashme. Kështu që dënimi me burgim të përjetshëm do të ishte më i arsyeshmi dhe më i leverdisëshmi për vetë të dënuarit.

Masat konkrete, u morën mbi bazën e një ekspertize të thellë të fakteve dhe dukurive të tjera ndihmse; por të mbërthyer nga ethet drithëruese të studimit, disa nga specialistët më të mirë, u zhytën aq thellë në labirinthet e të panjohurës, sa përfundimet e arritura tejkalonin skajshëm përmasat e një studimi të rëndomtëtë shkencor. Tema të tilla si: “ Rroli i çizmeve, mushamave, kovave dhe lopatave, në luftën kundër armikut të përbashkët, të jashtëm e të brendshëm, dhe diferencimi cilësor i tyre, sipas fazave progresive dhe luhatjeve objektive, të kësaj lufte,” do të hidhnin bazat e shkencave politiko- shoqërore kombëtare, duke u mbrojtur përherë e më shpesh si tema madhore disertacionesh. Në pritje të paduruar të aplikimit të tyre në praktikë, debutantët ndërkohë, mbushën rradhët e ngjeshura të profesoratit, duke i dhënë një hov të ri zhvillimit të vendit.
Turma gri, u gëzua shumë për masat që u morën, për mbarvajtjen e punës. E ndjenin veten më të qetë e më të sigurtë dhe iu shtua, në mënyrë të natyrshme, edhe vrulli në punë. Se vertetë midis tyre, mund të gjeje të meta, duke i parë si qënie të veçuara, por ashtu të bashkuar ishin një kontigjent i mrekullueshëm, deri në përsosmëri.Pas kësaj ngjarje, për të mos humbur kohën kot, ata konsumonin vetëm gjysmën e racionit të drekës dhe i bënin kafshatat më të mëdha. Gjarpërinjtë e zjarrtë të fenerëve qëndronin ndezur gjer në të gdhirë. Autoritet e larta, nga ana e tyre, u shpjeguan mushamave, çizmeve , kovave dhe gjithë elementëve të tjerë punëprodhues, me fjalë më të thjeshta e të kuptueshme dhe jo vetëm me parrulla, se ata duhej të vetëdijësoheshin jo vetëm për atë që bënin por dhe për atë çfarë bëhej, dhe se duhet t’i bënin sytë katër.Se tanimë nuk bëhej më fjalë për interesa personale, për të gjallët e zakonshëm, por, për një të vdekur të jashtëzakonshëm, për të cilin nuk mund të kishte vdekje, ashtu si për të gjallët e zakonshëm nuk mund të kishte jetë, pa Atë.

Por megjithë këto përpjekje vetmohuese, rezultati nuk po dukej, as në horizont. Ç’do mëngjes pasi kishin arritur të bënin dy-tre orë gjumë, ata i gjenin njëlloj gurët të rrëzuar për tokë nga muret. Rojet e shumta të objektit kishin parë me sytë e tyre, se si shkërmoqej llaçi, dhe si gurët rrëzohëshin njëri pas tjetrit, dhe se ata nuk ishin në gjendje të bënin diçka, që mund t’a pengonte këtë katastrofë. Edhe sikur puntorët të punonin pa ndërprerje ditë e natë, dhe të flinin me turne, në këmbë si kuajt, nuk do të ndryshonte asgjë për më mirë.

