KULTURË

Aleanca e Teatrit: Qeveria po dhuron pronën, ja faktet

15:05 - 17.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka publikuar dje një analizë me të cilën argumenton se si qeveria po argumenton manipulimin e çështjes së pronës publike.
Duke renditur edhe shkeljet, mes tyre dhe ato të Kushtetutës, Aleanca thotë se llogaritet vetëm toka mbi të cilën është vendosur thjesht godina e teatrove.




QËNDRIMI I ALEANCËS
Problemi kryesore lidhur me ligjin që lejon rizhvillimin e Teatrit Kombëtar dhe zonën përreth, ka të bëjë me përdorimin e tokës publike në këtë projekt. Kohët e fundit, qeveria ka theksuar në publik se pjesa private e projektit “nuk do të prekë pronën e Teatrit”. Ky argument i qeverisë, i thënë së fundmi, është përdorur për të kundërshtuar dyshimet se qëllimi i vërtetë i planit është t’i dhurojë tokë publike zhvilluesve privatë të paracaktuar. Megjithatë, ky pretendim i Qeverisë është i rremë pasi shumica e rizhvillimit të zonën do të ndodhë në pronën publike. Një dokument i përgatitur nga Aleanca, që i është dërguar dhe ndërkombëtarëve, tregon dhe njëherë se si po manipulon qeveria me këtë problem.

1) Plani i rizhvillimit
Për ta ilustruar këtë, në foton më poshtë kemi paraqitur zonën në shqyrtim. Duke përdorur faqen zyrtare të qeverisë shqiptare për parcelat kadastrale, mund të shohim se ky plan rizhvillimi ndikon në 11 prona të ndryshme, të cilat në figurën 1 janë vijëzuar me të kuqe:
Duke përdorur të njëjtën faqe interneti, lehtësisht mund të merret informacion në lidhje me sipërfaqen dhe pronësinë e çdo prone. Siç tregohet në Tabelën 1, nga 9026.74 metra katrorë gjithsej, mbi 90 për qind janë në pronësi publike, me vetëm pjesën e mbetur në pronësi të individëve privatë. Përveç pronës me numër kadastre 1/241, e cila është prona aktuale e Teatrit Kombëtar, publiku zotëron gjithashtu 2600 metrash katrorë shtesë në këtë zonë. Pjesa më e madhe e kësaj toke shtesë është në pronësi të Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili, sipas Kushtetutës dhe ligjit për qeverisjen vendore, duhet të miratojë transferimin e një prone tek një palë e tretë me shumicë votash prej tre të pestash.
Tabela 1: Pronat e regjistruara në zonë
Numri i kadastrës Pronari Hapësira (m2)
1/241 Publik 5522.72
1/66 Publik 1266.58
1/242 Publik 801.42
1/197 Privat 336.79
1/183 Privat 325.4
1/67 Publik 182.68
1/239 Publik 169.42
1/220 Privat 141.95
1/240 Publik 137.41
1/62 Privat 90.71
1/251 Publik 51.66
Total 9026.74
Total Publik 8131.89
Total Privat 894.85


Ndërsa qeveria publikisht pohon se do të “negociojë me investitorin privat” lidhur me rizhvillimin e zonës, në media janë zbuluar makete të cilat tregojnë skemën e përgjithshme të planit. Gjurma e planit të rizhvillimit, siç është prezantuar në burime të ndryshme, tregohet në Figurën 2. Sipas tenderit, ndërtesa e gjelbër është Teatri i ri Kombëtar dhe kullat e verdha janë pjesë e zhvillimit privat të zonës.

2) Përdorimi i tokës publike
Siç shfaqet poshtë, është pothuajse e pamundur të ndërtohet ajo që është planifikuar pa shkelur pronën publike. Sipërfaqja e tokës që aktualisht është pronë private është shumë e vogël dhe kufizohet vetëm në një shirit të ngushtë, siç shihet në Figurën 3.
Pyetja nëse zhvillimi privat do të ndodhë apo jo në pronën me numër 1/241, që sot është toka e Teatrit, është plotësisht e pavlerë. Pjesa tjetër e pronës publike do të rizhvillohet për interesa private si një mënyrë për të justifikuar rizhvillimin e Teatrit. Për më tepër, është pikërisht kjo pika që Qeveria ka shkelur Kushtetutën duke marrë një pronë të Këshillit Bashkiak pa zhvilluar votim në Këshillin Bashkiak për ta miratuar këtë proces me 3/5 e votave!
Gjithsesi, ka arsye të forta për të dyshuar se një pjesë e pronës publike 1/241 do t’i jepet zhvilluesit privat. Zyrtarët qeveritarë kanë pohuar publikisht se Teatri Kombëtar zotëron vetëm 1500-2000 metra katrorë, pra vetëm toka mbi të cilën është vendosur thjesht godina, siç tregohet në Figurën 4 më lart. Pjesa tjetër e pronës 1/241 zihet nga Teatri Kombëtar Eksperimental, një godinë më e vogël për artistët e rinj dhe shfaqje të pavarura, si dhe një oborr që lidh dy ndërtesat. Duke mohuar se e gjithë zona e Teatrit është 5522.72 metra katrorë, siç është regjistruar aktualisht, qeveria po përpiqet të justifikojë rizhvillimin e pjesëve të saj. Ekziston një tjetër shqetësim, nëse duam t’i besojmë planeve të bëra publike. Ndërtesa e propozuar e Teatrit Kombëtar do të ketë formë të ngjashme me një papion, siç shihet në Figurën 2. Sallat e teatrit do të vendosen mbi katin përdhes. Ky i fundit do të shërbejë zyrtarisht si një “hapësirë publike” e hapur, por në të vërtetë do të jetë rruga drejt kullave private prapa kompleksit teatror. Në fakt, vetë Teatri Kombëtar nuk do të ketë truall të tijin.

3) Nevoja për një ligj të veçantë
Nëse autoritetet publike thjesht do të jepnin leje për të zhvilluar pronën private në këtë zonë, që ilustrohet në Figurën 3, ata nuk kishin përse të kërkonin një “ligj të veçantë”. Megjithëse ky është dukshëm një projekt i dëmshëm nga pikëpamja urbane dhe historiko-kulturore, të gjitha instrumentet ligjore për dhënien e një leje ndërtimi tashmë ekzistojnë në legjislacionin shqiptar, ndaj nuk ka përse të shpiken ligje të reja. Arsyeja përse është propozuar një “ligj i veçantë” është unifikimi i të gjitha pronave publike në një plan të vetëm rizhvillimi dhe pastaj transferimi tek ndërtuesit privat. Një plan i tillë, siç është përshkruar më lart, është një shkelje e Kushtetutës pasi Këshilli Bashkiak nuk ka dhënë lejen për ta transferuar pronën tek një palë e tretë, siç është shpjeguar nga deklaratat e mëparshme të Aleancës.

4) Shënime përmbyllëse
Ajo që vlen të ritheksohet është se dallimi mes pronës publike të Teatrit apo jo është tërësisht i pavend dhe i shpikur nga qeveria për të justifikuar planin e saj. Mbi 90 për qind e zonës në fjalë është pronë publike dhe do të të rizhvillohet nga private, teorikisht për të justifikuar kostot e një teatri të ri. Ka shumë të ngjarë që gjithashtu një pjesë e terrenit aktual të Teatrit do të jetë pjesë e rizhvillimit privat. Kjo është arsyeja pse ky “ligj i veçantë” është propozuar nga qeveria, edhe pse ai shkel Kushtetutën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.