AKTUALITET

Video/ Punonjësi i Ujësjellësit humbi jetën në pusetë, nëna apel kryeprokurores Marku: Duam drejtësi!

12:40 - 15.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Senad Nikshiqi – Familjarët e Kleotos Çelikut, i cili humbi jetën një vit më parë në Shkodër teksa po punonte në një pusetë kërkojnë drejtësi. 33-vjeçari ishte prej 18 vitesh punonjës i Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Pas një viti nga ajo ngjarje, nëna e tij, Sanije Çeliku dhe daja i Kleotosit, Fatos Hasaj shprehen se bashkia dhe shteti nuk kanë dhënë asnjë lloj ndihme për dy djemtë e vegjël 6 dhe 2 vjeç si dhe bashkëshorten e tij, Elën. Prindërit e Kleotosit janë të moshuar dhe nuk mund të punojnë më, ndërsa bashkëshortja e të ndjerit duhet të mbajë dy djemtë e vegjël. Familja e Kleotosit jeton në fshatin Golem të njësisë Rrethina në Shkodër. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, nëna e 33-vjeçarit pohoi se djalin e çoi shëndosh në punë dhe ia sollën të vdekur”. “Një kundragaz të kishte pasur Kleotosi, ai do ishte gjallë sot, më thoni sa kushton një kundragaz? Kërko-jmë nga vetingu, kërkojmë nga kryeprokurorja Arta Marku dhe nga kushdo tjetër që të vendosin drejtësinë në vend. Kemi pritur një vit dhe tashmë s’do ndalemi, madje çështjen do e çojmë deri në Gjykatën e Strasburgut”, u shpreh 60-vjeçarja.




A keni marrë ndonjë sqarim për çfarë ka ndodhur?
Nuk më ka dhënë kush asnjë sqarim për vdekjen e djalit tim, Kleotosit, i cili humbi jetën teksa ishte duke punuar në një pusetë si punonjës i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime Shkodër. Nuk ka asnjë lloj ndihme dhe asnjë lloj gjëje nga askush. Unë di vetëm që më ka ardhur djali i vdekur. E kam çuar shëndosh në punë dhe më ka ardhur i vdekur. Jo vetëm që s’më kanë dhënë asnjë lloj ndihme, por të paktën as një kurorë me lule nuk e ka sjellë Bashkia Shkodër pas vdekjes së Kleotosit.

Prej sa kohësh punonte Kleotosi tek Ujësjellësi?
Unë e kam futur djalin në punë që kur ai ishte 15 vjeç. Punonte atje kur ishte krejt i vogël dhe është rritur aty, duke qenë shumë korrekt në çdo gjë.

A ju ka thirrur prokuroria ose ndonjë organ tjetër?
As nuk më ka thirrur prokuroria, as në gjykatë nuk jam thirrur asnjëherë dhe askund tjetër s’më kanë thirrur. Të gjithë janë të lirë, ndërsa djali im është i vdekur dhe ende nuk jemi të qartë për atë ngjarje.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për atë që ka ndodhur?
Gjithkush duhet që të mbajë përgjegjësitë e veta, sepse djali im ka vdekur për shkak se nuk ka pasur mjetet e sigurisë dhe sikur t’i kishte pasur ato, ai do të kishte qenë gjallë sot.

A është zbardhur ajo që ka ndodhur?
Jo, nuk është zbardhur asgjë. Përkundrazi, njerëz të veshur me pushtet po tentojnë që ta fshehin ngjarjen dhe të mos zbardhet. Megjithatë, unë i them që drejtësia të mos ndikohet nga njerëzit me pushtet dhe ta zbardhin ata që ka ndodhur. Duan t’i fshehin faktet, por nuk do munden, sepse ngjarja ka ndodhur ditën për diell. Kemi gjithçka të faktuar.

Si po rriten dy nipat tuaj?
Unë jam 60 vjeçe, burrin e kam 62 vjeç, kam nusen e re që duhet të merret me fëmijët, ndërkohë që nuk kemi asnjë të ardhur. Bashkia Shkodër dhe kryetarja Voltana Ademi nuk na ka dhënë asnjë lloj ndihme, por as institucionet e tjera. Jo vetëm se nuk ka sjellë kurorën me lule, por as arkivolin jo. Ata fëmijë pa ndihmë ekonomike, pa asnjë të ardhur, pa asnjë financë si kanë për t’u rritur dy jetimë sot në një kohë që babai i tyre ka qenë punonjës i shtetit, punonjës i Bashkisë Shkodër. Unë them ta vendosin dorën në zemër ky shtet ose bashkia për t’u dhënë ndihmë dy jetimëve që kemi në shtëpi. Unë nuk e shoh të arsyeshme që mos të na ndihmojnë.