3 -Një mëngjezi, sapo kish filluar puna, ia behu në kantier një veturë e zezë luksoze. Shiu i imët, thuajse i padukshëm, ia bënte më të shdritëshme, pjesët metalike të kromuara.Si me magji, pa u diktuar nga askush, vendi rreth sheshit të ndërtimit qe mbushur plot e përplot me kasketa. Prej tyre u shkëputën katër borselino të errta, që siç duket kishin arritur deri aty më këmbë, të shoqëruar nga vargu i pafund i kasketave. Ata u afruan pranë makinës që sapo kish ndalur. Nga vetura zbritën dy burra, njëri, me borsalino të zezë të ngjeshur mirë në kokë, ishte Gogu II zëvendësuesi, tjetri, qe shoqëruesi, ndërsa shoferi qëndroi në timon. Të dy burrat, u bashkuan me grupin e të katërve, dhe përparuan në drejtim të kufijve të gërmadhës. Ndjenja e lartë e përgjegjësisë për detyrën, por edhe nxitja, e padurimi i përligjur i të vdekurit, e kishin sjellë vetë Gogun II, zëvendësuesin, për të inspektuar punimet. Shkak, ishte bërë dhe një ëndër, të cilën e kishte parë njëri nga funksionarët e lartë, por që ëndrimtari vetë, nuk e kishte kuptuar, dhe ashtu siç e kishte parë, ia kishte dërguar me faks Gogut II zëvendësuesit. Në fund të faqes, me P.S., ëndrrimtari kishte shënuar, se ngjarja në ëndërr, iu duk, se zhvillohej në kalanë e Rozafës në Shkodër. Zëvendësuesi, sapo i hodhi një sy të shpejtë letrës, e kuptoi në çast, se në ëndërr, bëhej fjalë për legjendën e murimit. Mesazhi i ëndrrës, depërtonte thellë në rrënjët filozofike të popullit, të cilat, nga autoritetet, ishin lënë disi pas dore, për shkak të punëve të mëdha në projektimin e së ardhmes, megjithse shkencëtarët vendorë, kishin tërhequr vëmendjen disa herë në studimet e tyre, për një afrim më të madh, me thesaret e trashëgimisë popullore. Ajo që e bënte optimist Gogun II, zëvendësuesin, për realizimin e ëndrrës, në rastin e ngritjes së piramidës ose tempullit të vdekjes, siç thirrej ndryshe, ishte fakti se ëndrra ishte parë nga një njeri i pafajshëm në kulturë; pasi fuksionari i lartë, vetëm para disa muajsh, kishte qenë, asgjë më shumë, se një ndihmës traktorist.Partia i kishte dhënë dorën, dhe e kishte çuar atje ku jepte më shumë. Pra, sa i pafajshëm ishte ëndrrimtari, aq ishte dhe ëndrra.
Pastaj Gogut II zëvendësuesit, i vajti mendja siç i ndodhte shpesh, te Gogu i Madh i Pazëvendësueshmi. Dhe pse, e kishte zëvëndësuar, ai për asnjë çast nuk e kishte barabitur veten me atë, sepse Ai, ishte i pazëvendësueshëm nga që ishte i papërsëritshëm.Pra, ishte i lumtur jo për shkak të zëvendësimit, por për faktin, që duke qenë i perzgjedhuri i Tij, kishte patur fatin t’i qëndronte pranë, për një kohë aq të gjatë, për t’a dëgjuar e për t’iu bindur. Privilegj që nuk e kishte patur në jetë asnjë qënie, e kudo dhe e kurdondodhur. Ai vetë, nuk e dinte pse Gogu i Madh i Pazëvendësueshmi e vlerësonte, me gjithë ato gabime që i gjente vetes. Shkonte tek prijsi, ulej në gjunjë para tij, duke qarë me ngashërim, dhe i lutej t’ia falte gabimet. Ai e quante gabim faktin, që Gogu i Madh i Pazëvendësueshmi, e kishte emëruar zëvendësues të tij, madje që në gjallje. Pra, duke menduar që Gogu i Madh ishte i pa zëvendësueshëm,sa dhe i pagabueshëm, këtë gabim ia linte domosdo vetes, dhe i lutej Atij, që t’ia falte. Në seancat e gjata të njëanshme, rrëfimprekse e lotëderdhëse, të larjes së gjynaheve të supozuara, nga ai vetë, Gogu i Madh i pazëvendësueshmi, shpesh e vlerësonte zëvendësuesin, më tepër për të ashtuquajturat gabime, që ishin më të shumta, se sa për punët, sipas tij të bëra mirë; por nuk ia thoshte kurrë të vërtetën, dhe e linte të qante. Gjithsesi, ai çmonte tek zëvendësuesi i tij i ardhshëm, aftësinë që ai kishte në përgjimin e situatës, që sillte për rrjedhojë parashikimin e një të ardhme, më të sigurtë e jetëgjatë.
