KULTURË

“Za fest”, kinema e muzikë në 1 mijë metra lartësi

15:52 - 17.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nën majat e thepisura të Bjeshkëve të Namuna, buzë Lumit Shalë, rikthehet në Theth festivali i parë modern i dedikuar trashëgimisë të Alpeve Shqiptare. Në edicionin e tij të dytë, për dy net dhe tri ditë radhazi, më 20 – 21 – 22 korrik, Za Fest risjell në Theth muzikën më të mirë shqip, por këtë radhë duke zgjeruar akoma më shumë diapazonin kulturor. Artistët Hasa-Mazzotta, Andrra, Oborri dhe Linda Rukaj do të performojnë live nga Kisha e Thethit. Aktorja Ema Andrea do të interpretojë pjesë nga tregimet, legjendat dhe perrallat e moçme, të cilat na rikthejnë shpirtin e paraardhësve.  Drejtor artistik i “Za fest” është Vlashent Sata, që njihet për muzikën e tij të veçantë. Një repertor i pafundmë, ritmesh, notash dhe vokalesh që mund të përthyejnë çfarëdolloj barriere kulturore. Sfondi i duhur për të shijuar panoramën mahnitëse të Thethit.  Ashtu si në edicionin e kaluar, edhe këtë vit Za Fest shpluhuros nga pesha e harresës pjesë të thesarit gojor të maleve shqiptare, trashëgimi e të parëve tanë. Regjisorja dhe aktorja Ema Andrea do të na rrëfejë dhe do të performojë disa nga legjendat më të bukura të zonës. Por, këtë vit përgatituni për një festival gjithëpërfshirës, i cili kombinon muzikën më të mirë live me artet figutrative, shijet tradicionale dhe aktivitetet sportive në natyrën e bukur të Thethit.




Në ZA Fest kinemaja shqiptare dhe ajo e huaj do të kenë këndin e tyre, për të dhuruar momente relaksi me skenografinë më të bukur në botë, majat e Alpeve Shqiptare! Gjatë këtij edicioni, për herë të parë në ZA Fest, do të organizohet një panair kulinarie me ushqimet karakteristike të Thethit, 100% bio dhe të përgatitura me zemër! Yoga, 1000 metra mbi nivelin e detit dhe të rrethuar nga një bukuri përrallore. Instruktoret Rachel Berryman dhe Rowie Geraerts do të jenë në ZA Fest për të praktikuar bashkë me ne joga, duke na e bërë kontaktin me natyrën e Thethit të papërsëritshëm! Za Fest është shansi më i mirë për të shijuar natyrën e Thethit dhe bujarinë e banorëve të këtij vendi magjik, me atmosferën që meritojnë. Tri ditët e festivalit do të jenë të mbushura me aktivitete si hiking, joga, kinema verore, panair i produkteve lokale dhe shumë surpriza të tjera. Festivali mbahet në Theth, më 20 – 21-22 korrik!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.