SHËNDET

Mjekja, Vlera Lekaj: Dhimbjet e gjoksit, shenjat që nuk duhet të neglizhoni

15:40 - 16.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dhimbjet e gjoksit mund të paralajmërojnë një sërë sëmundjesh, të cilat në rast se nuk kurohen në kohë mund të kenë pasoja të rënda shëndetësore. Mjekja Vlera Lekaj, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, shpjegon rastet që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë dhe rastet që mund të trajtohen me dieta ushqimore.




Çfarë paralajmërojnë dhimbjet e gjoksit?
Dhimbjet e gjoksit janë një problem i shpeshtë, i ndeshur në praktikën e përditshme klinike. Përfaqësojnë një simptomatologji komplekse në llojin e tyre, sepse në varësi të karakteristikave që kanë, dhe shenjave shoqëruese, ndajnë origjinën e tyre. Sigurisht rastet më të rrezikshme janë të lidhur me problemet kardiake.

Si dallohet origjina e dhimbjes?
Për të dalluar origjinën e tyre, mjekët performojnë te pacienti një sërë testesh dhe ekzaminimesh mjekësore. Por disa njohuri duhet t’i ketë çdo individ, që të arrijë të dallojë llojin e dhimbjes së gjoksit që mund të ndjejë në një moment të caktuar, për të kuptuar origjinën e saj.

Cilat janë rastet e rënda, kur pacienti duhet të shqetësohet për pasoja në shëndet?
Rastet e rënda sikur thashë më lart lidhen me zemrën, dhe kërkojnë një ndërhyrje të shpejtë, me medikamente. Një nga dhimbjet e gjoksit të lidhura me zemrën njihet si Angina Pektoris. Angina pektoris ndodh si rezultat i ishemisë së miokardit, që shkaktohet si pasojë e mospërputhjes së nevojës së miokardit me oksigjen me furnizimin e tij nëpërmjet enëve koronare. Klinikisht pacienti ankon për një fillim gradual të saj, duke arritur intensitetin brenda disa minutash. Qetësohet për pak minuta, pasi pacienti ndalon ecjen apo një aktivitet fizik të caktuar, si dhe pasi vendos nitroglicerinë nën gjuhë. Përshkruhet më tepër nga pacientët si ndjenjë diskomforti apo sikleti në gjoks dhe jo si një dhimbje e mirëfilltë. Ndodh më së shumti gjatë një aktiviteti fizik, por provokues mund të jetë dhe ambienti I ftohtë, emocionet e forta, apo thithja e tymit të duhanit. Shoqërues të dhimbjes mund të jenë dhe ndjesi te vjellash, lodhje, këputje me djersë të ftohta apo dhe vështirësi e theksuar në frymëmarrje. Në varësi të rëndesës që ka si shqetësim, klasifikohet ku në rendet e para nuk kemi kufizim të aktivitetit fizik për shkak të shqetësimeve, apo kemi një aktivitet fizik te kufizuar lehtë dhe në rendet më të larta për shkak të rëndesës së gjendjes, pacienti e ka të kufizuar aktivitetin fizik dhe shqetësimi mund ti shfaqet dhe në qetësi. Si dhimbje lokalizohet në dërrasën e kraharorit, por mund të përhapet dhe në krahun e majtë.

Cilat janë ekzaminimet më të shpeshta?
Ekzaminimet më të shpeshta që kryhen në këto raste, jane elektrokardiograma. Një check up i përgjithshëm për të parë gjendjen shëndetësore.

Cilat janë masat që duhen të merren në lidhje me ushqyerjen?
Masat që duhet të merren janë kujdesi në dietën ushqimore, sepse janë zbuluar faktorët e yndyrave të larta si një nga shkaktarët më të shpeshtë. Sigurisht duhet stabilizuar niveli i tensionit arterial, por vendin e parë e mbajnë vlerat e larta të yndyrave në gjak, për shkak se bllokojnë arteriet që furnizojnë zemrën me gjak. Komplikacioni më i rëndë është avancimi i saj drejt infarktit të miokardit që mund të jetë vdekjeprurës. Mjekimi i angina pectoris fillon nga aspirina, si dhe në vazhdim me medikamente antiagregues të gjakut. Sigurisht që kujdesi i pacientit vazhdon më tej me dietën ushqimore, monitorimin e vlerave të glicemisë në gjak, si dhe kontrollin e vazhdueshëm tek mjeku i familjes. Por dhimbjet e gjoksit mund të kenë dhe origjinë tjetër, kështu ato mund të jenë me origjinë nga stomaku, ezofagu sidomos kur shoqërohem me probleme te ndryshme me tretjen e ushqimit. Pacientët ankojnë për aciditet të shtuar, dhe zakonisht qetësohen nga barnat antiacide. Tjetër origjinë e dhimbjeve të gjoksit mund të jenë nga mushkëritë sidomos kur shoqërohen me kollë apo dhe ethe me temperaturë të lartë, si dhe dhimbjet nga problemet e qafë si spondiloartroza, e cila shoqërohet dhe me kufizim të lëvizjeve të qafës si dhe me mpirje krahu. Tek mjeku i familjes këto shqetësime të pacientëve janë të shpeshta. Nëse jeni mbi 40 vjeç, dhe këto dhimbje iu shfaqen papritur duhet patjetër të kërkoni asistencë mjekësore për çdo rast. Ndër sëmundjet kroniket angina pectoris është e shpeshtë, dhe 1 ndër 3 pacientë merr mjekim rregullisht.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.