Pasi kishin arritur në buzë të kantierit Gogu II, zëvendësuesi soditi gërmadhën. Grumbuj avujsh, që kutërbonin kalbësirë, zvarriteshin mbi pirgjet e gurëve të rrëzuar. Nuk foli asnjë fjalë, por vetëm tundi kokën me keqardhje. Katër borselinot që e shoqëronin, tundën kokën dhe ata, në të njejtën mënyrë. Pastaj të gjithë bashkë u kthyen nga kishin ardhur.Para se të largohej, ai u kthye nga mushamatë. Ato sakaqë e përfshinë brenda një harku gjysmë rrethor. Kur i pa ashtu, të ngjeshur e të reshtuar më së miri, Gogu II u kënaq, se vetëm ashtu ata mund të mendonin sikur të ishin një, se vetëm një njësh i madh ishte i denjë për të komunikuar dhe për të gjetur mbështetjen që ai kërkonte.Ata iu dorëzuan atij sikur të ishte vetë Gogu i Madh i Pazëvendësueshmi. Pasi u foli për rëndësinë e ndërtesës, për të ardhmen akoma më të lumtur që i priste, e cila ishte më e madhe nga sa ata e pandehnin, ashtu si lumturia aktuale ishte më e madhe nga sa ata e mendonin, ai e mbylli fjalimin e tij të shkurtër me një shaka ideologjike. Ato qeshën hi-hi-hi, njëzëri, të lumtur. Hi-hi-hi, qeshën njëzëri, dhe borselinot, menjëherë pas tyre. Gogu i II zëvendësuesi u gëzua që mushamatë ishin të lumtura. Ai nuk dyshonte se dhe qëniet e tjera bashkvepruese në kantier ishin po aq të lumtura sa ato. Nga gëzimi për pak desh i shpëtoi nga goja shprehja më e dashur dhe po aq e famshëme e eprorit të tij të madh: “ Jeni ju, pa jemi ne.”Por nuk e tha, iu duk se po mëkatonte duke ia rrëmbyer atë copë lavdie të ndjerit, sepse me fjalëzën “ne “ i ndjeri i drejtohej vetes, ndërsa të tjerët, që hynin në “Ne”-në e madhe s’ishin veçse produkt i Tij. Ndoshta më vonë kur të piqeshin kushtet, do të vinte koha që dhe ai vetë t’a përdorte atë shprehje. Pastaj grupi i udhëheqësve u drejua për nga makinat. Gogu II u largua me mendimin se është gjynah të mos i mbrosh këto krijesa të urta, që do të thotë të mos i cënosh, por me durim dhe këmbëngulje t’ua ruash identitetin e gjendjen egzistuese, në këmbim të dashurisë së tyre. Thellë, thellë në shpirt dhe ai i donte ato qënie fatprurëse, si e do druvari sëpatën, kovaçi çekanin, bujku parmendën, sharrxhiu sharrën. A ka dashuri më të madhe?
Pastaj ai u drejtua nga makina, që qëndronte me motorr e shofer të ndezur, ndërsa katër të tjerëve, iu shfaqën sakaq, katër vetura po aq të zeza sa e tij. Veturat lëvizën drejt një pallati aty pranë, ku do të zhvillohej një mbledhje me rëndësi; ndërsa kasketat u zhdukën si me magji; ashtu si qenë shfaqur.

Tek po udhëtonte drejt pallatit të mbledhjeve, gjithë duke iu shfaqur imazhet mbreslënëse të mushamave, atij ia përshkuan trurin mornica mendimesh nga më të ndryshmet. Më lehtë është të gjesh udhëheqës se sa popull-mendoi- mjaft që ata t’i zgjedhësh nga vetë populli. Pastaj iu kujtua thënia epokale e udhëheqsit të madh , të pavdekshmit : “ Kemi një popull të mrekullueshëm. “Pra kur kemi një popull të mrekullueshëm do të thotë se ai do të mbetet i mrekullueshëm, pasi nuk ka mundësi të ndryshojë një popull i tërë. Për pasojë nga një popull i mrekullueshëm s’ka sesi në të ardhmen të mos lindin udhëheqës të mrekullueshëm.
Kur e mendoi këtë, në thellësi të shpirtit ndjeu njëfarë zilie, por shpejt e frenoi dhe e tërhoqi menjëherë mendimin , se iu duk sikur po bënte tradhti brenda vetes.

4 – Salla e madhe e mbushur mizërisht me më besnikët e të ndjerit e priti me duartrokitje të zjarrta Gogun II zëvendësuesin dhe trupën shoqëruese të borsalinove.
-Kemi thënë dhe kemi shpallur- tha Gogu II zëvendësuesi- se Gogu i Madh nuk ka vdekje por vetëm lindje, andaj mbi qivurin e tij kemi shënuar vetëm një datë. Ai, ndryshe nga të gjithë njerëzit e rëndomtë, mund të mos kishte as lindje, se kështu do t’ia kërkonte nderi, por megjithatë ai e ka atë, vetëm për faktin që ka lindur në vendin dhe kohën e duhur.
Pra vdekja, sipas tij, kishte shpëtuar, jeta jo, por që e para të mbijetonte kërkonte një strehë dhe streha ishte pikërisht ajo që po ndërtohej.