Me çfarë merreni ju?
Asgjë. Kush na merr ne në punë sot në këtë moshë. Kush me më merr mua 60 vjeçe, ose burrin tim 62 vjeç, kush m’i rrit dy jetimët që kemi? I lutem bashkisë dhe shtetit të mendojnë për dy jetimët, duke qenë se babai i tyre vdiq në krye të detyrës dhe ajo ndodhi për shkak se djali im nuk kishte mjetet e duhura të punës dhe u detyrua të futet në pusetë pa mjete. Një kundragaz të kishte pasur Kleotosi, ai do ishte gjallë sot, më thoni sa kushton një kundragaz? Kisha dhënë gjithë jetën e gjithë pasurinë e gjithë fisit vetëm ta kisha djalin. Edhe varrimin e ka mundësuar vetëm daja i tij, pra vëllai im dhe pak ndihmë nga disa të afërm të tjerë.

Çfarë kërkoni ju?
Unë dua drejtësi dhe dua të gjitha të drejtat për djalin tim. Ai ka qenë punonjësi më i mirë. Ka qenë shumë i rregullt, ndërsa ka paguar edhe të gjitha sigurimet që nga koha kur ka nisur punën, 15 vjeç dhe deri kur u nda nga jeta në moshën 33-vjeçare. Shteti duhet të na përgjigjet edhe për vazhdimësinë. Kërkojmë nga vetingu, kërkojmë nga kryeprokurorja Arta Mar-ku dhe nga kushdo tjetër që të vendosin drejtësinë në vend. Kemi pritur një vit dhe tashmë s’do ndalemi, madje çështjen do e çojmë deri në Gjykatën e Strasburgut.

DAJA I VIKTIMËS

Fatos Hasaj, daja i Kletos Çelikut deklaroi se ka bërë disa përpjekje për të kërkuar ndihmë, por deri më tani nuk ia ka arritur. Një gjysmë pensioni prej 126 mijë lekësh të vjetër është krejt i pamjaftueshëm për familjen e Kleotosit, e cila jeton me vështirësi ekonomike. Ndërkaq, Hasaj tha se drejtësia duhet të bëjë punën e saj dhe se institucionet duhet t’i vijnë në ndihmë familjes së Kleotosit, e cila prej një viti është lënë në harresë.

33-vjeçari Kleotos Çeliku shkoi të zhbllokonte pusetën e ujërave të zeza, u asfiksua nga gazi toksik

SHKODËR – Më 14 korrik të vitit që shkoi, Kleotos Çeliku kishte dalë nga shtëpia e tij si çdo ditë për të shkuar në punë. Mësohet se kur ka shkuar tek Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime ku punonte prej 18 vitesh, i është thënë që atë ditë duhej të shkonte për të zhbllokuar një pusetë të ujërave të zeza në lagjen “Rus” të Shkodrës. Kleotosi u nis atje për të mos u kthyer më i gjallë. Ai u fut në pusetë, por menjëherë u asfiksua nga gazi toksik që gjendej brenda. Kleotosi gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa një koleg i tij shpëtoi sepse e nxorën në kohë nga puseta, ndërsa edhe ai rrezikoi jetën. Në vendngjarje përveç ambulancës mbërriti policia, prokuroria dhe Inspektorati i Punës për të nisur hetimet. Nisi një hetim për atë ngjarje, ndërsa u bë edhe ekspertiza, që sipas familjarëve rezulton se shkaku i vdekjes është nga mungesa e kushteve të punës, duke qenë se Kleotosit nuk i ishin dhënë mjetet e duhura. Nga hetimet deri më tani ende nuk është zbardhur e plotë ajo që ka ndodhur. Pas ngjarjes pati edhe disa protesta në Shkodër nga Shoqëria Civile, që kërkonin drejtësi për jetën e humbur të Kleotos Çelikut.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.