OPINION

Takimi Trump-Putin si Jalta e dytë për shqiptarët

07:40 - 17.07.18 Ralf Gjoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është e qartë se takimi Trump-Putin sapo ka hedhur themelet e një rendi të ri botëror, të udhëhequr tërësisht prej interesave pragmatiste të fuqive të mëdha dhe ekzekutuar me mjeshtërinë e gangsteriale të një kaubojsi me armë në brez. Eshtë një skenar teatral që i ngjan më tepër filmave western se sa politikës së jashtme. Me politikën e re botërore, jo vetëm Shqipëria, por shqiptarët si komb dalin të humbur e të dobësuar, njëlloj siç dolën prej Konferencës së Jaltës në 1945.




Presidenti Trump është një president anti-konvencional, kontroversial në kulm, i zjarrtë, instiktiv e imponues, i cili me deklaratat e tij spontane e të papritura po tejkalon imagjinatën e shumicës së analistëve të marrëdhënieve ndërkombëtare e po lë me gojë hapur politikanët kryesorë të vendeve të aleancës perëndimore.

Brenda një jave në dheun evropian, Trump provokoi tërmet në samitin e NATO-s duke kërcënuar me tërheqjen e SHBA prej Aleancës më të fortë ushtarake në botë, u shpreh se mes NATO-s Britanisë dhe Rusisë, takimi me Putin mund të ishte më i lehti, ofendoi Kryeministren britanike Tereza May në shtëpinë e saj duke sugjeruar se plani i saj për Brexit nuk do të funksiononte dhe se Sekretari i Jashtëm i sapo-dorëhequr Boris Johnson mund të ishte një Kryeministër shumë i mirë për britanikët, si dhe theu të paktën dy protokolle mbretërore ndaj Mbretëreshës Elizabeth II. E më pas, një ditë përpara takimit me Presidentin rus Putin, e quan Bashkimin Evropian një armik publik të Shteteve të Bashkuara.

Për të mos u futur në detaje të tjera të bëmave globale të presidentit amerikan, është e qartë se Trump ndjehet më rehat me Kim Jong-un dhe Putin se sa me politikanët përfaqësues të Kanadasë, Gjermanisë, Francës, Britanisë dhe teknokratët e Brukselit, të cilët, ne në këtë katundin tonë shqiptar i duam kaq fort.

Trump e luan politikën sikur të ishte një arenë boksi biznesi, ku nuk ka partnerë, por vetëm konkurrentë, ku të drejtat e njeriut apo vlerat demokratike perëndimore janë vetëm fabula librash, e për rrjedhojë si bishë e fortë biznesi, presidenti i ri amerikan nuk beson tek aleancat, por tek lufta e ashpër për terren e fitim të një-anshëm. Për hir të vërtetës, Trump i ka qëndruar besnik sloganit të tij të sinqertë të fushatës elektorale “America First”, ku interesat e pastra komerciale amerikane prevalojnë mbi çdo të drejtë ndërkombëtare apo komb tjetër.

Në këtë kontekst, rendi botëror i pasluftës, një krijim thellësisht amerikan, ndërtuar mbi aleancën e kombeve perëndimore dhe mbi përhapjen e vlerave demokratike në botë si standard qeverisës – ka rënë!

Dhe kjo për amerikanët apo për vetë rrethin komercial e politik të familjes Trump nuk është aspak negative. Trump me të drejtë po i shërben maksimalisht dhe pamëshirshmërisht interesave pragmatike e strategjike të Shteteve të Bashkuara, duke e pozicionuar vendin e tij jo më si një fuqi demokratike me barrën për të nxitur demokracinë e mirëqenien në botë, por si më të fortin e lagjes, si një gangster me të cilin as nuk duhet të të shkojë ndër mend të përballesh.

Ndaj dhe popullariteti i tij në SHBA ka arritur maja historike, sepse votuesit amerikanë, pavarësisht rolit të padiskutueshëm global të vendit të tyre gjatë këtyre 70 viteve, nuk e njohin botën dhe as të mirat që ajo i sjell ekonomisë amerikane.

Në këtë kontekst, Trump beson se shkundja e themeleve të OKB, e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s e pozicionojnë Washingtonin në avantazh me vendet e tjera, ndërkohë që rrisin popullaritetin e tij brenda territorit amerikan. Dhe këtu ka të drejtë, sepse vepron me logjikën e një afaristi të egër që mendon vetëm për fitimin dhe aspak për produktin që tregton.