– Kjo është vepra më e madhe për nga rëndësia -tha ai – që kemi ndërtuar dhe që do të ndërtohet në të ardhmen për brezat që do të vijnë.
Pastaj ai foli hollësisht për arkitekturën e brendshme të ndërtesës. Tregoi se si në përputhje me lavdinë e krenarinë e të ndjerit, që s’ka vdekje, kjo piramidë do të ishte e ndryshme nga gjithë piramidat e mëparshme që qenë të mbyllura të errëta e pa mjedise të brendshme për të gjallët. Ky do të ishte një varr i hapur për të gjithë, dhe i përjetshëm për kombin. Do të kishte zyra, salla e ç’do gjë tjetër të nevojshme. Sa më i madh do të ishte aktiviteti që do të kryhej në të, aq më i madh do të qe dhe ndikimi i të vdekurit mbi të gjallët. Ai i siguroi të pranishmit, se shiu do të pushonte një ditë, ndoshta pasi të qe ngritur godina, por klima do të mbetej po ajo. Iluzione do të kishte, por jo tronditje. Unë s’jam gjë tjetër-tha ai- veçse një pasues. Pasues të tjerë do të vijnë, por kurrë zëvendësues se i pazëvendësueshmi s’ka zëvendësues, pasi është i pa përsëritshëm. Në fakt disa pasues qenë ulur në rradhët e fundit të sallës. Ca hundësqepër, e ca kokë çomange, ia përpinin fjalët fjalimtarit para se ai t’i nxirrte nga goja. Nguleshin e shkuleshin ritmikisht në karriget e tyre sikur të kërkonin nga folësi më shumë besnikëri ndaj të ndjerit. A do të jetë ndonjeri prej tyre zëvendësues ? Pse jo, përdersa historia përsëritet do te ketë dhe të papërsëritshëm. Por hëpërhë ishin ende të rinj për të mbajtur atë rëndesë përgjegjësie para të ndjerit. Ndoshta pasi të ishte ngritur ajo piramidë dhe shiu të kishte pushuar do t’u vinte radha dhe atyre. Pastaj Gog zëvendësuesi hyri në temën që e shqetësonte më shumë.- Siç e shihni- tha ai –punët nuk po na venë mbarë në përjetësimin e vdekjes. Kjo vjen nga që punët e përditshme na kanë zënë sytë dhe jemi shkëputur disi nga populli. Nga pikëllimi që na ka zënë kemi harruar fjalët e të ndjerit të madh “ Jetoni gju më gju me popullin.” Po ja që një njeri i thjeshtë, të cilit Partia i dha dorën dhe e ngriti lart në gjirin e saj, në pafajsinë e tij intelektuale pa një ëndërr të pafajshme që i kishte rrënjët thellë në popull dhe ia tregoi Partisë. Pa e ditur ai vetë ajo kishte qenë legjenda e murimit, e cila mbetet aktuale dhe sot e kësaj dite, sepse pa gjak e sakrifica nuk mund të ndërtohet asgjë.

Më tej ai u tregoi besnikëve të sallës se ç’ishte legjenda e murimit. Se si tre vllezër ndërtonin kalanë e Shkodrës. Ditën ngrinin muret dhe të nesërmen në mëngjes i gjenin të rrafshuara me tokën. Se si vendosën të murosin njërën nga gratë e tyre, nusen që do të vinte e para në mëngjes për t’u sjellë sillën. Se si u betuan të mos i tregojnë grave dhe se si dy nga vëllezrit bënë sikur e tradhtuan më të voglin, duke ua treguar të fshehtën grave të tyre. Ajo që s’dinte gjë ishte nusja më e vogël që kishte një fëmijë që e ushqente me gji. Pastaj u tregoi si e kapën e si e murosën dhe si ia mbajtën amanetin duke ia lënë njërin gji përjashta murit që të ushqente foshnjën me qumësht.
Pasi u tregoi të pranishmëve legjendën e murimit, Gogu II zëvendësuesi u tha se duhet të tregoheshin të vëmendshëm në interpretimin e saj. Shkencëtarë të huaj keqdashës kanë dashur të thonë se kjo legjendë tregon edhe për tradhtinë brenda familjes të asaj race. Por shkencëtarët tanë të shquar vendorë, ideologjikisht të pastër e me një logjikë të hekurt, kanë një tjetër mendim, që mbështetet në filozofinë patriotike popullore dhe në ideologjinë tonë ngadhënjimtare. Dy vëllezrit më të mëdhenj ua treguan të fshehtën e përbetuar grave të tyre për t’ia bërë nderin nuses dhe vëllait të tyre më të vogël që ishin më të mirët dhe për më tepër kishin edhe një fëmij të vogël në moshën e gjirit.
-Kështu e kuptojmë edhe ne legjendën- tha Gogu II zëvendësuesi- dhe kështu do t’a zbatojmë. Pastaj ai foli për situatën ndërkombëtare. Që pas vdekjes së të pavdekshmit – tha ai – presioni ndërkombëtar është rritur së tepërmi. Por ne u kemi thënë hapur të huajve po të doni na pranoni kështu siç jemi. Dy rrugë ka. E dyta është të mos na pranojnë , por të na lenë kështu siç jemi. Kjo është rruga e së ardhmes, që u takon pasuesve, atyre që do të vinë.
Atëhere, hundsqepët dhe kokëçomaget u hodhën pupthi nga karriget e tyre dhe u zgërdhinë të lumtur. Fjalimi patetik u mbyll me ngritjen në këmbë njëherësh të pranishmëve, të cilët duartrokitën me një ritëm të pa gabueshëm dhe hodhën parulla përvdeksie.

5- Na ishin tri gra, tri motra binjake, që kishin për burra tre funksionarë të mesëm të Partisë dhe të Shtetit. Një kombinim i mrekullueshëm që i shkonte për shtat legjendës. Jo më kot i vajti mendja pikërisht këtu, Gogut II zëvendësuesit. Tre bashkëshortët ngjanin midis tyre më tepër se tri motrat binjake.
Ata mendonin njëlloj, flisnin njëlloj, i merrte urija, kishin etje, hanin, gogësinin, urinonin, flinin, qetësoheshin, shqetësoheshin, turfullonin, shturfullonin, brengoseshin, ç’brengoseshin në të njejtën kohë. Tekefundit ashtu ishin edukuar. Njëri vinte zgërhell i gjatë dhe thatim, tjetri i shkurtër rondokop, ndërsa i treti mesatar shpatull gjerë e muskuloz. Kafkat varionin gjithashtu nga e gjera tek stërgjatsja. Megjithatë ata thoshin se ngjanin shumë dhe së jashtmi dhe se do t’a njihnin njëri tjetrin si të ngjashëm edhe duke mos folur asnjë fjalë, por me fjalë nuk ishin në gjendje t’a shpjegonin. Ky ishte një privilegj i atij grupi dhe u privohej të tjerëve, pasojë e nuhatjes, thënë ndryshe në gjuhën shkencore, instiktit. Një sy jashtë këtyre dimensioneve do t’ a kishte shumë të vështirë. Do të duhej më tepër një analizë e mendjes se sa një perceptim i thjeshtë pamor, megjithse dhe nuhatja shpesh prodhon fjalë që i ngjajnë arsyetimit. Vëllime të tëra librash dhe fjalime të rëndësishme historike, s’janë gjë tjetër veçse nuhatje e arsyetuar.
*
Gogu II, zëvendësuesi, i thirri vetë tri motrat binjake në zyrën e vet, u tregoi pse i kishte thirrur dhe u shpjegoi legjendën.
-Ne- tha ai midis të tjerave- jo vetëm do t’a vemë në jetë legjendën , por dhe do t’a pasurojmë atë me ideologjinë tonë nganjdhimtare, që është garancia e të gjitha fitoreve, të sotme e të së ardhmes deri sa të ketë jetë në këtë vend. Se besën e ndeshmërinë e të parëve tanë kemi për detyrë, jo vetëm t’a ruajmë por edhe t’a ngremë lart e më lart.Pastaj u foli për ndërtesën që po ngrihej dhe tha: “ Nuk është fjala për të ngritur thjeshtë një ndërtesë, por për t’a bërë atë të përjetshme, nëpërmjet shpirtit të saj që është thelbi i pandryshueshëm dhe jo të formës së ndryshueshme e të adaptueshme. Kjo ndërtesë është më e rëndësishmja nga të gjitha dhe i përfshin të gjitha” “E di mendimin t’uaj – shtoi ai- por do t’ju kërkoja në formë sugjerimi apo direktive të më mirkuptoni, se ndryshe nga legjenda, njërin prej bashkëshortëve tuaj, që do të muroset për të mirën e popullit dhe të Partisë, t’ia lemë Partisë t’a zgjedhë dhe jo shansit e rastësisë, të cilat nuk përputhen kurrsesi me parimet tona ideologjike që na udhëheqin në ç’do hap. Në atë kohë rastësia ishte diçka normale, por ne do të marrim nga trashëgimia popullore atë që përputhet me moralin tonë , ndërsa të metat do t’i shohim me sy kritik.”