Në këto terma u zhvillua edhe samiti mes Presidentëve Trump dhe Putin, si dy të fortë të lagjeve respektive, të cilët i dhanë dorën njëri-tjetrit për të mbrojtur interesat e tyre komerciale. Ky takim që më tepër i shërbeu Rusisë se sa SHBA, ka tërbuar shumë kongresmenë e senatorë në Washington, të cilët e kanë cilësuar samitin si të turpshëm e tradhti kombëtare.

Në fakt, përmbajtja e takimit dhe ‘dashuria’ e re Trump-Putin sugjeron se ky takim i ngjan më tepër një Jalte të dytë, pas të cilit fshihet rendi i ri botëror që do vulosë fatet e shumë kombeve për një periudhë të konsiderueshme kohore.

Konferenca për shtyp Trump-Putin rikonfirmoi vullnetin e të dy vendeve për të negociuar pragmatikisht e mbi baza komerciale, si dy konkurrentë të denjë globalë e si dy fuqi të padiskutueshme bërthamore në botë.

Në mes të këtyre negociatave komerciale e bërthamore, dhe njëlloj si Jalta e parë (e cila si për ironi të historisë ndodhet në Krime), Shqipëria e shqiptarët si komb do marxhinalizohen e do injorohen gjithnjë e më tej, nëse ata vetë nuk bëjnë diçka për veten e tyre.

Është më se e qartë se SHBA ka vite që e ka humbur interesin ndaj Ballkanit duke ia deleguar ndjekjen e aferave politike e diplomatike të vendeve si Shqipëria apo Kosova, nivelit ambasadorial. Përqasja amerikane ndaj Shqipërisë filloi të ndryshojë pas Presidencës së Bush Junior ku Shqipëria në sirtarët e Departamentit të Shtetit ndryshoi statusin nga një aleat strategjik i amerikanëve në rajon, në një vend kandidat për BE. Prioriteti i ri i politikës së jashtme amerikane gjatë presidencës Obama ishte mbështetja e integrimit evropian të Shqipërisë, që de-fakto do të thoshte shkëputje graduale të SHBA nga rajoni.

E pra, takimi Trump-Putin, i cili vjen pas një antagonizmi të ashpër të Washingtonit ndaj Bashkimit Evropian, është lajm i keq për Shqipërinë, për Kosovën e për të gjithë shqiptarët, të cilët duan të integrohen në një entitet problematik për Washingtonin, siç është BE.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, shkëmbimet politike e komerciale mes Trumpit dhe Putinit, ku të dy do japin diçka që të marrin diçka tjetër, mund të rezultojnë në një largim definitiv të SHBA nga rajoni i Ballkanit, i cili as që nuk hyn në interesat ekonomike apo strategjike të të dy vendeve, pavarësisht fabulave ballkanike që ne i tregojmë njëri-tjetrit.

Ndaj dhe në këtë kontekst të ri, shqiptarët, si një popull demografikisht në rënie e provincial në çdo kuptim të termit, duhet të mendojnë për interesat e tyre pragmatike ekonomike për të ridefinuar aleancat e së ardhmes.

Tashmë që BE na e tha qartazi se nuk na e kanë ngenë, e pas skandaleve të njëpasnjëshme të teknokratëve pijanecë e qejflinj evropianë, politika e jashtme shqiptare duhet të fillojë të ndërtojë aleanca specifike me natyrë bilaterale, për t’iu përgjigjur nevojave imediate investuese në vend, sepse potencialet nuk mungojnë. Serbia ka vite që po e aplikon këtë strategji, dhe me shumë sukses.

Ndaj dhe sfida kryesore e politikës së jashtme shqiptare sot mbetet largimi prej përrallave me integrim e aleanca strategjike, dhe orientimi i interesave tona kombëtare thellësisht drejt interesave investuese që gjenerojnë punësim e mirëqenie për ata pak milionë që do mbesin këndej nga anët tona. Thënë shkurt me fjalët e Bill Klintonit, “It’s the Economy Stupid”.

Ndryshe kombi shqiptar do vetëmbytet mes eposit ballkanik ose do përfundojë duke i ndërruar pelenat ndonjë plaku gjerman…

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Po kuptohet, me burokratet qe ka Europa ,asnjeri nuk ja ka friken dhe nuk e vlereson aspak ajo duhet shperbere dhe kure mos u bashkofshim me the se na don’t mish per top ne shqiptareve, fara e be u shoft pergjithmone, shkateroi ekonomite e vendeve the vogla me euron

    Përgjigju ↓
  2. drejt, e kuptuam qe as Amerika e as Europa nuk pj. per ne, ata shikojn interesat e veta, bile shikojn si te na grabisin sa me shume. Me ta jan bashkuar edhe qeveritaret ”tane”.

    Përgjigju ↓