Motrat binjake pranuan menjëherë dhe thanë: “ është në nderin tonë dhe për të mirën e përgjithshme që për ç’do gjë të vendosë Partia”, por thellë, thellë në zemër mbetën të lënduara se, secila prej tyre dëshironte me zjarr që të murosej burri i saj. U larguan duke mbajtur secila brenda vetes të njejtën shpresë të fshehtë për realizimin e kësaj ëndrre, tani jo nëpërmjet rastësisë dhe fatit, por prej vendimit të Partisë.
Partia vendosi për zgërfyellin thatim për të vetmen arsye se, të qenët rondokop, ishte një e drejtë që u rezervohej vetëm funksionarëve më të lartë të shtetit dhe Partisë, ndërsa të tjerët ishin përgjithsisht të thatë ose në mish të vet. Nuk dihet as sot, përse i treti nga kunetërit nuk u morr në konsideratë.
*
Ato ditë në buzë të gërmadhës u shfaq një burrë i gjatë e thatim. Mbi kokë i qëndronte kasketa, ndërsa në trup ishte i tëri në dok. Xhaketa ngjyrë kafe e çelur qe mbërthyer deri në grykë për t’i lënë sa më shumë vend dekoratave të metalta që i kish fituar për merita të veçanta dhe që vareshin thuajse njëra mbi tjetrën për mungesë vendi. Dukej sikur pesha e tyre e kalonte atë të trupit të tij të hollë e kockor megjithse ai i hante me gjatësi. Fytyrë zbehtë e hapmatur, i anuar nga njëra anë prej peshës së një çante të zezë të mbushur me letra, ai u afrua drejt vendit të murimit. Atje atë e prisnin tri kasketa të tjera. Lopatat dhe mistritë qëndronin pranë një grumbulli gurësh dhe një turre llaçi të gatshëm, dhe shfaqnin shënja padurimi.
I dridhej zemra dhe e kish mbërthyer ngërçi në trup nga frika se mos i hiqnin dekoratat. I dukej sikur po të mos i merrte me vete do t’iu humbiste vlera dhe bashkë me to do të humbte dhe qëllimi i jetës së tij, dhe shpërblimi i vetëm i saj. I ngjizur në botën e thellë të ndjesive e të pasioneve, ai e donte dhe ruante jetën më shumë se të tjerët. Por, ishte po aq i gatshëm t’a dorëzonte atë, për një çështje kaq madhore.
– Ç’farë e ke atë- e pyeti i pari i tre kasketave duke treguar me gisht në drejtim të çantës.
– Janë kujtimet e trimërisë- i tha tjetri- dhe ia dorëzoi çantën kryekasketës. Pasi mori në dorëzim çantën kryekasketa tha: – Tani thuaj dëshirën tënde të fundit sipas legjendës.
– Ma lini grushtin jashtë, të nderoj e të udhëheq popullin tim- tha ai- dhe lëvizi krenarisht drejt vendit të ngjarjes. Fjala e fundit nuk tingëlloi mirë. I ngërthyer nga emocionet i tejkaloi kopetencat kur tha se do të udhëhiqte popullin e tij. Por me që ishte për t’u murosur kërkush nuk ia përmendi për keq atë lajthitje ideologjike . Tekefundit ende nuk ishte bërë i njohur statusi i tij. Edhe dekoratat nuk ia hoqën. Një zemërgjerësi e skajshme, që shfaqej vetëm në raste të tilla solemne. Lopatat dhe mistritë mbaruan punë sakaqë duke respektuar amanetin.
Që nga ai moment çdo gjë shkoi në rregull. Godina hidhte shtat për ditë e më shumë dhe shfaqte trajtat e saj të madhërishme e shkëlqimplote. Edhe sot e kësaj dite një sy shumë i stërvitur mund t’a shohë atë drithërimë hijëzore të atij grushti. Një pakicë tjetër vetëm e ndjejnë. Sa për statusin e të murosurit, për të u diskutua gjatë në shtabin më të lartë të funksionareve. U hodhën shumë propozime, që nga shpallja hero deri tek armiku i popullit. Por së fundi, pas shumë debatesh të zjarrta e zënkash të vogla u vendos njëzëri të shpallej “i humbur.”
*Studiues


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.